Cerca nel blog

mercoledì 8 febbraio 2012

Duhet shpetuar ky vend i bukur

Botuar ne gazeten "Tirana Observer", dt 11.02.2012, rubrika opinion
 

“Peisazhi, ambjenti, pronësia kulturore janë si dielli dhe yjet: iluminojnë dhe kondicionojnë jetët tona, trup e shpirt”.
                                                                                   Keynes
Pak kohë më parë po admiroja një peisazh të mrekullueshëm nga bregdeti i “Uji të Ftohtë”, Vlorë, në studion e piktorit të mirënjohur vlonjate A.D, i cili njihet si piktori i detit. Krahas dallgëve të detit, të cilat lodronin brenda tabllos, duke të krijuar ndiesinë se ato po tentonin të vershonin jashte prej saj, sikur do të përmbytnin studion, më mbetën në mendje fjalët e bashkëshortes së tij: “Eh i thashë, kur ishte duke punuar këtë tablo: Bëje edhe këtë radhë detin dhe bregun e bukur të Ujit të Ftohtë se pastaj do e kërkosh me qiri e s’do t’a gjesh”. E dhimbëshme ta dëgjosh këtë fakt. Ky moment u bë shkak edhe për lindjen e këtij shkrimi. Temë kjo e prekur edhe më parë prej meje por nën një shikim tjetër. Vendosa ta rimarr këtë diskutim, sepse degradimi i territorit dhe vlerave të tjera po avancon me ritme të pamëshirëshme. Trajtimin do e ndërtoj në tre plane sipas renditjes në thënien e Keynes referuar në krye.
Peisazhi, ambjenti dhe të mirat kulturore nën këtë qeveri:
Së pari: Peisazhi. Edhe më e brishtë se sa ekonomia është toka e vendit tonë. Ndër vite janë rregjistruar dhe kanë qenë shumë të pranishme rrëshqitjet e dherave, të cilat përbëjnë pjesë të konsiderueshme të territorit. Ky është problemi më i madh për vendin, konsideruar sipas studimeve të kryera si një nga vendet më të ekspozuara ndaj fenomenit të erozionit. Në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për morfologji natyrale. Degradimi është shpejtuar: nga abandonimi i kultivimeve, nga zjarret e diegia e pyjeve shpesh me dashje, në këto 20 vite tranzicion; por edhe nga cimentizimi, infrastruktura dhe vendosja e ndërtesave vend e pa vend, të cilat rrisin propabilitetin e rrëshqitjeve dhe aluvioneve, duke i bërë më të rënda efektet; nga pakujdesia apo mospërfillja për rregjimin e ujrave, e cila redukton burimet hidrike dhe gjeneron përmbytje shkatërruese, jo të pakta këto vitet e fundit. Shumë vulnerabile janë rreth 400km të brigjeve tona detare, ato liqenore dhe lumore tashmë në erozion të vazhdueshëm dhe në rrezik zgjerimi të tyre cdo ditë. Nga përmbytjet dhe shfrytezimi pa kriter dhe jashtë kushteve ligjore të inerteve, kanë ndodhur gëlltitjet e hektarëve të tërë toke nga lumenjtë apo deti. Zhvendosja e shtratit të lumit të Kirit në Shkodër, Shkumbinit,  Drini, që po përpijnë hektarë të tërë, plazhi i Semanit në Fier e së fundmi uria me të cilën i janë turrur liqenit artificial në Tiranë, janë shembuj evidente. Përpara syve të të gjithë shqiptarëve janë ekspozuar raste të shumta dhe tragjike kudo në Shqipëri. Përvec këtij fenomeni bregdeti ynë është, duke u shkretuar edhe nga nxitja e porteve turistike dhe molet e pafund, që mbijnë si kërpudhat mbas shiut në brigjet e Vlores apo kudo gjetkë. Kjo ndihet dhe perceptohet nga të gjithë por nuk reagohet nga të gjithë. Ndërkohë mungon dëgjimi apo sensibilizimi i kujt e ka për detyrë të ndërhyje. Këto shndrime traumatike të dheut sjellin dëme të mëdha, të cilat askush nuk ka marrë përsipër ti llogaris. Shpesh dëgjojmë të përsëritet përalla e dal mode e “zhvillimit ekonomik të bazuar në shumëfishimin e autostradave dhe rrugëve, edhe pse shumë të rëndësishme, herë herë janë të parakohëshme në raport më emërgjencën, pa konsideruar standartet e disa prej tyre, mungesa e të cilave në jo pak raste do të n’a detyrojnë të bëjmë të tjera rrugë me standarte në të ardhmen e afërt. Modeli ynë i zhvillimit, në dukje  favoritë i zhvillimit eko-kompatibël, nëpërmjete rilancimit të ndërtimeve, nëpërmjet faljes (e famshmja dhënie me koncesion me një euro, e dështuar në fakt) apo “planeve të ndërtimeve”, calon. Ky tip zhvillimi, duke rafshuar e kafshuar male e kodra ka prodhuar krizën e thellë, që po kalojmë, pavarësisht se nuk e pranojmë.Kjo është ideja e “zhvillimit të qëndrueshëm”, që na kanë dhenë dhe vazhdon të na jepet të pijmë edhe sot? Asnjë qindarkë ose fare pak për të konsoliduar brigjet e lumenjve dhe detit apo për të ribërë sistemin e ujrave, dhe në vecanti një shi milionash për të ndërtuar mbi këtë terren rrëshqitës, vepra të llojit faranoik. Kujt duhet t’ia atribuojmë fajin: abuzivizmit apo ndonjë arësyeje tjeter? Mendoj se janë me miliona euro, investim publik apo privat, të cilat hidhen në kosh për shkak të menyrës si devijojnë investimet apo menyrës si bëhen shpronësimet psh: unaza e Tiranës është një model. Keqmanaxhimi i burimeve natyrore, abuzivizmi dhe keqqeverisja bëjnë, që burimë të rëndësishme natyrore pjesë të eko-sistemit natyror nga burime të mirash dhe jete, shndrohen në burime fatkeqesisht, që godasin cdo ditë banorë të zonave në afërsi, me shembje shtëpish apo largim nga vendbanimet etj. Në këto raste demet janë shumë më të mëdha se sa të ardhurat.Të fituarit me cdo kosto për disa, kthehet në ato kosto, që i dimë të gjithë për të tjerët, më të shumtë në numër
Së dyti: Ambjenti. Nga këndvështrimi ambjental personazhi Shqipëri është midis më të shkretuarve në Europë. Në funksion të rritjes së mirëqënies apo shtimit demografike, kemi konsumin më të lartë të dherave. Rreziku i territorit është potencial edhe nga veprimet agresive si: parqet e centraleve me erë, shkarkimet ilegale të mbeturinave inerte në lumenjë apo të naftës dhe solarit në brigjet e detit prej anijeve, cimentizimi apo disponibiliteti negativ si mungesa e ndërgjegjësimit mbi rolin, që institucionet duhet të luajnë, mungesa e ruajtjes së territorit, mungesa e kultures së nevojëshme, mungesa e vleresimit etj. Fal këtij modeli zhvillimi janë mbjellë nëpër vend mijëra kapanone “industriale”, ku nuk prodhohet dhe nuk magazinohet asgjë, përvec avantazheve fiskale për kë i ka. Të paktën 5000 mijë janë apartamentet e pashitura në Tiranë, mijëra të tjera rrotull saj dhe në gjithë Shqipërinë, e megjithatë vazhdohet të ndërtohet, kur këto burime financiare mund të orientohen shumë mirë gjetke. E frikshme për të ardhmen e kryeqytetit tonë duket edhe kërkesa e ndërtuesve për të hequr kufizimin e ndërtimeve të larta në Tiranë. Do filloj kështu të tregohen përalla me gratacela, duke imituar Gjirin Persik, një rajon të përshkruar tashmë nga “moderniteti”. Qëndrat historike të qyteteve, po i shohim të shkojnë drejt qëndrave tregëtare, të cilat i boshatisin qytetet nga njerezit dhe nga vlerat. Sheshet e populluar, sic ishte edhe projekti i qendrës së Tiranës do të ishin një zgjidhje komplekse me e mirë, por kjo duket do mbetet një ëndërr e largët.
Retorika e energjisë së rinovueshme është gjithashtu një problem. Energjia e rinovueshme është e gjithëpranuar, por shihet me dyshim një egzagjerim për mundesitë e saj si dhe projektet për instalimin e parqeve të centraleve me erë në një nga zonat më të bukura turistike: në Gjirin e Vlorës. Vendimarrja për to është bërë pa u paraprirë nga studime për përshtatëshmërinë e zonave dhe pa investuar paraprakisht në kërkimin për të maksimalizuar efektet dhe reduktuar impaktin negativ mbi ambjentin. Në se llogarisim faktin, që aty pranë ndodhet edhe një park arkeologjik situata bëhet edhe më dramtike. Italia, vendi prej nga vjen investitori potencial, është vendi europian me më shumë nxitësa ndaj kujt instalon panele eloike apo panele diellore dhe megjithatë ndodhet nën trysninë e popullsisë së rajoneve perkatëse për të mos i vendosur ato në zona bregdetare apo atje ku ka vlera të të mirave kulturore dhe arkeologjike. Zgjidhja e tyre në këtë rast mbetet: transferimi i këtyre investimeve drejt Shqipërisë. Kjo duhet të jetë e patolerueshme për ne. Kundërshtimet e vendosjeve të tilla me inisativë dhe pjesëmarrje apo vendime territoriale janë të këshillueshme dhe të ligjëshme edhe nga pikepamja e ruajtjes dhe mbikqyrjes së territorit si dhe të rrënjëve të tij historike dhe kulturore. Në se vërtet besojmë tek energjia e rinovueshme, duhet të bëjmë saktësisht të kundërtën e asaj, që po tentojmë të bëjmë me pasurinë tonë natyrore. Për të duhen programuar nxitësa, ashtu si dhe për kë ripërdor godinat e braktisura në vend, që të ndërtojnë të reja, ose kujt i shpëton ose shton përdorimin bujqësor të dherave. Kujdesi për tokën apo programet e ripërdorimit të ndërtesave të braktisura do të mund të ushqente një proces virtuoze zhvillimi.
E treta: trashëgimia kulturore dhe historike. Paraprakisht kemi parë një reduktim spektakolar të funksionalitetit dhe kapacitetit të ndërhyrjes nga ana e strukturave publike të mbikqyrjes së tyre. Ndërsa bie cdo ditë numri i punonjësve dhe fondeve, që kujdesen për to shtohen në leter detyrat e tyre. Me personel të gjysmuar, zyra rajonale pa kompetenca, pa bilance, pa pushtet, nuk mund të bëhet mbikqyrja e peisazhit dhe e pasurisë artistike të kombit, e kërkuar nga Kushtetuta, në se nuk ka kush t’i mbikqyrë. Institucione, që duheshin rinovuar dhe përmirësuar janë vendosur  në “papafingo”. Kur nuk ka mbikqyrje sigurisht ka degradim. Rezultati: Qytete të lashtë si Amantia dhe Finiqi, të lenë në mëshirë të fatit janë drejt zhdukjes, vlera muzeale si psh ato për figurat e rilindjes kombëtare në Përmet apo kisha e mbirë si kërpudhë brenda pallatit të kulturës, shtëpitë monumente kulture të Gjirokastrës, shtëpia e Luigj Gurakuqit, e Ndre Mjedës etj raste pa fund. Në këto “rrethana” dikush ka një zgjidhje të gatëshme, që e nxjerr si Asin nga menga: hidhet në tapet idea e kthyer tashmë në vendim për dhënien me koncesion të pasurisë dhe trashëgimisë kulturore.  C’mund të thuhet për mungesën e bazës ligjore në të cilen mbeshtetet dhe për ngutin e këtij hapi? Sigurisht ngrihen dyshime të forta mbi paligjëshmërinë e procesit dhe abuzivizmin me katalogun e 40 kalave dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilat do të jepen me qira. Thellësisht tragjike dhe kërcënuese. Qeveria ka përgjegjësi të lartë në këtë drejtim. Prej saj në këtë përvjetor jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë kemi të drejtë të presim një analizë të ftohtë dhe profesionale të të dhënave dhe kapacitet të lartë për ta thënë të vërtetën si dhe angazhim total për t’i rivenë në vend këto vlera. Cdo “rishikimi financiare duhet ti mungoj zëri “i dorëheqjes së pronësisë publik ndaj këtyre vlerave”. Pra në këtë 100 vjetor po e lenë këtë vend me pak trashëgimi. Në këtë vit historik ne po shkojmë më të varfër në histori. Dhe është për t’u uruar, që pronësia kulturore dhe e peisazhit, të mbrojtura nga kushtetuta, nuk vihen kurrë në shitje, qoftë ajo edhe e kamufluar në formë koncesionesh.
Duke prekur në kohë këtë teme do të mundej të na kurseheshin disa lotë mbi sakrificat, që na presin në të ardhmen, duke mos ditur se në duart e kujt do të bier kjo pasuri. Në këtë rast thërrasim në ndihmë, ashtu si edhe për recetat e zgjidhjes së krizës aktuale Keynesin. Do të ishte esenciale për ne t’i përgjigjeshim ftesës se tij gjithnjë aktuale:
..jemi duke krijuar geto dhe fonde të uleta dhe bejmë, që kështu të jetë e drejtë, sepse “japin fruta”, ndërsa në gjuhën jo të mencur ekonomike- qyteti i mrekullive do të mundej të ishte të “hipotekosh të ardhmen”. “Ky është rregull vetshkatërrues i llogarive financiare qeveritare në cdo aspekt të jetës. Shkatërrojmë fushat, sepse bukuritë natyrale nuk kane vlerë ekonomike. Do të jemi të aftë të ndalojmë diellin dhe yjet, sepse  nuk na japin ndonje divident?”. Ende na fletë Keynesi:“Peisazhi, ambjenti, pronësia kulturore janë si dielli dhe yjet: iluminojnë dhe kondicionojnë jetët tona, trup e shpirt”.
Prandaj ka një rol kaq të lartë Kushtetuta, ku misherohet si ide qëndrore se: e mira e përbashkët dhe dobia sociale mbivendosen ndaj përfitimit privat, duke mos lejuar, qe te leme peng te ardhmen tone. Peisazhi, ambjenti, pronësia kulturore kërkojnë dije teknike për të qenë të mbikqyrur, por edhe një ide për Shqipërinë, një ide për të ardhmen. Nuk është më koha të mendosh, në mënyrë ekskluzive, për mbikqyrjen e interesave ekskluzive, shpesh të kristalizuara mbi një llogjikë të shfrytëzimit të burimeve natyrore, që prodhon impakt të rëndë ambjental dhe pabarazi të mëdha sociale. Këto të këqija objektivisht të zgjidhëshme me veprime të gjera dhe konkrete, janë efekt i një të keqe “ontologjikisht të rrënjëzuar”: paditurisë ose mungesës së njohjes dhe frustimit, indiferencës dhe sipërfaqësisë në vleresim dhe pritshmëri, të cilat na përfshijnë të gjithëve: qytetarë të vecantë, komunitet, hierarkitë adminstrative dhe të institucioneve.
Kjo problematike, kryesisht ka qenë e larguar nga vemendja e publikut në këto 20 vjete qeverisjeje të alternuar midis të djathtës dhe të majtës. Debati për këto probleme në opinionin publik është i domosdoshëm. Duhet të diskutojmë për zhvillimin e qëndrueshëm, ndryshimet klimatike, biodiversitetin, energjinë, mbikqyrjen e ujrave të cilat bëhen të pamëshirëshme, sepse ne nuk respektojmë rregullat e tyre, për parqet, për energjinë e gjelber, për trashëgiminë tonë kulturore dhe historike. Sot është në lojë cilësia e modelit tonë të zhvillimit. Të diskutosh për këto probleme do të thotë të shkosh në zemër të politikës dhe vendimarrjes komplekse, e destinuar, që të ketë impakt të madh në plan ekonomik dhe social. Është i domsodoshëm një model i ri i zhvillimit të qëndrueshme, demokratik, shoqërisht i barabartë, nën një optikë reale të bashkëpunimit njeri-natyrë. Të punojmë për një model të ri zhvillimi, të besueshëm dhe të relizueshëm, duke thirrrur dhe vendosur në eficensë të gjitha mendjet e lira dhe të hapura. Është shumë e nevojëshme dhe e rëndesishme, që edhe pushteti vendor  të impenjohet aktivisht mbi temën e qëndrueshmërisë dhe atë të mbrojtjese së vlerave kulturore. Ka nevojë gjithashtu të ketë trasparencë të dhënash. Vetëm kështu do të mund të merren masa reale korrigjuese.
Luiza Hoxhaj
Tirane me 07.02.2012

11 commenti:

Dragan Kumi ha detto...

"te falenderoj per temat qe ke kapur por deshiroj ta lexoje ato qe kane ne dore fatet e kombit qe po e shkaterrojne nga dita ne dite pershendetje mike ......................"

bunny ha detto...

Shume bukur e fillove pak kohe me pare, afersisht 15 vjet me pare. sot nga vlora gjer ne radhin shikon vetem beton (hotele, restorante dhe disko) kalon llogaran (edhe ketu kane filluar mire e mire betonet) zbret ne dhermi, palase apo jale, ske vend ku te lesh makinen se eshte mbushur cdo cep me lokale. thua e po mire po vete ne himare, himara nga nje miniqytet me tre pallate oficeresh qe ka qene, eshte bere me gratacela, dhe mbi plazhin e rralle te saj derdhur betoni me shumice. pas himares vjen llamani ketu me ne fund mund te shijoje nje cop plazh, por sa futesh ne uje per pak sa motori i ujit nuk te heq koken nga vendi. zbret me poshte ne porto palermo per te pare kalan e ralle te pashait sa hyn tek dera shikon qe mungon dicka. pllaka me shkrimin antik te kalas eshte hequr e ska lene name e nishan, brenda kalas nje rrenoje pa drita ku gurjet e vjeter jane zevendesuar nga tullat. ruges ne borsh mezi kalon se jane plot me rere e beton gati per te ndertuar. me ne fund arrin ne sarand, bahh ketu ka marr fund gjithcka, keshtu qe shtyhesh gjer ne konispol, por edhe ketu ca te shikosh vetem beton e pa plazh...... kjo ishte vetem nje pamje e jugut, per mos te folur per veriun....

Astrit Mahili ha detto...

Pershendetje mike! Kush do ta shpetoj: everitaret qe kerkojne te ribejne edhe historine per llogari te te tjereve apo ne populli qe nuk e kemi te zhvilluar ndjenjen e revoltes ndaj te keqes dhe trajtohemi si skllever te epokes moderne. Te falendaroj per temen qe ke kapur, por deshiorj, qe ta lexojne ata, qe kane ne dore fatet e kombit, qe po e shkaterrojne nga dita ne dite

Lui Zani ha detto...

":“Peisazhi, ambjenti, pronësia kulturore janë si dielli dhe yjet: iluminojnë dhe kondicionojnë jetët tona, trup e shpirt”...kjo thenie e Keynesit eshte aq aktuale, sa vete ekzistenca e diellit dhe yjeve....ky mjedis, pejisazh, duhet mbrojtur se nuk eshte prone e jona, por duhet tja dorezojme brezave te ardhshem, jo duke e demtuar, por me nje zhvillim te qendrueshem do te kemi dhe nje mjedis te qendrueshem....Ahere dhe natyra do na i shperbleje per mire punet qe kemi bere...por me vjen keq Liz se punet nuk jane bere mire..."

pullumb kaciqi ha detto...

"...eshte nje problem i madh qe nuk mund ti mbyllim syte, dhe nqs. nuk behet gje do kete pasoja drastike per brezat e ardhshme....Pershendetje Luiiza!"

Luiza Hoxhaj ha detto...

E vertet eshte! Pikerisht kjo eshte qe te obligon Dragan, Astrit,pullumb dhe Liza qe te obligon t emso jesh indiferent.Pasojat e papergjejgeshmerise se sotme i paguajme ne por i paguajne edhe me rende brezat qe do te vine.Ishet tronditese sot te lexoje qe 40 shtepi en Librazhd jane ne rrezik shembjeje. Mbas 40 shtepive ajne 40 familje me pleq, prinder e femije, qe vuajne pasojate papergjejgeshmerise se qevrisjes 20 vjecare, te cilat mbeten ne qiell t ehapur e sa sa probleme t etilla. Heshtja jone eshet heshtje vrastare

pullumb kaciqi ha detto...

"...politika e 20 vjeteve te fundit na ka bere shume indiferent karshi njeritjeterit dhe problemeve vendit. Duhet patjeter qe te ndryshohet ky mentalitet sepse eshte ne dem te vetvetes...."

L.Arapi ha detto...

"nje shkrim kaq domethenes e shikoj shume me dhimbje kete realitet ku ne qytetin e vlores ndertohet nje pallat ne buze te detit........e vetmja pyetje qe me vjen ne mendje eshte ......kush do degjoj???????????????"

Luiza Hoxhaj ha detto...

Ne se therrasim te gjithe sigurisht dikush do degjoj, ose do te detyrohet te degjoj.Por te paret duhet te jemi ne qe duhet te thyejme me kurajo indiferentizmin, jo thjesht per kete fenomen, por per gjitheshka, qe ndodh pereth nesh dhe kondicionon jeten tone

Andet ha detto...

E lexova shkrimin shume i bukur dhe i goditur. Sidomos pjesa e turizmit dhe trazhgimive kulturore, qe ne shqiperi le shume per te dishiruar dhe nje keqardhje tmerresisht te madhe sepse mund te sjlli nje bum turistesh, eshte e habicme te lesh gjithe keto kala mahenitese ne meshir te fatit, pa kaluar te buqesia, qe per mua eshte burimi kryryesor i te ardhurave ne shqiperi, te minierat te nafta, te pyjet qr po shkatrrohen dita dites. Eshte vertet per te ardhe keq si eshte katandisur e sterrosur ky vend me mundesira te pafundeme zhvillimi.

E.Hyseni ha detto...

Nje analize ne kohe reale per te bere disa korigjime. Sjellte frymezim dhe shkaktofte impakt pozitiv te njerezit qe kane ne dore forcen e ndryshimit te situates "alarmante"...