Cerca nel blog

martedì 30 novembre 2010

E munguara etike profesionale ne politike

        “Pa etikën, çdo gjë do të ndodhte sikur ne të gjithë të ishim pesë miliardë udhëtarë, të hipur në një makinë të madhe që nuk e drejton asnjeri. Ajo lëviz gjithnjë e më shpejt, por ne nuk e dimë se ku shkon......”
                                                                                            Jacques COUSTEAU

Slogani sipercituar shpreh qarte se nder çështjet kryesore me të cilat sot ballafaqohet njerëzimi janë ato të moralit dhe të etikës. Per rrjedhoje debatet rreth etikës gjithnjë e më tepër po shkojnë duke u bërë tendence globale, si një mjet përmes së cilit do të gjendej rrugëdalja nga kriza me të cilën ballafaqohet bota dhe qytetërimi human i kohës sonë. Kesaj tendence nuk mund ti shpetoje as shoqeria shqiptare.
Zgjodha te flas per “ etika profesionale” sepse nuk mendoj se mund ti jap leksione etike askujt dhe sepse te flasesh per etiken profesionale eshte me e lehte si per mua si per kedo qe mund te nderhyje mbi keto tema.
Etika në literaturën e vjetër greke i referohet asaj që ne sot e quajmë mënyrë jetese (modus vivendi). Ajo u përgjigjet pyetjeve “si duhet jetuar?” dhe si të “bëhemi të mirë?”.
Jetojme kohe te veshtira per te patur nje perkufizim te etikes te pranuar nga te gjithe dhe mbi bazen e te cilit te definojme se cfare eshte e mire dhe cfare eshet e keqe ne planin moral. Pikerisht per kete flasim me mire per etiken profesionale, e cila na duket te gjitheve si dicka me konkrete.
Etika profesionale eshte teresia e rregullave dhe e komportimeve qe kondicionojne dhe kufizojne pushtetin qe mund te ushtroje gjithekush prej nesh mbi te tjeret dhe mbi vetveten ne ushtrim te nje profesioni apo te nje roli publik.
Ka nje etike profesionale te gjyqtarit, te avokatiti, te mesuesit te shkolles apo te gazetarit, te mjekut apo te infermierit, te politikanit si profesionist, duke konsideruar, qe atyre u besojme femijet apo interesat tona per aq kohe sa jemi te sigurte se ata nuk dhunojne rregullat e komportimit ne menyre rreptesisht profesionale.
Ne se mjeku do te perhap sekretet e mia, ose ne se nje profesor do te abuzoj me rolin e tij duke u komportuar ne menyre vulgare ose ofensive kundrejte femijes sone, ai sigurisht do te jete i perjashtuar ose i denuar.
Ne baze te kesaj sigurie qendron vleresimi qe ai merr dhe pushteti qe ushtron. Te njejten gje duhet te bejme dhe kundrejt atyre qe kane pushtetin te japin ose te mos japin nje lajm, te japin ose te mos japin drejtesi, te me mbrojne ne menyre te pershtateshme ose te papershtateshme, ose te interferojne ne jeten e te tjereve dhe te furnizojne me te dhena ose me sherbime persona te tjere.
Po ne se ne respekt te ketyre rregullave dhe te ketij komportimi ne bazojme gjykimin qe japim per te gjitha keto kategori personash per rrjedhoje mbi etiken e tyre profesionale te njejten gje duhet te bejme edhe kundrejt kujt hyn ne parlament per te vendosur mbi ligjet, qe direkt apo indirekt na prekin te gjitheve, normalisht edhe mbi kryeministrin, ministrat apo bashkepunetoret e tyre, te cilet ushtrojne pushtetin ekzekutiv (te zbatimit) te ketyre ligjeve dhe bejne propozimet perkatese per ligjet e reja.
Sa me i papercaktuar dhe me i pasigurt eshte dallimi midis rolit te parlamentit dhe rolit te ekzekutivit, aq me te rrepte duhet te jemi, duke ditur qe papercaktueshmeria dhe pasiguria reduktojne pushtetin e kontrollit te trupes se zgjedhur ndaj ekzekutivit. Ne se gjerat shkojne ne kete drejtim pyetja qe duhet te shtrojme perball komportimit te anetareve te ekzekutivit, anetareve te qeverise, aq me teper ndaj drejtuesit te tyre si dhe politikes ne pergjithesi eshte: ne se ata jane duke kryer nje dhunim te etikes profesionale, te ciles personazhet publik te paisur me pushtet te konsiderueshem duhet ti nenshtrohen?.
Ne kete rast nuk flas per moral. Jo gjithnje dhunimi i kodit deontologjik profesional perben nje krim. Kjo duhet te jete e qarte per te gjithe, pavaresisht nga mbrojtja qe gezojne nivelet e larta shteterore tek ne. Po sigurisht keto jane komportime qe megjithese jo te ndjekeshme penalisht ato jane apsolutisht te papranueshme, ne vecanti per ata qe mbulojne detyra te larta publike apo ne hierarkine shteterore si dhe perfaqesojne vendin tone ne nivele nderkombetare.
