Liria eshte si deti. Nuk mund te jete e mbyllur dhe si deti nje njeri i lire eshte perhere i tille. (Humbert du Charbon) Ne se vendosni te jeni te lire, ju nevojitet vetem nje gje: kurajo per te qene vertet te tille.
Search This Blog
Sunday, March 31, 2013
Perse ndermarrjet tona nuk punojne per projektet?
Saturday, March 30, 2013
Revolucioni i Tretë Industrial: Një revolucion i paplotë në vizionine Rifkin
Në këto shënime po i referohem Jeremy Rifkin dhe
librit të tij “Revolucioni i Tretë Industrial”. Ky libër përmban një profeci
që, sipas meje, mbetet përgjysmë, e paplotë. Dhe pikërisht për këtë arsye,
mundësia e realizimit të saj vihet në pikëpyetje. Për fat të keq.
Në çfarë konsiston Revolucioni i Tretë Industrial?
E thënë shkurt, ai mbështetet në disa elemente themelore: energjinë e
rinovueshme të prodhuar lokalisht, një rrjet të gjerë që lidh prodhuesit lokalë
dhe mundëson shkëmbimin e energjisë, një marrëdhënie të re me Natyrën dhe një
empati të re ndërmjet njerëzve, të favorizuar nga ndërlidhja dhe bashkëpunimi.
Me të gjithë këta elementë, të domosdoshëm në
rrugën e sotme të zhvillimit, jam dakord. Madje, i kam vendosur edhe në fokus
të punës së Qendrës për Studimin e Politikave Europiane për Zhvillimin Rajonal
dhe Lokal.
Por përse, sipas meje, parashikimi i Rifkin mbetet
një revolucion i paplotë?
Një përgjigje mund ta gjejmë në marrëdhënien midis
Rifkin dhe José Luis Rodríguez Zapateros, ish-kryeministrit të qeverisë së
majtë të Spanjës, të cilën vetë Rifkin e përshkruan në faqet 163–166 të librit
të tij.
Historia fillon me interesimin dhe angazhimin e
Zapateros për ta kthyer Revolucionin e Tretë Industrial në një rrugë themelore
të zhvillimit të Spanjës. Ky, sigurisht, ishte një qëllim fisnik. Për
realizimin e tij, Rifkin u angazhua intensivisht në hartimin e një Master
Plani, i cili do të orientonte transformimin e ekonomisë spanjolle sipas
vizionit të tij.
Por, sipas rrëfimit të Rifkin, kjo ndërmarrje nuk
arriti të jepte rezultatet e synuara. Më pas, Spanja u përball edhe me një
krizë të rëndë ekonomike, ndonëse më parë kishte përjetuar një periudhë bumi
ekonomik. Kjo nuk do të thotë se kriza erdhi si pasojë e mosrealizimit të
planit, por përvoja ngre një pyetje të rëndësishme për mënyrën se si
konceptohen dhe realizohen transformimet e mëdha.
Çfarë na mëson kjo histori?
Së pari, duhet thënë se idetë e Rifkin janë vërtet
të rëndësishme. Por procesi përmes të cilit ato synojnë të realizohen duket se
mbështetet në një logjikë kryesisht menaxhuese: disa njerëz të ditur hartojnë
një Master Plan, ndërsa të tjerët duhet ta zbatojnë atë.
Pavarësisht qëllimeve të mira, këtu shfaqet një
kundërthënie e mundshme: a mund të ndërtohet një shoqëri e organizuar mbi
parimin e decentralizimit përmes një metodologjie vendimmarrjeje që mbetet
kryesisht nga lart-poshtë?
Rifkin propozon kalimin nga një sistem energjetik i
centralizuar dhe hierarkik drejt një sistemi të shpërndarë, bashkëpunues, të
mbështetur në atë që ai e quan “fuqi laterale”. Por a mjafton ndryshimi i
strukturës teknologjike dhe ekonomike, nëse mënyra e konceptimit dhe drejtimit
të transformimit mbetet e centralizuar?
Edhe propozimi i tij për të zëvendësuar lobimin e
interesave të Revolucionit të Dytë Industrial me një lobim në favor të
Revolucionit të Tretë Industrial ngre një pyetje të ngjashme. A kemi të bëjmë
me ndryshimin e mënyrës së funksionimit të shoqërisë, apo vetëm me zëvendësimin
e aktorëve që ndikojnë mbi vendimmarrjen?
Në një shoqëri komplekse, idetë që lindin vetëm nga
qendrat drejtuese janë domosdoshmërisht të pjesshme. Ato vështirë se mund të
mobilizojnë shumicën e shoqërisë, nëse njerëzit nuk i kuptojnë, nuk i
përqafojnë me bindje dhe nuk bëhen vetë pjesë e procesit të ndryshimit.
Kjo nuk do të thotë se planifikimi është i
panevojshëm. Master Planet dhe strategjitë mund të jenë instrumente të dobishme
për të orientuar zhvillimin. Por ato nuk mund të zëvendësojnë transformimin e
vetëdijes shoqërore dhe as pjesëmarrjen e njerëzve në krijimin e së ardhmes së
tyre.
Nëse të mençurit, studiuesit dhe klasa drejtuese
duan vërtet të kontribuojnë në një revolucion, detyra e tyre nuk mund të
kufizohet në përshkrimin e botës që duhet të ekzistojë pas tij. Ata duhet të
ndihmojnë në krijimin dhe përhapjen e sistemeve të reja njohëse, duke bërë të
mundur që shoqëria jo vetëm t'i përvetësojë, por edhe të marrë pjesë në
zhvillimin e tyre.
Pra, ngado që të shkojmë, vijmë gjithnjë tek DIJA.
Historia e Rilindjes Europiane na mëson se
transformimet e mëdha nuk lindin domosdoshmërisht nga një projekt i
parapërgatitur. Rilindja u ushqye nga rizbulimi i kulturës klasike dhe nga
zhvillimi i mënyrave të reja të njohjes e të interpretimit të botës.
Mendimtarët, artistët dhe studiuesit e saj nuk kishin hartuar një Master Plan
të Rilindjes. Përmes veprës së tyre, ata kontribuuan në formimin e një
vetëdijeje të re, e cila ndryshoi gradualisht shoqërinë.
Nga revolucionet njohëse lindin ide, vepra arti,
institucione dhe mënyra të reja të organizimit të jetës.
Ndërsa Rifkin synon të ndërtojë në mënyrë të
ndërgjegjshme një transformim të përmasave të një Rilindjeje të re, duke e
mbështetur atë te revolucioni industrial. Por pikërisht këtu lind dilema: një
shoqëri e re, e decentralizuar dhe bashkëpunuese, nuk mund të jetë thjesht
produkt i një projekti të hartuar dhe drejtuar nga një qendër.
Cila është skema njohëse e
shoqërisë industriale?
Në një masë të konsiderueshme, ajo është ndërtuar
mbi një vizion mekanicist të botës, të frymëzuar nga fizika klasike. Sipas
këtij vizioni, realiteti mund të kuptohet duke e zbërthyer në pjesë, duke
njohur ligjet që i drejtojnë ato dhe duke parashikuar funksionimin e tërësisë.
Por zhvillimi i shkencës, veçanërisht fizika
kuantike dhe teoria e relativitetit, ka zgjeruar horizontin e njohjes dhe ka
treguar kufijtë e zbatimit të modeleve të mëparshme. Kjo nuk e zhvlerëson
fizikën klasike, e cila mbetet e vlefshme brenda fushës së saj të zbatimit.
Përkundrazi, na mëson se njohja zhvillohet përmes pohimit, rishikimit dhe
kapërcimit të kufijve të paradigmave ekzistuese.
Nuk është fjala për t'i zbatuar ligjet e fizikës në
organizimin e shoqërisë. Fizika përdoret këtu si metaforë e një transformimi
njohës dhe si frymëzim metodologjik: ndryshimet e mëdha kërkojnë edhe
ndryshimin e mënyrës se si e njohim, e interpretojmë dhe veprojmë mbi
realitetin.
Një shoqëri e re nuk mund të ndërtohet vetëm me
instrumentet njohëse dhe organizative të shoqërisë që synojmë të transformojmë.
Por një sistem i ri njohës nuk shndërrohet vetvetiu
në një mënyrë të re të organizimit të shoqërisë. Ai duhet të përhapet, të
kuptohet, të përvetësohet dhe të bëhet pjesë e vetëdijes kolektive. Këtu
qëndron roli i atyre aktorëve që, përmes dijes, krijimtarisë, komunikimit dhe
veprimit, arrijnë t'i bëjnë idetë e reja të kuptueshme dhe të pranueshme për shoqërinë.
Dhe ky nuk është një proces i njëanshëm. Shoqëria
nuk është vetëm marrëse e dijes së prodhuar nga të tjerët. Përmes përvojës,
ndërveprimit dhe pjesëmarrjes, ajo bëhet edhe krijuese e dijes dhe e
ndryshimit.
Ndërtimi i një shoqërie të re sot kërkon, pra, jo
vetëm teknologji të reja dhe burime të reja energjie, por edhe një mënyrë të re
të menduari dhe të vepruari. Mendimi kuantik, i përdorur këtu si metaforë e
kapërcimit të skemave të ngurta të njohjes, mund të na frymëzojë në këtë
drejtim.
Dhe pastaj do të jenë poetët, studiuesit, krijuesit
dhe drejtuesit, së bashku me vetë shoqërinë, ata që do t'i japin këtij mendimi
gjuhën, kuptimin dhe forcën për t'u shndërruar në vetëdije dhe veprim kolektiv.
Siç ka ndodhur edhe më parë në historinë njerëzore.
Sepse një revolucion nuk përmbushet vetëm kur
ndryshojnë teknologjitë dhe institucionet, por kur njerëzit bëhen bashkëkrijues
të ndryshimit.
Luiza
Hoxhaj
30.03. 2013
Më mirë të delegjitimosh apo të studiosh?
Shpesh dëgjojmë të thuhet: “Ti nuk je presentabël, unë po!” “Unë duhet të mbroj historinë time të kaluar, sepse kam qenë njeri i drejtë”... “E kaluara jote, megjithatë, është pak e errët, ti nuk je një njeri i drejtë”, etj., etj.
Mediat, debatet publike janë plot me sforco të
tilla për të legjitimuar vetveten, sepse ti je “i miri”, dhe për të
delegjitimuar të tjerët, sepse ata janë “të këqijtë”.
Në këtë pragzgjedhjesh, ndërkohë që fushata ka
startuar shumë përpara në kohë, doza e përdorimit të frazave të tilla
legjitimuese dhe delegjitimuese është rritur në fuqi eksponenciale.
Nisur nga ky fenomen, le të shohim situatën e këtij
vendi ku jetojmë dhe të botës që na rrethon. Mbas kësaj, le të shohim në sy
njëri-tjetrin dhe të lexojmë në thellësi të shpirtit.
Ky lexim do të na lejojë të vlerësojmë se sa
legjitim është vetë ky proces legjitimim-delegjitimimi. Jemi po ne, që
legjitimohemi dhe delegjitimojmë të tjerët, që bëjmë ose kemi bërë pjesë, prej
shumë vitesh, në klasën drejtuese të këtij vendi. Atëherë do të na duhet të
gjithëve ne të autodelegjitimohemi përballë kësaj situate, sepse nuk kemi
mundur të kërkojmë zgjidhje jashtë nesh: jemi ne ata që e kemi ndërtuar këtë
situatë në të cilën jetojmë. Sa më lart të jemi në hierarkinë e klasës
drejtuese, aq më shumë duhet të ndiejmë peshën e falimentimit, që, më parë se
falimentim i rezultateve, është një falimentim i yni.
Por të njohësh falimentimin nuk mjafton. Pastaj,
sigurisht jo me meritë, pjesa më e madhe e atyre që kanë keqmenaxhuar këtë
situatë bëjnë ende pjesë në klasën drejtuese dhe, si të tillë, duhet të marrin
përsipër përgjegjësitë e gjetjes së një strategjie të aftë të ndërtojë një
zhvillim të ri etik dhe estetik.
Hapi i parë është paevitueshmërisht një i vetëm: të
ndryshojmë ne vetë. Kjo nuk është retorikë, por është një gjë precize për të
ndryshuar urgjentisht: sistemet tona të dijes.
Të zhytur në një betejë të vazhdueshme mbytëse të
delegjitimimit reciprok, kemi humbur në vorbullën e padijes. Kemi snobuar gjithë
dijen që njeriu ka krijuar në dhjetëvjeçarët e fundit. Kemi mbetur me të
njëjtat ide të ripërsëritura prej dhjetëra vjetësh, të cilat na pengojnë
realisht të shohim shenjat e së ardhmes, shenjat e asaj që po vjen, të cilat do
të na lejojnë të projektojmë një botë të re. Atëherë, gjëja e parë që duhet të
bëjmë për të arritur të ndërtojmë një reputacion tek gjeneratat e ardhshme
është e thjeshtë: të studiojmë. Të përftojmë të gjitha dijet, të cilat janë të
pazëvendësueshme për të luajtur realisht rolin tonë si klasë drejtuese, të
cilat shpesh na mungojnë pothuajse totalisht.
Luiza Hoxhaj
Tiranë, më 30.03.2013
Friday, March 22, 2013
Indeksi i munguar i Ekonomisë së Dijes
Këto shënime i hodha nisur nga kërkesa që më bëri një vajzë e talentuar, shumë kërkuese ndaj vetes, shumë e dhënë pas së resë dhe përditësimit të dijeve, nëse kisha të dhëna mbi Indeksin e Dijes në vendin tonë. Të them të drejtën, megjithëse kam qenë vitet e fundit shumë e përfshirë në këtë fushë, nuk e kisha hasur këtë tregues, si edhe shumë të tjerë, në statistikat tona.
Vajzës, e cila nga ana e saj kishte kryer kërkime,
i rekomandova sitin e Bankës Botërore (të cilin ajo e kishte vizituar), si dhe
të studionte Raportin e Zhvillimit Njerëzor, si dhe Indeksin e Alfabetizimit,
si një nga Objektivat e Mijëvjeçarit, të cilët, në mënyrë indirekte, do e
çonin, sipas meje, tek ky tregues i munguar.
Dihet që Banka Botërore ka krijuar bankën më të
gjerë të të dhënave të indikatorëve krahasues në nivel ndërkombëtar, të cilët
shohin variablat kryesore ekonomike dhe sociale të konsiderueshme për
vlerësimin e shoqërisë së dijes.
Ajo ka aplikuar në 2009 projektin “Knowledge Assessment
Methodology” (KAM), Metodologjia e Vlerësimit të Njohurive, i cili mbledh të
dhëna për 146 vende, duke përdorur 109 indikatorë cilësorë dhe strukturorë, të
vendosur në dispozicion nëpërmjet një instrumenti interaktiv, që u lejon
përdoruesve të seleksionojnë dhe agregojnë në shumë mënyra të dhënat e
disponueshme.
Variablat janë zgjedhur në mënyrë të atillë, që të
përfaqësojnë katër shtyllat e hipotezuara si më themelore për ekonominë e
dijes, të cilat lejojnë të kesh një vlerësim rreth konkurrueshmërisë së
sistemeve të ndryshme kombëtare.
Këto shtylla janë:
(1) Një sistem nxitësish ekonomikë dhe një aset
institucional (nxitësa ekonomikë dhe regjim institucional), në gjendje të
furnizojnë politika të mira ekonomike dhe institucione funksionale, në mënyrë
që të lejojnë përdorim eficient të burimeve dhe të nxisin kreativitetin,
përdorimin dhe përhapjen e dijes ekzistuese, si dhe asaj në formim;
(2) Një sistem efikas inovativ, i formuar nga
ndërmarrjet, qendrat e kërkimit, universitetet dhe organizata të tjera, në
gjendje të kontribuojnë për rritjen e dijes globale, për asimilimin dhe
përshtatjen e saj ndaj nevojave lokale (Innovation);
(3) Niveli i arsimimit të popullsisë, që lejon të kesh
në dispozicion punonjës të arsimuar dhe që zotërojnë kompetenca të larta, në
gjendje që t’i përdorin dhe t’i ndajnë ato me të tjerët, si dhe të krijojnë
dije të re;
(4) Një infrastrukturë informative moderne dhe të
përshtatshme, e bazuar mbi përhapjen e teknologjisë së komunikimit, në mënyrë
që të lehtësojë një krijim eficient, implementim dhe përhapje të informacionit
(ICT – Information and Communication Technology).
