Më 18 shkurt 2026, Tirana mirëpret Ministerialin dhe Forumin Ekonomik të Korridorit VIII – një zhvillim me peshë strategjike për ndërlidhjen rajonale dhe integrimin evropian. Ky moment vjen pas përfshirjes së Korridorit VIII në listën e infrastrukturave kritike, miratuar në Ministerialin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, duke i shtuar këtij boshti një dimension të ri sigurie dhe rëndësie gjeostrategjike.
Korridori VIII është më shumë se
infrastrukturë. Ai është një bosht gjeoekonomik Perëndim–Lindje–Perëndim, që
lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe Mesdheun me hapësirën euroaziatike dhe
ripozicionon rajonin në hartën e tregtisë, energjisë dhe investimeve. Për
Shqipërinë, kjo do të thotë më shumë se infrastrukturë lineare. Do të thotë
integrim funksional i porteve, hekurudhës, rrugëve dhe zonave ekonomike në një
arkitekturë të vetme zhvillimi.
Në këtë pikë lind një pyetje
thelbësore: A përputhet ambicia e Korridorit VIII me realitetin aktual të
porteve shqiptare?
Durrësi historik dhe Porti i Vlorës
(1928) janë nyje strategjike natyrore të këtij korridori. Nëse zhvillojmë
korridore pa konsoliduar portat hyrëse të tyre, rrezikojmë fragmentim të
zinxhirit logjistik dhe humbje të avantazhit tonë gjeografik.
Pra ky moment ngre një pyetje
thelbësore:
Nëse ofrojmë zhvillim pa porte të
fuqishme dhe të qëndrueshme, çfarë vlere ka fakti që Shqipëria konsiderohet një
nyje strategjike? Nyje për çfarë?
Një korridor nuk jeton vetëm nga rrugët
dhe hekurudhat. Ai merr kuptim përmes portave hyrëse dhe dalëse funksionale, të
integruara në zinxhirë logjistikë konkurrues. Durrësi historik dhe Porti i
Vlorës (1928) nuk janë thjesht trashëgimi infrastrukturore; janë pika kyçe të
arkitekturës sonë ekonomike.
Nëse nuk ka koherencë mes vizionit
kombëtar, planifikimit territorial dhe kapaciteteve portuale, rrezikojmë të
mbetemi tranzit formal – jo qendër reale e vlerës së shtuar.
Ky është një moment historik për ta
konceptuar Shqipërinë jo vetëm si kalim, por si platformë ekonomike mes tregjeve.
Si një hapësirë ku sipërmarrja shqiptare – brenda dhe jashtë vendit – lidhet me
rrjete globale investimi, prodhimi dhe inovacioni. Korridori VIII mund të jetë
një urë reale mes tregjeve dhe sipërmarrjes kudo në botë – përfshirë
diasporën si faktor investimesh, kapitali dhe njohurie. Por kjo kërkon
koherencë mes vizionit kombëtar, planifikimit territorial dhe kapaciteteve
portuale.
Ndërlidhja nuk është çështje
kilometrash. Është çështje strategjie dhe vizioni.
Diskutimi mbi këtë cështje sot është i
domosdoshëm, jo vetëm në Forumin Ekonomik të Korridorit VIII,
por edhe në nivel kombëtar – sepse koherenca strategjike përcakton
pozicionin tonë nesër.
Nga Luiza Hoxhaj
13.02.2026

3 commenti:
Mendoj se ky është një moment kyç për Shqipërinë për të shpalosur vizionin e saj strategjik në Ministerialin dhe Forumin Ekonomik të Korridorit VIII. Shkrimi juaj, e nderuara znj. Luiza, e trajton Korridorin VIII me qartësi dhe thellësi profesionale, duke e vendosur saktë theksin te roli vendimtar i porteve si porta reale të zhvillimit dhe jo thjesht si pika tranziti.
Nga këndvështrimi i një specialisti të fushës së detarisë, portet moderne nuk konceptohen më vetëm si hapësira ngarkim–shkarkimi (cargo handling), funksion që sot mund të realizohet edhe në rada apo terminale të jashtme. Ajo që i bën portet strategjike është aftësia e tyre për t’u shndërruar në nyje të plota detare dhe industriale, ku ndërthuren dokimi (dry dock & wet dock), riparimi dhe mirëmbajtja pas lundrimeve të gjata (refit & maintenance), shërbimet teknike për flotën tregtare, si dhe ndërtimi i anijeve (shipbuilding).
Shembulli i Porti i Genovës është domethënës: ai funksionon si një ekosistem detar-industrial i integruar, ku porti, kantierët detarë, logjistika intermodale dhe industria e avancuar krijojnë një zinxhir të vetëm vlere. Genova nuk është thjesht port tranziti, por një qendër ku anijet ndalojnë, riparohen, modernizohen, furnizohen teknikisht dhe rikthehen operacionalisht në tregjet globale.
Një model i ngjashëm shihet edhe te Porti i Selanikut, i cili ka evoluar në një hub rajonal logjistik dhe industrial, duke kombinuar funksionin portual me shërbime detare, lidhje hekurudhore dhe aktivitete me vlerë të shtuar për Ballkanin dhe Evropën Juglindore.
Këta shembuj e bëjnë të qartë se porti strategjik nuk është thjesht infrastrukturë, por një platformë operacionale detare, ku anija nuk kalon thjesht, por ndalet, riparohet, transformohet dhe rifutet në qarkullim. Ky është standardi drejt të cilit duhet të synojnë edhe portet shqiptare, nëse duan të jenë pjesë reale e korridoreve ndërkombëtare dhe jo vetëm pika kalimi.
Pyetjet që ju ngrini janë thelbësore dhe të drejta, ndërsa qasja juaj është vizionare, koherente dhe e domosdoshme për debatin kombëtar.
Urime dhe suksese në këtë konferencë — me shpresën që Shqipëria të dijë ta shndërrojë këtë vizion në përfitim real strategjik dhe ekonomik.
4 h
I nderuar Astrit!
Ju falënderoj për analizën kaq të thelluar dhe për perspektivën teknike që i shtoni debatit. Qasja juaj e vendos saktë theksin tek evolucioni i portit nga hapësirë tranziti në ekosistem detar-industrial me vlerë të shtuar.
Kjo është pikërisht arkitektura ekonomike për të cilën kemi nevojë: porti si platformë operacionale ku ndërlidhja fizike shndërrohet në zhvillim real.
Debati duhet të shkojë në këtë drejtim — nga volum në strukturë, nga kalim në transformim.
Mirënjohje për kontributin tuaj dhe për pasurimin e këtij diskutimi kaq të rëndësishëm.
Faleminderit Astrit për këtë perspektivë kaq të vlefshme.
Portet moderne janë më shumë se cargo handling – janë ekosisteme detare-industriale me vlerë të shtuar. Pikërisht kjo është sfida jonë: ta kthejmë ndërlidhjen në transformim ekonomik real.
“Ministeriali dhe Forumi Ekonomik i Koridorit VIII në Tiranë konfirmuan rëndësinë strategjike të këtij aksi për integrimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë kuadër, segmenti Durrës–Pogradec, si pjesë kyçe e korridorit, kërkon ndërhyrje prioritare për shkak të rreshkitjeve të dheut dhe gjendjes së disa urave, që ndikojnë në sigurinë dhe kapacitetin e transportit. Garantimi i standardeve infrastrukturore është thelbësor për funksionalitetin e plotë të Koridorit VIII dhe për përfitimin maksimal ekonomik të Shqipërisë.”
Posta un commento