Ne shume raste kemi te bejme me sjellje jo te denje nga pikepamja etike. Po kush i kryen ato ?
Duhet hedhur drite mbi keto. Miresjellja ka munguar në politiken shqiptare të periudhes se tranzicionit postkomunist. Etika publike eshte kthyer ne nje nocion shpesh te munguar, ku humbet pergjegjesia e politikes. Ajo ka qene zevendesuar intensivisht nga konflikti dhe perplasja politike, shpesh te sherbyer me zell gjate kesaj periudhe nga shtypi dhe nga disa media elektronike te vendit. Natyrshem kjo lidhje eshte shoqeruar edhe me një mungesë te theksuar profesionalizmi dhe neglizhence etike te shtypit. Kjo lidhje shërbimi e shtypit me politikën kulmon ashpërsisht gjate fushatave elektorale apo kur gjendemi perballe skandalesh poltike , duke perdhosur politikisht etikën profesionale në shtyp
Kjo e ben te nevojeshme qe te kemi nje diskutim me kendeveshtrim mbi etiken publike sot dhe ne vijim. Shterpesia kulturore, pertej asaj sociale con ne komportime publike, te privuar nga cdo rregull etik. Per funksionet publike kjo eshte vdekjeprurese. Ne se funksioneve me karakter social si shkolla, shendetesia, edukimi, u hiqet kodi etik, ne referim te “interesit te pergjitheshem” kohezioni social rreshket drejt nje shperberjeje kolektive.
Modeli yne calon edhe ne se ballafaqohemi me modelin antropologjik mesatar. Ne jeten sociale dominon finokeria, lufta e te gjitheve kunder te gjitheve, ne te cilen here here historite dhe identitetet jane apatike. Profesionet e interesit te pergjitheshem publik jane te dominuara nga interesi privat dhe nga kerkcenimet kriminale. Spektakli eshte perpara nesh. Per kete mjafton ti referohemi seancave te debateve parlamentare sic eshte rasti i diskutimit te buxhetit te vitit 2011, ne te cilat shafqet lakuriq mungesa e etikes profesionale dhe publike ne nivelet me te larta, mungesa e respektit per publikun qe i ka zgjedhur, mediokriteti dhe meskiniteti. Ne raste te tilla shfaqet gjtihashtu papergjegjeshmeria e politikes kundrejt publikut qe e ka votuar duke i ofruar atij jo informacionin per te cilin ka nevoje, por duke zhvendosur debatitn ne ceshtje pa interes te pergjitheshem. Te nesermen e ndihej qarte nervozizmi qe kishte shkaktuar nje fakt i tille. Ne keto raste hapesira publike behet e pasuportueshme. Ky lloj komportimi i politikes na vendos perpara detyrimit apsolut, qe te stabilizohet se cfare duhet quajtur e lejueshme dhe cfare e palejueshme, cfare duhet te quhet publike dhe se cfare duhet te mbetet private. Shkurt ne raste si ky dhe te tjera te ngjashme me te shfaqet lakuriq mungesa e etikes publike dhe profesionale. Por te flasesh per etiken apo mungesen e saj do te thote te flasesh per vlera sublime apo mungesen e tyre. Kesaj situate i shkon thenia e Ivan Kropek kur thote se te flasesh për vlera në një kohë të “vagabondizmit mendimor” dhe të “shpirtit nomad” është shumë e veshtire. E gjithë kjo eshte shprehje e krizes se sistemit tone, ku gjithçka relativizohet dhe ku s’ka me shkallare vlerash. Shmangia e këtij elementi do të thotë shembje e moralitetit, e shembja e moralitetit është shembje e vetë njeriut.
Për t’u mbrojtur prej antivlerave dhe për t’iu shmangur të këqijave të kohës duhet angazhim mbare shoqeror. Prandaj kjo teme duhet rimarre nga grupet intelektuale. Politikëbërësit, juristët, eticienët, bashkësitë fetare, por edhe çdo individ që jeton në këtë kohë të krizës dhe brengës së njeriut modern duhet të japin kontributin e tyre. Mbi kete kapacitet vizionar te pergjitheshem duhet te ndertohet nje projekt i ri politik, për një shoqeri më shpresëdhënëse, më të mirë se ajo e shekullit XX, i cili s’i plotësoi pritjet për të qenë epokë e vetërealizimit, mirëqenies dhe lumturisë. Shekulli në të cilin kemi hyre, shekulli i shembjes se mureve ndares, ku ballafaqimi brenda vetes, ballafaqimi i globalizmit dhe multikulturalizmit apo unitetit dhe diversitetit, behet gjithnje e me i veshtire, e ben te domsodoshme nje hapesire te perbashket, nje etike publike te pranuar nga te gjithe dhe te vlefeshme per te gjithe ne.

Luiza Hoxhaj
Tirane me 30.11.2010

Botuar ne gazeten "Tirana Observer" te dt 04.12.2010 rubrika opinion fq 8

Nessun commento: