Search This Blog

Saturday, March 30, 2013

Më mirë të delegjitimosh apo të studiosh?

Shpesh dëgjojmë të thuhet: “Ti nuk je presentabël, unë po!” “Unë duhet të mbroj historinë time të kaluar, sepse kam qenë njeri i drejtë”... “E kaluara jote, megjithatë, është pak e errët, ti nuk je një njeri i drejtë”, etj., etj.

Mediat, debatet publike janë plot me sforco të tilla për të legjitimuar vetveten, sepse ti je “i miri”, dhe për të delegjitimuar të tjerët, sepse ata janë “të këqijtë”.

Në këtë pragzgjedhjesh, ndërkohë që fushata ka startuar shumë përpara në kohë, doza e përdorimit të frazave të tilla legjitimuese dhe delegjitimuese është rritur në fuqi eksponenciale.

Nisur nga ky fenomen, le të shohim situatën e këtij vendi ku jetojmë dhe të botës që na rrethon. Mbas kësaj, le të shohim në sy njëri-tjetrin dhe të lexojmë në thellësi të shpirtit.

Ky lexim do të na lejojë të vlerësojmë se sa legjitim është vetë ky proces legjitimim-delegjitimimi. Jemi po ne, që legjitimohemi dhe delegjitimojmë të tjerët, që bëjmë ose kemi bërë pjesë, prej shumë vitesh, në klasën drejtuese të këtij vendi. Atëherë do të na duhet të gjithëve ne të autodelegjitimohemi përballë kësaj situate, sepse nuk kemi mundur të kërkojmë zgjidhje jashtë nesh: jemi ne ata që e kemi ndërtuar këtë situatë në të cilën jetojmë. Sa më lart të jemi në hierarkinë e klasës drejtuese, aq më shumë duhet të ndiejmë peshën e falimentimit, që, më parë se falimentim i rezultateve, është një falimentim i yni.

Por të njohësh falimentimin nuk mjafton. Pastaj, sigurisht jo me meritë, pjesa më e madhe e atyre që kanë keqmenaxhuar këtë situatë bëjnë ende pjesë në klasën drejtuese dhe, si të tillë, duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e gjetjes së një strategjie të aftë të ndërtojë një zhvillim të ri etik dhe estetik.

Hapi i parë është paevitueshmërisht një i vetëm: të ndryshojmë ne vetë. Kjo nuk është retorikë, por është një gjë precize për të ndryshuar urgjentisht: sistemet tona të dijes.

Të zhytur në një betejë të vazhdueshme mbytëse të delegjitimimit reciprok, kemi humbur në vorbullën e padijes. Kemi snobuar gjithë dijen që njeriu ka krijuar në dhjetëvjeçarët e fundit. Kemi mbetur me të njëjtat ide të ripërsëritura prej dhjetëra vjetësh, të cilat na pengojnë realisht të shohim shenjat e së ardhmes, shenjat e asaj që po vjen, të cilat do të na lejojnë të projektojmë një botë të re. Atëherë, gjëja e parë që duhet të bëjmë për të arritur të ndërtojmë një reputacion tek gjeneratat e ardhshme është e thjeshtë: të studiojmë. Të përftojmë të gjitha dijet, të cilat janë të pazëvendësueshme për të luajtur realisht rolin tonë si klasë drejtuese, të cilat shpesh na mungojnë pothuajse totalisht.

Luiza Hoxhaj

Tiranë, më 30.03.2013

No comments: