Cerca nel blog

sabato 8 ottobre 2011

Sindikatat dhe kriza

Mesin e korrikut të këtij viti, kur në Shqipëri kulmonte aksioni sindikal i minatorëve të Bulqizës, për koncidencë prestigjozia “New York Times” publikonte konkluzionet e një kërkimi të realizuar nga një grup ekonomistësh amerikan mbi të dhënat e krizës. Të dhënat e ekonomistëve amerikan tregojnë se kriza ka goditur më rëndë vendet e desindikalizuara, duke nisur nga SHBA dhe më lehtë ka prekur vecanërisht vendet me një nivel të lartë të sindikalizmit, duke nisur nga Gjermania, Belgjika , vendet skandinave etj. Ky konkluzion do të kishte provokuar në fakt një debat pjellor, të frutshëm në një vend si yni në të cilin masat për ringritjen vijnë gjithnjë e më shumë, duke u shtyrë në kohë dhe ku askush nuk është dëgjuar të lancoj një ide të re për të rilancuar ekonominë. Një debat i tipit të tillë do të kishte mundur të ishte shumë më i frutshëm, nëse do të na kishte shtyrë për të kuptuar përsen e nyjes lidhëse midis nivelit të krizës dhe nivelit të sindikalizimit. Ingredientët për ta pasuruar këtë debat i kishim të gatshëm: konkluzionet e studimit dhe kërkesat e minatorëve të paraqitura nëpërmjet sindikatës së tyre. Rast më ideal për të ballafaquar teorinë me realitetin konkret nuk mund të gjeje. Mbi një temë të tillë sociologët propabilisht do t’i kishin presupozuar të dhënat mbi sindikalizimin si një tregues të gradës së socializimit të një vendi dhe ndërkaq si tregues i rimarrjes terren të shoqërisë së “neve” përballë shoqërisë së ”unit”, duke e shtyrë sidoqoftë në krizë këtë të fundit. Tjetra do të kishte mundur të shtyhej përpara, duke individualizuar në sindikalizimin një nivel esencial të pjesëmarrjes solidare të qytetarëve në zgjedhjet themelore të vendit. Modestisht si një lëvruese e kulturës së ekonomisë klasike do të kujtoja, që tregu i punës nuk është një treg si të tjerët. Vlera e saj në ekonomi është sasia e punës përgjithësisht e domosdoshme për të prodhuar një mall dhe vendosja përballë e pagës, si shprehja më e thjeshtë e kësaj vlere, e cila rezulton nga një proces i avancuar sindikal, pra nga marëveshje-përballje-inovacion- kompromise kushtëzuese me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve në procesin e sindikalizimit. Është e vërtet, që edhe në mungesë të këtij procesi tregu do të shprehte gjithësesi një pagë. Por cila pagë do të jetë ajo e shprehur nga një treg që nuk është më ai smithian por është tregu i financave të privuara nga rregullat, i monopoleve dhe i oligopoleve? Do të jetë paevitueshmërisht një pagë e cila tenton të koncidoj me pagën në vendet më të varfëra, të zonës së globalizuar dhe ndërkohë dukshëm më e ulët se ajo e prodhuar nga procesi i sindikalizimit. A mund të mendohet, që nëse vlera referuese bie kaq poshtë nuk influencohen negativisht nga kjo të gjitha vlerat e tjera të ekonomisë? Në cdo rast nuk do të jetë e sigurt që nga kjo vlerë page të vi një shtytje për inovim, kërkim, investime të cilat do të sjellin reduktimin e punës së domosdoshme për prodhimin e një malli. Por inovacioni, kërkimi, investimi janë kushte apsolutisht të domosdoshme për një rritje ekonomike. Por ndoshta pikërisht sepse të dhënat e kërkimit amerikan sjellin në këtë konkluzion, është preferuar të zgjidhet rruga e heshtjes dhe e injorimit të një prej pak stimujve, të identifikuar nga ekonomistët në refleksionet e tyre mbi krizën. Per sa i perket periudhës afatshkrutër duket evidente korrelacioni midis pagave të ulëta dhe shterjes së kërkesës mbi tregun. Në këtë linjë, korrekte me misionin e tyre ishin edhe kërkesat e minatorëve sindikalisteve: pagë më e mirë, kushte më të mira pune, investime në minierë me qëllim, ndaljen e shfrytëzimit barbar të minierës, që të sigurohet perspektiva afatgjatë e saj, për rrjedhojë edhe persektiva e tyre si punëmarrës. Nuk mundemi në asnjë mënyrë, për asnjë arësye të justifikojmë punën ilegale, shfrytezimin e qënieve njerëzore në zinxhirin prodhues dhe në një formë moderne skllavërie, kjo është një patologji, që duhet shfarosur, një tregues i qartë i regresit. Cdokush prej nesh ndihet i turperuar kur sheh se si në mijëvjacarin e tretë, në minierën e Bulqizës,ndofta dhe gjetkë, punohet si në mesjetë me kazëm,qysqi dhe vare. Nuk mund të tolerohen marëdhënie kaq të brishta të atyre, që imponojnë punë cnjerëzore me një pagë sa për të mbajtur frymën gjallë. Të vdesësh në punë është turpi më i madh në kohën tonë. Tragjeditë në Bulqizë, Gërdec, Polican apo gjetkë nuk evokojnë vetëm vulnerabilitetin ekstrem të territoreve, të cilëve politikat publike duhet tu ofrojnë burime për t’u mbajtur dhe vendosur nën siguri për jetën. Në këtë situatë të karakterizuar nga paqëndrueshmeria dhe nga fleksibiliteti i raporteve të punës, nga mobiliteti në ndërmarrje dhe territor, nga fragmentarizimi i raporteve të punës dhe dimensioneve produktive, roli i konfederatës apo cdo sindikate tjetër në një demokraci moderne është vendimtar dhe përcaktues edhe pse ekstremisht i vështirë. Të gjitha këto probleme dhe të tjera si këto të përcaktuara nga proceset e globalizimit kërkojnë një zgjidhje të njëjtë, të pajtueshme me parimet e drejtësisë sociale si dhe një sforco të madhe të pjesëmarrjes dhe solidaritetit kolektiv. Sindikata, si mbartëse e interesit të përgjithëshëm të punëmarrësve, duhet të jetë protagoniste e kësaj pjesëmarrjeje dhe e këtij solidariteti midis të punësuarve dhe atyre, që janë në kërkim të një pune, të punëtorëve të cilët gëzojnë raporte stabile dhe atyre të ekspozuar ndaj pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë. Por ndërsa tregu kapitalist dhe ai financiar procedojnë shpejt duke vështruar përtej realiteteve kombëtare, sic është edhe vet rasti i kompanisë koncesionare, lëvizja sindikaliste heziton të gjej një dimension mbinacional dhe shpesh edhe kombëtar në startegjinë, që duhet ndjekur. Sindikatat duhet, që me përgjegjësi të individualizojnë rrugën e duhur nëpërmjet një analize konstante të evoluimit të kontestit social, ekonomik dhe produktiv në të cilën ato duhet të operojnë, duke hartuar strategji, që përfshijnë një mbikqyrje efikase të interesave të punëtorëve. Në këtë sfidë bëhet akoma më i rëndësishëm roli i sindikatës si interlokutore me forcat politike dhe ekonomike dhe si mbartëse e interesit të përgjithëshëm të inspiruar nga solidariteti dhe kohezioni social. Ato duhet të gjejnë rrugën e duhur për të qenë gati të organizohen për të interpretuar përshtatshmërisht ndryshimet në proces në fushën ekonomike dhe sociale dhe të adaptojnë strategji për të mbrojtur në mënyrë më efikase punëtorët, që prezanton, dhe botën e punës në përgjithësi. Në këtë kuader rimarrin rëndësi të madhe vendimet e natyrës organizative, që e bëjnë atë më të hapur ndaj të rinjëve, ndaj kategorive të reja dhe ndaj cdo nevoje, që buron nga procesi i transformimit të sistemit produktiv. Shtimi i të rinjve dhe grave në kërkim të punësimit të parë, vecanërisht në sektorët e ekonomisë bëjnë, që të mbeten jashtë fushës sisndikale një pjesë e konsiderueshme punonjësish. Edhe figurat “atipike” në të cilat artikulohet fleksibiliteti ekstrem i tregut të punës nuk janë lehtësisht të përfshirë nga mbrojtja tradicionale sindikale. Gjithë kjo krijon një dobësim progresiv të sindikatës dhe të forcës së saj kontraktuese në cdo nivel si dhe një dëm social të prezantuar nga mungesa e mbrojtjes dhe e përfaqësimit të një numri të gjerë subjektesh. Sindikata duhet të dijë t’i përgjigjet me aftësi të përshtatëshme kulturore dhe organizative këtyre problemeve me qëllim final, që të ripërfshijë në gjirin e vet përfaqësues pjesë të konsiderueshme të botës së punës, aktualisht të paperfshirë. Qëndrimi i sindikatës në rastin e Bulqizës tregoi qartë se: Vetëm një pavarësi reale ndaj cdo lloj influence politike-institucionale-ekonomike- mund ti japi asaj karakterin esencial të një subjekti përfaqësues të interesave të botës së punës kundrejt qeverisë dhe kundërpaleve sociale. Pavarësia e saj përfshin si sensin organizativ dhe statutor, si kapacitetin për të analizuar dhe projektuar në liri të plotë, duke llogaritur ekskluzivisht vetëm interesat për të cilat sindikata është mbartëse. Ajo ushtrohet në aftesinë për ti dhënë përgjigje koherente sfidave, që realiteti imponon përditë ndaj botës së punës dhe shoqërisë civile. Në substancë pavarësia është presupozim i domsodoshëm në kanotacionin e vet sindikatës dhe rolit të saj në shoqëri si element esencial i kredibilitetit të saj pranë punëtorëve dhe botës, që e rrethon. Funksioni i përfaqësimit si subjekt i pavarur i sindikatatave është një kontribut themelor në jetën sociale dhe demokratike të vendit, i cili ushtrohet në respekt të rregullave nëpërmjet kontraktimit kolektiv, përqëndrimit dhe ballafaqimit me kundërpalet politike dhe ekonomike dhe kur është e nevojëshme edhe në konflikt me to, sic shihet dhe ne shembullin referues te sindikates se minatoreve. Nuk ka dyshim, që qëllimi primar i sindikatave është ai i mbrojtjes së punëmarrësve nëpërmjet arritjes së marrëveshjes kontraktuale mbi nivelin e pagave dhe kushtet e punës, zhvillimi korrekt dhe të shëndetshëm të marëdhënieve të punës si dhe premisat e zhvillimit ekonomik të vendit, që sjell në proces një sistem kontraktual në përputhje me realitetin social dhe të prodhimit, i cili bashkon nevojat e mbrojtjes së punonjësve dhe të konkurrencës së ndërmarrjeve. Sistemi aktual ka arësye të jetë një sistem me dubel nivel kontraktimi: në nivel kombëtar dhe të decentralizuar. Kontrata kombëtare është një instrument esencial për të garantuar nivel normativ uniform dhe nivel shpërndarjeje për punonjësit e sektorit në rikuperim të humbjeve të shkaktuara nga inflacioni. Ështe evidente vlera e saj e solidaritetit dhe kohezionit social si dhe funksioni i ekuilibrit konkurrencial midis ndërmarrjeve. Kontrata e decenrtalizuar ka si funksion, gjithashtu esencial, rishpërndarjen e të mirave, që derivojnë nga rritja e prodhimit dhe eficenca e ndërrmarjes. Në fakt kontrata e nivelit të dytë nuk ka patur vëmendjen e duhur në të gjitha ndërrmarjet, kryesisht vetëm në ato të mëdha dhe pubblike janë realizuar kontratat e ndërmarrjeve. Në të tjerat veprimi i sindikatës është më i vështirë dhe në ndonje rast i pamundur. Tentativa për të nxjerrë jashtë procesit të negocimit sindikatën e minatoreve në të dy nivelet e saj, me synim kontraktimin individual, në rastin e minierës së Bulqizës e konfirmon këtë përfundim. Ky është moment, që duhet mbikqyrur. Niveli i pages, që buron nga një kontraktim individual, në cdo rast rezulton më i ulët, se sa niveli i pages, rrjedhojë e negocimit sindikal. Zgjidhja e duhur është të fuqizohet niveli i dytë i kontratës. Nëse mbeten të vlefshme objektivat e dubël nivelit të kontraktimit rezultatet në vijim do të jenë të kënaqëshme. Pikërisht në tërësinë e ndërrmarjeve të lidhura midis tyre dhe jo vetëm në një ndërmarrje, qoftë e dimensionit të vogël apo të madh, duhet këmbëngulur për rritjen e produktivitetit, duke krijuar një hapësirë reale për një mbulesë kontraktuale të punëmarrësve të tyre. Sfidat e botës së punës të imponuara nga proceset e globalizimit kërkojnë një kohezion më të madh se në të kaluarën midis sindikatave. Vetëm nëpërmjet kërkimit të sinergjive lokale brenda dhe jashtë ndërmarrjeve në dobi të karakterit kolektiv në një territor specifik mund të përballojmë krizën. Eksperienca botërore tregon se në terma të ekspansionit produktiv dhe punësimit rezultatet pozitive janë realizuar nëpërmjete zhvillimit lokal. Kurse në Bulqizë ajo që duhet të ishte burim i zhvillimit të territorit dhe mireqënies së popullsisë së saj, nga mënyra si është trajtuar në fakt është kthyer në të kundërtën. Ndërgjegjësimi i punëtorëve, shoqërise civile, duhet të coj në shumëfishimin e forcave disponibel, kapacitetit, eksperiencave dhe potencialit projektues drejt objektivit të përbashkët të mbrojtjes së interesit të punonjësve të rinj dhe subjekteve të dobëta. Ky kohezion duhet të jetë i gjerë përderisa sfidat, që duhet të përballojnë janë të mëdha. Ecja e tyre duhet të maturohet.
Luiza Hoxhaj Tirane me 8.10.2011
Botuar ne gazeten "Tirana Observer" dt 13.10.2011

5 commenti:

Lui ha detto...

"Liza e lexova shkrimin dhe me pelqeu. Persa i takon rastit ne fjale (per minatoret e Bulqizes) une pashe elementet e pare te kapitalizmit( ku shteti mbron pronarin dhe jo puntoret)........po citoj pjese nga shkrimi ....Ndërgjegjësimi i punëtorëve, shoqërise civile, duhet të coj në shumëfishimin e forcave disponibel, kapacitetit, eksperiencave dhe potencialit projektues drejt objektivit të përbashkët të mbrojtjes së interesit të punonjësve të rinj dhe subjekteve të dobëta. Ky kohezion duhet të jetë i gjerë përderisa sfidat, që duhet të përballojnë janë të mëdha...a i njohin sindikatat keto ???????????????????"

Fiqiri Xibri ha detto...

Fiqiri Xibri ha pubblicato qualcosa sulla tua Bacheca.
"Lexova me shume vemendje shkrimin tuaj te sotem tel Observeri.
Te them se me pelqeu shume, nuk e shpreh dot ate qe shkrimi meriton.
Pavaresisht se ne pamje te pare dukej si shtjellim teorik i niveleve te larta, nderlidhja e analizes me aktualitetin e zbriste teorine ne toke dhe e bente te prekshem per cilindo qe pretendohet si njohes i sindikalizmit apo ca me teper per cilindo qe pretendon te jete pjese e elitave drejtuese sindikale.
Shkrimi me dukej sikur me poziciononte ne rolin e nje bashkebiseduesi, aq bindshem shtrohej trajtimi i temes."

Fiqiri Xibri ha detto...

"Me dukej sikur kisha perballe jo nje politikane dhe ish deputete (per fat te keq nuk kam konstatuar me heret ndonje politikan me peshe apo deputet qe te jete perpjekur seriozisht per te njohur bazat e qenesise se sindikalizmit, te peshes dhe hapesires qe sindikalizmit i takon te kete ne maredheniet shoqerore, te mungeses se mjeteve dhe organizmave alternative qe do mund te kompensonin sindikalizmin thuajse te munguar shqiptar), por nje kolege te mirefillte sindikaliste, te kthiellte ne konceptimin e te sotmes dhe vizionare ne objektivizmin e te nesermes.
Te kesh vizion sindikal nuk mjafton te jesh intelektuale klasike, nuk mjafton te jesh me kulture te larte profesionale, politike dhe aftesi te spikatura drejtuese. Me se pari duhet te zoterosh integritet moral, devocion social, dashuri humane dhe vullnet sakrifice.
Urime te perzemerta !"

Luiza Hoxhaj ha detto...

Fatkeqesia eshte se zerat eminatoreve vazhdojne t ebien ne vesh te shurdhet. problemi i tyre eshte ende i pazgjidhur nga zgjidhja gjysmake. Miniera nuk eshte ende ne kushte pune dhe humbje te jetes vazhdojne (mjafton te rikujtojme vetem incidentin ne galeri me pasoje humbjen enje ejte dhe disa t epalgosur vetm pak dite mbasi miniera ishte riven ne pune pa permisuar asnje kushte). te shpresojme q ekete here te kete ndryshuar dicka. Zerat e minatoreve tashme me ngjajne me klithma! Kjo shoqeri nuk duhet t ejete si nje galeri boshe ku ky ze kthehet e perkthehet ne boshllek

Luiza Hoxhaj ha detto...

Sot e ripublikova kete artikull duke e shoqeruar me kete status: Per minieren e Bulqizea flitet vetem kur ajo gelltit ne gojen e saj te stermadhe, vdekatare, jete njerezore sikur do me kete te shuaj urine qe ka per investime, per vemendje dhe kujdes shteteror. Kohet e fundit per te po flitet shpesh, sepse te shpeshtat jane ngjarje te tilla tragjike. Se fundmi vdeja zgjati gjymtyret e saj edhe jashte minieres, po aq e pasigurt sa edhe brendesia e sajm per te rrembyer nje qenie te brishte: nje grua nena e tre femijeve, te cilen skamja eksihte derguar ne dyer te saj. Deri kur keshtu? Ka nje emergjence uleritese per ta ndalur kete situate: duhet solidaritet njerezor, reagim, investim, nje program jetesues per minieren dhe zhvillues per ate qytet, te cilin indeferenca po e shtyn ne shuarje. Ai qytet ka nevoje te rilind. A do e kryej programi "rilinjde" nje gje te tille. Nga ajo qe degjoj te thuhet besoj se eshet emundur. Te tjarat do ti shohim ne vijim. Per ta mundesuar kete se pari duhet t'i jepet besimi.