Search This Blog

Wednesday, May 15, 2013

“Aisbergu ynë po shkrin!”-Optika e ndryshimit

(Botuar në gazetën “Tirana Observer”, dt. 19/05/2013, rubrika Forum)

Duke ndjekur zhvillimet paraelektorale, tashmë zyrtarisht edhe ato mirëfilli elektorale, mendova t’i drejtohem një përalle të thjeshtë dhe të shkurtër nga John Kotter dhe Holger Rathgeber të cituar në titull: “Aisbergu ynë po shkrin” (“Our iceberg is melting”), me mendimin se ajo i vjen në ndihmë gjykimit tim rreth kësaj atmosfere. Morali i saj është po ashtu i thjeshtë: ai na tregon mbi atë se sa shumë na nevojitet të qëndrojmë metej me hapin e kohës në një botë vazhdimisht në ndryshim. Në këtë sens, kjo është një histori e cila ka ndihmuar tashmë mijëra ndërmarrje dhe persona për të “ndryshuar”. Si një mënyrë sjelljeje e provuar, kjo sigurisht vlen gjithashtu edhe për të ndihmuar një shoqëri të ndryshojë.

Sipas përrallës, një koloni pinguinësh jeton në Antarktidë. Janë pinguinë të bukur mbretërorë dhe jetojnë mbi një aisberg prej shumë vitesh. Njëri prej tyre, një ditë, llogarit që kjo parajsa e tyre e vogël, aisbergu që e quajnë shtëpi, është duke u shkrirë. Por askush nuk e dëgjon. Kjo ndodh për shkak se nuk është e thjeshtë të pranosh që ekziston mundësia që ajo që ke krijuar deri në atë moment, gjithçka që je ambientuar të shohësh dhe ta njohësh si familiare, një ditë nuk do të jetë më aty; se ajo nuk do të jetë e palëvizshme dhe jo vulnerabile. E megjithatë, kjo ndodh shpesh.

Por kthehemi tek historia ku kemi gjashtë personazhet e saj, gjashtë karaktere dhe gjashtë mënyra të ndryshme të reagimit ndaj ndryshimit të paevitueshëm që kolonia e pinguinëve do të duhet të përballojë. Pavarësisht emrave: Fred, Louis, Alice, Buddy, Profesori dhe NoNo, ata personifikojnë njerëz që na rrethojnë çdo ditë. Secili prej nesh mund të gjendet në vendin e secilit prej këtyre pinguinëve. Secili prej nesh mund të ketë një koleg, një mik, një familjar që reagon ndaj të resë.

Historia e tyre është historia e rezistencës ndaj ndryshimit, historia e një “fitoreje heroike” mbi pengesa në dukje të pakalueshme. Ajo është historia e një kohe në të cilën ndryshimi nuk mund të evitohet më. Ajo është gjithashtu edhe historia e kohës sonë. Por mbi të gjitha, historia e tyre mund të përkthehet në një guidë të vogël, e cila na ndihmon se si duhet të reagojmë ndaj ndryshimit, një guidë të cilën mund ta përmbledhim në tetë pika si më poshtë:

1.    Duhet të krijojmë një sens të urgjencës. Askush nuk lëviz nëse ndryshimi nuk është i domosdoshëm dhe eminent.

2.    Është e domosdoshme kështu të krijosh një skuadër, një grup të aftë të udhëheqë ndryshimin e gjithë pjesës tjetër të kolonisë (ndërmarrjes, familjes, organizatës, shoqërisë).

3.    Nuk harrojmë të zhvillojmë një vizion dhe një strategji, duke sqaruar si do të jetë e ardhmja dhe si mund të arrihet kjo.

4.    Komunikojmë, duke tentuar të arrijmë maksimumin e konsensusit.

5.    Të lemë të reagojnë të gjithë, në mënyrë që të gjithë ata që duan të ndryshojnë të mund ta bëjnë atë.

6.    Të mos nënvlerësojmë rëndësinë e piketave, objektiva të vogla në terma afatshkurtër që na udhëheqin drejt drejtimit final dhe që forcojnë idenë e suksesit.

7.    Të mbajmë vazhdimisht sensin e urgjencës në çdo moment.

8.    Të krijojmë një kulturë të re të ndryshimit, derisa kjo të na bëhet një zakon.

Sot është momenti për ndryshim. Ne tashmë kemi krijuar skuadrën fituese të Rilindjes. Vizioni ynë, strategjia jonë janë shpalosur tek Programi i Rilindjes. Çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë skuadra e Rilindjes dhe stafet përkatëse (dhe jo vetëm ato) janë duke punuar për zgjerimin e konsensusit. Gjithëpërfshirja në këtë program po e krijon këtë mundësi për të gjithë për të ndryshuar dhe për të kontribuar. Organizimi në detaje po përforcon çdo ditë bindjen tek suksesi. Çdo ditë e më tepër po formëzohet një kulturë e re për ndryshimin. 23 Qershori do të jetë ai që do të konfirmojë saktësinë e respektimit të kësaj "guide".

Në konkluzion mund të themi që, nëse nuk je në optikën e ndryshimit, je një lloj specie që do të ruash ekzistencën me qëllim që të konservosh rolet dhe pushtetin që zotëron, të cilat “Ndryshimi” do të mund të t'i vendoste në diskutim. Nën këtë vështrim, do të thosha se optika e ndryshimit që na ofrohet në sloganin: “Ne jemi ndryshimi. Përpara” është disi primitive ose, më saktë, është një optikë e mosndryshimit. Ajo tenton të ruajë “status quo-në”. Ajo është në fakt një optikë që niset nga hipoteza që organizatat (partitë në këtë rast) apo edhe vetë shoqëritë tentojnë stabilitet (kupto mosndryshim), nëse nuk ndërhyn një ekspert menaxher (lideri partiak në këtë rast) që na detyron të ndryshojmë.

Por dihet që organizatat dhe shoqëritë kanë një proces të tyre evolucioni autonom, i cili vepron çdo ditë. Kjo do të thotë që, ndërsa ne projektojmë ndryshimin nga lart, organizata dhe shoqëria ndryshon për llogari të saj në një mënyrë të paparashikueshme. Pra ajo që mund të bëjmë ne është vetëm ta njohim këtë proces të evolucionit të pavarur dhe ta qeverisim atë. Kjo besoj se realizohet me procesin e “Rilindjes”.

E them me procesin, sepse sipas meje “Rilindja” duhet të kalojë, siç po ndodh në fakt, përmasat e një programi duke u kthyer në një frymë dhe proces i cili të frymëzon dhe të përfshin. In këtë mënyrë realizohet ndryshimi i madh, i cili nuk injektohet nga lart, apo realizohet lart duke thënë "ne jemi ndryshimi", por realizohet në terren.

Luiza Hoxhaj

Tiranë, më 15.05.2013

1 comment:

Luiza Hoxhaj said...

Shënim i autores (Qershor 2026): Duke u kthyer pas në kohë tek ky shkrim i vitit 2013, ndiej nevojën të ndaj një prapaskenë të rëndësishme mbi konceptualizimin e tij. Kur kam shkruar për "skuadrën e Rilindjes" dhe "procesin që nuk injektohet nga lart, por realizohet në terren", në imagjinatën dhe formimin tim intelektual kjo lidhej pashmangshmërisht me frymën e madhe të Rilindjes sonë Kombëtare dhe lëvizjeve vizionare si Lidhja e Prizrenit. Këtë koncept dhe koherencën time të plotë e kam shpjeguar gjerësisht që në shkrimin tim të 30 janarit 2013 ("Rilindja dhe forca për të ndryshuar"), e më tej në diskutimet e gjata e plot vlerë që u zhvilluan në hapësirën e komenteve me z. Pëllumb Kaciqi.Sot, në vitin 2026, kjo optikë mbetet më aktuale se kurrë. Koha ka vërtetuar se ndryshimet e qëndrueshme shoqërore dhe institucionale nuk vijnë asnjëherë si direktiva të gatshme nga lart, por si një proces dhe frymë që buron nga vetë qytetarët në terren. Vetëm duke mbajtur gjallë këtë kulturë të evolucionit të pavarur, mund t'i bëjmë ballë sfidave të sotme dhe të mbrojmë "aisbergun" tonë në një botë që ndryshon me shpejtësi.