Cerca nel blog

lunedì 7 novembre 2011

Sistemi partiak në Shqipëri: dicka e re po vjen

“Asnjë parti nuk jeton në boshllëk (Blondel, 1978). Kjo do të thotë që partitë operojnë në një kontekst historik të caktuar. Partitë vendosen në sistemin politik si një lidhje e privilegjuar midis shoqërisë civile dhe shtetit. Ato zhvillojnë funksione esenciale në lidhjen midis qytetarëve dhe institucioneve: si strukturimi i votës, artikulimi i interesave të qytetarëve si dhe prodhimi i politikanëve, që u përgjigjen këtyre kërkesave të zgjedhësve, pak të pranishëm deri tani. Cilësia e sistemeve demokratike është shpesh e lidhur me atë të partive. Sistemi partitik, që egziston në një vend të caktuar në një moment të dhënë historik është rezultat i një tërësie faktorësh. Sipas tipologjisë së Sartorit ndarja tradicionale është ajo në sisteme të partive konkuruese dhe jo konkurues. Meqë orientimi ynë është Europa do e kufizoj analizën në sistemet konkuruese. Sistemet e partive kanë një strukturë të dhënë nga numri i partive dhe distanca ideologjike midis dy poleve ekstrem të partive të bashkuara në sistem. Këto karaktersitika influencojnë drejtimin e konkurrencës ndërpartiake e cila mund të jetë centripete ose centrifuge. Një numër i kufizuar i partive, me distancë ideologjike të reduktuar dhe konkurrencë centripete, favorizojnë përfaqësimin, stabilitetin dhe aftësinë e përgjigjes politike të qeverive. Një numër i madh partish dhe polesh të bashkuar në një distancë të gjerë ideologjike dhe konkurrencë centrifuge cojnë në deficit përfaqësimi, paqëndrueshmëri dhe ineficencë qeverisëse. Kushtet strukturore të sistemeve të partive kondicionojnë kështu aftësinë e partive për të ushtruar funksionet e tyre. Këto kushte, më tepër se sa përbërësit e tyre, janë të rëndësishëm për të përcaktuar karaktersitikat e demokracisë. Fakti, që partitë konkurojnë në një shumëllojshmëri arenash: si në atë elektorale, parlamentare dhe qeveritare e komplikon kuadrin. Që një sistem demokratik të funksionoj në mënyrë harmonike konkurrenca ndërpartiake duhet të prezantoj strukturë homogjene në arenat e ndryshme. Vetëm kështu efikasiteti dhe stabiliteti i veprimit qeveritar si dhe perfaqësimi i qytetarëve mund të jetë i garantuar. Disarmonia e sistemit partiak në arena të ndryshme përbën një kufizim të thellë të demokracisë sonë. Në vendet kryesore europiane sistemet partiake prezantojnë karakteristika virtuoze. Ato janë të konsoliduara nëpërmjet proceseve koerent dhe respektues të karakteristikave të shoqerive perkatese. Duke lenë mënjanë Britanin e Madhe për papërsëritshmërinë dhe pakrahasueshmërinë e vazhdueshme të kushteve, që përbëjnë konsolidimin gradual dhe paralel të demokracisë dhe të sistemit partitik, shohim: Francën, Gjermaninë dhe Italinë, vende të cilat kanë rithemeluar demokracinë e tyre. Të dy vendet e para, kanë sisteme të partive me një numër të kufizuar të tyre dhe me dinamikë centripete të konkurrencës, gjë që garanton përfaqësimin e qytetarëve dhe stabilitet të qeverive, megjithë alternimin në qeveri të maxhorancave të ndryshme partiake. Në Francë sistemi partiak i Republikës së Pestë vijon një disenjo institucionale koerente dhe rigoroze, e aftë të forcojë ekzekutivin pa dobësuar aftësinë përfaqësuese të partive. Rritja progresive e pragut, që duhet superuar për tu pranuar në turnin e dytë për zgjedhjet në Asamblenë Kombëtare, ka berë të mundur rritjen e tendencës për fragmentarizim dhe prodhimin e një “kuadri bipolar”, të partive të afta për të përfaqësuar qytetarët dhe dhënë stabilitet ekzekutivit. Përtej ktëij soliditeti duket projekti institucional gjerman. Edhe në këtë rast sistemi partiak nuk vuan dhënien e zgjidhjeve për të krijuar një ekzekutiv efikas. Stabiliteti i tij është së pari i garantuar nga prezenca e mosbesimit konstruktiv. Një mekanizëm i tillë ka i vetëm potencialin të eleminoj tendencat centrifuge në arenën parlamentare, paverësisht nga fragmentimi i sistemit partiak. Kjo ka qenë e kufizuar nga kufiri i pragut prej 5%, duke demostruar aftesinë të përjashtojë partitë e vogla, potencialisht destabilizuese, por edhe të pranojnë të lindin forca të reja. Superimi i periudhës së koalicionit të madh (Grosse Koalition 2005, i dyti mbas atij të 1966) siguroi stabilitet qeverisës dhe la njëkohësisht të hapur zhvillimin e sistemit: konsolidim të bipolarizmit apo fragmentarizim të ri. Jashtë një dizenjoje institucionale koerente është origjina e sistemit partiak italian. Për gati gjysëm shekulli sistemi politik italian ka qenë karakterizuar nga një formë e qëndrueshme e demokracisë shumë partiake, e formuar mbi ekuilibra politik jo stabël. Adaptimi i një ligji elektoral fortësisht propocional prodhoi një sistem pluralist partiak të karakterizuar nga shumëfishimi i poleve ekstrem dhe konkurrencë centrifuge. Difektet e tij, qartësisht të dukshme, janë: mungesa e alternativës qeverisëse, kufizim i përfaqësimit të zgjedhësve, jo stabilitet i qeverive (53 qeveri në 45 vjet). Duke filluar nga vitet 90 ka filluar një fazë tranzicioni në të cilën politika italiane nuk ka qenë në gjendje ti përgjigjet plotësisht nevojave të shoqërisë. Qëllimi për të thjeshtëzuar sistemin partitik nuk ka funksionuar. Sistemi yne partitik i ngjason modelit Italian. Në vitet 90, mbas një historie 45 vjecare unipartiake fillon historia e vërtet e ndërtimit të një sistemi partitik konkurrues. Një zgjidhje e tillë ka kontribuar për një transformim pothuajse komplete të ofertës partitike dhe ka lejuar alternimin qeverisës, të verifikueshëm në cdo zgjedhje nga 1992 deri më 2009. Për shkak të mungesës së një vizioni refomist strategjik, ligji elektoral ka pësuar ndryshime në cdo ballafaqim elektoral. Zvendësimi në 2008 i ligjit elektoral miks (mazhoritar i korrektuar me proporcional kombëtar) me një ligj tërësisht proporcional rajonal nuk ka përmirësuar sistemin partiak dhe cilësinë e demokracisë, përkundrazi kombinuar me difektet e personalitetit politik dhe nivelit shoqëror e ka demtuar atë. Ky ligj nxjerr jashtë sistemit partitë e vogla, të cilat në rastin e një demokracie të pakonsoliduar si kjo e jona, nuk janë potencial destabilizues, përkundrazi nese funksionojnë sipas parimeve të konkurrencës rrisin nivelin e perfaqesimit bëhen pengesë për autotarizmin e të mëdhenjeve. Edhe në fushën parlamentare sistemi yne partiak ka parë ndryshim pavarësisht totalit të numrit të partive dhe drejtimit të konkurrencës, e cila mbetet esencialisht centrifuge dhe gjeneruese e potencialit jo stabilizues, por praktikisht, pavarësisht diferences se thelle ideologjike midis tyre aleanca LSI-PD rezulton një alencë solide. Si spiegohet ky soliditet ndryshe nga sa përcakton teoria ? LSI është transformuar në vlerë të shtuar për te djathtën dhe vet ekzistencën e saj në pushtet. Ajo paguan një kosto të rëndë për aleancën në qeveri me Berishën, e cila zgjat prej dy vitesh me disa skandale mbi shpinë. Megjithatë LSI arrin të mbaj fluksin e saj elektoral, duke mundur të llogaris militantët e majtë. LSI është kujdesur maksimalisht të hedhë rrënjë në atë fashë elektorale, në të cilën qendra e djathtë ka arritur të mbjellë një kulturë politike plotësisht mosbesuese ndaj ofertës politike të PS. Rasti i zgjedhjeve lokale e konfirmon këtë. Analizat përkatëse si dhe problemet aktuale të qendrës së djathtë mund të kontribuojë në refleksionet për të ardhmen e vet të majtës. Deri tani ajo nuk ka arritur të përfitoj nga dobesitë dhe skandalet e të djathtës edhe për shkak të sistemit, nga i cili buron stabilitetit i qeverisë së djathtë. Sistemi ynë është një bunkerizim i ri në se e shohim nga ky këndveshtrim. Aty nuk mund të ndërhyet edhe në rast skandalesh. Ky sistem, me ndryshimet kushtetuese nuk ta mundëson “luksin” e votëbesimit konstruktiv si tek sistemi gjerman. Qëndrueshmëria formale e qeverisë paguhet me cmimin e lartë të ngushtimit të hapësirës së votebesimit, mbas ndryshimeve kushtetuese të 2008, fakt ky, që reflekton të keqen e sëmundjes jo shëndetin e demokracisë sonë. Shërimi kompleks i saj është i domosdoshëm, me qëllim përmirësimin efektiv të demokracisë shqiptare. Kjo mund të realizohet me ndryshime në parti të vecanta, sic po ndodh në PS dhe ristrukturim operativ nëpërmjet reformave elektorale efikase në arenën partiake. Harmonizimi i kushteve strukturale të sistemit në fusha të ndryshme është i mundur nëpërmjet zgjidhjeve isntitucionale përfshirëse dhe koerente. Sistemet francez dhe gjerman na e demostrojnë këtë fakt. Megjithë dritehijet partitë në raste të tilla arrijnë të zgjerojnë kapitalin social, duke filtruar dhe grumbulluar kërkesa sociale në terma të administrueshëm nga sistemi politik. Pikërisht procesi i dekurajimit partitik i sintetizuar në metaforën e largimit dhe kontrapozicionit të shoqërisë civile ndaj partive është origjina e “tranzicionit të gjatë “të nisur në vitet 90, ende i papërmbushur. Nëse pakënaqësia ndaj partive konfiguron disa fenomene relativisht të gjeneralizuar në demokracitë bashkëkohore, në sistemin politik shqiptar kjo tendencë përfton tipare specifike. Shqipëria është vend në të cilin sistemi i brendëshëm partitik është rrënuar dhe vendi në të cilin është afirmuar elektoralisht në pushtet PD, nga procese elektorale të dyshimta të cilat asnjëhere nuk janë legjitimuar plotësisht. Akoma më keq, që sot ajo është shndërruar në një parti përfaqësuese direkte të një perandorie financiare dhe mediatike. Nuk është rastësi, që lidershipi i të djathtës në mënyrë konstante pozicionohet kundër mbijetesës së fenomenit të rreshtimit kundër brenda partisë si dhe kundër një modeli partie alternative të djathtë. Vetëm LZHK ka dashur dhe ka arritur të diferencohet nga modeli i Berishës. Në fakt kontributi i saj, si dhe zërave të rinj kundër brenda PD, janë prezantim i mosdakordimit dhe inkurajimit partiak. Vlera të tilla mundin të interferojnë në kulturën politike në zona të caktuara të Shqipërisë. Nuk ekziston asnjë “ligj i hekurt”, që përcakton suksesin e një oferte të caktuar politike. Përkundrazi mbështes iden, që ky fakt është fortësisht i influencuar nga zgjedhje të përmbushura si dhe nga objektet kryesore prezente mbi tavolinën politike, nën një gjykim të caktuar kritik. Thënë ndryshe, fazat historike, si kjo, që po kalojmë, në të cilat ekuilibrat e shoqerisë vendosen nën presion mbyllin hapësira të panumërta (anomali, pasiguri, shkatërrim të kapitalit social), munden të prezantohen edhe si mundësi të panjohura për subjektet në gjendje të interpretojnë më mirë situaten e re në të cilën trupat e ndërmjetëm, zona gri, mund të ripozicionohen dhe ridisenjojnë sistemin e mardhënieve me individët dhe institucionet, duke formuar konstrukte të reja simbolik dhe tregues. Aktualisht këtë po tenton të realizoj PS me programin e ri politik, duke synuar ti jap rrugë shpresës për ndryshim. Vlen të theksohet se nuk ekziston asnjë element “apriori”, që tregon se një formacion politik mund të bëhet interpretues më i mirë i ndryshimeve te tilla. Mund të pohohet, që fragmentarizimi, heqja e elementeve inovativ, shuarja e ndryshimeve me partitë e tjera, që ka ndikuar gjatë shtrirjen elektorale dhe rrënjëzimin social cojnë në ballafaqimin me disa elemente, që karakterizojnë sistemin tonë politik. Së pari duhet të njohim vecoritë e raportit qendër/periferi, problematika e të cilës është një e dhënë përbërëse e politikës dhe shoqërisë sonë. Në Shqipëri, si kudo, kapitali social është histrorikisht i lidhur me ngjarje të shoqërive lokale me profile të caktuara. Së dyti është e nevojëshme t’i rijapim këtij raporti shtratin e krijuar në kohë si dhe të njohim disa dyshime te krijuara nga klasa politike e dalë nga tranzicioni, për të ditur të ndërtojnë marrdhënie midis këtyre shoqërive lokale dhe shtetit në nivel qendror, duke rrënjosur në kontekstet lokale serbatorët kryesore të konsensusit për partitë, ku mund të vecojmë PD, PS dhe LSI. Së treti kriza e partive dhe funksionit të tyre mediator ka transformuar radikalisht kontestin shqiptar, në vecanti raportin midis shoqërisë dhe institucioneve dhe ky proces ka ardhur më shumë se nga aktivizimi refraktar i periferive në pjesëmarrjen politike nga mungesa e përthithjes nga ana e partive e kërkesës në rritje për modernizim dhe eficencë, që ka filluar të buroj edhe nga këto zona. Duhet pranuar, se megjithëqë skenari politik shqiptar ka ndryshuar shumë nuk ka tërheqje të delegimit ndaj dy partive të mëdha për të vleresuar një formacion të ri, që bën referencën ndaj problematikave lokale flamurin e vet. Duke propozuar si model politik atë të formuar mbi centralitetin e figurës se Liderit mediatik, PS nuk ka arritur ende të përdorojë mirë pakënaqësinë ndaj Berishës. Për të mundësuar këtë PS do t’i duhet të përshkoj rrugë origjinale për të rivendosur lidhjen midis kapitalit social dhe politik, pjesërisht të ndërprerë, duke favorizuar pjesëmarrjen e sektorëve të gjere social, për të rritur jo vetëm konsensusin për programin, por edhe kapacitetin organizativ per administrimin e votës. Në fakt, ajo sferë, që mban të bashkuar këtë porcion të gjerë të opinionit publik, që sheh me besim këtë parti” buron mbi të gjitha nga rajonet tradicionalsiht të orientuara nga e majta, por edhe nga prirja për pjesëmarrjen e elementeve pozitive në politik. Përkufizimi në programin e ri politik të PS i një profili pragmatik dhe i një roli energjik në ecurinë e vendit mund të konsiderohen elemente esencial për pjesëmarrje të gjerë dhe përfshirje të shtresave të shoqërise civile. Në këtë sens PS duhet të rielaboroj tërë kapacitetin e saj organizativ. Fakti, që PS fiton në zgjedhjet vendore qytetet kryesore tregon se PS i bën referim më të mirë karakteristikave të shoqërive lokale ndërsa mungon thirrja e dimensionit universalist, që PD me shumë ambiguitet di të prodhoj, gjë të cilën PS tenton ta ofroj me programin e ri. Në këtë terren lind interesi për një interpretim të ndryshimeve politike në proces, ndryshe nga debati i diteve të para, i cili u koncentrua në aspektet formale,duke lenë në hije raportin midis poltikës dhe shoqërisë, gjë që sipas meje përbën një kufizim. Riaktivizimi i segmenteve të gjera të shoqërise do të stimuloj PS të nxis përkrahjen e propozimeve të kërkuara nga maxhoranca e qytetarëve. Periudha deri në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare mund të rezultoj esenciale për të stimuluar avancimin e kërkesës për pjesëmarrje dhe për të garantuar kanalizimin në formë institucionale të prurjeve. Bëhet fjalë për një proces në ardhje, në të cilin nuk mungojnë vështirësitë dhe keqkuptimet, por që rezulton i domosdoshem për t’u ndërmarrë me kurajo dhe koerencë në se dëshirojmë të tregojmë një alternativ ndaj berishizmit në rënie. Luiza Hoxhaj Tirane me 7.11.2011

Nessun commento: