Nga Luiza Hoxhaj
Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 zhvillohen në një kontekst politik
ku pjesëmarrja e votuesve dhe prania e forcave të reja politike pritet të kenë
një ndikim të ndjeshëm në rezultatin final. Duke marrë si pikë reference
zgjedhjet e vitit 2021, ku pjesëmarrja ishte rreth 46.3%, ulja e saj në nivele
më të ulëta do të kishte pasoja të drejtëpërdrrejta në baraspeshën midis
pozitës dhe opozitës.
Pjesëmarrja e ulët:
Kujt i shërbën?
Tradicionalisht, pjesëmarrja e ulët në zgjedhje ka tendencë të favorizojë
forcat në pushtet. Arsyeja fle në faktin se partitë qeverisëse kanë akses
mbi burime, struktura lokale dhe rrjete klienteliste të cilat garantojnë
mobilizim të qëndrueshëm të një baze elektorale. Ndërsa opozita, në mungesë të
entuziazmit, organizimit efikas dhe profilit të një lideri unifikues, mund të
mos arrijë të aktivizojë mjaftueshëm elektoratin e saj.
Nga ana tjetër, nëse pjesëmarrja bie nën mesataren e vitit 2021, ka arsye
të besohet se kjo ulje nuk është e shpërndarë në mënyrë proporcionale midis
kampeve. Një pjesë e konsiderueshme e votuesve të qeverisjes aktuale, e cila
nuk sheh ndryshim të afërt apo ka rënë në apati, mund të zgjedhë
mospjesëmarrjen. Në këtë rast, rezultati nuk reflekton aq shumë mbi meritat e
një force politike, sesa mbi zhgënjimin e akumuluar.
Ndikimi i forcave të
reja politike: Fragmentim apo riformatim?
Zgjedhjet e 2025-ës po zhvillohen në praninë e disa partive të reja të
cilat, ndonëse të vogla, mund të ndikojnë fuqishëm konfigurimin e rezultatit:
- Partia Mundësia: e pozicionuar si forcë e
djathtë, synon elektoratin e lodhur nga Partia Demokratike tradicionale.
Mund të kanalizojë vota opozitare por rrezikon të mos arrijë pragun, duke
dëmtuar aritmetikën e opozitës.
- Shqipërìa Bëhet: po ashtu e djathtë, shfaqet si
alternativë konservatore institucionale dhe me profil teknokratik. Ajo
rrezikon ta ndajë edhe më shumë kampin opozitar në qarqe vendimtare.
- Levizja Bashkë: forcë e majtë me profil
progresist qytetar. Nëse arrin të kapë mandat në zona si Tirana, mund të
dëmtojë PS-në duke tërhequr votues të zhgënjyer në krahun e majtë.
Këto parti në vetvete nuk janë ende faktorë kombëtarë, por efekti i tyre
në qarqe të caktuara mund të jetë vendimtar. Sistemi proporcional me ndarje
rajonale i bën mandatet të ndjeshme ndaj fragmentimit, pasi votat e partive që
nuk e kalojnë pragun shkojnë indirekt tek fituesit më të mëdhenj.
Një konstelacion i
mundshëm
Nëse pjesëmarrja bie nën 42% dhe partitë e reja marrin mesatarisht 3–7%
secila, skenari më i mundshëm është:
- PS ruan
shumicën, jo domosdoshmërish nga rritja e saj, por nga dëmtimi i opozitës
nga fragmentimi i brendshëm.
- PD/PL marrin më
pak mandate, edhe pse totali i votave të djathta mund të jetë më i madh sesa ai
i PS.
- Levizja Bashkë hyn si forcë e re urbane dhe
rrit presionin mbi PS për transparencë dhe reformë.
Përfundimi
Zgjedhjet e 2025 mund të mos i japin vendit një fitues absolut në
kuptimin e legjitimitetit moral, por do të pasqyrojnë qartë zhgënjimin qytetar
dhe nevojën për riformatim politik. Pjesëmarrja e ulët, e kombinuar me
fragmentimin e votës, mund të prodhojë një rezultat ku humbet qartë ideja e
"fituesit të vullnetit popullor" dhe fitohet thjesht nga inercia dhe
aritmetika e sistemit.
Në këtë klimë, rezultatet nuk do të jenë vetëm produkt i programeve
politike, por edhe i abstinencës dhe shpërndarjes taktike të pakënaqësisë.
Nessun commento:
Posta un commento