Cerca nel blog

lunedì 5 novembre 2007

Perballimi i pergjegjesive te qeverisjes

Ky shkrim se bashku me shkrimin Urrejtja perveluese e Berishes, ju cuan per botim Gazetes "Koha Jona", me premtimin e botuesit se do te botoheshin. Kjo nuk ndodhi. Ato nuk e di prej kujt dhe pse u penguan te botoheshin,duke perfunduar ne tavolinen e punes se drejtuesve te larte te legjislativit, gje e cila nderkohe qe une kisha ardhur per t'u deklaruar vullnetarisht, beri qe te shpejtoheshin punet dhe jashte parashikimeve te ligjit une te mos pyetesha por ne menyre arbitrare te gjendesha ne qelite e paraburgimit, gje e cila kushtezoi zhvillimet e metejshme.
Pas asaj qe ndodhi keto e paten te veshtire te gjenin driten e botimit.
Luiza Hoxhaj

PERBALLIMI I PERGJEGJESIVE TE QEVERISJES

Cdo force politike prezantohet ne fushata elektorale me programin elektorale dhe ne baze te cilesise, objektivitetit si dhe besueshmerise se tyre votohet prej elektoratit. Njekohesisht forca politike e bazon suksesin e saj edhe tek njerezit qe do ta zbatojne kete program.
Qe te besh efektiv nje program eshte e nevojeshme qe per zbatimin e tij te impenjohen njerez qe besojne tek ky program, qe e njohin ate por edhe qe jane te interesuar qe forca politike te vleresohet e pergjegjeshme prej elektoratit per angazhimet dhe premtimet elektorale. Jo me kot shteti demokratik ka dhe rregullat se si demostrohet kjo pergjegjeshmeri.
Pervec rolit te rendesishem qe ka organi ligjvenes, prej te cilit burojne te gjitha pushtetet, sepse ne fund te fundit aty e ka fillesen gjithshka, por nuk mbaron gjithshka po aty, mbasi keto pergjegjesi respektohen edhe nga pushtetet e tjera. 
Politikat e hartuara dhe materializuara ne ligje apo vendime te parlamentit mbeten ne leter, nese nuk behen te zbatueshme nepermjet akteve te tjera nenligjore cilesore, qe hartohen nga ekzekutivi dhe zbatohen po prej tij apo prej institucioneve te tjera te pavarura,si pushtete te ndara, gje e cila eshte shume sakte e shprehur ne kushtetuten e Republikes se Shqiperise. Ne sherbim te ketij pushteti eshte nje armate e tere nepunesish te te gjitha niveleve te administrates publike apo te institucioneve te tjera.
Per menyren e funksionimit te kesaj administrate si dhe menyren e rekrutimit te saj jane percaktuar rregulla dhe kritere te fiksuara ne aktet ligjore apo nenligjore. Kjo me te vetmin merak qe kjo administrate te konsolidohet dhe te siguroje vazhdimesine. Por ndersa e shkruara nuk eshte edhe aq keq per zbatimin nuk mund te thuhet e njejta gje. Per te harmonizuar efektin e rotacionit te pushtetit me vazhdimesine e kesaj administrate, ashtu si ne gjithe boten edhe ne administraten tona postet jane te ndara ne poste politike dhe civile dhe si te tilla rregullat e rekrutimit jane te ndryshme.
Por c’ndodh ne praktike?
Pushtetin e fiton forca politike apo koalicioni i disa forcave politike dhe si te tilla ato kane pegjegjesine e qeverisjes. Sapo mbaron ky proces gjithshka shmanget nga normaliteti. Ne poste politike per moderacion apo thjesht per te vazhduar me sidromen e besnikeve personal emerohen njerez qe nuk kane fare lidhje me forcen politike apo koalicionin perkates (si te tille pra pa detyrime perball kesaj force apo ketij koalicioni). Ne poste teknike mund te ndodh edhe e kunderta.
Mendimi se ne poste politike duhen emeruar vetem element qe i perkasin anetaresise se partise apo koalicionit fitues nuk eshte anakronik. Nje perfaqesues i partise laburiste angleze ne nje seminar trajnues kur ju be nje pyetje se cila eshte eksperienca e tyre ne kete drejtim pergjigjia e tij ishte: Ne te gjitha rastet qe te perfaqesosh ne ekzekutiv dhe kudo ne partine laburiste duhet te jesh anetar i saj. Pra edhe eksperienca e partive moderne eshte e tille.
Njerezit e marre vetem per miqesi duke mos ndjere pergjegjesi e shperdorojne edhe miqesine dhe ndodh pastaj si tek perralla me rrepat ne sistem zinxhire rrokullisin tatpjete te teren.
Po kostot kush i paguan?
Natyrisht te qeverisurit qe nuk qeverisen sipas premtimit dhe forca politike qe duhet te perballet perseri me votuesit dhe te paguaj kostot perkatese nese nuk i ka permbushur mire detyrimet. Pra individi i rekrutuar ne poste te tilla jashte ketyre pergjegjesive nuk paguan asgje. Vec kesaj edhe vet administrata duke e ndjere veten te pasigurt, te perkoheshme nuk investohet plotesisht dhe priret me teper nga avantazhet qe te krijon vendi i punes se sa nga detyrimet. Rezultati-Jo koment: -Nje administrate qe terhiqet zvarre.

Problemi eshte qe duhet te vish ne qeverisje per te sjelle nje ndryshim ne cilesi, ne thelb, jo thjesht ne form. 
Por c’ndodh ne te vertete? 
Nje shumice jo e pakonsiderueshme eshte e mendimit se ne praktike nuk ndodh keshtu. Per te materializuar nje koncept te tille duhet kontributi i te gjitheve,por seicili ne vendin e vet. Ne administrate duhen terhequr njerez me vizione. Ne kete drejtim niveli i administrates eshte jo ne cilesine dhe pergjegjshmerine e kerkuar. Ka nje rendje drejt terheqjes se njerezve te bisnesit ne kete administrate duke perbere here pas here konflikt interesash apo edhe shqetesim per organizmat nderkombetare. Une mendoj se pa e ekzagjeruar duhet te vazhdoj konsolidimi i klases se bisnesmeneve, i klases se nepunesve te administrates publike, por edhe te vet klases politike.
Per mendimin tim hapa te tille pervec mesazhit pozitiv qe japin per nje qeverisje te hapur ndaj gjithe elementeve te pergatitur profesionalisht, pra ndaj vlerave, garantojne njekohesisht arritjen dhe ruajtjen e standarteve. Ne se kjo perdoret thjesht si fasade ajo jep efektin e kundert.
Rendja me teprice ndaj kategorise se te zakonshmes jashte forces politike, me te vetmin “favor” se jane te panjohur, per mendimin tim tregon se ne ose kemi varferi (pra nuk i justifikojme pretendimet se kemi dhe mireperdorim burimet tona njerezore) ose nuk dime t’i vleresojme njerezit tane. Ata ne fakt kane avantazhin e madh, ndaj te panjohurve, se besojne tek programi i kesaj qeverie dhe jane me te prirur te investohen per zbatimin e tij. Si te tille ata kur jane me te mire apo te barabarte me kategorine e te panjohurve duhet te jene te perzgjedhurit. Ndoshta kane nje disavantazh se nuk dine te lyejne kepucet e eprorit, i prezantojne problemet pa lluster dhe nuk ndihen produkt i dikujt dhe ne kete rast gjithe nderimin e kane vetem per punen.
Hapat e ndermarre nga qeveria socialiste per persosjen e ligjit te sherbimit civil dhe persosja e rregullave dhe kritereve te rekrutimi te punonjesve te administrates publike i ngushtojne shume hapesirat e subjektivizmit, por prap per mendimin time perqendrimi i kompetencave ne duart e nje njeriu eshte teper i larte. Une e kam frike njeriun me pushtet te pakufizuar. Te gjithe duhet t’a kemi frike nje njeri te tille, kushdo qofte emri i tij. Ne kemi vuajtur si komb nga njerez te tille. Kujtesa eshte shume e afert ne kohe. Mentaliteti i klases se sotme politike eshte i tille qe spekullon edhe kur nuk i ka ne dore kompetencat, pale kur ato i ka me bollek dhe me percaktime evazive. Kultura demokratike dhe kolegjiale le shume per te deshiruar. Zot na ruaj nga pushteti i njeshit ne cdo pozicion qofte ai. Rreziku me i madh i ketij modeli eshte abuzimi me pushtetin.
Pavaresisht se jam e angazhuar ne politike objektivat e mia ne kete angazhim jane shume larg kesaj sindrome. Une besoj se forca politike ku une jam angazhuar, tek programi i te ciles besoj, nuk deshiron t’i ofroj publikut shqiptar kete model qeverisjeje. Per kete ne duhet te japim te gjithe kontributin tone. Te rreshqases drejt modeleve te tilla eshte shume lehte. Prandaj duhet te qendrojme sy hapur e mendje mprehte. Kete duhet ta bejme jo thjesht per interesa te caktuara te forces politike qe i perkasim por per te lene nje model te trashegueshem, i cili me kohe do te persoset, por jo permbyset.
Ky shkrim eshte pergatitur per botim ne prill te 2004, botim i cili nuk u realizua per shkak te emerimit tim ne detyren e Prefektes se Qarkut Berat. Kjo nuk u be per konformizem, por thjesht ne respekt te detyres, si perfaqesuese e qeverise kete duhej ta beja ne menyre institucionale.
Sot mendoj se ja vlen t’i rikthehesh kesaj teme me theks te vecante, sepse dukurite perseriten, tashme ne shkalle dhe permasa me te medha. Kemi nje administrate jo qe thjesht zvaritet, por per me keq ka ngecur ne vend. Jemi ne kushtet kur ka filluar permbysja. Po riciklohet teoria e zeros. Kudo sundon parimi dielli lindi kur linda une. Edhe plot veprimtari qe jane kryer apo pergatitur me pare prezantohen si risi si prurje te individit te ri. Ne shume raste per interesa te mbijeteses po kultivohet dyfytyresia ne administrate. C’mund te presesh nga ajo pjese e administrate pa dinjitet. Ndersa ne jemi perpjekur te kultivojme dinjitetin, ky nuk eshte nje proces i vazhduar. Modeli i frikshem i njeshit ri mbi kryet e gjithe seicilit. Ky model do te neutralizonte dhe do te bente te paefekshem edhe frymen pozitive dhe optimizmin, qe trasmeton angazhimi ne nivele te larta te administrates te nje gjenerate te re intelektualesh dhe teknicienesh, me formim dhe vizion modern bashkekohore. E them kete, sepse gjykoj se e nesermja eshte nje pune e imet, qe pergatitet cdo dite nga administrata disa mijeshe ne cdo sektor. Rotacioni politik eshte ne thelbin e shoqerise demokratike. 3 Korriku kushtezoi nje gje e tille, por ne demokraci rotacioni eshte proces persosjeje si i tille ai trashegon gjithshka pozitive. Sot mendoj, qe nga modeli qe permenda ne vend te trashegohen anet me pozitive te tij, po thellohen dukurite negative. Ne se do te ecet me keto deformime e nesermja qe na pergatitet nuk do te jete optimiste. Kjo situate alarmante kerkon zgjim dhe reagim pozitiv institucional. Kjo situate kerkon reflektim ndaj rekomandimave apo vendimeve te instituioneve te tjera te pavarura. Kjo eshte demokracia. Ky eshte shteti ligjor. Koalicioni qeverises duhet te mireperdor energjite e tij pozitive. Kur nuk reagon qeverisja rradha i mbetet shoqerise civile, individeve dhe se fundi opozites. Kjo duhet te ndodh sot. Neser do te jete vone.

Luiza Hoxhaj
TIRANE me 23.01.2006


Pas nje viti shoh se ne cdo sektor kane mbire te paaftet dhe treguesit perkeqesohen. Kjo keqqeverisje duhet ndalur. Kjo duhet realizuar me voten e njerezve progresiste. Megjithese ishin zgjedhje administrative, zgjedhjet e 18 Shkurtit kane shume per te treguar. Ato duhen lexuar drejt. Reflektimi duhet te jete i shpejte dhe i sakte.

Nessun commento: