Cerca nel blog

martedì 6 luglio 2021

In Memoris për Petrit Rukën

 Megjithëse Prof. Ethemi na tha me zë të drithëruar, pak më shumë se tri javë më parë, se Petriti (Rukaj), poeti i madh, po jetonte pjesën e fundit të jetës së tij, duke shkuar ngadalë drejt shuarjes, lajmi i sotëm më trishtoj shumë. Dukej se në mendje kisha krijuar mitin e mos ikjes së tij nga kjo Bote! Poetët e kalibrit të Petritit në fakt nuk shuhen! Ata jetojnë përjetësisht!

Unë e njoha vonë poetin, në promovimin e librit me poezi të Sejmen Gjokolit, vite më parë. Më vonë, me 2016, me kineastin Vladimir Bizhga dhe poetin Petrit Rukaj do të bashkëpunonim në një event të organizuar nga qendra jonë CRLDS Albania, në prag të shenjtërimit të Nënë Terezës.

I kisha kërkuar Ladit të filmonte eventin tonë, që ishte ndërkohë edhe eventi i parë në vendin tonë përpara shenjtërimit të Nënë Terezës.    Zanafilla e aktivitetit ishte dakortesia ime me Dr. Gëzim Alpion, nga Universiteti i Birmingamit i Britanisë së Madhe, për të mbajtur leksionin publik “Nënë Tereza: Sfidat e studimit para dhe mbas shenjtërimit”.

Duke qenë se kisha lexuar më parë disa publikime dhe referime rreth figurës së Nënë Terezës nga akademik dhe publiciste të njohur mendova ta shoqëroja ligjërimin e akademikut të njohur me një forum, duke ndërtuar një panel diskutimi me akademik dhe klerik, të cilët do të diskutonin mbi dimensione të ndryshme të figurës së Nënë Terezës, i përbërë nga Prof. Përparim Kabo, Prof. Dr. Nevila Nika, Don. Gjergj Mete dhe Dr. Gëzim Alpion. 

Duke ja shpieguar Ladit këto ai më thotë: Përse nuk komunikon edhe me Petrit Rukën, ai ka një dokumentar të mrekullueshëm për Nënë Terezën.

U gëzova dhe i thashë: -Do ishte fantastike. Unë e njoh pak, e kam takuar vetëm një herë. -Nuk i kam kontakt shtova me tej (nuk e dija që ishte vellai i Prof. shumë të nderuar Ethem Rukaj. Sa mendje të ndritura brenda një familjeje do të mendoja më vonë kur e mesova këtë fakt).

-Komunikoj unë me të më thotë Ladi.

Poeti, skenaristi kineast (figurë shumëdimensionale) e mirëpriti ftesën për takim dhe e lamë të takoheshim qysh të nesërmen.

U takuam të tre në një kafë tek pedonalja pranë Urës së Tabakëve. I prezantova idenë tonë. U entuziazmua menjëherë prej saj. Sytë i shkëlqyen dhe filloj të diskutonte me pasion. Normal. Bëhej fjalë per Nënë Terezën. Më tha se këtij aktiviteti i shkon shumë të celet me dokumentarin, CD-ne e të cilit me këtë rast ia dhuroj  qendrës sonë.

Për t'i dhënë më shumë vlerë dhe frymëmarrje eventit ai përforcoi idenë time, për t'u interpretuar edhe disa poezi mbi Nënë Terezën nga poeti Visar Zhiti. E kisha marre librin me vete dhe Petriti përzgjodhi vet disa prej poezive, të cilat do të interpretoheshin nga aktorët e Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Kështu të ndihmuar nga një shpirt i bukur si Petrit Rukaj nga një Ligjërim Publik, thjesht akademik, ne konkluduam në një aktivitet  më të gjerë të titulluar sipas një prej shprehjeve të Nënë Terezës:   “Qielli është në duart tona”.  Ai do të përmbante katër komponentë: Dokumentar, Ligjërim, Forumi dhe interpretimi i poezive ndërmjet seancave..

   Me njerëz të tillë krijohet menjëherë kohezioni dhe të duket sikur i ke njohur prej një jete. I kërkova se mund të na ndihmonte me dokumentarin dhe skenarin për përvjetorin e Qendrës. Po, më tha për detaje flasim në kohën e duhur.

 Në bisedat me të më ka mbetur në mendje se, përtej njohurive të tij të gjera, Ai kishte shumë ide, shumë projekte, donte të fiksonte në celuloid, shumë ngjarje e figura, për të cilat kishte brengën se nuk po i realizonte dot, sepse i mungonin fondet. Pasuria shpirtërore, shpesh nuk mjafton. Një prej tyre ishte edhe dëshira e madhe për të realizuar një dokumentar për Poetin, patriotin dhe shtetarin vlonjat Ali Asllani. Cdo gjë ishte e skicuar në mendjen e tij. Por fondet.....

Ua kishte propozuar, pa rezultat, edhe dy kryetarëve të Bashkisë Vlorë, të cilët nuk lenë evente surogato pa financuar dhe projekte me vlerë i lenë të flenë në mendjen dhe zemrën e ideuesve.

Me sa krenari thoshte, që Ali Asllani, si Kryetar i Bashkisë së Vlorës në1919 nuk pranoj që të zbriste nga anija trupi i Ismail Qemalit pa u mbuluar me flamurin tonë kombëtar.

Unë u entuziazmova nga ky projekt,  pak e turpëruar edhe nga thënia e tij se ne vlonjatët duhej të bënim më shumë për figura si Ali Asllani dhe jo vetëm, që janë krenari e qytetit, i thashe: Po përse mos t'i bëjmë thirrje qytetarisë dhe shpirtit vlonjatë, duke injoruar murrin e heshtjes. E lamë që të bëjmë përpjekje të përbashkëta.  Koha nuk u tregua e mëshirëshme dhe e dërgoi Poetin në Parajsë përpara kohe, duke marrë me vete një pjesë të cmuar të minierës së tij krijuese.

Gurra e tij mbeti e pashteruar! Ndofta poeti do t'i kërkoj falje pa faj , atje në Parajsë Ali Asllanit, ku besoj se do të ulen së bashku në sofrën e të mëdhenjëve. Ndërkohë ne këtu në tokë duhet t'i kërkojmë falje poetit,  që nuk jemi shoqëri mjaftueshëm e mirë për t’I krijuar kushte optimale pune xhevahireve si ai, që nuk e ndihmuam të nxirrte sa më shumë në sipërfaqe nga miniera e tij e artë. Ndoshta edhe këto pamundësi dhe ndjeshmëria e lartë ndaj gjithëshkaje që na rrethon mund ta kene drobitur zemrën e poetit.  Apo kjo vrazhdësia jonë dhe vështirësite që perballojmë bëjnë të mundur të lindin dhe zhvillohen talente si Petrit Rukaj?

Gjithësesi ai ka lenë shumë trashëgimi për ne dhe brezat pasardhës. Për këtë duhet t'i jemi falenderues. Faleminderit Poet i Kombit! Lamtumirë Poet dhe Njeri i madh!

 

Luiza Hoxhaj

7/07/2021