Pse ndërtimet pa leje nuk janë thjesht çështje urbane, por edhe simbol i mungesës së kontratës sociale. Shteti si rregullator, qytetari si bashkëpërgjegjës.
Nga: Luiza Hoxhaj
Shpesh i
kam quajtur ndërtimet pa leje "piramidat e pas '97-ës". Ato janë
ngritur mbi boshllëkun institucional, mbi mungesën e rregullave, mbi shpresën
për fitim të shpejtë ose mbijetesë. Ashtu si piramidat financiare, ato kanë
ndjellë shpresë dhe kanë lënë pas kriza. Prishja e tyre sjell dëme sociale dhe
ekonomike, por edhe lejimi pa kriter i tyre shkatërron mjedisin, identitetin
dhe besimin tek shteti.
Sot,
mijëra ndërtesa pa leje janë bërë realitet i pakthyeshëm mbi terren. Në shumë
raste, janë ndërtuar nga vetë qytetarët në tokat e tyre, pa orientim dhe pa
standarde, si zgjidhje emergjente, por edhe si mundësi fitimi. Në zona
turistike, ky fenomen ka arritur kulmin. Nga këndvështrimi teknik, mund të
konsiderohen shkelje; por nga këndvështrimi shoqëroro-ekonomik, ato janë fakte
të kryera, janë realitete të ndërthurura me jetën e komunitetit.
Kjo e bën
akoma më të domosdoshëm rolin e shtetit si rregullator. Jo vetëm si ndëshkues,
por si institucion që udhëheq tranzicionin nga kaosi drejt rregullit. Shteti
nuk mund të vazhdojë të sillet si i huaj në territorin e vet, duke u shfaqur
vetëm kur ka operacione prishjeje. Ai duhet të krijojë kushte për një rregullim
të integruar: të vendosë standarde, të ofrojë afate për përputhje, dhe të
mbështesë qytetarët në transformimin e ligjshëm të investimeve të tyre.
Por nuk
mund të ketë shtet pa qytetar. Për të ndërtuar komunitete të forta dhe mjedise
të rregulluara, qytetari duhet të ndjejë përgjegjësi. Nuk mjafton të kërkosh
legalizim pas faktit. Respektimi i ligjit duhet të fillojë në momentin kur në
mendje lind ideja e ndërtimit. Nëse bashkëjetojmë me shkeljen, nuk mund të
kërkojmë as siguri, as investime publike, as mjedis të shëndetshëm.
Zgjidhja
nuk është ndëshkimi masiv dhe as amnistia e plotë. Zgjidhja qëndron tek
strategjia e gradualitetit: një proces që njeh realitetin, por e disiplinon
atë. Që rikualifikon në vend të rrafshojë. Që edukon, jo vetëm ndëshkon. Që
vendos kushte për legalizim me standarde të qarta mjedisore, estetike dhe
teknike. Dhe që krijon bashkëpunim të sinqertë mes shtetit dhe komuniteteve.
Për
shembull, në Theth dhe zona të tjera të mbrojtura, ndërtimet me tulla e beton
që nuk respektojnë traditën vendase përbëjnë një deformim të identitetit
kulturor dhe mjedisor. Por zgjidhja nuk mund të jetë thjesht prishja e
menjëhershme, pa dallim, veçanërisht kur këto investime janë bërë nga banorë që
kanë shpenzuar kursimet apo kanë marrë kredi, në një klimë ku shteti ka qenë
pasiv, madje ka përfituar prej tyre përmes taksave dhe tarifave. Këto ndërtime
duhen parë si pjesë e një procesi rikualifikimi...
Gjithashtu,
këtyre banorëve duhet t’u jepet mundësia të përfitojnë nga programet kombëtare
si “paketa e maleve”, të cilat janë miratuar prej kohësh, por ende mbeten të
paaktivizuara në funksion të zhvillimit të territorit. Kjo paketë duhet të jetë
në shërbim të mbështetjes së komuniteteve malore, fuqizimit të kapaciteteve të
tyre ekonomike dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore.
Një
reflektim i domosdoshëm: Legjenda e Rozafës në kohët moderne
Ka diçka
thellësisht shqetësuese në këtë cikël ku qytetarët investojnë kursimet,
ndërtojnë me shpresë, regjistrojnë aktivitetin në tatime, kontribuojnë në pasurinë
kombëtare, dhe më pas – për shkak të mungesës së rregullave, apo ndryshimeve të
papritura në qasje – përballen me pasiguri, prishje, dhe varfërim. Sikur të
jemi të bllokuar në një legjendë moderne të Kështjellës së Rozafës, ku
ndërtojmë ditën dhe prishim natën. Por ndryshe nga legjenda, që fliste për
sakrificë për të ndërtuar të përbashkëtën, sot jemi dëshmitarë të një flijimi
të kotë që nuk sjell as stabilitet, as zhvillim të qëndrueshëm.
A nuk
është koha të dalim nga kjo metaforë e trishtë, ta lëmë Rozafën në lashtësinë e
saj, dhe të ndërtojmë realisht mbi themele të qëndrueshme – me rregulla të
qarta, respekt për ligjin, mbështetje për komunitetin dhe vizion afatgjatë për
territorin?
Zhvillimi
i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet mbi injorimin e realitetit, por as mbi
pranimin pa kushte të tij. Ai lind kur vendoset rend dhe kur rritet ndjeshmëria
e ndërsjelltë: shteti e sheh qytetarin si partner, dhe qytetari e sheh
territorin si pasuri të përbashkët.
Vetëm në
këtë mënyrë, në vend të "piramidave të reja", do të kemi komunitete
të qëndrueshme dhe turizëm me dinjitet.
Ky shkrim
është pjesë e ciklit “Qytetarët në Qendër të Vëmendjes”.

Nessun commento:
Posta un commento