Search This Blog

Sunday, November 15, 2026

Kur “Besa” kthehet në klishe: Si naiviteti ynë po dëmton edhe historinë, edhe marrëdhëniet me miqtë

Në vitet e fundit, sa herë që Shqipëria bëhet pjesë e lajmeve ndërkombëtare për investime, zhvillime turistike apo nisma komunitare të huaja, në diskursin publik rishfaqet pothuajse automatikisht e njëjta formulë, ajo e Besës dhe e thënies së lashtë se «Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut».

Rasti më i fundit që ngjalli jo pak polemika ishte njoftimi për hapjen e një qendre të përhershme të lëvizjes Chabad-Lubavitch në vendin tonë. Në artikullin që shoqëroi këtë lajm, hapja e një qendre për vizitorët dhe komunitetin hebre u lidh drejtpërdrejt me kodin e Besës dhe me shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke krijuar një paralelë të sforcuar mes sakrificës historike në kushte lufte dhe nevojave krejt normale të turizmit dhe bashkëjetesës moderne.

«Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut». Kur i hapte derën mikut, i zoti i shtëpisë i bënte vend në sofër, e merrte në mbrojtje dhe kujdesej që, sa të rrinte nën çatinë e tij, të ndihej si njeri i shtëpisë. Edhe largimi kishte zakonin e vet. Sipas Kanunit të mbledhur në Pukë, i zoti i shtëpisë e përcillte mikun deri në fund të oborrit. Gjatë gjithë kësaj kohe mikpritësi ishte dhe mbetej i zoti i shtëpisë. Pikërisht nga ky rol buronte detyrimi për ta pritur mikun, për ta mbrojtur dhe për ta përcjellë me nderim. Kanuni i Lekë Dukagjinit, varianti i Pukës, neni 140

Kurse Chabad po hap një qendër për të pritur njerëzit e komunitetit të vet fetar, ata që jetojnë në Shqipëri dhe ata që vijnë si vizitorë. Megjithatë, në fund të njoftimit, autori shkruan se miku do të jetë «përsëri» i shenjtë. Pikërisht te kjo fjalë çalon paralelja. Hapja e një qendre për komunitetin tënd paraqitet si vazhdim i gjestit të familjeve shqiptare që hapën shtëpitë për njerëz të përndjekur. Besa shërben këtu si një vello. Ajo i jep nismës së sotme peshën morale të një historie që lindi nga një marrëdhënie tjetër mes të zotit të shtëpisë dhe mikut. Njoftimi i Chabad-Lubavitch

Përtej polemikave të momentit, ky rast nxjerr në pah një problem më të thellë që na takon ta shqyrtojmë edhe te vetja: mënyrën naive dhe sipërfaqësore se si ne shqiptarët e artikulojmë veten dhe virtytin e Besës.

Hiperbolizimi i një kodi historik

Këtë mënyrë të të treguarit e kemi përhapur edhe ne vetë, nga fjalimet politike deri te prezantimet turistike. Kur Besa paraqitet vazhdimisht si shpjegimi i gatshëm i mikpritjes shqiptare, formula bëhet e lehtë për t’u rimarrë edhe nga gazetarë apo organizata të huaja. Njoftimi i Chabad-it është një rast i kësaj praktike më të gjerë.

Duke dashur të shesim një imazh ekzotik dhe fisnik, ne kemi hiperbolizuar një element historik deri në atë pikë sa ai ka humbur kuptimin e tij real. Kanuni i Lekë Dukagjinit ka shërbyer për shekuj në krahina të veriut si një mekanizëm rregulli në mungesë të shtetit. Sot, mikpritja vazhdon të ketë vend në jetën tonë si sjellje njerëzore dhe qytetare. Bashkëjetesa dhe të drejtat në Shqipëri rregullohen nga Kushtetuta dhe ligji.

Kur retorika e tepruar prodhon efektin e kundërt

Kur një vlerë me peshë historike përdoret pa kriter si «melmesë» për çdo nismë të re apo marrëveshje pragmatike, ajo kthehet në një slogan bosh. Një formulë që synon të shprehë afërsi mund të ushqejë mosbesim ndaj një komuniteti dhe të rëndojë klimën e marrëdhënieve.

Në komentet poshtë njoftimit që Chabad-Lubavitch publikoi në faqen e vet në Facebook për hapjen e një qendre të përhershme në Shqipëri, disa komentues iu përgjigjën drejtpërdrejt përmendjes së Besës, disa iu përgjigjën drejtpërdrejt përmendjes së Besës. Njëri kujtoi rrethanat e strehimit të hebrenjve gjatë luftës me fjalët «ju ishit ne kohera te veshtira, ju ndihmuam». Një tjetër e lexoi përmendjen e kostos së Besës përmes konfliktit në Palestinë dhe pyeti «Cila do jetë kostoja që mendoni ju? Si ajo e Palestinës? Apo më keq?». Në të njëjtin diskutim pati edhe urime dhe mesazhe mirëseardhjeje.

Në disa komente, figura e mikut dhe e të zotit të shtëpisë u përdor për ta paraqitur hapjen e qendrës si kërcënim. Disa komentues shkuan deri te pretendimet e pambështetura për marrjen e territorit, ndërsa të tjerë përdorën fyerje antisemite dhe kërcënime. Përgjegjësia për atë gjuhë u takon atyre që e përdorën. Ndërkohë që përgjegjësia e komunikimit publik është të shpjegojë qartë çfarë qendre po hapet, kujt i shërben dhe çfarë veprimtarish do të zhvillojë.

Kur këto pyetje mbeten në hije, një zhvillim krejt normal, si hapja e një qendre komunitare në një vend të lirë, mund të ngarkohet me tensione. Debati mund të zhvendoset nga vetë nisma te dyshimet për qëllimet e saj, duke nxitur paragjykime dhe gjykime të nxituara ndaj miqve dhe partnerëve.

Nevoja për një artikulim të pjekur

Në postimin e saj për hapjen e qendrës, gazetarja Ermelinda Hoxhaj ngre disa pyetje konkrete. Ku do të vendoset qendra? Çfarë statusi juridik do të ketë? Si do të financohet? A ka pasur ndonjë marrëveshje ose mbështetje nga institucionet shqiptare? Organizata mund të shpjegojë çfarë veprimtarish parashikon dhe kujt do t’i shërbejë qendra. Nëse institucionet publike kanë marrë ndonjë angazhim, u takon atyre të bëjnë të ditur përmbajtjen dhe arsyet e tij. Siç thekson edhe gazetarja, liria fetare është një e drejtë themelore.

Miqësia e shqiptarëve me popullin hebre është një fakt historik i ndritur, i dëshmuar në momentet më të errëta të njerëzimit, dhe nuk ka nevojë për zbukurime artificiale për t’u mbajtur gjallë. Ajo qëndron mbi themele të vërteta solidariteti njerëzor. Sot kemi nevojë për më pak folklorizëm politik dhe më shumë seriozitet në vetëprezantim.

Respekti i ndërsjellë me çdo komb apo komunitet që vjen në Shqipëri ndërtohet më shëndetshëm kur flasim qartë për atë që bëjmë sot si një shtet mikpritës, i hapur dhe ligjor. Kujtesën e Besës e nderojmë kur tregojmë se çfarë morën përsipër familjet shqiptare që hapën dyert në kohë lufte. Qendrën e sotme e shpjegojmë duke treguar çfarë do të bëjë dhe kujt do t’i shërbejë.

Kur të jetosh në fshat bëhet zgjedhje?

Një familje mund të dëshirojë të jetojë në fshat për të qenë më pranë natyrës, për të pasur një shtëpi me oborr, për të punuar tokën ose për të jetuar më pranë njerëzve të vet e kështu me radhë mund të renditnim një sërë arsyesh.. Dikush që është larguar mund të dëshirojë të kthehet për të ngritur një veprimtari të vetën. Kur këto mundësi e bëjnë fshatin një vend ku do të doje të jetoje, çfarë duhet të funksionojë në jetën e përditshme që të mund ta zgjedhësh atë?

Le të marrim në konsideratë një familje që dëshiron të jetojë në fshat. Prindërit punojnë në qytetin e afërt, fëmijët shkojnë në shkollë atje dhe për një vizitë mjekësore mund t’u duhet të udhëtojnë diku tjetër. Për sa kohë që mund t’i organizojë këto udhëtime, familja mund ta ndërtojë jetën aty ku dëshiron. Nëse hiqet linja e autobusit, arsyet që e tërheqin drejt fshatit mbeten. Por tani familjes mund t’i duhet më shumë kohë, më shumë para ose ndihma e dikujt tjetër për të bërë të njëjtat gjëra.

Shembulli i autobusit, me të cilin Kai Böhme hap shkrimin «Rural futures start with the right map: when does staying become a choice?», më bëri t’i rikthehem një pyetjeje që kam ngritur në shkrimin tim «Çfarë i mban njerëzit të lidhur me territorin?». Këtë herë e rimarr këtë temë nga këndvështrimi i jetës rurale. Çfarë i duhet një familjeje që të mund të zgjedhë të jetojë në fshat gjatë gjithë vitit? Për të kuptuar kur jeta në fshat bëhet një zgjedhje e mundshme dhe e pranueshme, mund të nisemi nga rrugët që një familje përshkon çdo ditë.

Harta e jetës së përditshme

Raporti i OECD-së The Geography of Choice shqyrton tri mënyra për të përcaktuar zonat rurale nga pikëpamja funksionale. Njëra ndjek udhëtimet për në punë. Një tjetër vlerëson mundësinë për të arritur te shërbimet. E treta përdor kohën e udhëtimit drejt qendrave më të populluara. OECD-ja i teston këto qasje duke i krahasuar me harta që grupojnë rastësisht bashki fqinje. Të tria hartat e rezultuara kapin lidhje kuptimplota, ndërsa dobia e secilës varet nga pyetja që shtrojmë. OECD, The Geography of Choice: Mapping Everyday Lives across Rural Regions, kreu 3

Analiza e të dhënave të lëvizjes nga telefonat celularë në disa vende e bën më të qartë pse ka rëndësi kjo zgjedhje. Udhëtimet për punë kishin më shumë gjasa të lidhnin bashki brenda së njëjtës zonë funksionale. Udhëtimet për blerje, shërbime, arsim ose kohë të lirë mund të ishin më lokale ose të kalonin kufijtë e asaj zone. Për të njëjtin fshat, pra, mund të dalin harta të ndryshme sipas asaj që banorët kanë nevojë të bëjnë. OECD, The Geography of Choice, kreu 4

Le të marrim një banor të Poshnjës, sot pjesë e Bashkisë Dimal. Ai mund të jetojë në fshatin e vet, t’i shesë prodhimet në tregun e Lushnjës dhe të shkojë në qytetin e Dimalit ose në Berat, sipas shërbimit që i duhet. Harta e jetës së tij të përditshme merr disa drejtime dhe shtrihet përtej kufijve të një bashkie.

Për banorët e fshatrave të Bashkisë së sotme të Selenicës, harta mund të jetë më e thjeshtë për t’u lexuar. Udhëtimet për në treg dhe për shumë shërbime mund të kenë një drejtim kryesor, Vlorën. Për disa banorë të njësisë administrative Armen, edhe qyteti i Selenicës mund të jetë një mundësi për të marrë ndonjë shërbim.

Edhe kur destinacioni është i qartë, mundësia për të mbërritur atje ndryshon nga një banor te tjetri. Dy qasjet e shqyrtuara nga OECD-ja që modelojnë aksesin te shërbimet ose te qendrat e populluara përdorin kohën e udhëtimit me makinë. Një qendër shëndetësore mund të jetë njëzet minuta larg me makinë. Për një të moshuar që nuk drejton, udhëtimi mund të varet nga dita kur një familjar ka kohë ta shoqërojë. Për një të ri që dëshiron të ndjekë një kurs pasdite, mundësia për t’u kthyer në fshat pas mbarimit të kursit mund të përcaktojë nëse regjistrohet në të apo jo. OECD, The Geography of Choice, kreu 2

Prandaj, kur flasim me banorët, ia vlen t’i pyesim edhe për udhëtimet që s’kanë mundur t’i bëjnë. Një vizitë e shtyrë, një kurs i lënë pa ndjekur ose një ditë tregu e humbur mund të na tregojë se ku do të kishte më shumë vlerë një ndryshim në transport apo në orarin e një shërbimi.

