__________________
Liria eshte si deti. Nuk mund te jete e mbyllur dhe si deti nje njeri i lire eshte perhere i tille. (Humbert du Charbon) Ne se vendosni te jeni te lire, ju nevojitet vetem nje gje: kurajo per te qene vertet te tille.
Search This Blog
Monday, November 5, 2007
Diskutimi ne seancen e gjykimit ne Gjykaten e Apelit Tirane
__________________
Të duash, të dish, të mundesh
"Të duash, të dish, të
mundesh", morali i kësaj përralle më kujtua këto ditë, duke ndjekur
zhvillimin e ngjarjeve politike, mbas periudhës së zgjedhjeve të korrikut 2005,
në veçanti rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe zhvillimet mbas
këtij momenti.
Në këtë shkrim nuk po i shoh hapat e
hedhur nga politika nga pikëpamja e saktësisë, drejtësisë apo moralitetit të
tyre politik. Nuk ia jap të drejtën vetes t'i analizoj në këtë këndvështrim,
sepse proceset tashmë janë finalizuar dhe një diskutim i tillë nuk sjell asgjë.
Në këtë rast duhet ndjekur përvoja e duhet ndjekur përvoja e një rrëfenje të vjetër
hebraike, sipas së cilës babai e rrihte djalin sa herë e niste në
burim për ujë, duke e porositur që të mos e thyente shtamën. Pra, pa e thyer
shtamën. Morali i saj është: më pas, mbasi thyhet shtama, nuk kishte kuptim
ndëshkimi.
Nëse bëjmë një paralele, ne sot jemi
në kushtet e një procesi të kryer. Ne sot kemi një President të Republikës të
zgjedhur në bazë të një procesi, jo konsensual, por të pakritikueshëm si proces
dhe të rregullt nga pikëpamja kushtetuese. Si i tillë, ai gëzon tërë respektin
e merituar si qytetar i parë i këtij shteti me shumë halle, pavarësisht nga
komentet e shumta për mënyrën se si u zgjodh. Vlerësimet se si dhe sa do t'i
përmbushë premtimet e tij fillojnë tani.
Në këto ditë, varësisht nga deklaratat
e tij në lidhje me reformën në drejtësi, e parë kjo si një nyje, që e mban
lidhur një emër i përveçëm, varësisht do të përcaktohet nëse do t'i përafrohet
apo jo gabimit të parë, duke qenë ende në kohë për ta shmangur atë.
Personalisht nuk kam asnjë merak, sepse në rastin tim prokurori u thye përballë
presionit politik, duke mos respektuar proceset ligjore, si dhe duke mos u
kryer prej institucionit të drejtuar prej tij një proces hetimor i drejtë dhe i
paanshëm.
Në këtë rast prova është se si do të
funksionojë respektimi i procesit kushtetues, pjesërisht produkt edhe i
opozitës.
Komentin tim dëshiroj ta kanalizoj në
një plan tjetër, në atë të saktësisë së hapave të hedhur nga ana e opozitës,
nivelin e koordinimit të koalicionit opozitar dhe largpamësinë e parashikimeve
të saj.
Brenda hapësirës opozitare këto
vlerësime dua t'i bëj në veçanti për PS si forca më e madhe e këtij koalicioni,
për lidershipin e saj, duke shtruar njëkohësisht pyetjen:
A e kryen kjo forcë realisht këtë rol?
Strategjia e opozitës dhe në
veçanti e forcës më të madhe opozitare fillimisht ishte ajo e zgjedhjeve të
parakohshme. Kjo ishte shpallur si e tillë qysh në muajt e parë të
paszgjedhjeve të vitit 2005. Momenti i zgjedhjes së Presidentit ishte një krizë
e paramenduar dhe e shpallur, si një pengesë e pakapërcyeshme prej maxhorancës
aktuale për shkak të mos sigurimit të numrit magjik 84 të deputetëve, që do të
mundësonin zgjedhjen e Presidentit.
Është
normale të mendosh qysh të nesërmen e zgjedhjeve të përgjithshme, prej të
cilave ke dalë humbës, për zgjedhjet e ardhshme dhe strategjinë për të dalë
fitues.
Sipas
teorive mbi demokracinë kjo vlen për çdo forcë apo koalicion, që rezulton në
opozitë, aq më tepër për koalicionin tonë të majtë, i cili në vlerë absolute të
totalit të votave rezultonte shumicë, por një shumicë, e cila nuk përkthehej e
tillë në kartona parlamentarë, pra një maxhorancë popullore e shndërruar në
minorancë qeverisëse.
Në
këto kushte, përveç sloganit "Humbëm ne, por fituan standardet", një
sheqerkë tjetër, që iu servir si zgjidhje elektoratit të majtë, të zhgënjyer
nga ky mosmenaxhim i rezultatit, ishin zgjedhjet e parakohshme.
Opozita
e re ishte e detyruar të reagonte kështu, sepse ajo duhej t'i kthente borxhin
elektoratit, të cilit i kishte marrë "miell hua" (vota) dhe nuk ia
kishte kthyer; përkundrazi, i kishte shpërdoruar. Votat e majta ishin bërë
shtylla të qeverisjes së djathtë. Të gjithë e njohin sindromën Xhuveli, si dhe
kalimin e PBDNJ-së në anën e koalicionit qeveritar.
Përballë
fragmentarizimit të së majtës, e djathta, megjithëse mund të qeveriste e vetme,
me largpamësi syrin e kishte te numri magjik (84), prandaj afroi në qeverisje
Xhuvelin, i bëri lëshime PDS-së etj.
Shndërrimi
i votave të majta në më shumë pushtet të djathtë vazhdoi më tej me riformatimet
e grupeve parlamentare, kulmoi me zgjedhjen e Presidentit dhe vazhdon ende duke
u shndërruar në një proces të vazhduar, pra një fenomen, shkaqet e të cilit
duhen identifikuar dhe mandej kuruar.
Jo
në të gjitha rastet motivet e kësaj lloj sjelljeje kanë qenë të njëjta, por nga
më të ndryshmet, duke variuar nga ato personale e deri te interesa madhore,
partiake apo kombëtare.
Me
ndryshimin e kryer në lidershipin e PS-së, pas dorëheqjes së liderit të saj, u
krijua një situatë pak euforike në lidhje me funksionimin e Koalicionit të Ri
Opozitar.
Ato
mangësi, që sipas pretendimeve të kryetarëve të partive aleate, kishin çuar në
humbje, siç ishin mosfunksionimi i tryezës së kryetarëve, apo mungesa e
koordinimit dhe bashkëpunimit ndërpartiak për të menaxhuar rezultatin e 3
korrikut 2005, mendohej se po eliminoheshin dhe do të kishte më shumë demokraci
në këtë funksionim.
Faza
e parë tregoi se me shumë vështirësi u ul në bisedime lideri i LSI-së, vonesë
kjo e logjikshme, po të kemi parasysh se ajo vetëm pak kohë më parë ishte
shkëputur prej PS-së, kështu që i nevojitej një argument i fortë për t'u
ribashkuar tashmë si aleate e saj.
Marrëdhëniet dukej sikur po funksiononin.
Por, duke qenë se thamë se PD dhe aleatët e saj qysh në
fillim u vunë në lëvizje për të joshur disa prej aleatëve tanë, të cilët
pësonin thyerje të lehta herë pas here, funksionimi i koalicionit pati edhe
probleme.
Partitë e koalicionit opozitar po ridimensiononin
marrëdhëniet dhe rolin e tyre brenda koalicionit, duke marrë goxha terren. Në
këtë terrenmarrje ato shfrytëzuan edhe kushtet në të cilat ndodhej PS dhe
sidomos lideri i saj i ri.
Shumë i suksesshëm ka qenë në këtë ndërmarrje zoti Meta,
për shkak të përvojës së gjatë politike që kishte, si dhe njohjes në detaje të
PS-së dhe plagëve të saj. Roli i tij është i njohur si në ndikimin e madh në
hapat e hedhur nga opozita, ashtu edhe në rezultatet e saj.
Në këtë rast ai shfrytëzoi shumë mirë nevojën e
kryetarit Rama për t'u afirmuar si lider i PS-së së pari e mandej si lider i
koalicionit opozitar.
Në këtë logjikë Meta kishte kuptuar shumë mirë
domosdoshmërinë, që kishte Rama për t'u rikonfirmuar në krye të Bashkisë
Tiranë. Pa këtë rikonfirmim Rama nuk mund të shndërrohej në një lider të fortë
në PS.
Në këto kushte Rama ishte gati të bënte çdo lëshim për
të siguruar mbështetjen e aleatëve në rikandidimin e tij, sidomos të LSI-së.
Rezistenca
e opozitës për të ndryshuar kodin zgjedhor, përdorimi i vetos dhe përpjekjet e
saj për të hyrë në një proces zgjedhor me standarde rezultoi e pasuksesshme,
duke u katandisur me një marrëveshje minimale mbi mënyrën e përdorimit të
dokumenteve të identifikimit.
Në rrugën e vështirë të konsolidimit të koalicionit
opozitar, i cili jo gjithmonë ishte kompakt në qëndrimet e tij, parti të
caktuara, sidomos LSI, ushtronin presion për të rritur rolin e tyre dhe në
shumë raste ia arrinin.
Në rastin e zgjedhjeve të 18 Shkurtit koalicioni
opozitar u duk më i bashkuar dhe më i domosdoshëm se kurrë. Duke tejkaluar
rëndësinë e tyre si zgjedhje administrative, këto zgjedhje morën përmasat dhe
trajtesën e zgjedhjeve të përgjithshme, pasi ishin ballafaqimi i parë elektoral
pas ndryshimit të raportit të forcave dhe, në një farë mënyre, ishin edhe sfida
personale të liderëve respektivë.
Mobilizimet përkatëse elektorale, gabimet që kishte bërë
PD në pak muaj qeverisjeje ishin një arsye e pranueshme që fitorja t'i
buzëqeshte opozitës.
Rama, duke qenë nën presionin e aleatëve, duke dashur
që, me presionin e tryezës së aleatëve, të neutralizonte edhe shumë vektorë që
nuk ecnin në një kahje me të në PS, bëri shumë lëshime, duke lënë zona të lira
për kandidatë të opozitës në mënyrë të pastudiuar, në mungesë të bashkëpunimit
me strukturat lokale, dhe rezultati nuk ishte i kënaqshëm në gjithë territorin.
Po ashtu, edhe në ato raste kur kandidatët ishin të
PS-së, nuk u zbatua ai që u trumbetua me të madhe si shkopi magjik, përcaktimi
i kandidatëve sipas parimit "një anëtar, një votë".
Së pari: zbatimi i tij kërkonte që procesi seleksionues
t'i lihej tërësisht në dorë anëtarësisë dhe jo të deformohej, duke hyrë në mes
si hallkë ndërmjetëse kryesia, e cila në këtë rast duhej të përcaktonte vetëm
kriteret.
Dhe
Së dyti: edhe në këtë proces jo perfekt përzgjedhjeje,
produkti i tij duhej respektuar, gjë e cila nuk ndodhi në shumicën e rasteve.
Në shumë zona u përzgjodh i fundit ose edhe jashtë radhës së konkurrentëve,
sipas preferencave në kupolë apo pranë saj, pra jo të anëtarësisë, së cilës
pretendohej se i ishte dhënë më shumë pushtet.
Duke mos njohur psikologjinë e socialistëve, si dhe
pjekurinë e elektoratit, i cili sot nuk sheh dhe vlerëson vetëm forcën
politike, por edhe individin, morëm rezultat të pakënaqshëm në shumicën e
njësive të cilat më parë ishin drejtuar nga socialistë.
Teoria e vendosjes së anëtarësisë dhe elektoratit
përpara faktit të kryer këtë herë nuk funksionoi.
Duke vlerësuar vetëm rezultatin në qytetet kryesore, ne
na rrëmbeu euforia.
Për mendimin tim rezultati ishte jo i mirë, sepse,
krahasuar me zgjedhjet e mëparshme administrative, ne kishim humbur goxha
terren, pra pushtet.
Po ashtu, për shkak të padijes, mungesës së përvojës,
apo elasticitetit si forcë politike, ky rezultat, edhe atje ku ishte pozitiv,
nuk u mirëadministrua dhe në këtë rast ne pësuam një fiasko në zgjedhjet e
drejtimit të këshillave bashkiakë apo komunalë, si dhe në zgjedhjen e anëtarëve
të këshillave të qarkut.
Skandaloz rezultati do të ishte në zgjedhjet e
këshillave të qarkut, ku nga 12 qarqe vetëm një drejtohet nga një socialist.
Kemi humbur apo fituar, kur nga 8 qarqe, që drejtonim më
parë, sot drejtojmë vetëm një? Kjo ishte një terrenhumbje në tavolinë, për
shkak të mungesës së përvojës së drejtuesve tanë partiakë në nivel lokal dhe
qendror.
Kjo ndodhi edhe për shkak se aleancat tona nuk ishin të
qëndrueshme dhe parimore, por tepër pragmatiste. Një pjesë të aleatëve tanë
tekanjozë ambiciet e tyre i siguronin nëpërmjet aleancave të pandershme me
kundërshtarët tanë, kundrejt leverdisë reciproke, duke ndarë me ta një pjesë të
pushtetit vendimmarrës, në të dy nivelet e pushtetit lokal.
Edhe kjo për shkak të moskoordinimit.
Pra, përsëri jemi në rastin kur votat e majta përkthehen
në pushtet të djathtë.
Finalizimi i këtij procesi ndodhi me Qarkun e Tiranës.
I kujt është faji? – Përsëri marrëveshjet dhe aleancat
nuk kanë funksionuar në nivel qendror dhe vendor. Pra, përsëri nga euforia,
orekset e mëdha ose mungesa e vullnetit për t'i ndjekur proceset deri në fund.
Ky mosmenaxhim evidentoi qartë sindromën e kujdesit
vetëm për pushtetin personal, duke harruar faktin se socialistë jetojnë jo
vetëm në Tiranë, Vlorë, Durrës e qytete të tjera të mëdha, por edhe në bashki e
komuna të vogla, deri në ato me 1000 votues, dhe se PS është edhe përfaqësuese
e tyre.
Direkt
pas zgjedhjeve lokale, pa përfunduar ende ato, u identifikua fakti se
marrëveshja për ndryshimet në kodin zgjedhor ishte e pavlefshme, sepse nuk
ishte punuar me largpamësi. Neni për dokumentet e identifikimit ishte thjesht
tranzitor, njëpërdorimshëm, i vlefshëm vetëm për zgjedhjet e 18 Shkurtit. Kjo
bëri të mundur që, në një zonë ku ne kishim fituar tre javë më parë, të
"humbisnim thellë".
I kujt është faji? – Natyrisht "i padijes,
zotëri".
Gjithë përpjekjet e opozitës dhe rezultati i tyre mund
të përmblidhen në "shumë zhurmë për asgjë", vetëm për një nen
tranzitor njëpërdorimshëm.
Pas Shijakut, në kulmin e debateve për zgjedhjen e
Presidentit, kur alternativa e zgjedhjeve të parakohshme ishte më prezente se
kurrë, përsëri Pogradeci ishte një tjetër shuplakë për opozitën, e cila zbehte
klimën pozitive të krijuar pas zgjedhjeve të 18 Shkurtit. C'mund të thuhet për
zonën 31 në Tiranë, ku më 18 Shkurt fitoi kandidati i opozitës së bashkuar?
Ç'farë ka ndodhur në këta shtatë muaj, që elektorati të
na ndëshkojë në të njëjtën zonë ku fituam më 18 Shkurt?
Përsëri akuza të artikuluara zbehtë për vjedhje,
manipulim, dhunë verbale etj.
Por kundërshtarin duhet ta vlerësosh me tërë kapacitetet
e tij pozitive dhe negative. Për sa kohë që nuk je në gjendje të imponosh
rregulla korrekte loje dhe pranon të garosh në ato kushte, tregon se nuk je një
opozitë e fortë.
Opozita vendosi disa kushte për dhënien e konsensusit në
rastin e zgjedhjes së Presidentit, ku më të rëndësishmet ishin reformat. Por a
premtonte koha për reforma të tilla vetëm dy muaj përpara skadimit të afatit
kushtetues për zgjedhjen e Presidentit? – Absolutisht jo.
Opozita në tërësi dhe PS (një pjesë e udhëheqjes) në
veçanti targetoi si kundërshtar të saj në rastin e zgjedhjes së Presidentit
Fatos Nanon dhe të gjitha lëvizjet e saj i organizoi në mënyrë të tillë, që
vetëm ai të mos dilte President.
A ishte e drejtë kjo?
– Natyrisht jo, përderisa opozita e kishte në listën e
saj të propozimeve. E kundërta do t'i shkonte më shumë për shtat sjelljes së
PS-së.
Atëherë pse u veprua kështu?
Nëse kandidatura e opozitës do të ishte Nano, produkti i
këtij procesi, parë nën këndvështrimin e asaj që prezantonte se synonte
opozita, do të ishte më i mirë:
– Nano President.
Ose
– zgjedhje të parakohshme.
Dhe kjo mundësi u dogj vetë prej opozitës. Kjo duket
qartë po të lexosh drejt veprimet e opozitës, ndërkohë që elektoratit i
serviret e kundërta e saj. Të gjithë elementët opozitarë, me veprimet apo
mosveprimet e tyre, punuan për këtë zgjidhje që kemi sot.
Personalisht
jam e mendimit se të tëra variantet, përfshi edhe zgjedhjet e parakohshme,
kishin anën e tyre pozitive. Boll që u lëviz nga ujërat e ndenjura. Kur je në
lëvizje çdo produkt, gjithsesi, është më i mirë se ekzistuesi.
Pavarësisht nga të gjitha sa thashë më sipër,
personalisht zgjedhjet e parakohshme i kam konsideruar një mision të pamundur
për opozitën, sepse do të ishin zgjedhje me të njëjtat standarde dhe produktin
e tyre ne tashmë e njohim.
Për mendimin tim alternativa e zgjedhjeve të parakohshme
u përdor me qëllim që të krijohej një lloj joshjeje dhe ndarjeje për efekte të
përpjekjeve për zotërimin e PS-së, për të fshehur defektet në funksionimin e
saj, sesa si një mundësi reale apo e dëshiruar.
Në terma afatshkurtër, pas dy kongreseve problematike,
edhe në rastin kur kishte heshtje, heshtja foli shumë. Zgjedhjet e parakohshme
do të kishin vetëm një funksion: atë të fazës së fundit të asgjësimit
pjesë-pjesë të mendimit ndryshe në PS.
Sa për kujtesë, një pjesë u eliminuan në fazën
përzgjedhëse të kandidatëve për zgjedhjet e pushtetit vendor, gjë e cila çoi në
humbje të shumë komunave dhe bashkive të zotëruara më parë prej PS-së; një
pjesë u eliminuan në procesin e përzgjedhjes së delegatëve për në kongres;
pjesa tjetër në listat për kandidim për Asamblenë Kombëtare; një pjesë në
procesin e votimit në kongres; një pjesë me përjashtim pas votimit për
Presidentin; një pjesë në zgjedhjet për Kryesi, kështu që duhej mbaruar punë
edhe me grupin parlamentar.
Kjo duket akoma më e rëndë kur mendon se këto veprime
ndërmerren nga zoti Rama, i shpallur si njeri i ndryshimit, përkrahës dhe
përfaqësues i mendimit ndryshe në PS, përkrahës i fraksioneve etj.
Mos vallë këto ishin fasadë për të realizuar objektivin
e shumëëndërruar dhe nuk duhet të shërbejnë për askënd tjetër, prandaj u fshinë
nga statuti i ri?
Pra kemi një rikthim në identitetin parareformues, në
vend të vazhdimit të procesit real reformues, sepse njihen tashmë nga publiku
proceset reformuese në PS, të cilat e kishin bërë atë forcën më demokratike dhe
liberale në Shqipëri.
Sot
shihet qartë se treni i Ramës në çdo stacion po lë nga një vagon, me socialistë
apo me aleatë.
Prandaj
PS duhet të kryejë ndryshimin e kursit të proceseve të saj reformuese, duke i
përdorur ato si procese shëndoshjeje dhe fuqizimi dhe jo si mekanizma qethës e
likuidues, sepse përndryshe do të mbetemi vetëm me lokomotivën.
Ky
do të ishte rasti fatal për opozitën.
Kjo
klimë, më shumë se sa vetë Ramës, u shërbeu dhe u shërben aspirantëve për
akaparim postesh në PS, të pamundura në procese normale konkurruese për ta.
Pra, në konkluzion mendoj se
opozita në tërësi dhe PS në veçanti janë mekanizma gjigantë, të cilët, për t'i
drejtuar, udhëhequr dhe lëvizur në drejtimin e duhur, duhet jo vetëm të duash,
por edhe të dish dhe, veç kësaj, edhe të mundesh. Deri më sot, përveç dëshirës,
është demonstruar se dija dhe aftësitë nuk kanë qenë në nivelin e duhur.
Egocentrizmi
prezent në të gjitha nivelet po i orienton në rrugën e gabuar të shenjimit
vetëm të objektivave personalë, të zhytjes në një kacafytje të brendshme, që lë
jashtë vështrimit të tyre krizën, e cila është ulur këmbëkryq, duke u thelluar
çdo ditë dhe duke u bërë shumëdimensionale.
Shmangia
e zgjedhjeve të parakohshme ka krijuar mundësinë e një kohe të mjaftueshme për
të rikuperuar energjitë, për t'i bashkuar dhe shumëfishuar fuqitë, duke i
përdorur ato pozitivisht dhe në drejtimin e duhur, si dhe duke e vendosur
opozitën në kufijtë e misionit të saj real si opozitë.
Mbi
të gjitha, më shumë punë i duhet PS-së për të rimarrë rolin e munguar të
liderit të koalicionit opozitar, rol të cilin, për hir të së vërtetës, duhet
pranuar se po e luan LSI.
Për këtë duhet vizion, vullnet, vetëdije.
I takon lidershipit të PS-së të ndryshojë kurs dhe të
rrisë kohezionin e brendshëm dhe kolegjialitetin në të, në të gjitha nivelet në
parti së pari e mandej në koalicion.
Mbi të gjitha i takon anëtarësisë dhe çdo force
progresiste brenda saj të mos tregohen konformiste, por të reagojnë dhe të
shpalosin kurajon për ta vlerësuar situatën realisht, për t'i emërtuar veprimet
dhe mosveprimet me emrin e tyre të vërtetë, mbi të gjitha për ta bërë PS vërtet
një parti opozitare, që ndërmerr veprime konkrete politike, që prek, evidenton
dhe lufton plagët reale të shoqërisë së sotme shqiptare.
Deri tani nuk e kemi parë një gjë të tillë. Vetëm një
opozitë, e cila investohet në këtë drejtim, duke ofruar alternativa dhe
kontribute integruese, brenda vetes (jo të vazhdojmë me sindromën e shenjimit
të njëri-tjetrit në salla socialistësh të ndarë).
Në këtë rast përgjegjësia është e drejtimit zyrtar, i
cili duhet të krijojë klimën e nevojshme për dialog dhe integrim të faktorëve
të brendshëm, partiakë dhe opozitarë, në planin kombëtar dhe më tej në planin
europian dhe euroatlantik.
Vetëm një opozitë e cila investohet në këtë drejtim
meriton të vijë në pushtet.
Gjysma e vjeshtës ka kaluar. Nuk duhet humbur edhe ky
sezon provimi, ndryshe do të ngelim në klasë.
Tetor 2007
PËRBALLIMI I PËRGJEGJËSIVE TË QEVERISJES
Ky shkrim së bashku me shkrimin Urrejtja përvëluese e
Berishës, ju dërguan për botim Gazetës "Koha Jonë", me premtimin e
botuesit se do të botoheshin. Kjo nuk
ndodhi.
Nuk e di prej kujt dhe përse u penguan të botoheshin, duke
përfunduar paraprakisht në tavolinën e punës së një drejtueseje të lartë të
legjislativit, gjë e cila bëri, që, ndërkohë që unë kisha ardhur nga Amerika e
largët, për t'u deklaruar vullnetarisht në lidhje me një çështje të përfolur
mediatikisht, bëri që të shpejtoheshin punët dhe jashtë parashikimeve të ligjit
unë të mos pyetesha apo kontaktohesha fare, por në mënyrë arbitrare të
gjendesha në qelitë e paraburgimit, gjë e cila kushtëzoi zhvillimet e mëtejëshme.
Pas asaj që ndodhi këto shkrime e patën të vështirë të gjenin
dritën e botimit.
Luiza Hoxhaj
PËRBALLIMI I PËRGJEGJËSIVE TË QEVERISJES
Çdo forcë politike prezantohet në
fushata elektorale me programin elektorale dhe në bazë të cilësisë,
objektivitetit si dhe besueshmërisë së tyre votohet prej elektoratit.
Njëkohësisht, forca politike e bazon suksesin e saj edhe tek njerëzit që do ta
zbatojnë këtë program.
Që të bësh efektiv një program, është
e nevojshme që për zbatimin e tij të impenjohen njerëz që besojnë tek ky
program, që e njohin atë, por edhe që janë të interesuar që forca politike të
vlerësohet e përgjegjshme prej elektoratit për angazhimet dhe premtimet
elektorale. Jo më kot shteti demokratik ka dhe rregullat se si demonstrohet kjo
përgjegjshmëri.
Përveç rolit të rëndësishëm që ka
organi ligjvënës, prej të cilit burojnë të gjitha pushtetet, sepse në fund të
fundit aty e ka fillesen gjithçka, por nuk mbaron gjithçka po aty, mbasi këto
përgjegjësi respektohen edhe nga pushtetet e tjera.
Politikat e hartuara dhe
materializuara në ligje apo vendime të parlamentit mbeten në letër, nëse nuk
bëhen të zbatueshme nëpërmjet akteve të tjera nënligjore cilësore, që hartohen
nga ekzekutivi dhe zbatohen po prej tij apo prej institucioneve të tjera të
pavarura, si pushtete të ndara, gjë e cila është shumë saktë e shprehur në
Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në shërbim të këtij pushteti është një
armatë e tërë nëpunësish të të gjitha niveleve të administratës publike apo të
institucioneve të tjera.
Për mënyrën e funksionimit të kësaj
administrate si dhe mënyrën e rekrutimit të saj janë përcaktuar rregulla dhe
kritere të fiksuara në aktet ligjore apo nënligjore. Kjo me të vetmin merak që
kjo administratë të konsolidohet dhe të sigurojë vazhdimësinë. Por, ndërsa e
shkruara nuk është edhe aq keq, për zbatimin nuk mund të thuhet e njëjta gjë.
Për të harmonizuar efektin e rotacionit të pushtetit me vazhdimësinë e kësaj
administrate, ashtu si në gjithë botën, edhe në administratën tonë postet janë
të ndara në poste politike dhe civile dhe, si të tilla, rregullat e rekrutimit
janë të ndryshme.
Por ç’ndodh në praktikë?
Pushtetin e fiton forca politike apo
koalicioni i disa forcave politike dhe, si të tilla, ato kanë përgjegjësinë e
qeverisjes. Sapo mbaron ky proces, gjithçka shmanget nga normaliteti. Në poste
politike, për moderacion apo thjesht për të vazhduar me sindromën e besnikëve
personalë, emërohen njerëz që nuk kanë fare lidhje me forcën politike apo
koalicionin përkatës (si të tillë, pra pa detyrime përballë kësaj force apo
këtij koalicioni). Në poste teknike mund të ndodhë edhe e kundërta.
Mendimi se në poste politike duhen
emëruar vetëm elementë që i përkasin anëtarësisë së partisë apo koalicionit
fitues nuk është anakronik. Një përfaqësues i Partisë Laburiste angleze, në një
seminar trajnues, kur iu bë një pyetje se cila është eksperienca e tyre në këtë
drejtim, përgjigjja e tij ishte: Në të gjitha rastet, që të përfaqësosh në
ekzekutiv dhe kudo në Partinë Laburiste, duhet të jesh anëtar i saj. Pra, edhe
eksperienca e partive moderne është e tillë.
Njerëzit e marrë vetëm për miqësi,
duke mos ndjerë përgjegjësi, e shpërdorojnë edhe miqësinë edhe besimin dhe
ndodh pastaj si tek përralla me rrepat, në sistem zinxhirë rrokullisin
tatëpjetë të tërë.
Po kostot kush e
paguan?
Natyrisht, të qeverisurit që nuk
qeverisen sipas premtimit dhe forca politike që duhet të përballet përsëri me
votuesit dhe të paguajë kostot përkatëse, nëse nuk i ka përmbushur mirë
detyrimet. Pra, individi i rekrutuar në poste të tilla jashtë këtyre përgjegjësive
nuk paguan asgjë. Veç kësaj, edhe vetë administrata, duke e ndjerë veten të
pasigurt, të përkohshme, nuk investohet plotësisht dhe priret më tepër nga
avantazhet që të krijon vendi i punës sesa nga detyrimet. Rezultati – Jo
koment: – Një administratë që tërhiqet zvarrë.
Problemi është që duhet të vish në
qeverisje për të sjellë një ndryshim në cilësi, në thelb, jo thjesht në formë.
Por ç’ndodh në të vërtetë?
Një shumicë jo e pakonsiderueshme
është e mendimit se në praktikë nuk ndodh kështu. Për të materializuar një
koncept të tillë duhet kontributi i të gjithëve, por secili në vendin e vet. Në
administratë duhen tërhequr njerëz me vizione. Në këtë drejtim, niveli i
administratës është jo në cilësinë dhe përgjegjshmërinë e kërkuar. Ka një
rendje drejt tërheqjes së njerëzve të biznesit në këtë administratë, duke
përbërë herë pas here konflikt interesash apo edhe shqetësim për organizmat
ndërkombëtare. Unë mendoj se, pa e ekzagjeruar, duhet të vazhdojë konsolidimi i
klasës së biznesmenëve, i klasës së nëpunësve të administratës publike, por
edhe të vetë klasës politike.
Për mendimin tim, hapa të tillë,
përveç mesazhit pozitiv që japin për një qeverisje të hapur ndaj gjithë
elementeve të përgatitur profesionalisht, pra ndaj vlerave, garantojnë
njëkohësisht arritjen dhe ruajtjen e standardeve. Nëse kjo përdoret thjesht si
fasadë, ajo jep efektin e kundërt.
Rendja me tepricë ndaj kategorisë së
të zakonshmes jashtë forcës politike, me të vetmin “favor” se janë të panjohur,
për mendimin tim tregon se ne ose kemi varfëri (pra, nuk i justifikojmë
pretendimet se kemi dhe mirëpërdorim burimet tona njerëzore) ose nuk dimë t’i
vlerësojmë njerëzit tanë. Ata, në fakt, kanë avantazhin e madh, ndaj të
panjohurve, se besojnë tek programi i kësaj qeverie dhe janë më të prirur të
investohen për zbatimin e tij. Si të tillë, ata, kur janë më të mirë apo të
barabartë me kategorinë e të panjohurve, duhet të jenë të përzgjedhurit.
Ndoshta kanë një disavantazh se nuk dinë të lyejnë këpucët e eprorit, i
prezantojnë problemet pa llustër dhe nuk ndihen produkt i dikujt dhe, në këtë
rast, gjithë nderimin e kanë vetëm për punën.
Hapat e ndërmarra nga qeveria
socialiste për përsosjen e ligjit të shërbimit civil dhe përsosja e rregullave
dhe kritereve të rekrutimit të punonjësve të administratës publike i ngushtojnë
shumë hapësirat e subjektivizmit, por prapë, për mendimin tim, përqendrimi i
kompetencave në duart e një njeriu është tepër i lartë. Unë e kam frikë njeriun
me pushtet të pakufizuar. Të gjithë duhet ta kemi frikë një njeri të tillë,
kushdo qoftë emri i tij. Ne kemi vuajtur si komb nga njerëz të tillë. Kujtesa
është shumë e afërt në kohë. Mentaliteti i klasës së sotme politike është i
tillë që spekulon edhe kur nuk i ka në dorë kompetencat, pale kur ato i ka me
bollëk dhe me përcaktime evazive. Kultura demokratike dhe kolegjiale lë shumë
për të dëshiruar. Zot na ruaj nga pushteti i njëshit në çdo pozicion qoftë ai.
Rreziku më i madh i këtij modeli është abuzimi me pushtetin.
Pavarësisht se jam e angazhuar në
politikë, objektivat e mia në këtë angazhim janë shumë larg kësaj sindrome. Unë
besoj se forca politike ku unë jam angazhuar, tek programi i të cilës besoj,
nuk dëshiron t’i ofrojë publikut shqiptar këtë model qeverisjeje. Për këtë ne
duhet të japim të gjithë kontributin tonë. Të rrëshqasesh drejt modeleve të
tilla është shumë lehtë. Prandaj duhet të qëndrojmë syhapur e mendjemprehtë.
Këtë duhet ta bëjmë jo thjesht për interesa të caktuara të forcës politike që i
përkasim, por për të lënë një model të trashëgueshëm, i cili me kohë do të
përsoset, por jo përmbyset.
Ky shkrim është përgatitur për botim
në prill të 2004, botim i cili nuk u realizua për shkak të emërimit tim në
detyrën e Prefektes së Qarkut Berat. Kjo nuk u bë për konformizëm, por thjesht
në respekt të detyrës, si përfaqësuese e qeverisë, këtë duhej ta bëja në mënyrë
institucionale.
Sot mendoj se ia vlen t’i rikthehesh
kësaj teme me theks të veçantë, sepse dukuritë përsëriten, tashmë në shkallë
dhe përmasa më të mëdha. Kemi një administratë jo që thjesht zvarritet, por,
për më keq, ka ngecur në vend. Jemi në kushtet kur ka filluar përmbysja. Po
riciklohet teoria e zeros. Kudo sundon parimi dielli lindi kur linda unë. Edhe
plot veprimtari që janë kryer apo përgatitur më parë prezantohen si risi, si
prurje të individit të ri. Në shumë raste, për interesa të mbijetesës, po
kultivohet dyfytyrësia në administratë. Ç’mund të presësh nga ajo pjesë e
administratës pa dinjitet. Ndërsa ne jemi përpjekur të kultivojmë dinjitetin,
ky nuk është një proces i vazhduar. Modeli i frikshëm i njëshit rri mbi kryet e
gjithë secilit. Ky model do të neutralizonte dhe do të bënte të paefektshëm
edhe frymën pozitive dhe optimizmin, që transmeton angazhimi në nivele të larta
të administratës të një gjenerate të re intelektualësh dhe teknikësh, me formim
dhe vizion modern bashkëkohor. E them këtë, sepse gjykoj se e nesërmja është
një punë e imët, që përgatitet çdo ditë nga administrata disa mijëshe në çdo
sektor. Rotacioni politik është në thelbin e shoqërisë demokratike. 3 Korriku
kushtëzoi një gjë të tillë, por në demokraci rotacioni është proces përsosjeje;
si i tillë, ai trashëgon gjithçka pozitive. Sot mendoj që, nga modeli që
përmenda, në vend të trashëgohen anët më pozitive të tij, po thellohen dukuritë
negative. Nëse do të ecet me këto deformime, e nesërmja që na përgatitet nuk do
të jetë optimiste. Kjo situatë alarmante kërkon zgjim dhe reagim pozitiv
institucional. Kjo situatë kërkon reflektim ndaj rekomandimeve apo vendimeve të
institucioneve të tjera të pavarura. Kjo është demokracia. Ky është shteti
ligjor. Koalicioni qeverisës duhet të mirëpërdorë energjitë e tij pozitive. Kur
nuk reagon qeverisja, radha i mbetet shoqërisë civile, individëve dhe së fundi
opozitës. Kjo duhet të ndodhë sot. Nesër do të jetë vonë.
Luiza Hoxhaj
TIRANË, më 23.01.2006
Pas një viti shoh se në cdo sektor kanë mbirë të paaftët dhe
treguesit përkeqësohen. Kjo keqqeverisje duhet ndalur. Kjo duhet realizuar me
votën e njerëzve progresiste.
Megjithëse ishin zgjedhje administrative, zgjedhjet e 18
Shkurtit kanë shumë për të treguar. Ato
duhen lexuar drejt. Reflektimi duhet të jetë i shpejtë dhe i saktë.