Cerca nel blog

domenica 16 dicembre 2012

A mundemi ne ta mposhtim urine?



 
Nëse bëjmë disa llogari të thjeshta mbi deklarimet e autoriteteve përkatëse si FAO (Organizata botërore e Ushqimit) apo Banka botërore mbi mjetet e nevojëshme monetare për të luftuar urinë në botë do të kishim: sipas deklaratës së drejtorit të përgjithshëm të FAO, Jacques Diouf se për të luftuar urinë në botë nevojiten 44 miliard dollarë në vit. Nga ana tjetër Banka Botërore deklaron se për të shpëtuar 5 milion fëmijë në botë, që vuajnë nga kequshqyerja nevojiten 12,5 miliard dollarë në vit. Këto shifra duken një objektiv i largët nëse konsiderojmë faktin, që në vitet e fundit vendet e pasura kanë vendosur në dispozicion të këtij objektivi një shifër prej 350 milion dollarë në vit (shifër qesharake kjo, kundrejt urisë së madhe për këto fonde, bazuar në deklarimet e mësipërme). Pak a shumë kaq fonde kanë përfshirë në dispozicion si bonuse managerët e Citigroup, Bear Steam dhe Goldman Sachs, përpara se të fillonte kriza.
Nëse do të bazoheshim në këto llogari të thjeshta tani problemi i urisë në botë do të ishte zgjidhur. Sipas New York State Controller’s Office gjashtë bankat më të mëdha amerikane kanë llogaritur në 9muajt e parë të vitit 112 miliard dollarë si bonuse për punonjësit. Sipas këtij trendi i bie, që viti 2012 të mbyllet me një shumë prej 150 miliard dollarësh, aq sa në 2009, shifër kjo pak më ulët se viti më i mirë 2007, përpara se të fillonte kriza, kur bonuset kapën shifrën e 164 miliard dollarëve.
Për këtë shkak, në Amerike, nga 2009 e në vijim shpërthyen polemika të forta. Nisur nga ky fakt dhe polemikat rreth tij Presidenti Obama, i dyti mbas Gordon Brown në Britani, ndërmorri hapin për të aprovuar një takse ekstra mbi bonuset e bankierëve, hap ky, i cili nga ana e tij, gjithashtu u shoqërua me një kalvar polemikash. Nisur nga ky propozim Goldman Sachs ka qenë e para kompani, që lajmëroi se do të zgjeronte programin që imponon menaxherët të dhurojnë për bamirësi një pjesë nga fitimet e tyre, shumë kjo e barabartë me 595.000 dollarë për person. C’të themi në këtë rast? Me shifrat e deklaruara nga banka botërore dhe nga zoti Diouf ky problem do të ishte zgjidhur.
Po tek ne si është situata? Jo shumë larg në kohë jemi njohur edhe ne me shifrat maramendëse që kapin pagat e stafit menaxhues edhe në kompani, që operojnë në Shqipëri. Përsa u përket bonuseve që aplikohen në to nuk ka informacion. Lidhur me këtë temë ka patur ndonjë artikulim nga shtypi i shkruar, duke mbetur me kaq. Më tej asnjë studim, kërkim apo investigim as nga institucione, të cilat e kanë për detyre dhe as nga organizata të shoqërisë civile. Ndëkohë dimë që fondi i ndihmës ekonomike për të mbëshetur kategorinë e njerëzve në nevoje në vitet 2008-2011 arrin mesatarisht rreth 40 milionë USD në vit, pra vetëm 1 për qind të shpenzimeve të buxhetit total të shtetit. A është i mjaftueshem ky fond?
Së pari mendoj unë ne kemi problemin e madh të saktësisë, plotësisë dhe besueshmërisë së shifrave të varfërise dhe mandej mund të jemi në gjendje të gjykojmë për mjaftueshmërinë apo pamjaftueshmërinë e tij. Por a ka studime, të cilët mund të na vinë në ndihmë për këtë qëllim? Të paktën mua s’më ka rënë në dorë një i tillë për dy vitet e fundit. Gjate 2003, kur ushtroja detyrën e prefektes në qarkun e Beratit, konstatova, që kishte një diferencë të madhe midis shifrave zyrtare të raportuara për varfërinë dhe realitetit konkret në terren. Në këto rethana ndërmorra inisiativën për të kryer një studim të plotë mbi varfërinë në qark. Pata në këtë rast mbështetjen e admirueshme të ish minsitrit të atëhereshem të Punës dhe Cështjeve Sociale, zotit Ëngjëll Bejtaj. U hartua një projekt i parashikuar të implementohej në tre faza, por u realizua vetëm faza e parë e tij. Gjithëshka u ndërpre për shkak të largimit tim nga ky post. Ky studim nuk u përfundua kurrë, mbasi nuk përbënte prioritet për pasardhësin tim. Këtu del në pah edhe një problem tjetër, që karakterizon rotacionet tek ne, përfshi edhe ato brenda llojit, të cilat në planin teknike, nuk funksionojnë si një vazhdimësi, por edhe problemi tjetër, që është ai i mungesës së dëshirës për të njohur, prekur dhe zgjidhur pa bujë problemet e thjeshta të përditëshmërisë, të cilat janë jetike për qytetarët. Në të kundërt sundon makiazhimi i këtyre problemeve.
Por kjo është si të fshihesh mbas gishtit. Cdo gjë ka pikën e saj të ngopjes. Vjen një moment, që të vërtetat e hidhura të përplasen dhimbshëm në fytyrë. Sado të ketë makiazh, nga mediat vasale ka edhe gazetarë të guximshëm e të përgjegjëshëm për misionin e tyre, të cilët kryejnë me përkushtim detyrën e tyre, gjurmojnë realitetin në të gjitha pamjet e tij edhe në anën e tij të shëmtuar, sic është mjerimi, dhe na i bën ato të dukëshme dhe prezente në përmasën e tyre të dhimbëshme edhe aty ku mbretëron luksi dhe kamja, duke na bëre, që ta ndiejmë edhe ne atë dhimbje, duke na zgjuar sensibilitetet dhe ndjenjën e angazhimeve pozitive. I tillë ishte për mua edhe reagimi i profesor Perparim Kabos në faqen e tij në facebook. Ishtë një reagim revoltues ndaj legjendës së misrit, këtë radhë në kontrast të fortë me “kohën moderne”. Pamë, ndofta pa u besuar syve, të na shpalosej kjo pamje, po në Pukën e legjendës migjeniane, nëpërmjet kronikës së gazetarit të Top Chanell, Miri Hoti. Është shumë e dhimbëshme për të gjithë ne të shohim me sytë e dhimbjes një familje të mbytur nga skamja, e mungesa e shpresës, e cila e mbante frymën gjallë me bukë misri dhe kripë. S’do ti besonim nëse nuk do i shihnim me sytë tanë ata fëmijë dhe nënën e mjerë, që su ngopte dot barkun me buke. Prof Kaba, reagon në mënyrë simbolike me një gjest domethënës, duke refuzuar publikisht një darkë në një prej hoteleve luksoz, të Tiranës, darke e cila i paraprinte një konference për krizën, në statistikat e së cilës, ndofta do të parakalonin shifra suksesesh, që s’kanë aspak lidhje me realiteitn, që jeton kjo familje e shumë të tjera si ajo, kudo nëpër skutat e vendit, ku nuk hynë radarët institucional apo mediatik. Akti i tij është domethënes. Po aq domethënese është edhe ftesa e tij e hapur për të udhëtuar drejt veriut. Kjo më nxiti të bëj të njëjtën gjë me pjesëmarrjen në një aktivitet të ngjashëm. Por a mjafton kjo? Cfarë lëvizjesh duhet të bëjmë ne për të treguar se jemi një shoqëri e përgjegjëshme? Gjeste si ky janë të thjeshta, por me ndikim të madh sensibilizues, gjest, i cili të fton të thyesh lëvozhgën e mykur të unit. Është shumë e rëndësishme për ne si shoqëri ta zvendësojmë përemrin “Unë’ me përemrin “NE”. Ky gjest individual e profesorit duhet dhe mund të bëhet nxitje që të lindin edhe inisiativa të shoqërisë civile, apo aktorëve të tjerë për të përballuar këtë emergjencë dramatike, të krijuar nga rënia në varfëri e personave apo grupeve të tërë, ose për shkak të humbjes së vendeve të punës ose për shkak të rritjes së cmimeve, apo problemeve të tjera sociale. Atje ku janë mundësitë duhet të ndihmohen.
Por cilët janë njerëzit, që fati i ka hedhur ne skutën e mjerimit? Si mund të ndihmohen ata për të dal nga kjo situatë? Sa përqind të popullsisë përbëjnë ata? Një familje konsiderohet e varfër nëse të ardhurat e saj bien poshtë një niveli minimal të nevojshëm për të plotësuar nevojat bazë. i cili quhet kufiri i varfërisë apo minimumi jetik. Ky minimum jetik llogaritet duke përcaktuar nevojat minimale të konsumit të një “shporte” mallrash e shërbimesh. Çdo vend llogarit dhe miraton kufirin e varfërisë bazuar në kushtet e tij ekonomike dhe sociale. Bazuar tek ky tregues përcaktohet numri i të varfërve, si dhe shtrirja e tyre territoriale, me qëllim zbatimin e politikave dhe programeve efektive për reduktimin e varfërisë.
Për matjen e varfërisë në nivel global, Banka Botërore në Raportin e Zhvillimit Botëror 1990, miratoi kufirin (absolut) “një dollar në ditë”. Rënia nën këtë kufi (sigurisht duke e indeksuar atë psh me çmimet e vitit 2005 i takon të jetë 1.25 USD në ditë) nënkupton të jetuarit e një personi në “varfëri ekstreme”. Në vendin tonë mungon një nivel zyrtar për matjen e varfërisë. Referenca zakonisht bëhet me një kufi gjysmëzyrtar të publikuar nga INSTAT-i. Në Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës në vitin 2008, anketim i kryer me mbështetjen e PNUD-it dhe të Bankës Botërore, citohet shifra si më poshtë: “pjesa e popullsisë, konsumi mujor real për frymë i së cilës është nën 4,891 lekë (me çmimet e 2002-shit) ka rënë nga 25.4 për qind në vitin 2002 në 18.5 për qind në vitin 2005 dhe 12.4 për qind në vitin 2008”. Këtë shifër prej 4,891 lekësh e konsiderojmë si kufi gjysmëzyrtar, sespe vërtet, ajo është llogaritur nga një institucion publik, por kjo shifër nuk është miratuar nga qeveria si njësi matëse në luftën kundër varfërisë. Po ti shtojmë kësaj situate edhe faktin që kjo shifer është më e ulët, se 7.975 lekë e cila rezultoi nga matja zyrtare e nivelit të varfërise, kryer në vitin 2001, e cila gjithashtu nuk u zyrtarizua me vendim nga asnjëra prej qeverive pasardhëse, tregohen nga ana tjetër minimalisht mungesën e përgjegjësisë dhe vullnetit politik per ti njohur problemet dhe për ta mbështetur këtë kategori popullsie dhe në rastin më të keq është përpjekje për ta fshehur realitetin. Kryerja e anketimeve për treguesit e varfërisë një herë në 5 vjet është arsyeja pse mungojnë të dhënat për numrin e të varfërve pas vitit 2008, dhe per rrjedhoje mungon edhe ndjekja dinamike e ecurisë së këtij procesi.. Këtë konkluzion e përforcon fakti, që edhe në rezultate e CENSUSIT te fundit nuk janë pasqyruar ende treguesit e punësimit dhe varferisë. Unë mendoj se vetëm duke i njohur dhe pranuar problemet ne mund ti zgjidhim ato.
Gjithashtu mos llogaritja e këtij treguesi në koherencë me strukturat globale, pamundëson matjen e nivelit të tyre në kontekstin rajonal europian apo global. Nëse i referohemi përcaktimit të numrit të familjeve të varfëra, bazuar në këtë tregues, konsideruar edhe faktin, që këto shifra nuk indeksohen me rritjen e çmimeve rezulton që fondet e vëna nga qeveria në dispozicion të këshillave të bashkive dhe komunave janë më pak se gjysma e shumave të nevojëshme. “Për pasojë, duke analizuar grupin e familjeve me katër persona, pagesa mesatare në muaj për familje më 2011-n ka qenë vetëm 2,919 lekë. (Shërbimi Social Shtetëror, 2012). Rrjedhimisht, pagesa për person në muaj del 730 lekë. Pra, ndihma ekonomike mbulon vetëm 15 për qind të kufirit gjysmëzyrtar prej 4891 lekësh që llogarit INSTAT-i”. Bazuar në këto shifra buron emergjenca e hartimit të politikave sociale të përshtatëshme për zbutjen e mandej zgjidhjen e kësaj situate. Peshorja duhet të anoj në favor të politikave zhvilluese. Për këtë nevojitet një raport i drejtë i politikave fiskale me ato shpërndarëse. Ato duhet të jenë në ekuilibër dhe në funskion të një zhvillimi të shëndetshëm ekonomik. Këtë mekanizëm taksim- (ri) shperndarje do ta krahasoja me sistemin e qarkullimit te gjakut ku fiskun do ta krahasoja me venat që sjellin gjakun (paranë) në veshore (buxhet) në formën e të ardhurave, kurse shpërndarja nëpërmejtë kanaleve të saj shpëndarëse nga sistemi arterial, i cili nga barkushet ( buxheti) e (ri)shpërndan në formë shpenzimesh kapilare në cdo esktremitet të organizmit. Nëse ky mekanizëm funskionon mirë ne kemi një organizem te fuqishëm, pra një sistem të shëndetshëm. Kur ky furnizim nuk shkon në formë shërbimesh sociale, arsimimi, shëndetësore, administrative në cdo skutë të vendit, duke krijuar mundësi punësimi etj, do të thotë që sistemi ynë funksionon keq. Difekti në këtë rast është si i politikave që ndjekim, ashtu edhe i pamjaftueshmërisë teknike për ti përmbushur ato.
Idealisht mekanizma të tilla do të lejonin më shumë ndërveprim dhe inisiativa konkrete të përqëndruara mbi tema të interesit të përgjithshëm, sic janë psh varfëria, që kërcenon të zgjasë hapësirat cdo ditë. Me impenjimin tonë do të kontribonim në këtë mënyrë në përmirësimin e situatës reciproke. Për këtë duhen forcuar mekanizmat ekzistues dhe të vihen në dispozicion të këtij qëllimi. Për këtë na duhet të injektojmë një kulturë përfshirëse. Nevojitet domosdoshmërisht të dalim nga kultura e leximit tepër sipërfaqësor të sinjaleve, gjë që na ka karakterizuar në këto 20 vitet e fundit në kërkim të rrugës së duhur për të realizuar një proces të integrimit tërësor në vlerat europiane, duke ju rikthyer kulturës përfshirëse jo përjashtuese tipike për mesdheun, rajon të cilit i përkasim. E gjithë kjo situatë na con drejt rikonsiderimit të shkallës së vlerave të cilave u referohemi.
Ngjarjet të cilave ju referuam përfaqësojnë një sinjal të qartë, qe demostron se faza në të cilen gjendemi është delikate dhe shumë e rëndësishme për të na tranzituar drejt një faze me vlera më të larta, në këtë aspekt. Nevojitet nje ridefinim i paradigmes tradicionale sipas të cilës kemi trajtuar këto politika, prej të cilave ka buruar edhe kjo situatë kaq pak kohezive dhe kaq shumë e fragmentarizuar. Duhet t’i japim jetë një politike sociale të qartë dhe koherente me situaten ku jemi si dhe me tendencat e zhvillimeve të ardhëshme. Psh bujqësia dhe mbarështimi i blegtorisë, me investime më të mëdha dhe mirëadminsitrim të burimeve mund të jenë antidotë e urisë dhe zgjidhje e drejtë në luftën kundër varfërisë. Por hapi i parë që duhet të bëjmë është tu japim besueshmëri statistikave tona, të kemi sy dhe kurajo ti lexojmë drejt ato dhe jo ti deformojmë për qëllime pragmatike, ngushtësisht politike. Vetëm mbi këte bazë do të mund të ndërtojmë paradigmën e re.
E gjithe kjo kërkon impenjim të fortë në terma të vullnetit politik si dhe  solidaritet dhe bashkëpunim ekonomik, duke ndërtuar një raport të ri të partneritetit publik/privat. Sigurisht egzistojnë probleme të shumta për të cilat është vështire të gjesh zgjidhje të bashkëndara në terma afshkurtër dhe afatmesëm. Kjo lidhet me faktin që interesat partiake u mbivendosen interesave të përbashkëta si të komuniteteve lokale ashtu edhe atij në nivel kombëtar. Jo domosdoshmerisht duhet te jesh një vend i pasur për të aplikuar politika të drejta dhe të efektëshme sociale.
Luiza Hoxhaj
Tirane me 16.12.2012

Nessun commento: