Më 18 shkurt 2026, Tirana mirëpret Ministerialin
dhe Forumin Ekonomik të Korridorit VIII – një zhvillim me peshë strategjike për
ndërlidhjen rajonale dhe integrimin evropian.Korridori VIII është më shumë se infrastrukturë. Ai
është një bosht gjeoekonomik Perëndim–Lindje–Perëndim, që lidh Adriatikun me
Detin e Zi dhe Mesdheun me hapësirën euroaziatike dhe ripozicionon rajonin në hartën e
tregtisë, energjisë dhe investimeve. Për
Shqipërinë, kjo do të thotë më shumë se infrastrukturë lineare. Do të thotë integrim
funksional i porteve, hekurudhës, rrugëve dhe zonave ekonomike në një arkitekturë
të vetme zhvillimi.
Në këtë pikë lind një pyetje thelbësore: A përputhet ambicia e Korridorit VIII me realitetin aktual të porteve shqiptare?
Durrësi historik dhe Porti i Vlorës (1928) janë
nyje strategjike natyrore të këtij korridori. Nëse zhvillojmë korridore pa
konsoliduar portat hyrëse të tyre, rrezikojmë fragmentim të zinxhirit logjistik
dhe humbje të avantazhit tonë gjeografik.
Pra ky moment ngre një pyetje thelbësore:
Nëse ofrojmë zhvillim pa porte të fuqishme dhe të
qëndrueshme, çfarë vlere ka fakti që Shqipëria konsiderohet një nyje
strategjike? Nyje për çfarë?
Një korridor nuk jeton vetëm nga rrugët dhe
hekurudhat. Ai merr kuptim përmes portave hyrëse dhe dalëse funksionale, të
integruara në zinxhirë logjistikë konkurrues. Durrësi historik dhe Porti i
Vlorës (1928) nuk janë thjesht trashëgimi infrastrukturore; janë pika kyçe të
arkitekturës sonë ekonomike.
Nëse nuk ka koherencë mes vizionit kombëtar, planifikimit
territorial dhe kapaciteteve portuale, rrezikojmë të mbetemi tranzit formal –
jo qendër reale e vlerës së shtuar.
Ky është një moment historik për ta konceptuar
Shqipërinë jo vetëm si kalim, por si platformë ekonomike mes tregjeve. Si një
hapësirë ku sipërmarrja shqiptare – brenda dhe jashtë vendit – lidhet me rrjete
globale investimi, prodhimi dhe inovacioni. Korridori VIII mund të jetë një urë
reale mes tregjeve dhe sipërmarrjes kudo
në botë – përfshirë diasporën si faktor investimesh, kapitali dhe njohurie. Por
kjo kërkon koherencë mes vizionit kombëtar, planifikimit territorial dhe
kapaciteteve portuale.
Ndërlidhja nuk është çështje kilometrash. Është
çështje strategjie dhe vizioni.
Diskutimi mbi këtë cështje sot është i domosdoshëm, jo vetëm në Forumin Ekonomik të Korridorit VIII, por edhe në nivel kombëtar – sepse koherenca strategjike përcakton pozicionin tonë nesër.
Nga Luiza Hoxhaj
13.02.2026
Nessun commento:
Posta un commento