Cerca nel blog

sabato 15 dicembre 2012

A mund të bashkëjetojnë uria me bollëkun?

Botuar ne gazeten "Tirana Observer", dt 20.12/2012


“Asnjë shoqëri nuk mund të jetë e begatë dhe e lumtur kur pjesa më e madhe e saj janë të varfër dhe të mjerë
                 Adam Smith. Pasuria e Kombeve. 1776
Një pyetje kjo e cila na obligon të reflektojmë ndaj sjelljes sonë të përditëshme në raport me fenomenin e varfërisë. Prej saj lind një pyetje tjetër: Përse progresi i vendit i proklamuar me forcë në vend, që të ngushtojë diferencat midis personave, ka thelluar distancën midis të pasurve dhe të varfërve? Sa real është ky progresi ynë?
Këto pyetje janë të përligjura kur cdo ditë bombardohemi nga lajme mbi persona, që vuajnë apo vetvriten për shkak të gjendjes së mjeruar ekonomike. Këto të dhëna tragjike, këto imazhe, që na përplasen në përditëshmërinë tonë bëjnë jehonë në botën tonë të konsumizmit, ushqimit të tepërt, të mbijetesës, në këtë botën tonë të vogël fatkeqësisht të mbërthyer nga indiferenca. Natyrishëm të vjen të pyesësh përsëri: përse ndodh e gjitha kjo?
Sigurisht kjo varet së pari nga funksionimi në kompleks i shoqërisë dhe ekonomisë sonë. Nuk mund të ndodh automatikisht, që kur prodhon më shumë (nëse vërtetë ndodh kjo) mund të jenë të gjithë më mirë. Vendi në tërësinë e tij mund të prodhoj apo importoj më shumë, por jo domosdoshmërisht të gjithë personat do të kenë më shumë.Kjo varet shumë nga mënyra sesi fuknsionon një vend dhe cfarë politikash rishpërndarëse aplikon ai. Pavarësisht progresit të regjistruar cdo ditë na përplasen fakte të tilla si ai i familjes në Pukë, apo shtëpisë së fëmijëve me probleme zhvillimi në qytetin e Beratit, të cilat na prezantojnë prezencën e fenomenit të varfërisë në dimensionin e saj më të keq: urinë dhe kequshqyerjen, për rrjedhojë shëndet i keq. Megjithëse e drejta për t’u ushqyer është një nga parimet e proklamuara në 1948 në  “Deklaratën Universale të të drejatve të njeriut”, kanë kaluar vetëm pak ditë nga përvjetori i saj ( 10 dhjetor), kur dëgjuam retorikën e përvitëshme rreth parimeve të saj, si gjithnjë jemi larg nga realiteti i përmbushjes së kësaj të drejte. Në këtë deklaratë ndergjegjia publike është shprehur pa ekuivok. Megjithatë miliona njerëz në botë vuajnë nga uria, tek ne po ashtu. Raporti mbi urinë në botë i shperndare, së fundmi, nga FAO thekson se në periudhën 2010-2012 rreth 870 milion njerëz kanë vuajtur nga urija, ndërsa ka patur një ngadalësim të numrit të personave, që dalin nga varfëria në pesë vitet e fundit. Në vendin tonë, sipas statistikave zyrtare, numri i familjeve të varfëra llogaritet rreth 97750 familje apo rreth 400 mijë persona.
Nga ekspertë botërorë të kësaj fushe si dhe strukturat përkatëse është thënë dhe vazhdon të thuhet, që shkaku i kësaj gjëndjeje nuk duhet kërkuar tek mungesa e ushqimeve. “fakti që rreth 870 milion persona- më tepër sesa popullsia e USA, Europës dhe Kandasë të marra së bashku- janë të uritur në një botë, që prodhon mjaftueshëm për të gjithë është skandali më i madh i kohërave tona”- thekson studiuesja Isabel Vivardi. Burimet e tokës, të konsideruara globalisht, janë në gjendje të ushqejnë banorët e saj. Ushqimi disponibël për frymë është rritur me 18% në 5 vitet e fundit. Burimet e vendit tonë po ashtu janë të mjaftueshme. Megjithatë shoqëria jonë gjendet sot përballë një sfide të rëndësishme, padyshim një sfide të rendit ekonomik dhe teknik, por më tepër të rendit etik dhe politik. Kjo situatë është më shumë një cështje e solidaritetit të munguar, një cështje e zhvillimit tonë si shoqëri, përpara se të jetë një cështje e zhvillimit material.
Cfarë duhet bërë për të kontribuar në zgjidhjen e kësaj situate dramatike? Kujtojmë tonelatat e produkteve bujqësore të fermereve korcare, të cilat të mbetura stok, në pamundësi për tu kanalizuar drejt tregut, përfunduan në lumin Devoll? Përse duhet të ndodh kjo kur ka njerez të uritur në vend? Cfarë mund të bëj shteti për ti destinuar këto produkte drejt atyre që kanë nevojë? Përse të mos ketë një program të subvencionimit indirekt të këtyre fermerëve, duke ua blerë produktet në favor të këtyre familjeve apo individëve, që kanë aq shumë nevojë për to? Në këtë mënyrë mund të ndihmohen njëkohësisht dy kategori sociale në vend: familjet në nevojë dhe fermerët, duke ndihmuar kështu në nxitjen dhe zhvillimin e agrobisnesit, pa u ngatërruar në politikat proteksioniste, mungesa e të cilave i bën fermerët tanë jo konkurues, jo vetëm në tregun rajonal, por edhe në atë vendas. Të ndihmosh të ushqehen ata që vuajnë nga uria, duke subvencionuar shëndetshëm një kategori agrobisnesi, është një detyrim pa ekuivok. Ky duhet të jetë një prioritet, i cli duhet të ngulitet në ndërgjegjen tonë qytetare dhe akoma më shumë në ndërgjegjen e atyre, që qeverisin, mbasi janë ata, që duhet dhe mund të ndërmarrin veprime konkrete. Gjëndemi kështu në prezencë të një fenomeni, i cili lidhet me zgjedhjen ekonomike të drejtuesve, pra të një problemi zgjidhja e të cilit qëndron në vullnetin politik.
Megjithatë ky apel i drejtohet seicilit prej nesh për të rrezuar së bashku mbretërinë e indiferences, ose të mungesës së vullnetit për tu angazhuar në probleme të tilla jetike. Ky nuk duhet të jetë një apel që mbetet pa përgjigje, që bie në boshllekun e pandjeshmërisë së qeverisë dhe në vecanti të dy ministrive të linjës: Ministrisë së punës dhe cështjeve sociale si dhe Minsitrisë së bujqesisë dhe ushqimit.Ky apel nuk duhet të humbas, sic ndodh rendom, në labirinthet e interesave ekonomike të një politike të mbyllur në kufijte e vet, e shkeputur nga raportet njerëzore solidare.Mbetet ende shpresa e një vullneti politik të përkthyer në politika konkrete sociale të destinuara për këtë kategori dhe të tjera të ngjashme me të, të cilat kanë aq shumë nevojë për to, duke evituar, që të mbetemi spektator të një realiteti tragjik, apo që të mbetemi shurdh ndaj kërkesave për ndihme të kujt vuan nga uria, pavarësisht bollëkut të një pjese tjetër të shoqërisë sonë.
Reduktimi i numrit të personave, që dalin nga gjendja e varfërisë në pese vitet e fundit do të tingëllonte si një alarm global. Kjo këmban bie edhe për ne. Thjesht duhet të kemi vesh të dëgjojmë. Mosveprimi politik do të thotë cmime më të larta dhe të paqendrueshme të ushqimeve, mungesë të investimeve në bujqesi, e të tjerë tregues të cilët vendosin në rrezik progresin në luftën kundër urisë. Kemi nevojë për një përafrim të ri në politikat e kultivimit dhe administrimit të ushqimit dhe burimeve natyrore. Në fakt kemi nevojë për politika sociale më të përshtatëshme. Cështja nuk është nëse liderët tanë politik mund ti realizojnë Objektivat e Mijevjecarit per te pergjysmuar numrin e personave të uritur brenda vitit 2015 ( objektiv ky i pamundur edhe nëse konsiderojmë të mirëqena statistikat zyrtare (12,5% ), por nëse ata duan ta bëjnë vërtet këtë gjë?
Cdo qeveri, pavarësisht, rotacioneve politike, duhet të inicioj trasformime drejt një sistemi ushqyerjeje më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, duke ndihmuar në krijimin e rezervave ushqimore si dhe mbrojtjen ndaj rritjes së cmimeve (sidomos atyre spekulative) dhe duke vendosur të drejten për tu ushqyer në qendër të politikave dhe insisiativave të saj. Uria nuk mund të luftohet me ndihma. Ajo nuk zgjidhet as kur dikush luan roline babagjyshit te krishtlindjeve. Ato vetëm mund të taposin momentalisht një situatë të caktuar, pa e zgjidhur atë. Uria luftohet me programe të zhvillimit të vendit. Zhvillimi është një proces shumë me kompleks se bamirësia dhe kërkon angazhim më të madh. Në këtë proces duhet të përfshihen strukturat, individët, bankat e zhvillimit, institucionet e mikrokredisë etj. Është koha për një projekt të tillë gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor. Vetem ai model ekonomik , që do të sjell mirëqenie për të gjithë, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta do të mund të siguronte zhvillim të qëndrueshëm. Këto prioritete duhet të vlerësojmë kur votojmë një forcë politike, jo thasët me miell, që mund të “dhurojnë në prag votimesh. Është mekat i madh të luash, të tallesh dhe ta përdoresh urinë, varfërinë dhe vuajtjen njerëzore.
Luiza Hoxhaj
Tirane me 15.12.2012

Nessun commento: