Nga: Luiza Hoxhaj
Në një periudhë të
trazuashme për Evropën, Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin
Perëndimor paraqitet si një ndërhyrje e shumëpritur, që synon të rigjallërojë
një proces zgjerimi të ngecur dhe të rikthejë besimin tek rruga europiane e
rajonit. Më shumë se një paketë ndihmash, ky plan është një test realiteti për
politikën e jashtme të BE-së dhe për vullnetin e vendeve të rajonit për të
ndërmarrë reformat e thella dhe të domosdoshme.
Në thelb të planit qëndron
ideja e integrimit të pjesshëm dhe të përshpejtuar në tregun e përbashkët të
BE-së, duke ofruar akses në fusha si transporti, energjia, tregtia digjitale
apo shërbimet, para se të realizohet anëtarësimi i plotë. Ky model inovativ
synon të tejkalojë lodhjen e ndërsjellë të zgjerimit dhe të japë përfitime
konkrete për qytetarët dhe bizneset, duke rritur njëkohësisht presionin pozitiv
për reforma.
Mbështetja financiare
është e lidhur ngushtë me përparimin e reformave, sidomos në fushat e sundimit
të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit, efikasitetit të administratës publike dhe
luftës kundër korrupsionit. Ajo vjen me kushtëzime të forta dhe me mekanizma
kontrolli të rreptë, që synojnë të garantojnë përdorim efektiv dhe të drejtë të
fondeve.
Në planin ekonomik, Plani
i Rritjes ofron një mundësi reale për të transformuar strukturën ekonomike të
vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat prej vitesh përballen me ngadalësi të
produktivitetit, investime të pakta dhe varësi nga remitancat apo ndihmat e
huaja. Qasja më e afërt me tregun e BE-së mund të nxisë investime direkte të
huaja (FDI) dhe të tërheqë kompanitë europiane që kërkojnë vendndodhje
alternative më pranë dhe më të qëndrueshme – një proces i njohur si
nearshoring.
Për më tepër, përqafimi i
axhendave të gjelbra dhe digjitale do të vendoste vendet e rajonit në një
trajektore më afatgjatë zhvillimi, në përputhje me prioritetet e reja
strategjike të vetë BE-së.
Megjithatë, ky plan
përballet me sfida të mëdha. Së pari, fondet që ofrohen – ndonëse të
mirëpritura – janë dukshëm më të ulëta se ato që marrin vendet anëtare të BE-së
në Evropën Lindore. Kjo mund të dobësojë efektin stimulues dhe të shtojë
ndjesinë e trajtimit të pabarabartë në rajon.
Së dyti, zbatimi i
reformave kërkon kapacitete institucionale që nuk janë të garantuara në shumë
prej vendeve të Ballkanit. Historia e dy dekadave të fundit ka treguar se
vullneti politik është shpesh i luhatshëm, ndërsa institucionet – të brishta
dhe të ndikuara nga ndërhyrjet politike. Ka rrezik që reformat të mbeten
sipërfaqësore, duke u zbatuar në mënyrë formale vetëm për të përfituar fonde.
Një tjetër rrezik është
mbi-teknokratizimi i procesit, duke e kthyer planin në një çështje të ekspertëve
dhe burokratëve, dhe jo në një projekt politik të përbashkët që frymëzon
shoqërinë.
Për të pasur sukses, Plani
i Rritjes duhet të mbështetet në angazhim të sinqertë të liderëve politikë në
rajon, por po aq rëndësi ka angazhimi i shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë
joqeveritarë. Vetëm nëse qytetarët shohin përmirësime konkrete në jetën e
përditshme, rritje të standardeve, ndëshkim të korrupsionit dhe përfshirje më
të gjerë në vendimmarrje, ky plan mund të krijojë një moment pozitiv për
transformim të qëndrueshëm.
Për Shqipërinë, Plani i
Rritjes përbën një mundësi të jashtëzakonshme për të përshpejtuar reformimin e
modelit ekonomik dhe për të forcuar lidhjen e saj me BE-në. Shqipëria ndodhet
në një moment ku: ka nisur formalisht negociatat për anëtarësim; po përjeton
një rritje të investimeve në turizëm dhe energji; ka nevojë urgjente për
reforma në drejtësi, administratë publike dhe qeverisje vendore.
Nëse Shqipëria arrin të
strukturojë një agjendë reformash të qarta, të matshme dhe të përbashkëta me aktorët
lokalë dhe ndërkombëtarë, ajo mund të pozicionohet si një nga përfituesit më
aktivë të këtij plani. Kjo kërkon më shumë lidhje midis politikës qendrore dhe
asaj lokale, më shumë transparencë në përdorimin e fondeve, dhe përfshirje më
të gjerë të universiteteve, bizneseve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Por nëse kjo dritare e re
mundësie nuk shfrytëzohet, Shqipëria rrezikon të ngecë në një tjetër cikël
premtimesh të pambajtura dhe pritjesh të zgjatura.
Plani i Rritjes është më
shumë sesa një iniciativë zhvillimore: ai është një ofertë politike dhe
strategjike nga BE, për të shmangur fragmentimin dhe për të kthyer zgjerimin në
një histori suksesi. Por suksesi i tij nuk do të matet me numrin e dokumenteve
të miratuara, por me ndryshimet që qytetarët e rajonit do të ndiejnë në jetën e
tyre: më shumë mundësi, më pak korrupsion, institucione më të forta dhe një
ndjenjë reale se Evropa nuk është vetëm një premtim i largët, por një projekt
konkret që po ndodh tani.
Nessun commento:
Posta un commento