Në këto shënime po i referohem Jeremy Rifkin dhe
librit të tij “Revolucioni i Tretë Industrial”. Ky libër përmban një profeci
që, sipas meje, mbetet përgjysmë, e paplotë. Dhe pikërisht për këtë arsye,
mundësia e realizimit të saj vihet në pikëpyetje. Për fat të keq.
Në çfarë konsiston Revolucioni i Tretë Industrial?
E thënë shkurt, ai mbështetet në disa elemente themelore: energjinë e
rinovueshme të prodhuar lokalisht, një rrjet të gjerë që lidh prodhuesit lokalë
dhe mundëson shkëmbimin e energjisë, një marrëdhënie të re me Natyrën dhe një
empati të re ndërmjet njerëzve, të favorizuar nga ndërlidhja dhe bashkëpunimi.
Me të gjithë këta elementë, të domosdoshëm në
rrugën e sotme të zhvillimit, jam dakord. Madje, i kam vendosur edhe në fokus
të punës së Qendrës për Studimin e Politikave Europiane për Zhvillimin Rajonal
dhe Lokal.
Por përse, sipas meje, parashikimi i Rifkin mbetet
një revolucion i paplotë?
Një përgjigje mund ta gjejmë në marrëdhënien midis
Rifkin dhe José Luis Rodríguez Zapateros, ish-kryeministrit të qeverisë së
majtë të Spanjës, të cilën vetë Rifkin e përshkruan në faqet 163–166 të librit
të tij.
Historia fillon me interesimin dhe angazhimin e
Zapateros për ta kthyer Revolucionin e Tretë Industrial në një rrugë themelore
të zhvillimit të Spanjës. Ky, sigurisht, ishte një qëllim fisnik. Për
realizimin e tij, Rifkin u angazhua intensivisht në hartimin e një Master
Plani, i cili do të orientonte transformimin e ekonomisë spanjolle sipas
vizionit të tij.
Por, sipas rrëfimit të Rifkin, kjo ndërmarrje nuk
arriti të jepte rezultatet e synuara. Më pas, Spanja u përball edhe me një
krizë të rëndë ekonomike, ndonëse më parë kishte përjetuar një periudhë bumi
ekonomik. Kjo nuk do të thotë se kriza erdhi si pasojë e mosrealizimit të
planit, por përvoja ngre një pyetje të rëndësishme për mënyrën se si
konceptohen dhe realizohen transformimet e mëdha.
Çfarë na mëson kjo histori?
Së pari, duhet thënë se idetë e Rifkin janë vërtet
të rëndësishme. Por procesi përmes të cilit ato synojnë të realizohen duket se
mbështetet në një logjikë kryesisht menaxhuese: disa njerëz të ditur hartojnë
një Master Plan, ndërsa të tjerët duhet ta zbatojnë atë.
Pavarësisht qëllimeve të mira, këtu shfaqet një
kundërthënie e mundshme: a mund të ndërtohet një shoqëri e organizuar mbi
parimin e decentralizimit përmes një metodologjie vendimmarrjeje që mbetet
kryesisht nga lart-poshtë?
Rifkin propozon kalimin nga një sistem energjetik i
centralizuar dhe hierarkik drejt një sistemi të shpërndarë, bashkëpunues, të
mbështetur në atë që ai e quan “fuqi laterale”. Por a mjafton ndryshimi i
strukturës teknologjike dhe ekonomike, nëse mënyra e konceptimit dhe drejtimit
të transformimit mbetet e centralizuar?
Edhe propozimi i tij për të zëvendësuar lobimin e
interesave të Revolucionit të Dytë Industrial me një lobim në favor të
Revolucionit të Tretë Industrial ngre një pyetje të ngjashme. A kemi të bëjmë
me ndryshimin e mënyrës së funksionimit të shoqërisë, apo vetëm me zëvendësimin
e aktorëve që ndikojnë mbi vendimmarrjen?
Në një shoqëri komplekse, idetë që lindin vetëm nga
qendrat drejtuese janë domosdoshmërisht të pjesshme. Ato vështirë se mund të
mobilizojnë shumicën e shoqërisë, nëse njerëzit nuk i kuptojnë, nuk i
përqafojnë me bindje dhe nuk bëhen vetë pjesë e procesit të ndryshimit.
Kjo nuk do të thotë se planifikimi është i
panevojshëm. Master Planet dhe strategjitë mund të jenë instrumente të dobishme
për të orientuar zhvillimin. Por ato nuk mund të zëvendësojnë transformimin e
vetëdijes shoqërore dhe as pjesëmarrjen e njerëzve në krijimin e së ardhmes së
tyre.
Nëse të mençurit, studiuesit dhe klasa drejtuese
duan vërtet të kontribuojnë në një revolucion, detyra e tyre nuk mund të
kufizohet në përshkrimin e botës që duhet të ekzistojë pas tij. Ata duhet të
ndihmojnë në krijimin dhe përhapjen e sistemeve të reja njohëse, duke bërë të
mundur që shoqëria jo vetëm t'i përvetësojë, por edhe të marrë pjesë në
zhvillimin e tyre.
Pra, ngado që të shkojmë, vijmë gjithnjë tek DIJA.
Historia e Rilindjes Europiane na mëson se
transformimet e mëdha nuk lindin domosdoshmërisht nga një projekt i
parapërgatitur. Rilindja u ushqye nga rizbulimi i kulturës klasike dhe nga
zhvillimi i mënyrave të reja të njohjes e të interpretimit të botës.
Mendimtarët, artistët dhe studiuesit e saj nuk kishin hartuar një Master Plan
të Rilindjes. Përmes veprës së tyre, ata kontribuuan në formimin e një
vetëdijeje të re, e cila ndryshoi gradualisht shoqërinë.
Nga revolucionet njohëse lindin ide, vepra arti,
institucione dhe mënyra të reja të organizimit të jetës.
Ndërsa Rifkin synon të ndërtojë në mënyrë të
ndërgjegjshme një transformim të përmasave të një Rilindjeje të re, duke e
mbështetur atë te revolucioni industrial. Por pikërisht këtu lind dilema: një
shoqëri e re, e decentralizuar dhe bashkëpunuese, nuk mund të jetë thjesht
produkt i një projekti të hartuar dhe drejtuar nga një qendër.
Cila është skema njohëse e
shoqërisë industriale?
Në një masë të konsiderueshme, ajo është ndërtuar
mbi një vizion mekanicist të botës, të frymëzuar nga fizika klasike. Sipas
këtij vizioni, realiteti mund të kuptohet duke e zbërthyer në pjesë, duke
njohur ligjet që i drejtojnë ato dhe duke parashikuar funksionimin e tërësisë.
Por zhvillimi i shkencës, veçanërisht fizika
kuantike dhe teoria e relativitetit, ka zgjeruar horizontin e njohjes dhe ka
treguar kufijtë e zbatimit të modeleve të mëparshme. Kjo nuk e zhvlerëson
fizikën klasike, e cila mbetet e vlefshme brenda fushës së saj të zbatimit.
Përkundrazi, na mëson se njohja zhvillohet përmes pohimit, rishikimit dhe
kapërcimit të kufijve të paradigmave ekzistuese.
Nuk është fjala për t'i zbatuar ligjet e fizikës në
organizimin e shoqërisë. Fizika përdoret këtu si metaforë e një transformimi
njohës dhe si frymëzim metodologjik: ndryshimet e mëdha kërkojnë edhe
ndryshimin e mënyrës se si e njohim, e interpretojmë dhe veprojmë mbi
realitetin.
Një shoqëri e re nuk mund të ndërtohet vetëm me
instrumentet njohëse dhe organizative të shoqërisë që synojmë të transformojmë.
Por një sistem i ri njohës nuk shndërrohet vetvetiu
në një mënyrë të re të organizimit të shoqërisë. Ai duhet të përhapet, të
kuptohet, të përvetësohet dhe të bëhet pjesë e vetëdijes kolektive. Këtu
qëndron roli i atyre aktorëve që, përmes dijes, krijimtarisë, komunikimit dhe
veprimit, arrijnë t'i bëjnë idetë e reja të kuptueshme dhe të pranueshme për shoqërinë.
Dhe ky nuk është një proces i njëanshëm. Shoqëria
nuk është vetëm marrëse e dijes së prodhuar nga të tjerët. Përmes përvojës,
ndërveprimit dhe pjesëmarrjes, ajo bëhet edhe krijuese e dijes dhe e
ndryshimit.
Ndërtimi i një shoqërie të re sot kërkon, pra, jo
vetëm teknologji të reja dhe burime të reja energjie, por edhe një mënyrë të re
të menduari dhe të vepruari. Mendimi kuantik, i përdorur këtu si metaforë e
kapërcimit të skemave të ngurta të njohjes, mund të na frymëzojë në këtë
drejtim.
Dhe pastaj do të jenë poetët, studiuesit, krijuesit
dhe drejtuesit, së bashku me vetë shoqërinë, ata që do t'i japin këtij mendimi
gjuhën, kuptimin dhe forcën për t'u shndërruar në vetëdije dhe veprim kolektiv.
Siç ka ndodhur edhe më parë në historinë njerëzore.
Sepse një revolucion nuk përmbushet vetëm kur
ndryshojnë teknologjitë dhe institucionet, por kur njerëzit bëhen bashkëkrijues
të ndryshimit.
Luiza
Hoxhaj
30.03. 2013

No comments:
Post a Comment