Cerca nel blog

giovedì 21 maggio 2009

Trajtimi i situatave katastrofike nëpërmjet mjeteve të sigurimit

Herë pas here në diskutimet, prononcimet apo shkrimet mbi sigurimet, që gradualisht me rritjen e këtij sektori po zenë gjithashtu një hapësirë në rritje, trajtohen probleme të madhësisë së tregut, faktorët dhe rrugët, që cojnë në rritjen e këtij tregu, kulturën e popullatës në këtë fushë, pengesat dhe vështirësitë që hasen në rrugën për konsolidimin e këtij sektori etj. Konsumi për frymë i produkteve të sigurimit është rreth 10$ për frymë, (tregu i sigurimeve në Shqipëri kap afërsisht vlerën 30 milion$).
Në këto kushte shtrohet për diskutim gjetja e faktorëve që do të conin në rritjen e këtij tregu. Krahas sensibilizimit dhe rritjes së punës për edukimin e popullatës me kulturë sigurative diskutohet si një rrugë e mundëshme rritja e grupeve shoqërore apo profesionale, që i nënshtrohen sigurimit të detyrueshëm. Une do të ndalesha në rastin e trajtimit të situatave katastrofike nëpërmjet mjeteve të sigurimit si dhe mundësitë që ekzistojnë për të aplikuar në këtë rast sigurimin e detyrueshëm.

Nëse përfaqesuesit e shoqërive të sigurimit e shohin këtë aplikim, nga rritja e volumit të veprimeve e për rrjedhojë të rritjes së fitimit të tyre, unë do të jap mendimin tim duke e parë nga një tjetër këndëvështrim.

Së pari: nevoja e zgjidhjes së situatave të katastrofave për popullatën;

Së dyti: lehtësimi i barrës së qeverisë në përballimin e sukseshem të situatave katastrofike.

Problemi i trajtimit të situatave katastrofike nëpërmjet mjeteve të programeve të sigurimit në botë është një situatë shumë e zakonëshme. Ashtu sic dihet synimi i skemës së sigurimit në këtë rast konsiston në pasjen e një numri te madh njerëzish kontribues, të cilët në total do të kenë një numër relativisht të vogël pretendimesh. Duke patur rastin ku cdo person kontribuon në grupin apo fondin e premiumeve, do të ketë fonde të mjaftueshme, që mundësojne rimbursimin e numrit të vogël të njerëzve që janë pa fat dhe kanë humbje. Në këtë mënyrë ne shpërndajmë riskun

Potenciali i humbjeve të mëdha i përqëndruar tek pak persona zvendësohet me mundësinë apo sigurinë e një humbjeje të shumë të vogël(premium) për një numër të madh njerëzish. Kur mendojmë për sigurimin e makinave ose sigurimin e shtëpive kemi situatë të sigurimit klasik, sepse mund të jemi shumë të sigurt që në rrjedhën normale të ngjarjeve, relativisht pak shoferë do të kenë aksidente dhe pak shtëpi do të dëmtohen. Gjithashtu ne nuk e dimë se cilët shoferë ose shtëpi do të dëmtohen. Kështu që gjithëseicili ka pak a shumë mundësi të barabarta humbjeje dhe është i motivuar të blejë sigurimin për mbrojtje. Por në rastin e sigurimit nga katastrofa situata është ndryshe. Duke folur në përgjithësi humbjet janë shumë të ralla. Kështu që njerëzit nuk janë të prirur të mendojnë se kanë nevojë për sigurim.

Fatkeqësisht kur ndodhin humbjet ato tentojnë të jenë jashtëzakonisht të rënda dhe me një shpërndarje të gjerë. Mandej në mënyrë tipike njerëzit i drejtohen qeverisë për asistencë dhe kjo mund të vendosë një barrë shumë të rëndë mbi financat e qeverisë. Një fenomen tjetër që shpesh në sigurimin nga katastrofat është ai që quhet zgjedhje e kundërt (Adverse selection). Marrim për shembull sigurimin nga përmbytjet. Njerezit qe jetojne prane brigjeve të lumit do të vuajnë gjithnjë dëme nga lumi që del nga shtrati. Por njerëzit që jetojnë në zona më të larta nga brigjet e lumit e dinë se ata nuk do të vuajnë nga humbjet kur shpërthen lumi.

