Këto shënime i hodha nisur nga kërkesa që më bëri një vajzë e talentuar, shumë kërkuese ndaj vetes, shumë e dhënë pas së resë dhe përditësimit të dijeve, nëse kisha të dhëna mbi Indeksin e Dijes në vendin tonë. Të them të drejtën, megjithëse kam qenë vitet e fundit shumë e përfshirë në këtë fushë, nuk e kisha hasur këtë tregues, si edhe shumë të tjerë, në statistikat tona.
Vajzës, e cila nga ana e saj kishte kryer kërkime,
i rekomandova sitin e Bankës Botërore (të cilin ajo e kishte vizituar), si dhe
të studionte Raportin e Zhvillimit Njerëzor, si dhe Indeksin e Alfabetizimit,
si një nga Objektivat e Mijëvjeçarit, të cilët, në mënyrë indirekte, do e
çonin, sipas meje, tek ky tregues i munguar.
Dihet që Banka Botërore ka krijuar bankën më të
gjerë të të dhënave të indikatorëve krahasues në nivel ndërkombëtar, të cilët
shohin variablat kryesore ekonomike dhe sociale të konsiderueshme për
vlerësimin e shoqërisë së dijes.
Ajo ka aplikuar në 2009 projektin “Knowledge Assessment
Methodology” (KAM), Metodologjia e Vlerësimit të Njohurive, i cili mbledh të
dhëna për 146 vende, duke përdorur 109 indikatorë cilësorë dhe strukturorë, të
vendosur në dispozicion nëpërmjet një instrumenti interaktiv, që u lejon
përdoruesve të seleksionojnë dhe agregojnë në shumë mënyra të dhënat e
disponueshme.
Variablat janë zgjedhur në mënyrë të atillë, që të
përfaqësojnë katër shtyllat e hipotezuara si më themelore për ekonominë e
dijes, të cilat lejojnë të kesh një vlerësim rreth konkurrueshmërisë së
sistemeve të ndryshme kombëtare.
Këto shtylla janë:
(1) Një sistem nxitësish ekonomikë dhe një aset
institucional (nxitësa ekonomikë dhe regjim institucional), në gjendje të
furnizojnë politika të mira ekonomike dhe institucione funksionale, në mënyrë
që të lejojnë përdorim eficient të burimeve dhe të nxisin kreativitetin,
përdorimin dhe përhapjen e dijes ekzistuese, si dhe asaj në formim;
(2) Një sistem efikas inovativ, i formuar nga
ndërmarrjet, qendrat e kërkimit, universitetet dhe organizata të tjera, në
gjendje të kontribuojnë për rritjen e dijes globale, për asimilimin dhe
përshtatjen e saj ndaj nevojave lokale (Innovation);
(3) Niveli i arsimimit të popullsisë, që lejon të kesh
në dispozicion punonjës të arsimuar dhe që zotërojnë kompetenca të larta, në
gjendje që t’i përdorin dhe t’i ndajnë ato me të tjerët, si dhe të krijojnë
dije të re;
(4) Një infrastrukturë informative moderne dhe të
përshtatshme, e bazuar mbi përhapjen e teknologjisë së komunikimit, në mënyrë
që të lehtësojë një krijim eficient, implementim dhe përhapje të informacionit
(ICT – Information and Communication Technology).
Secila nga këto katër shtylla, nga ana e saj,
përfshin tre fusha që janë përbërë nga një nënshtet prej 109 treguesish, të
konsideruar domethënës për vlerësimin e dy tipeve të treguesve (shih figurën).
Indeksi i Ekonomisë së Dijes (Knowledge Economy
Index – KEI), i cili
ka qëllim të masë aftësinë e disa vendeve të ndryshme për të konkurruar brenda
një ekonomie moderne të dijes.
Midis indikatorëve që hyjnë dhe bëjnë pjesë tek KEI
dhe që, për sa i përket Shqipërisë, mendoj që janë më domethënës, janë:
(1) Barrierat tarifore dhe normativat, të cilat matin
nivelin e lirisë ekonomike;
(2) Cilësia rregullatore, e cila mat incidencën e politikave
“jo favorizuese ndaj tregut”, si kontrollin e çmimeve, një mbikëqyrje të
papërshtatshme bankare, si edhe perceptimin e disa ngarkesave të tepërta të
vendosura në fusha të tilla si tregtia me jashtë dhe zhvillimi i sipërmarrjes;
(3) Dominimi i ligjit, që “mat nivelin e besimit dhe
të pranimit nga operatorët të disa rregullave që qeverisin shoqëritë”. Këto
përfshijnë perceptimin dhe incidencën si të krimit të dhunshëm apo jo të
dhunshëm, efikasitetin dhe sigurinë e ligjit kundrejt kontratave.
Indeksi i Dijes (Knowledge Index – KI), i cili “mat aftësinë e një
vendi për të gjeneruar, adaptuar dhe përhapur dije. Ky është një tregues i
potencialit kompleksiv të dijes në një vend të dhënë”; ai është i pavarur,
kështu që, nga ato që mund të jenë pengesat dhe lehtësitë të prejardhura nga
faktorë politiko-institucionalë. Tek ky nuk bëjnë pjesë treguesit specifikë të
KEI, të treguar më parë.
3.1 Treguesi i Ekonomisë së Dijes sipas Bankës
Botërore
Në këtë tabelë jepet përqindja e eksporteve
botërore të teknologjisë së lartë sipas rajoneve/vendeve për vitin 2005.
Ndërsa këtu kemi skemën e ndërtuar prej Bankës
Botërore për të pasqyruar dhe për të ardhur tek këta tregues.
Nga sa thamë më sipër, lind qartë nevoja e
ndërtimit të një vizioni bashkëkohor për vlerësimin dhe prodhimin e dijes.
Pamundësia për t’u matur me të tjerët, në këtë
rast, duhet të shërbejë si detyrim, së pari, për t’i ndërtuar këta tregues, për
të fotografuar realisht situatën në momentin e dhënë dhe, së dyti, më
kryesorja, që duhet të jetë objektiv i vazhdueshëm për ne, është përditësimi
dhe përmirësimi i këtyre treguesve.
Kjo pastaj do të na tregojë defektet e sistemit
tonë, duke na lejuar, në këtë mënyrë, që të bëjmë përmirësimet e nevojshme.
Kështu do të bëjmë të mundur që shkolla jonë,
praktikat tona, të na bëjnë të dukemi edhe në statistikat e eksportimit të
teknologjisë së lartë, siç bëjnë vende të tjera po aq të vegjël sa ne, në
përmasa dhe popullsi, por shumë më të strukturuar se sa ne.
Shembullin pozitiv se një shkollë e një vendi të
vogël mund të eksportojë talente e kemi në balet, e kemi në artin operistik apo
instrumental.
Mundemi shumë mirë të bëhemi një prej rasteve të
vendeve të vogla, nga të cilët marrin “leksione” edhe vende të mëdha.
Kjo le të jetë ëndrra jonë.
Për ta bërë atë realitet duhet shumë, shumë, shumë
punë, mund dhe djersë; duhen shumë të rinj ambiciozë, kërkues, plot ëndrra për
ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
Luiza Hoxhaj
Tiranë, më 22/03/2012


No comments:
Post a Comment