Cerca nel blog

sabato 23 maggio 2015

Arkitektura dhe kultura e pjesemarrjes si nje binom zhvillimi



"Arkitektura është shumë e rëndësishme që t’iu lihet ne dore vetem arkitektëve".
 Giancarlo De Carlo
Kjo sentencë e De Carlo më erdhi ndërmend duke ndjekur lajmin mbi takimin e kandidatit për kryetar bashkie të Vlorës, Z. Dritan Leli, me arkitekte dhe inixhinier të qytetit. Ky lloj bashkëpunimi mishëron qartë vizionin e tij për të angazhuar botën e urbanistëve dhe arkitektëve, nëpërmjet  një diskutimi për të identifikuar se si të punohet së bashku me ata që ndajnë të njëjtën ndjenjë përgjegjësie për mundësitë dhe sfidat e sotme qyteteve tona.
Në këtë shkrim jam duke u përpjekur të sjellë në vëmendje faktin se qyteti është një krijesë në zhvillim që mund të organizohet, pa u rikrijuar nga e para. Ai mund të përmirësohet me teknologji më të mire, duke u bërë më efikase. Qytetet tona kanë ende shumë potenciale. Puna duhet të fokusohet në përmirësimet urbane, ndërhyrjet nga shkalla mikro në makro dhe, natyrisht, në llojet e reja të ndërtesave të  qëndrueshme.  Ajo sot duhet të përfshijë prodhuesit e energjisë, infrastrukturës, pikat e konsumit, strehimit, qytetin, peizazhin... Arkitektët duhet të dinë si të menaxhojnë burimet e tokës për të ndërtuar një qytet më të mirë, në vend që të fokusohen vetëm në ndërtesa të izoluara, qe nuk japin asnjë kontribut në përmirësimin e mjedisit rreth tyre. Ndërtimi nuk është një ishull i vecuar, sic rezulton deri tani. Drejtuesit e njësive të reja duhet të përpiqen të zhvillojnë mentalitetin e menaxhimit të qyteteve, duke i kthyer ato nga njësi statike në njësi dinamike dhe efikase që bazohen në energjinë e komuniteteve të tyre, për të patur një komunitet bashkëpunues, energjik, social dhe të ndërgjegjshëm për mjedisin.  Ne duhet të jemi në kërkim të zgjidhjeve të reja arkitekturore dhe urbane që do të zvogëlojnë kontributin tonë në ndotjen globale
Sigurisht që sfida e qyteteve, përfshi edhe Vlorën tonë të bukur, nuk mund të përballohen vetëm nga arkitektët, urbanistët apo ndërtuesit.  Qytetet tona po kalojnë një fazë të vecantë, e cila për ta futur zhvillimin e tyre nga spontaniteti në hullinë e qëndrueshmërisë, kërkon domosdoshmërisht pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e planifikimit të territorit.
Përse klasifikohet e vecantë kjo fazë e zhvillimit të qyteteve tona?
Së pari në planin kombëtar: Faza që është tani në proces, pothuajse në cdo qytet, diktuar edhe nga reforma territoriale, klasifikohet si faza e  “decentralizimit urban" apo "shperndarjes urbane." Modeli i mëparshëm i urbanizimit përmes zgjerimit progresiv drejt unazave koncentrike është në krizë. Përfundon, kështu, periudha e ngushtimit të hapesirave, investimit në periferitë dhe rripat e mbetur të qyteteve, ku bëhet gjithnjë e më e vështirë për të përmbushur kërkesën për hapësirë ​​për fabrika, për depo, për vendbanime, për trafikun që gjeneron qyteti, për parqet e makinave, për zona të gjelbërta dhe për shërbimet kolektive. Edhe në këtë aspekt avantazhet e fazës së mëparshme, të lidhura me zonat periferike kanë tendencë të zbehen. Po ashtu për shkak të përmiresimit, deri diku, të rrjetit rrugor, ngushtohen dallimet në kohë dhe kosto  udhëtimi brenda zonave periferike si dhe atij ndërqytetas, rajonal apo edhe në mes të rajoneve fqinje. Me rritjen e banorëve me të ardhura të mira rritet kërkesa e tyre për cilësi më të lartë të mjedisit, gjë që lagjet urbane dhe rrethinat e kanë të pamundur ta përmbushin. Prandaj objektet e prodhimit dhe banimit riorientohen në këtë fazë në qytetet më të vogla, të ndara fizikisht nga të parët, duke formuar, me qytetet e mëdha, zona të mëdha “metropolitane”, nënkuptohet duke ndërtuar vazhdimësinë në drejtim të perimetrit të jashtëm te qendrës “metropolitane”. Jashtë këtij perimetri disponueshmëria e hapësirës është më e madhe, transporti lokal më i lehtë, por edhe kushtet e kontekstit urban e mjedisit në përgjithësi janë më tërheqëse.
