Dy shqetësime më
vijnë vazhdimisht në mendje kur vëzhgoj mënyrën se si po zhvillohet territori
në shumë zona të Shqipërisë.
Së pari, raporti midis zhvilluesve të projekteve dhe
komuniteteve vendore shpesh perceptohet si i çekuilibruar. Në disa raste
krijohet ndjesia e një qasjeje të distancuar dhe jo gjithmonë të ndjeshme ndaj
banorëve që jetojnë pranë këtyre ndërhyrjeve apo që ndajnë drejtpërdrejt
hapësirën me to. Përtej aspekteve ligjore dhe teknike, kjo ngre një çështje të
rëndësishme të etikës së komunikimit, si në aspektin procedural ashtu edhe në
atë njerëzor. Respekti për komunitetin, informimi, konsultimi dhe dialogu nuk
duhet të jenë formalitete, por pjesë e pandashme e kulturës së zhvillimit të
territorit. Në fund të fundit, çdo çështje që lidhet me territorin duhet të
trajtohet përmes komunikimit institucional, transparencës dhe procedurave të
rregullta ligjore. Çdo ndërhyrje fizike në pronë apo në infrastrukturë, pa
paralajmërim të qartë dhe pa një proces të verifikueshëm, krijon ndjesinë e
mungesës së sigurisë juridike dhe të arbitraritetit në veprim. Kjo dëmton jo
vetëm besimin e qytetarëve, por edhe vetë legjitimitetin e procesit të
zhvillimit.
Nuk është fjala
për raste të veçanta, të cilat kanë rrugët e tyre institucionale dhe ligjore
për t'u trajtuar. Fjala është për klimën e përgjithshme që krijohet në raportin
midis zhvillimit, territorit dhe komunitetit. Një klimë e bazuar në komunikim,
transparencë, respekt të ndërsjellë dhe siguri juridike prodhon besim. Një klimë e bazuar në
imponim, mungesë dialogu dhe distancë nga komuniteti prodhon mosbesim dhe
konflikt.
Së dyti, vihet re një prirje e vazhdueshme për
përdorimin e emërtimeve në gjuhë të huaj për komplekset rezidenciale dhe
turistike, duke lënë në hije toponiminë vendore dhe identitetin gjuhësor të
territorit. Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja se cilat janë kriteret që
udhëheqin këto zgjedhje emërtimi në raport me rregullimin e territorit dhe
ruajtjen e identitetit kulturor.
Në fakt, shumë prej këtyre hapësirave mund të
emërtoheshin lehtësisht dhe bukur në shqip, duke ruajtur lidhjen me vendin dhe
historinë e tij. “Green Coast” mund të ishte “Gjiri i Gjelbër”, ose thjesht
“Gjiri i Palasës”. “White Rocks” mund të ishte “Shkëmbinjtë e Bardhë”. Emra që
jo vetëm përshkruajnë peizazhin, por edhe ruajnë kujtesën dhe identitetin e
vendit.
Këto nuk janë vetëm çështje estetike apo formale. Ato
lidhen me mënyrën se si e konceptojmë zhvillimin, marrëdhënien me komunitetin
dhe respektin për identitetin kulturor e territorial. emërtimi është pjesë e
identitetit territorial dhe jo thjesht marketing
Në pamje të parë, etika e komunikimit dhe emërtimet e
komplekseve mund të duken si çështje të ndryshme. Në thelb, ato burojnë nga i
njëjti raport me territorin: a e shohim atë vetëm si një aset ekonomik për t'u
shfrytëzuar, apo si një hapësirë jete, kujtese, identiteti dhe bashkëjetese?
Pikërisht për këtë arsye,
nevojitet një debat më i gjerë publik mbi mënyrën se si po zhvillohet territori
në Shqipëri. Një debat që të mos kufizohet vetëm te aspektet ekonomike dhe
ndërtimore, por të përfshijë edhe komunitetet vendore, identitetin e vendeve,
etikën e komunikimit dhe parimet e demokracisë pjesëmarrëse, pa të cilat
zhvillimi rrezikon të jetë i suksesshëm në shifra, por jo domosdoshmërisht në
cilësinë e jetës dhe mirëqenien territoriale.
Nevojitet një debat i gjerë publik mbi kulturën e zhvillimit
të territorit në Shqipëri. Një debat që të përfshijë jo vetëm ekonomistë,
urbanistë, investitorë dhe institucione, por edhe komunitetet vendore. Sepse
cilësia e zhvillimit nuk matet vetëm me atë që ndërtojmë, por edhe me mënyrën
se si e ndërtojmë, si komunikojmë dhe sa respekt tregojmë ndaj njerëzve,
historisë dhe identitetit të vendeve ku ndërhyjmë.