Pra njerëzit e vetëm që do ta blejnë mbulimin janë ata që do të pësonin humbjet dhe ata që nuk do të pësonin humbje nuk do ta blenin sigurimin. Pa nuk jemi në rastin tipik të situatës për sigurim, kur ka një numër të madh njerëzish dhe vetëm pak prej të cilëve do të vuajnë një humbje.

Sigurimi nga tërmeti rast i ngjashëm.
Shohim një situatë të ngjashme në rastin e sigurimit nga tërmeti. Brenda një vendi mund të ketë disa rajone që janë zonat me aktivitet të lartë sizmik dhe disa rajone që nuk janë në këto zona. Njerëzit që jetojnë në rajonet me aktivitet të lartë sizmik duan sigurimin nga tërmeti dhe ata që jetojnë në`zonat e tjera do të priren të mos e blejnë sigurimin. Gjithashtu edhe brenda zonës me intensitet të lartë sizmik ne e dimë se disa tipe strukturash janë shumë më të rrezikuara për t’u prishur se sa të tjerat, kështu që do të shohim se njerëzit që do të duan të blejnë mbulimin janë ata me riskun shumë më të lartë: ata që kanë strukturat me risk të lartë shembjeje të vendosura në zonat me aktivitet të lartë sizmik.

Një mënyrë për t’u ardhur rrotull këtyre problemeve është të merret një rajon mjaftueshmërisht i madh në mënyrë që të kemi nje miks të zonave me risk. Pas kësaj bëhet mbulimi i detyrueshëm. Kjo bën të mundur, që të kemi një fond premiumesh që do të jenë të mjaftueshëm për të mbuluar shumën e pritëshme të pretendimeve, dhe gjithashtu nuk do të kemi”kundër zgjedhje”(antiselektion). Në këtë rast disa mund të argumentojnë se po detyrohen njerëzit me risk të ulët të subvencionojnë ata me risk të lartë. Në të vërtetë kjo është ekzaktësisht ajo që po ndodh në këtë rast, por shumë qeveri përdorin arsyetimin se nga perspektiva e politkës publike me të vërtetë nuk ka zgjidhje tjetër vec të ndiqet kjo metode.

Në këtë rast mund të ndiqet modeli i Turqisë për mbulimin e detyrueshëm nga tërmeti. Sipas këtij modeli të gjitha ndërtesat duhet të mbulohen dhe që të gjithë paguajnë një tarifë bazë (premium), bazuar në disa tregues, sic janë sipërfaqja e dyshemesë ose vlera e caktuar e tregut, ose disa përllogaritje të tjera për shumën e dëmeve që mund të pësojnë në rastin e një tërmeti.

Fonde për të mbuluar dëmet e një tërmeti, ose rasti tjetër katastrofe
Ideja është të ngrihet një grumbull fondesh të mjaftueshme për të mbuluar dëmet nga një tërmet i mundshëm në atë shtet (Turqi), kjo vlen si model për cdo shtet tjetër në botë dhe për cdo rast katastrofe sic mund të jenë edhe zjarret apo përmbytjet. Ne fakt nuk është e mundur që të sigurosh fonde të mjaftueshme në një vit apo qoftë edhe në disa vjet. Por Banka boterore dhe disa agjensi ndërkombëtare kanë dhënë kredi për fondin dhe kjo kredi do të shlyhet me rritjen e fondit në mundësi nga marrja e tarifave.

Në këtë rast qëllimi është që ata të mund të kalojnë pjesë të këtij fondi në tregjet ndërkombëtare të risigurimit, kështu që risku me se fundi fillon të rishperndahet në vende të ndryshme në vend që të ngelet vetëm mbi pronarët e ndërtesave në Turqi. Natyrisht do të ishte shumë e rëndësishme vënia në përdorim e skemës, për t’u siguruar që gjithëseicili paguan premiumin e kërkuar dhe që paratë mandej investohen dhe janë të vlefshme për pagesat e pretendimeve. Në cdo skemë të kësaj natyre është gjithnjë shumë e rëndësishme të bëhet gjithëshka e mundur për të zvogëluar mundësinë e humbjes.

Nga Luiza Hoxhaj

Ish kryetare e KMS (Komisioni i Mbikqyrjes se Sigurimeve)

Ky shkrim është botuar në gazetën Koha Jone rubrika sociale, fq 15, dt 01.11.2003

Nessun commento: