Cerca nel blog

domenica 11 settembre 2011

Shkolla i shërben rritjes ekonomike

Periudha e rihapjes së shkollave dhe pak me vone edhe e universiteteve është një moment delikat dhe i cmuar njëkohësisht. Ky rifillim si për të rriturit edhe për të vegjëlit është një motiv entuziazmi, por edhe përgjegjësie. Për mbi 650 mijë nxënësit që u ulen sot në bankat e shkollës dhe rreth 40 mijë mësuesit e tyre, ky vit do të jetë një udhëtim plotë zbulime, perspektiva, nxënie, në kërkim të talentit të vet, në kërkim të vendit të vet në botën e madhe, duke e bërë këtë eksperiencë unike. Preferencat për cdo njërin shënojnë një përshkrim domethënës, i cili natyrisht nuk do të jetë vetëm një mundim. Ne jemi një vend ku të mësuarit do të thotë e ardhme. Një shkollë publike cilësore është kusht esencial për rritjen e një vendi. Të rrisësh nivelin e nxënies së nxënësve dhe studentëve ndihmon edhe rritjen e PBB (produktit të brendëshëm bruto). Por rritja e këtij niveli nxënieje nuk arrihet duke shkurtuar kohën e studimit,ose modelet edukative në shkollën fillore, nuk bëhet,duke ushqyer fëmijët me të pavërteta historike, nuk bëhet duke shkurtuar shkollat. Për të realizuar rritjen nevojiten investime. Rikthimi i investimeve në shkolla cilësore është një thirrje dramatike dhe urgjente.Në se qeveria nuk bën shumë për shkollën sic ka demostruar, që nuk e ka në qendër të vëmendjes këtë proces formative, ta bëj të paktën për të ndihmuar ekonominë. Shpesh flitet për sistemin edukativ me deziluzion, duke e parë atë me sytë e lodhur të kujt ka humbur besimin. Është e vërtetë, që ka shumë elementë të përmisuar. Por jo gjithëshka në këtë fillim është perfekte. Mjafton të kujtojmë dy episode nga dita e sotme: fëmijët e minatoreve të Bulqizës, të cilët sot bankat e shkollës i zvendësuan me sheshin e protestës, në mbështetje të prindërve të tyre, kur e kundërta duhej të kishte ndodhur. Ata ndodhen në rrethanat dëshpëruese të pamundësisë për të përballuart edhe kushtet më minimale për fëmijët e tyre: veshje dhe libra, duke u hequr atyre gëzimin e ditës së parë të shkollës, dhe rrasur thellë në shpirt trishtimin prindëror,për pamundësinë e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore. Ky rast sjell në tavolinën e diskutimeve një dramë sociale në përmasën e saj më të plotë, një dramë, e cila nuk prek vetëm të sotmen e këtyre familjeve, të këtyre fëmijëve, por kondicionon rënde edhe të ardhmen e tyre. Ndoshta në radhët e atyre fëmijeve ndodhet ndonjë apo disa talente, që për përgjegjësi apo më mirë të themi për papërgjegjëshmëri të tjetërkujt (jo objekt i këtij shkrimi), nesër do t;i mungojë këtij vendi. Ndodhia e dytë është ajo e fëmijëve të kopështit Nr 10 në qytetin e Korces, të cilët për arsye të papërshtatëshmërisë së kushteve në ambjentet e kopështit të tyre e kaluan ditën e parë në qiell të hapet, në lulishten e qytetit. Pavarësisht nga sa thamë më sipër në fund të fundit ajo, që vlen është shpirti ynë, energjia jonë. Edhe në se do t’i kishim të gjitha c’ka është e nevojëshme: një shkolle të mirë, mësues të përgatitur, prindër të kujdesshëm, përsëri kjo nuk do të ishte e mjaftueshme, sepse do të vi dita, që gjithëshka do të varet prej nesh, vetëm prej nesh. Duhet, që të jemi përgjegjës për veten tonë, nevojitet të zbulojmë atë që duam dhe se ku dëshirojme t’i harxhojmë energjitë tona. Nevojitet impenjim, kreativitet, por edhe kurajo për të kërkuar plotësim dinjitoz dhe në kohën e duhur të kërkesave si dhe mundim për t’i realizuar ato. Ajo c’ka do të përfitojmë nga gjithë ky impenjim quhet e ardhme. Luiza Hoxhaj Dt 12.09.2011 Botuar ne gazeten Tirana Observer dt 15.09.2011

Nessun commento: