Cerca nel blog

martedì 10 gennaio 2012

Te studiosh ekonomine eshte e rendesishme

 
 
Në shkrimin e mëparëshëm “Web, një arenë ballafaqimi” bazuar në gjykimin tim kam identifikuar si një nga shkaqet, që në Shqipëri nuk kemi një ballafaqim individual të intelektualëve dhe akademikëve shqiptarë në këtë arenë, me punimet dhe idetë e tyre për ekonominë, përvec prirjes së ulët të tyre ndaj riskut të marrjes së përgjegjësive, edhe kulturën e ulët ekonomike të vendit tonë.  Pra midis të tjerash nevojitet të investohemi më shumë për ta krijuar këtë kulturë të nevojshme ekonomike, për masën e gjerë, si përthithëse e mendimit apo orientimeve, që burojnë nga qëndrat e ekselencës.
Njihet tashmë se një element  esencial i botës së sotme kundrejt viteve të mëparëshme është kompleksiteti i saj në rritje. Ekonomia na mëson ta kuptojme atë dhe na ndihmon të orientohemi drejt në këtë botë. Në se i referohemi krizës aktuale globale, shohim se një nga aspektet e saj është, që n’a vendos përballë faktit, ku edhe kuptimi i problemeve ekonomike është kompleks, esencial dhe si i tillë nevojitet një kapacitet i caktuar për të kryer analizat e duhura. Është pikërisht studimi i ekonomisë, që ndihmon në krijimin e hapesirave të përbashkëta të gjykimit dhe parashikimit për të paraprirë pasojat e papritura të ngjarjeve.
Po sa shkencore është ekonomia? Mund të flitet për shkencë ekonomike? Shpesh shohim, që recetat, që japin për zgjidhjen e të njëjtit problem ekonomistë të ndryshëm, qoftë në nivel global apo kombëtar, janë të kundërta. Përse zgjidhja e Paul Krugman ndaj situatës aktuale botërore është dukshëm e ndryshme nga ajo e ekonomistëve të tjerë (shkolla neoliberiste e Cikagos) do të pyesnim natyrshëm? Kështuqë, së pari ne duhet të kuptojmë: Cfarë janë dhe cfarë studiojnë shkencat ekonomike? Përse janë të dobishme dhe interesante ato? Përse të studiosh ekonominë sot është e rendësishme?
Ekonomia është tërheqëse  si cdo disipline humane, po aq sa matematika sasiore për kë preferon atë. Për të sqaruar kuptimin e shkencave ekonomike fillojmë me një përkufizim:“Ekonomia është shkenca sociale, që analizon, prodhimin, shpërndarjen dhe konsumin e të mirave dhe shërbimeve”. Një përkufizim ky pak bosh në dukje. Për ta kompletuar më tej atë konsiderojmë disa nga temat dhe kërkesat, që ekonomistët sot vendosin përpara vetes sic janë: Përse nëse bien cmimet e shtëpive në Florida, fqinji im emigrant në Itali apo Greqi humbet punën, gjë që sjell ulje të remitancave në vendin tonëËshtë e vërtet, që më shumë emigracion bën të ulet paga e punëtorëve në vendet pritëse? Përse në fillim të nëntëqintës Argjentina ishte më e pasur se SHBA dhe sot ndodh e kundërta? Gjatë një krize është me mirë një treg pune me amortizator social si pagesa integruese, ku një, që humbet punën ka të garantuar një pagesë minimale apo forma të tjera?  Është më mirë një sistem pensionesh publik apo privat? Përse nuk biem të gjithë dakort në kohë krize, që familjet të konsumojnë dhe punojnë më tepër, që ndërmarrjet të asimilojnë më tepër dhe të gjithë të jemi më mirë? Cfarë ndodh me papunesinë në se imponohet një pagesë minimale apo pagesa referente për tregun privat të punës, sic edhe ka ndodhur në fakt tek ne: shtohet apo pakësohet ajo? Është e vërtetë, që një pabarazi e pagesave ka prodhuar krizën finaciare aktuale? Globalizimi i shton apo pakëson pabarazitë? Përse po na pakësohen parqet publike? Përse vendet me sisteme elektorale mazhoritar rriten më tepër se ata me sisteme proporcionale? etj.