Së dyti në planin global:  Ky moment ndryshimi në plan kombëtar përkon me një moment historik global, ku nga njëra anë jetojmë një krizë globale dhe nga ana tjetër "kapërcejmë tek globalia", duke eliminuar hapësirën ​​dhe kohën me anë të iPhone, iPad dhe zhvillimeve të tjera teknologjike. Në këtë moment shumë individ tentojnë për të marrë kontrollin e kohës dhe hapësirës së tyre. Jemi gjithnjë e më shumë dëshmitarë të  proceseve te rritjes së ndërhyrjeve, të qytetarëve, në qytetet e tyre, ku ata, te nxitur nga dëshira për të prodhuar një alternativë të ndryshme nga ajo çfarë qyteti iu ofron, ndjejnë   nevojën për të (ri)përcaktuar hapësirën. Këtu, sigurisht, hyn në loj arkitektura.
Një arkitekt, kur planifikon, së pari studion kontekstin për të kuptuar mjedisin dhe hapësirën fizike të një territori, së dyti hulumton marrëdhëniet ndërmjet njerëzve që jetojnë në atë hapësirë, dëshirat e tyre, ëndrrat e tyre. Ai ka nevojë për disa tregues si dhe përgjigjet që qyteti ju jep qytetarëve për problemet e tyre. Calvino në veprën “Qytetet e padukshme” ka shkruar: "Edhe qytetet besojnë se ato janë vepër e mendjes ose i rastësisë, por as njëra as tjera nuk mjaftojnë për të mbajtur muret e tyre. Në një qytet nuk na gëzojnë shtatë apo shtatëdhjetë e shtate mrekullitë, por përgjigjia që ai  i jep pyetjeve tona". Sot më shumë se kurrë ne duhet të rikuperojmë vendin, hapësiren, kohen, marrëdhëniet njerëzore dhe t'i përgjigjemi kësaj nevoje nëpërmjet kulturës bashkëkohore të bashkëprojektimit. Kjo është arkitektura e vërtetë që mund të zgjidhë krizën që ka mbërthyer qytetet tona, të   ndodhura ekzaktësisht si në situatën në të cilën Calvino përshkruan (imagjinon) OLINDAN (Qytetet e padukëshme): “OLINDA sigurisht nuk është i vetmi qytet rritet në rrathë koncentrikë, si trungu i pemës që çdo vit shton një rreth... Por në qytetet e tjera ende mes të mureve të qytetit të vjetër shtrydhen e ngushtohen hapësirat,  ...ndërsa lagjet e reja vërtiten rreth tyre si një brez më i lirshem”. Ky është kurthi prej të cilit duhen shpëtuar qytetet tona.
Si realizohet kjo? Të projektosh vende dhe hapësira jo vetëm dhe ekskluzivisht me laps apo maus, me struktura dhe llogaritje matematikore, por me çdo mjet apo instrument që mund të përdoret për të krijuar një sistem të rrjeteve, si multimediale ashtu edhe fizike, bërë nga njerëz dhe marrëdhënie njerëzore. Kjo përkthehet në një gatishmëri për të investuar në kulturën e zhvillimit nga “poshtë- lart” (bottom up) me anë të përfshirjes dhe pjesëmarrjes. Në botë ka shumë shembuj që e kanë ndjekur këtë rrugë, ku në sajë të largpamësisë së një individi dhe pjesëmarrjes të gjithë komunitetit, është transformuar plotësisht një  terren, duke "shpikur mënyra të reja të të menduarit, të të jetuarit dhe të të banuarit". Pra nevoja dhe dëshira për të sfiduar veten dhe për ti dhenë jetë një zone të abandonuar, kryesisht në periferi të qyteteve tona, fton për pjesëmarrje cdo individ me ide. Sigurisht, proceset kulturore janë, nga natyra, një investim në komunitet dhe nevojitet që të bëhen produktive. Ftoj qytetarët dhe brezin e ri për të reflektuar dhe për të marrë pjesë në mënyrë aktive në vendimet dhe iniciativat që ndikojnë në transformimin e territorit të tyre, te hapësirave te tyre. Nga ana tjetër nevojitet që administrate vendore të dalë nga normat dhe burokracitë institucionale për tu hapur në një ballafaqim të vërtetë me ata të cilët jetojnë, në fshat dhe në qytet për të ndaluar planifikimet frut të financimeve në momentin e fundit që ka karakterizuar 25 vitet e fundit.
