Mendova të hedh këto pak rreshta për një premtim elektoral, të bukur dhe të dobishëm në vështrimin tim, i cili besoj se nuk do të mbetet thjesht një ëndërr. Lëvizja është një nevojë primare e njeriut. Por njerëzit kanë njëkohësisht nevojën e qetësisë dhe të një ambienti të shëndetshëm. Të gjesh ekuilibrin e duhur nuk është gjithnjë e thjeshtë. Pikërisht në një zonë si Vlora, me funksionin e saj tranzit, dhënë nga pozicioni i saj gjeografik, lëvizja dhe trafiku përbëjnë një temë me rëndësi të madhe, që do të mbetet e tillë edhe në të ardhmen. Detyra jonë është të gjejmë zgjidhjet në gjendje të krijojnë një lëvizje të qëndrueshme. Një opsion i tillë është edhe “Autostrada Blu”.
Së dyti, i shkrova këto radhë edhe për faktin e thjeshtë meqë kjo çështje ka marrë edhe vëmendjen e disa analistëve të respektuar, pak skeptikë ndaj këtij premtimi. Autostrada Blu, apo autostrada e detit, siç do të na pëlqente ta thërrisnim ne vlonjatët, e prezantuar dhe premtuar nga lideri i PS-së, z. Edi Rama, në takimin e prezantimit të kandidatëve socialistë në Vlorë – me veçanti prezantimin e tij si kandidat për deputet i këtij qarku – e përfshirë edhe si një nga prioritetet e programit të Rilindjes dhe e atakuar nga lideri i PD-së, z. Sali Berisha, nuk është një utopi, por është një premtim realist.
Kjo autostradë është në koherencë të plotë me projektet evropiane për të ndërtuar Autostradën e Detit Mesdhe. Ky projekt madhor pan-evropian është një projekt për të vlerësuar, ballafaquar dhe optimizuar transportin në të gjithë Evropën. Objektivi i këtij projekti është të racionalizojë, të përmirësojë dhe të optimizojë metodat e punës, si dhe procedurat e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, secili në segmentin e interesuar (mallrat nga portet drejt autostradës në brendësi të vendit, flukset e turistëve nga portet drejt autostradës së detit).
Realizimi i këtij projekti do t'i shërbejë shumë njërit prej sektorëve prioritarë të zhvillimit të vendit dhe qarkut të Vlorës në veçanti, si një rajon prioritar për turizmin e të gjitha llojeve: bregdetar, sportiv, malor, kulturor, arkeologjik, përfshirë edhe atë elitar. Kjo gjë u shpjegua shumë mirë edhe gjatë prezantimit të programit të Rilindjes. Ajo thjesht do të jetë një nga treguesit se Shqipëria do të ecë me hapin e kohës. Pulsi i saj i zhvillimit duhet të jetë në të njëjtën frekuencë me zhvillimet sipas standardeve më të përparuara të kohës. Forca e këtyre premtimeve, sipas meje, qëndron pikërisht në gjërat e thjeshta të jetës sonë të përditshme.
Pika e dytë e fortë që ofroi në prezantimin e tij në Vlorë Rama ishte premtimi se agrobiznesi dhe turizmi, të shoqëruara me infrastrukturën e përshtatshme (kupto lidhjet me akset kombëtare të rrugëve lokale, përfshirë rrugën e Labërisë, një ëndërr e hershme e cila do të rijetësonte këtë zonë, dhe aksesin në internet), do të ndërtojnë të ardhmen e qarkut të Vlorës. Zhvillimi i sipërmarrjes në Vlorë, sipas tij (ndaj të njëjtin mendim), e ka një zemër që rreh: agrobiznesin dhe turizmin, të cilët duhet të nxiten dhe të promovohen, duke krijuar rrjetet e nevojshme të kooperimit. Në këtë mënyrë do të promovohet Vlora.
Ky është një vizion pragmatik, që bazohet në avantazhet që sjell adoptimi i një modeli strategjik dhe organizativ, mundësi të rëndësishme të potencimit të këtyre sektorëve kyç, duke përshkuar së bashku lindjen e një evolucioni, të një zhvillimi i cili nuk bazohet në vepra faraonike. Jam e bindur se tek bashkëpunimi qëndron forca për të përballuar sfida të mëdha, siç janë zhvillimi i bujqësisë dhe i turizmit.
Kjo bindje bazohet në traditën e qarkut tonë, në vlerat e tij, në idetë që gjenerojnë në përditëshmërinë tonë. Historia na tregon se këta sektorë operojnë në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin dhe duhen vlerësuar si të tillë, si motorë të zhvillimit tonë ekonomik dhe social dhe si burim i mirëqenies. Ekzistojnë tashmë iniciativa ekselente në qarkun e Vlorës. Jam shumë e bindur se duke lënë dhe krijuar hapësirën e nevojshme, lirinë e nevojshme të individit për koncepte të reja, do të lindin ide të mira në rajon. Idetë e mira janë shpesh fillimi i një historie suksesi. Por vetëm idetë e mira nuk mjaftojnë. Për realizimin e tyre nevojiten edhe partnerë të mirë. Në këtë rast është Partia Socialiste me programin e saj, që ofrohet si partner i qytetarit për realizimin e ideve më të mira dhe për zhvillimin e qarkut tonë në veçanti dhe të vendit në përgjithësi. I vetëm mund të prodhosh, por vetëm së bashku mund të realizosh vlerë të shtuar: zhvillim.
Pikë tjetër që ka lënë skeptikë një pjesë të mirë të opinionbërësve është se portit nuk iu kushtua vëmendja e duhur. Përkundrazi, do të thosha unë. Porti ishte një nga shigjetimet për premtimet e pambajtura të mazhorancës aktuale. Rikthimi në vëmendje të publikut tek rëndësia e dikurshme që ka pasur Porti i Vlorës 5 shekuj më parë është i shoqëruar me premtimin se do t'ja kthejë Vlorës shkëlqimin që ka pasur në hartën e porteve detare. Kësaj ideje i shërben edhe “autostrada e detit”. Por kjo jo domosdoshmërisht realizohet duke përqafuar projektin aktual të portit, i cili është në papajtueshmëri me prioritetet kryesore të zhvillimit të qarkut të Vlorës. Sigurisht kjo kërkon diçka shumë më të mirë se ai projekt.
Në kohën e duhur, në renditjen e duhur të prioriteteve, unë besoj se qeverisja e ardhshme do të japë opsionin më të mirë. Projekti i zhvillimit të Vlorës me resurset, larminë e prioriteteve, larminë e klimës dhe vlerave historike, kulturore dhe arkeologjike kërkon një projekt më të mirëmenduar, i cili do të harmonizojë të gjitha këto prioritete. Në Vlorë dhe jo vetëm u prezantuan gjërat e thjeshta të përditshme, të cilat nuk i njohin ata që nuk i kanë në kurriz çdo ditë, të cilat e përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të këtij vendi qysh në momentin e parë. Ato janë prioritete të cilat së pari duan vullnet, i shoqëruar ky me dijen dhe kapitalin social të nevojshëm. Ato janë çështje të cilat duan thjesht ta duash këtë vend dhe të investohesh për prosperitetin e tij. Nëse e duam këtë vend, e vetmja “vepër e madhe” për të cilën vendi ka nevojë është vendosja nën siguri e territorit të tij dhe ristartimi i bujqësisë cilësore.
Luiza Hoxhaj
Tiranë, më 21.05.2013
Tiranë, më 21.05.2013