Secila nga këto katër shtylla, nga ana e saj,
përfshin tre fusha që janë përbërë nga një nënshtet prej 109 treguesish, të
konsideruar domethënës për vlerësimin e dy tipeve të treguesve (shih figurën).
Indeksi i Ekonomisë së Dijes (Knowledge Economy
Index – KEI), i cili
ka qëllim të masë aftësinë e disa vendeve të ndryshme për të konkurruar brenda
një ekonomie moderne të dijes.
Midis indikatorëve që hyjnë dhe bëjnë pjesë tek KEI
dhe që, për sa i përket Shqipërisë, mendoj që janë më domethënës, janë:
(1) Barrierat tarifore dhe normativat, të cilat matin
nivelin e lirisë ekonomike;
(2) Cilësia rregullatore, e cila mat incidencën e politikave
“jo favorizuese ndaj tregut”, si kontrollin e çmimeve, një mbikëqyrje të
papërshtatshme bankare, si edhe perceptimin e disa ngarkesave të tepërta të
vendosura në fusha të tilla si tregtia me jashtë dhe zhvillimi i sipërmarrjes;
(3) Dominimi i ligjit, që “mat nivelin e besimit dhe
të pranimit nga operatorët të disa rregullave që qeverisin shoqëritë”. Këto
përfshijnë perceptimin dhe incidencën si të krimit të dhunshëm apo jo të
dhunshëm, efikasitetin dhe sigurinë e ligjit kundrejt kontratave.
Indeksi i Dijes (Knowledge Index – KI), i cili “mat aftësinë e një
vendi për të gjeneruar, adaptuar dhe përhapur dije. Ky është një tregues i
potencialit kompleksiv të dijes në një vend të dhënë”; ai është i pavarur,
kështu që, nga ato që mund të jenë pengesat dhe lehtësitë të prejardhura nga
faktorë politiko-institucionalë. Tek ky nuk bëjnë pjesë treguesit specifikë të
KEI, të treguar më parë.
3.1 Treguesi i Ekonomisë së Dijes sipas Bankës
Botërore
Në këtë tabelë jepet përqindja e eksporteve
botërore të teknologjisë së lartë sipas rajoneve/vendeve për vitin 2005.
Ndërsa këtu kemi skemën e ndërtuar prej Bankës
Botërore për të pasqyruar dhe për të ardhur tek këta tregues.
Nga sa thamë më sipër, lind qartë nevoja e
ndërtimit të një vizioni bashkëkohor për vlerësimin dhe prodhimin e dijes.
Pamundësia për t’u matur me të tjerët, në këtë
rast, duhet të shërbejë si detyrim, së pari, për t’i ndërtuar këta tregues, për
të fotografuar realisht situatën në momentin e dhënë dhe, së dyti, më
kryesorja, që duhet të jetë objektiv i vazhdueshëm për ne, është përditësimi
dhe përmirësimi i këtyre treguesve.
Kjo pastaj do të na tregojë defektet e sistemit
tonë, duke na lejuar, në këtë mënyrë, që të bëjmë përmirësimet e nevojshme.
Kështu do të bëjmë të mundur që shkolla jonë,
praktikat tona, të na bëjnë të dukemi edhe në statistikat e eksportimit të
teknologjisë së lartë, siç bëjnë vende të tjera po aq të vegjël sa ne, në
përmasa dhe popullsi, por shumë më të strukturuar se sa ne.
Shembullin pozitiv se një shkollë e një vendi të
vogël mund të eksportojë talente e kemi në balet, e kemi në artin operistik apo
instrumental.
Mundemi shumë mirë të bëhemi një prej rasteve të
vendeve të vogla, nga të cilët marrin “leksione” edhe vende të mëdha.
Kjo le të jetë ëndrra jonë.
Për ta bërë atë realitet duhet shumë, shumë, shumë
punë, mund dhe djersë; duhen shumë të rinj ambiciozë, kërkues, plot ëndrra për
ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
Luiza Hoxhaj
Tiranë, më 22/03/2012