Është e drejtë të pyesim veten se çfarë është dhe çfarë duhet të jetë qyteti për ne ? Me një vështrim optimist, ndoshta kuptimi i vërtetë mund të jetë ky: Një qytet i jetueshëm, një qytet i qëndrueshëm, jo një qytet i padukshëm. Interesi im për qytetin e qëndrueshëm filloi kur unë isha student në universitetin e Padovas, vit në të cilin Padova u shpall qyteti më i jetueshëm në Itali. Atëhere kuptova  se na nevojitet të përmirësojmë jetën e njerëzve, duke i bërë  qytetet tona më  të jetueshem. U përpoqa të bëj interpretimin tim personal të qëndrueshmërisë, duke pasur si referencë konceptin e peizazhit kulturor në të gjitha format e tij. Qëndrueshmëria barazohet me diçka të thjeshtë, të shëndetëshme, të pastër: një mënyrë për ta bërë një hapësirë ​​publike më të përshtatëshme, duke u kujdesur për mjedisin në të cilin jemi duke planifikuar. Këtu hyn edhe koncepti i arkitekturës së qëndrueshme, si arkitektura me sens të përbashkët, në formën e arkitekturës se përditshme, e cila është tipike e ndërtesave të një vendi të caktuar që gjithmonë është e përshtatur në mënyrën më të mire me kontekstin përreth, disponueshmërinë e lëndëve të para dhe kushtet e motit. Bazuar në eksperiencat më të mira, unë besoj se qëndrueshmëria duhet të bëhet pjesë e programit të detyrueshëm në shkollën tonë. Sigurisht, ajo duhet të përfshihet, gjithashtu si subjekt studimi në universitete. Në fund të fundit, qëndrueshmëria na prek të gjithëve, edhe pse ndoshta shumica e njerëzve nuk e konsiderojnë atë një problem real, që kondicionon të tashmen dhe të ardhmen tonë. Shumë mendojnë se "nuk ka të bëjë me mua, kjo nuk është përgjegjësia ime, kjo do të ndikojë dikë tjetër." Në fakt e kundërta është e vërtetë: qytetet dhe ndërtesat tona na ndikojnë ne, ndikojnë mjedisin, ndikojnë  planetin. Qëndrueshmëria do të bëhet një koncept i gjithëpranuar vetëm kur shkollat ​​dhe universitetet do të jenë në gjëndje të sigurojnë mjetet për të kapërcyer këtë mentalitet. Një qasje e qëndrueshme është gjithmonë një stimul pozitiv.
Me pak fjalë, për të krijuar një qytet të qëndrueshëm dhe efikas ne duhet të veprojmë për të përmirësuar "performancën" e tij dhe për të realizuar një kombinim që  rezulton në tregues pozitiv të përdorimit të burimeve themelore të qytetit: energji, materiale, tokë dhe uji. Mënyra se si këto kombinohen  përcakton llojet e strategjive urbane për një qytet më të mirë dhe efikas. Vetëm me një projekt të qëndrueshëm urban mund të krijohen qytetet dinamike, ku në vemendje të qytetarëve është mjedisi. Përdoruesit e qyteteve janë një pasuri e rëndësishme për të arritur të ndërtojmë një qytet të qëndrueshëm. Nevojitet të kultivojmë pjesëmarrjen për t’i bërë aktive përdoruesit e qytetit dhe për ti përfshire ata në rritjen e mirëqenies së tyre. Komunitetit duhet t’i jepen mjete dhe informacion të mjaftueshme për të arritur një mjedis të qëndrueshëm, pa të cilin anëtarët e tij janë të detyruar të bëjnë ndryshime drastike në jetën e perditeshme. Në bashkitë e reja, inteligjente, informacioni duhet të rrjedhë dhe të jetë i arritshëm për të gjithë, mbasi pjesëmarrja e publikut është një mjet kyç.   
Me pjesëmarrjen aktive ne mundemi të kemi një arkitekturë dhe një të ardhme më të mirë të krijuar nga përdoruesit, si për komunitetin  ashtu edhe për qytetin. Pjesëmarrja sociale është një nga tri aspekte që përcaktojnë një qasje të qëndrueshme. Dy të tjerët janë ekonomia dhe ekologjia. Parë nga këndvështrimi im, këto janë dy aspekte të së njëjtës ide, të cilat shpesh nuk punojnë së bashku, edhe kur duhet ta bëjnë atë. Edhe pse pjesëmarrja e qytetarëve është një pikë shumë e rëndësishme, shpesh në projektet e mëdha i jepet më shumë peshë firmës arkitekturore që i ka zhvilluar ato.   Është moment për reflektim dhe ndërtimin e një vizion afatgjatë për zhvillimin e territorit. Do të doja të mendoj se, për të rinjtë dhe shpikësit, ky është një moment i mire për të realizuar idetë e tyre, si në aspektin e kreativ  ashtu edhe dinamikës së pjesëmarrjes, me arsyetimin se ata janë plot me element të teknologjisë së lartë. 

Luiza Hoxhaj
Tirane me 22/05/2015

Nessun commento: