Cerca nel blog

domenica 29 giugno 2008

Një mësim i thjeshtë për politikën

Leksione të thjeshta për politikën.

Qytetarët e çdo niveli kulturor apo arsimor, të çdo moshe apo brezi, edhe në përditshmërinë e tyre, japin leksione qytetarie, bashkëpunimi apo vlerësimi, të dobishme për shoqërinë.
Këto leksione janë të vlefshme edhe për politikën, sidomos tek ne, ku ajo ka dëshmuar dhe ende dëshmon se, në një masë të konsiderueshme, është nën nivelin mesatar të qytetarisë.
Këto mesazhe përcillen dhe perceptohen jo vetëm në mënyrë të vullnetshme, por edhe në spontanitetin e përditshmërisë së komunikimit tonë me ambientin përreth.

Këto mendime më erdhën tani, duke ndjekur një emision të quajtur Super Varieté. Pashë se si në të ishin përfshirë mrekullisht disa pjesë nga një spektakël televiziv muzikor me elemente konkurrimi: Ti lascio una canzone, prodhim i RAI 1.

Në një ditë prilli, rastësisht u njoha me njoftimin që i bëhej këtij spektakli. Për kuriozitet ndoqa puntatën e parë e mandej ishte vetë cilësia e tij, e cila të mbante të lidhur.

Spektakli drejtohej me thjeshtësi, dinjitet dhe mjaft cilësi nga e mirënjohura Antonella. Fakti që zhvillohej në sallën Ariston të Sanremos tregonte rëndësinë dhe sharmin që i jepej aktivitetit.
Por referimin në këtë shkrim nuk do t’ia bëj vlerësimit artistik të tij, sepse nuk kam kualifikimin e duhur për të bërë një gjë të tillë. Jam muzikdashëse, por kjo nuk mjafton. Në këtë shkrim unë dëshiroj të lëçoj, bazuar në vlerësimin tim, mesazhet që përcjell një spektakël i tillë për politikën e sotme shqiptare. Pavarësisht se zhvillohej në një shtet fqinj, ato mesazhe mund t’i përcillen shumë mirë edhe shoqërisë sonë. Sot jetojmë në kohën e globalizmit, që mundëson lëvizjen e lirë të vlerave dhe informacionit.

Në këtë spektakël, këngëtarë të mirënjohur të muzikës së lehtë italiane, në mënyrë simbolike dhe ceremoniale, i transmetonin një talenti të ri muzikor një apo disa prej këngëve të tyre.
Këngët i përkisnin të gjitha kohëve dhe brezave muzikorë: nga Caruso i madh, Adriano, Albano, Massimo Ranieri, Gianni Morandi, Ivana Spagna, Loredana Bertè, Orietta Berti, Lucio Dalla, Mina, Marcella, perla të muzikës napolitane, etj.

Pastaj vlerësimi bëhej nga një juri me një bërthamë të pandryshueshme si aktore dhe prezantuese të shquara, si dhe nga një pjesë tjetër e ndryshueshme me këngëtarë të ndryshëm të njohur. Por mbi të gjitha këto, vlerësimin kryesor e jepte publiku televotues.

Përcjellja që bëhej nëpërmjet këngëtarit përkatës e çdo kënge përmbante në vetvete dy leksione:

  1. Trashëgiminë nga brezi në brez të vlerave – në këtë rast muzikore, por ato mund të jenë vlera të çdo dimensioni dhe çdo fushe – tek brezi më i ri: fëmijët.
    Pra, ashtu si në art dhe në jetë e në veçanti në zhvillimin ekonomik, social, shoqëror e politik, çdo gjë ngrihet mbi një bazë, mbi një trashëgimi – pra jo në boshllëk, jo në teorinë e zeros, aq të preferuar dhe të përhapur në nivele të ndryshme të politikës dhe qeverisjes tek ne.

Ambientit dhe cilësia e lartë në të cilën zhvillohej kjo përcjellje vlerash tregon rëndësinë e madhe që kanë për shtetet e zhvilluara – ku Italia spikat qartë në nivel botëror – vlerat e trashëguara. Ato janë si kristale të brishta, që përcillen me kujdes për të mos u thyer, për t’u trashëguar të pacënuara. Si të tilla, ato trajtohen me gjithë respektin që meriton çmueshmëria e tyre.

Fakti që secili e kryente transmetimin e këngës vetë, dhe në rastet kur këngëtari nuk jetonte, në mënyrë simbolike shpallej kjo përcjellje si një testament i një figure publike nga fusha e artit, tregonte respektimin e të drejtës së autorit – aq të cenuar tek ne.

Kjo tregon se vlerat dhe ata që i kanë krijuar ato duhet të respektohen. Kjo vlen edhe për politikën. Por vlerësimi se sa dhe si kryhet ky proces tek ne, secili e sheh përditë. Ky transmetim kryhet duke “asgjësuar” paraardhësin, duke mos e përmendur, krijuesin e modelit apo paraardhësin – sikur nuk ka ekzistuar kurrë. Në ato vlera të cilave unë u referohem, figurat publike i kemi të pakta edhe për këtë shkak, për shkak të proceseve asgjësuese. Atij që vjen pas i duket sikur mbretëron më mirë në një podium të zbrazët.

Një tjetër element domethënës ishte fakti që fëmijët jashtëzakonisht të talentuar nuk këndonin vetëm, por shpesh të shoqëruar nga pararendësit e tyre. Pra, përpara se të “fluturojnë” me talentin e tyre, këta fëmijë këndonin këngë për të rritur – këngë me vlera – duke përshkuar një pjesë të rrugëtimit së bashku. Sepse ende kanë nevojë të mësojnë. Vlerat, në një pjesë të konsiderueshme të ciklit të jetës së tyre, bashkëjetojnë. Po në politikën tonë?

Aty, përkundrazi, duket se sundon parimi: “Poshtë mbreti, rroftë mbreti”. Nuk e kam fjalën thjesht për atmosferën brenda forcave të caktuara politike, por për mjedisin politik në tërësi.

Një tjetër vlerësim i imi, që besoj se meriton të theksohet, është se këngët ruanin linjën e tyre origjinale, ndërsa fëmijët i shtonin një timbër të ri, një freski dhe vlerë të re me zërin e tyre. Këngët transmetoheshin të pa deformuara, të papërpunuara “siç bëjmë ne”. Kështu duhet të ndodhë në çdo fushë. Vlerat nuk krijohen nga hiçi, nuk humbasin – ato vetëm përsosen. Ashtu si në muzikë, edhe në natyrë (në procesin evolucionar darvinist), edhe në jetën shoqërore – pra edhe në politikë – rotacionet, zhvillimet dhe progresi nuk mund të ndërtohen mbi mohimin e gjithçkaje. Nuk mund të mohosh pa pohuar. Pa trashëgimi, pa histori, nuk je askush dhe nuk mund të shkosh askund.

Në tablonë konkurruese të këtij spektakli vihej re qartë se publiku, përmes televotimit, kishte një rol të madh dhe real përzgjedhës. Në çdo puntatë, ai jepte vlerësimin e vet. Shkëlqente Simona e vogël, një siciliane e talentuar me këngët e madhit Karuzo – u vlerësua tri herë si më e mira. Po ashtu, Patriku, një djalë nga Roma, dhe Ernesto i vogël nga Piemonte, i cili me pamjen, talentin dhe improvizimet e tij origjinale, më kujtonte vogëlushin shqiptar të talentuar Kristi Koçi. Tek Ernesto vërehej një shenjë e lehtë e kalimit nga suksesi në eufori – një rrezik i vogël, por real.

Por këto “rrëshqitje” i rregullonte mrekullisht publiku, i cili, në disa raste, korrigjonte edhe jurinë profesionale. Ky proces ndihmonte që talentet e reja të qëndronin me këmbë në tokë. Ata kishin pjesën e tyre të vlerësimit individual, por më e madhja ishte për atë që po trashëgonin – për këngën.

Në fund të spektaklit, surpriza ishte e bukur: publiku dhe juria shpallën si më të mirën një këngë të kënduar nga të gjithë fëmijët së bashku.

Mesazhi ishte i qartë: vlera më e madhe është ajo që krijohet së bashku.

Po në politikë, çfarë ndodh? Edhe pse leksionet nga demokracitë e konsoliduara na mësojnë se në proceset demokratike është thelbësore pjesëmarrja reale e të gjithëve, se përfshirja e mban gjallë demokracinë (sepse vetë demokracia është një proces pjesëmarrjeje), tek ne ende sundojnë llogaritë vetjake ose partiake. Të gjithë e shohin veten si qendrën e botës, si motorin e vetëm të suksesit, të zhvillimit dhe të progresit.

Por leksionin ta jep publiku, me vlerësimin e tij. Ai të ul me këmbë në tokë. Si te Ernesto i vogël, publiku të vlerëson dhe të inkurajon, por jo vetëm për atë që ti bën, por për mënyrën se si e transmeton dhe e ruan trashëgiminë – në këtë rast këngën. Vetëm kështu jep garanci se do ta trashëgosh të paprekur dhe të pasuruar, por jo të shtrembëruar.

Kuota personale është e rëndësishme, por nuk mjafton. Nëse nuk e kupton këtë në kohë, atëherë është vonë. Sepse juria – në këtë rast anëtarësia brenda një subjekti politik apo publiku në zgjedhje – është si një trup i përbërë nga dy shtresa: një bërthamë e pandryshueshme që garanton vazhdimësinë e procesit dhe një shtresë e lëvizshme që përcjell risinë. Dhe mbi të gjitha, ekziston televotuesi – publiku – i cili përmbys ose përmbush pritshmëritë e tua, në varësi të asaj që ofron.

Kalorësit e ëndrrës së humbur nuk marrin asnjë përgjegjësi. Ata kënaqen me atë që u ka mbetur në dorë – qoftë edhe thërrime – dhe jetojnë me idenë se një ditë do t’u shërbejnë këto rrjeta, që në fakt u shërbejnë vetëm për të mbajtur gjallë një iluzion. Haracin e paguajnë të tjerët.