Paralelisht me këto pyetje me të drejtë lind shqetësimi: si bëhet t’u përgjigjesh në mënyrë të kënaqëshme këtyre pyetjeve apo të tjerave të ngjashme me to? Apo e gjithë kjo ndoshta nuk është e rëndësishme? Vështirësive janë të shumta për t’u përmbledhur me një përgjigje të vetme. Përgjigjia e përgjithëshme është: bëhet fjalë për materie të vështirë shkencëtarësh. Kjo kërkon kapacitet të madh analize. Megjithatë arsyetojmë, që ekonomia është brenda zgjedhjeve dhe jetëve tona. Në këtë cilësi kushdo beson të ketë dicka për të thënë mbi pagat, papunësinë, inflacionin, varfërinë, përfitimet; pothuajse si mbi kombëtaren e futbollit. Mund të themi më tej: dakort, por  edhe fizika është në jetën tonë të përditëshme. Është ajo, që spiegon psh, përse cdonjëri prej nesh ka peshën, që ka. Megjithatë modelet në ekonomi nuk kanë të njejtën domethënie dhe qëndrueshmëri si ato të shkencave të tjera si fizika apo inxhinjeria. Psh: teoria e bandave të gjysëm përcuesve i ka dhënë jetë tranzitorëve dhe qarqeve të integruar si dhe revolucionit digital; Cila është analogjia në ekonomi?
Nëse deduktojmë kështu përgjigjet e pyetjeve pararendëse do të jenë të thjeshta? Marrim njërën prej tyre: Është e vërtetë, që një fluks më i madh emigrantësh i rrëmben vendin e punës  punonjësit të shtëpisë (vendit pritës), ose të paktën con në reduktimin e pagës së tij? Një vlerësim sipërfaqesor do të konkludonte: emigrantët ofrojnë punë me kosto të ulët dhe kështu bëjnë, që ndërmarrjet të pushojnë punonjësit vendas, duke kursyer kostot e punës. Kurse një ekonomistë do arësyeton ndryshe: Puna e emigrantëve (më pak të specializuar) dhe puna e një punonjësi gjerman apo italian (më e specializuar) janë dy të mira komplementare. Vlen të thuhet: ato janë si dy këpucët alpine të skive, ku njera nuk shërben pa tjetrën. Në analogji puna e specializuar shërben pak në se nuk shoqërohet me atë më pak të specializuar. Kështu paradoksialisht në sektorë të ndryshëm në krizën eurozonës shumë punëtore italian, grek gjerman etj, të specializuar (teknikë dhe inxhinjer) nuk duhet të shohin me fobi shtimin e fluksit të punonjësve emigrantë. Puna e emigrantëve shpesh shpëton atë të punonjësve vendas dhe jo e kundërta si shumë herë retorika politike në disa vende ka ulëritur për vite.
Po me pagat c’ndodh? Në këtë rast kryesore është t’u referohemi të dhënave, gjë të cilën nuk jemi ambjentuar ta shohim në debatet e vazhdueshme. Supozojme, që për një X% të emigranteve pagat e punonjësve zbresin në një Y% të caktuar? Këtij qëllimi i ndihmon disiplina e  ekonometrisë si statistika e aplikuar  në problemet ekonomike. Ekonometria shërben pikërisht për të matur me precizion relacionin ekonomik. Nën këtë vështrim shembullin paraardhës e shohim në dy pjesë: E para është ajo mbi të mirat komplementare, që sjell emigracioni, dhe e dyta ajo ekonometrike, e cila shikon përmasat. Të bësh  shkencë ekonomike, në të cilën është e nevojëshme të ndash me qartësi cështjen dhe efektet e saj në një fenomen të dhënë, është substancialisht kjo: Të mendosh në mënyrë jo të përgjithëshme ndaj problemit  dhe pastaj t’u referohesh të dhënave. Do të thotë dikush: e c’na duhet ne kjo analizë? Pergjigja ime do të ishte: na duhet sepse jetojmë në epokën e globalizimit dhe jemi një vend me ekonomi të hapur me 1/3 e popullsisë në emigrim, por edhe për faktin e thjeshtë se shohim fillesat e pritjes së flukseve të emigrantëve në vendin tonë (psh, punonjësit kinez në sektorin e ndërtimit, të shitjeve apo fenomenin  migrimit të brendëshëm), me të njëjtat karakteristika dhe efekte si më sipër analizuam, megjithëse në përmasa të papërfillëshme, por të mjaftueshme për të kuptuar se në kohën e globalizimit nuk mund të mbetemi një ishull i imunizuar, nga efektet e kësaj bote, qofshin ato pozitive apo negative, përfshi krizën ekonomike dhe pasojat e saj. Propagandës zyrtare, kundërshtuese ndaj këtij konkluzioni i shkon shumë bukur një perifrazim nga filmi “Zonja nga qyteti”: -“Epo qumështin ja pinë, por vajzat nuk ja duan fshatit”.  E aktualizuar në funksion të situatës së të qenit të përshirë në proceset globale, me avantazhet dhe disavantazhet e saj, ne duhet të ndërtojmë poltika realiste dhe jo te kamuflohemi duke idealizuar të parat dhe nevleftësuar apo fshehur të dytat.
Midis pak aspekteve pozitive të krizës së sotme është vendosja përballë faktit të përmendur më sipër, që kuptimi i problemeve ekonomike është kompleks. Si i tillë kërkon një kapacitet të thellë të analizës. Shkencat ekonomike nuk na thonë se cfarë duhet të  mendojmë, ose me mirë si të mendojmë fatet e ekonomisë. Me të artikuluara janë një vështrim i gjerë mbi ecurinë e bursave,  si të shesim një produkt në treg ose të mendojmë si të administrojmë një ndërmarrje. Personalisht, mendoj, që të studiosh ekonominë në kohën e sotme është si të mësosh cfarëdo arti të vet-mbrojtjes. Kjo është shumë më përfshirëse dhe e thellë se sa të mendosh si zakonisht.  Kriza qëndron prapa deres së gjithëseicilit, e gatshme të krijojë probleme dhe ndërlikoje jetën tonë. Por mbi të gjitha të studiosh ekonominë na mëson qartësin e mendimit mbi një gamë të gjerë të kërkesave dhe problemeve të jetës sonë, një aftësi esenciale për t’u mbrojtur nga konfuzioni shpesh i pasuportueshëm i opinioneve jo llogjike dhe jo të dokumentuara, që ushqejnë debatin dhe opinionin tonë publik. Në rrethanat e sotme, kur kurba e papunesisë njeh vetëm rritje, natyrshëm do të lindte pyetja: A shërben të studjuarit e shkencave ekonomike për të gjetur një punë? Shumë do thosha unë. Pyetjet në fillim të artikullit e demostrojnë këtë. Cdo ditë balafaqohemi ne si qytetarë të vecantë, por edhe ndërmarrjet, qeveritë, institucionet ndërkombëtare, me këtë kompleksivitet. Sic më sipër thamë ky kompleksiviteti kërkon aftësi me të madhe të analizës dhe të orientimit. Shkencat ekonomike formojnë pikërisht këtë kapacitet, duke siguruar cilesinë esenciale për kë prezantohet në takimin e parë të punës, për cfarëdo vendi të bëhet fjalë: të kuptosh dhe të kesh dicka për të thënë.
 Sigurisht do të ishte e rëndesishme, që të mundeshim të studjojmë për të kuptuar gjithëshka: nga filozofia, biologjia, astronomia, elektronika, poezia. Të studjojmë Smithin, Keynesin dhe ekonomistët bashkëkohore pa lenë pas dore Danten, Naimin, Nolin, Migjenin, Lasgushin, Agollin,Kadarenë. Preokupante vertet! Nuk e kam kuptuar kurrë përse në formimin tonë kulturor, duhet të përjashtosh një lënde të caktuar në avantazh të një tjetre. Mundesh të njohësh në themel Danten ose Kadarenë dhe pastaj të mos dish asgjë për ekonominë e cila do apo nuk do do të përfshin në jetën e përditëshme ose anasjelltash, di gjithëshka në ekonomi dhe nuk kutpon fare, që njeriu është bërë edhe nga nevoja të tjera jo materiale. Nuk dua të konkludojmë, që studimi i ekonomisë nuk është i rëndësishëm dhe se studimi i poezisë do të duhej të formonte persona dhe shoqëri më të mirë. Prej shumëkujt në ditët e sotme dëshirohet një PBB më lartë, duke lenë mënjanë mirëqënien mendore dhe fizike: A ka sens e gjithë kjo? Dëmi i lënies pas dore të njërës apo tjetrës është i pamasë. C’të bësh?  Sipas meje është domosdoshmëri t’i jepet më shumë hapësirë studimit të ekonomisë dhe të të drejtave, qysh në shkollën e mesme e në vazhdimësi.  Kjo e shoqëruar me botimin e librave të shkruara me një prozë të gjallë, që të bën për vete, për të cilën janë mjeshtra autorët angleze, duke i hequr në këtë mënyrë ekonomisë përcaktimin e saj si “shkencë e trishtueshme”, do ta bënte ndoshta më të thjeshtë për të rinjtë, që do t’i dedikoheshin profesionalisht asaj, pa pretenduar të shpëtojnë botën, por as, që të mendojnë vetëm protofolin e tyre. Këta të rinj ndodhen midis nesh. Na mjafton t’i frymezojmë.  Qeveritë e cdo krahu politik duhet të vleresojnë se gjeneratat aktuale dhe ato të reja nuk duhet t’i mbajne të paditur në këte lende.
Sot më duket, që qytetarët tanë vuajnë më shumë se nga mungesa e të dhënave prej tejkalimit të informacionit, shpesh jo të dokumentuar (mbi të gjitha kur të dhënat kanë edhe një valencë politike). Psh , kohët e fundit tentohet të ushqehemi me iluzionin se ne jemi nga vendet më të zhvilluara, të pacënueshëm nga kriza, pa e argumentuar këtë situatë në mënyrë kompleksive dhe pa e shoqeruar atë me të dhëna të krahasueshme dhe të verifikueshme. Shpesh ka një inflacion të disa treguesve dhe deflacion për disa të tjere, gjë e cila ndodh më shumë për të bazuar mbi to komente, shpesh abuzive, të cilat në vend të trasparencës, ofrojnë të kundërtën:  fshehjen e një situate të caktuar ekonomike. Nëse do të provonim të kryenim një sondazh se sa sot njohin nivelin e inflacionit vjetor  apo nivelin e papunësisë në vend do të buronte me siguri një e vërtetë preokupante.  Ekonomia na ndihmon të mos ngaterohemi në këtë labirinth (dis)informimi, por të kuptojmë realisht situatën në të cilën gjëndemi në cdo moment, duke zgjedhur rrugën e duhur për ta përballuar atë.Të dhënat sigurisht duhet të jenë dhe të shpërndahen me kriter. E parë si disiplinë humanistike: ekonomia, sipas gjykimit tim duhet të jetë më pak e llogaritur dhe më e llogaritëshme, në sensin, që duhet të jetë më pranë me disiplinat humanistike dhe artin politik, më parë se sa të jetë një trup unik me shkencat e numrave dhe të formulave. Duhet të vazhdojmë të mendojmë gjithnjë se në thellësinë e numrave janë njerëzit në xhepin dhe në lekurën e të cilëve bëhen llogaritë. Për këtë nevojitet që, politikanët, gazetarët, sindikalistët dhe profesionistët të diskutojnë deri në raskapitje për këto tema. Edhe nën këtë prizëm të njohësh ekonomin është vërtetë e rëndësishme, duke fituar atë, që na mungon: kapacitetin e të analizuarit dhe mbi të gjitha atë të vendimarrjes në favor të interesit të përbashkët. Për këtë qëllim unë do t’i jepja më shumë hapesirë studimit të klasikëve mirësia e të cilëve na mëson: të jetojmë, të bashkëjetojmë, të ballafaqohemi, të zgjedhim dhe të vendosim.
Luiza Hoxhaj
Tirane me 15.01.2012

Nessun commento: