Cerca nel blog

mercoledì 7 febbraio 2024

Refleksion mbi "Andej Baltë Këtej Erë", Balada Arbërore, nga Petrit Rukaj

Sapo përfundova librin e poetit të shquar dhe skenaristit po aq të talentuar Petrit Ruka:

"Andej Baltë
Këtej Erë", Balada Arbërore, dhe nuk doja të flija pa i shkruar modestisht dy fjalë.

Mbas një dite pak të ngarkuar mendova të shlodhesha pak, duke lexuar. Një ditë më parë kisha përfunduar Publicistikën e Zgjedhur të autorit të mirënjohur Erion Kristo, që ishte vërtetë e zgjedhur, një majë në publicistikë për të kaluar në një tjetër majë ne poezi..

Kisha në duar dy librat e vëllezerve Rukaj: "Takim me vetvehten" me autor mikun tim të nderuar Prof. Ethemin dhe të cipërcituarin libër të "Poetit të Perëndive", tashmë, Petrit Rukaj. Isha në dilemë kë të lexoja. Zgjodha poetin.

Jam e mrekulluar! Gjumi mërgoi. Baladat e tij, vargu, metaforat më mbajtën mbërthyer si me magji. Bukuria, thellësia, thjeshtësia dhe lirëshmëria e vargut dhe e prozës të përcjellin një emocion të veçantë. Ato të bëjnë të ndihesh pezull, pa peshë, me një ndjenjë lehtësimi, purifikimi, reflektimi, vlerësimi dhe krenarie për vlerat që mbartin, për trashëgiminë tonë aq të lartësuar prej tij si dhe per gjenialitetit e penës së Tij.

Parathënia nga Pëllumb Kulla dhe esetë e kolegëve të Tij i qëndronin bukur nivelit të baladave.
Udhëtimi përmes miksimit të të shkuarës me të tashmen, të traditës me modernen, të të përherëshmes me të përkohëshmen (sic e perifrazon në përsiatjen e tij, po në këtë libër, Timo Merkuri), duke ja lënë sublimitetin të përherëshmes, te befason.

Në këto raste të kaplon një ndjenjë përgjegjëshmërie se dhe ti duhet të bësh dicka më shumë, sigurisht seicili në atë gjë që di të bëj më mirë, sic ka bërë edhe vet poeti në lartësimin e figurave, vlerave, modeleve që ne kemi si komb. Ndihemi mirë kur kemi vlera si Prof. Përparim Kabo, që nuk harrojnë në asnjë rast dhe i promovojnë të shquarit tanë, krahas të shquarve të njerëzimit, edhe kur insitutcionet "harrojne". Sic ben vet poeti edhe në këtë libër kur cdo baladë ja dedikon një kolegu nga fusha e letrave ose një familjari, sepse edhe vet akti i vlerësimit të familjes është një vlerë. Po ashtu, tetë vjet më parë, katër muaj përpara shenjtërimit, në Maj 2016, në cilësinë e rregjizorit dhe skenaristit na vendosi në dispozicion dokumentarin e parë, dhe të vetëm deri në atë kohë, që ai kishte realizuar për figurën e Nënë Terezes (sot Shën Tereza e Kalkutës).

Po këtu, vlen të theksohet se figura të tilla, me kaq talente, kaq prodhimtare, me kaq energji për të bërë art të mirë dhe për të nxjerrë në pah më të mirën e këtij vendi dhe për ta bërë më të mirë këtë vend edhe përmes kritikës së tyre pozitive duhen mbeshtetur institucionalisht dhe financiarisht për të dhënë sa më shumë nga gjenialiteti i tyre. Unë pak herë kisha patur rastin ta takoja: në promovimin librit të poetit dhe folkloristit Sejmen Gjokoli, të cilit, gjithashtu, i kushton një prej baladave të tij në këtë libër si dhe disa here më nga afër kur punuam për Forumin për Nënë Terezën, i cili kishte në qendër Leksionin Publik të studjuesit më të shquar të Nënë Terezës në trevat anglishtfolëse: Dr. Gëzim Alpion, Universiteti i Birmingamit, MB.

E them këtë, duke marrë shkas nga fakti se nëse do të ishte mbështetur Poeti dhe skenaristi sot do të kishim një vepër tjetër të mrekullueshme trashëgimi prej tij: Dokumentarin për figurën e personalitetit të shquar vlonjatë: Ali Asllanit. Besoj se kjo duhet të ketë mbetur një nga brengat e Tij në të gjallë. Kishte trokitur, pa rezultat, në Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Vlorës të asaj kohe. Kur e biseduam një ditë së bashku unë i thashë: Duhet të ketë njerëz në Vlorë që mund ta mbështesin këte ide. Bëhemi bashkë disa, tu kërkojmë vlonjatëve ndihmë për ta financuar, sepse edhe komunitetet duhet të impenjohen për të nderuar dhe lartësuar asetet njerëzore të qytetit dhe krahinës së tyre ndër vite. Ata i lartësojnë qytetet dhe ua kthejnë shumëfish investimin. Koha s'na la.
Dikush tjetër, ndoshta do të kete talentin dhe inspirimin për ta bërë atë, tashmë jo vetëm për Ali Asllanin apo të tjerë vlonjatë të shquar, por edhe për vet poetin Petrit Rukaj. Ata duhet të bëhen pjesë e kurikulës mësimore. Dhe këtu më pëlqen ta mbyll, sic mbyllet edhe libri me fjalët e të madhit Pëllumb Kulla:

"Se ti ishe farë Petrit Rukaj!
Ti duhesh mbjellë!"
Cfarë vlerësimi!

Mbas këtij përjetimi ja vlen që leximi i radhës të jetë: "Takim me vetvehten"
Gjumë të ëmbël atyre, që tani po u rëndojnë qepallat dhe mirëmengjes atyre, që po i përkëdhel zgjimi.

Luiza Hoxhaj
Dt.06/02/2023