Çfarë mund të sjellë harta e re për fshatrat e Dimalit dhe të Selenicës?

Me konstituimin e organeve të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027, njësitë e Bashkisë së sotme të Dimalit do të bëhen pjesë e Bashkisë Berat, ndërsa ato të Bashkisë së sotme të Selenicës do të bëhen pjesë e Bashkisë Vlorë. Si mund ta përdorin dy bashkitë e zgjeruara hartën e udhëtimeve të banorëve për të vendosur ku të investojnë dhe si t’i organizojnë shërbimet? Ligji nr. 100/2026, neni 3 dhe tabelat për qarqet Berat e Vlorë

Në punën për strategjinë e zhvillimit të Dimalit, tregjet rurale na japin një pikënisje konkrete. Çfarë mundësie shtesë do t’i ofronte një treg në Dimal një prodhuesi që sot shet në Lushnjë? Përgjigjja varet nga blerësit që mund të tërheqë tregu, dita kur do të zhvillohej dhe kostoja për të çuar prodhimet atje. Bashkia Berat mund t’i shqyrtojë këto pyetje me prodhuesit dhe tregtarët përpara se të vendosë ku dhe si të investojë.

Në territorin e Bashkisë së sotme të Selenicës, drejtimi i përbashkët i shumë udhëtimeve na jep një pikënisje për transportin. Si mund të lidhen fshatrat me Vlorën gjatë gjithë vitit, me orare që u lejojnë banorëve të kthehen pas punës, shkollës ose një vizite mjekësore? Kur të qartësohet organizimi i njësive administrative të Bashkisë Vlorë, do të ketë rëndësi të shihet edhe çfarë shërbimesh mund të ofrohen në qytetin e Selenicës dhe cilat duhen mbajtur më pranë fshatrave.

Këtu merr rëndësi roli i qytetit të vogël. Në klasifikimin e përdorur nga OECD-ja, zonat rurale me një qytet prej 2 500 deri në 15 000 banorësh përbëjnë mesatarisht rreth 39% të zonave funksionale të identifikuara, sipas numrit të zonave. Në rastin tonë, pyetja është konkrete. Nëse për treg banorët orientohen kryesisht drejt Vlorës, për cilat shërbime do të ishte më praktike të udhëtonin deri në qytetin e Selenicës? Këtë mund ta kuptojmë duke parë nga cilat fshatra vijnë, sa shpesh u duhet shërbimi dhe si mund të mbërrijnë atje. OECD, The Geography of Choice

Çfarë mund të organizohet bashkë dhe çfarë duhet të mbetet pranë?

Për ta mbajtur një shërbim në funksion duhen personel, financim dhe përgjegjësi të qarta. Nordregio evidenton mungesën e personelit dhe kufizimet financiare në ofrimin e shërbimeve rurale. Në Madonie, në Siçili, disa bashki të vogla bashkojnë ekspertizën për të përgatitur projekte dhe për të menaxhuar aplikimet për financim, me koordinimin e agjencisë së zhvillimit SOSVIMA. Kjo përvojë ngre një pyetje për bashkitë tona të zgjeruara. Si mund të përdoret e njëjta ekspertizë për disa zona, duke e ofruar shërbimin aty ku banorët mund ta përdorin? Nordregio, Essential Service Provision and Access to Services in Nordic Rural Areas. I Borghi più belli d’Italia in Sicilia, Riscriviamo la geografia dei borghi, 12 nëntor 2026.

Për një shërbim që përdoret rrallë, mund të ketë kuptim një qendër që mbulon disa zona, nëse transporti dhe oraret e bëjnë të arritshme. Për një shërbim që përdoret shpesh, çdo udhëtim shtesë ka kosto për familjen. Kjo ndihet sidomos nga banorët që varen nga transporti publik ose nga ndihma e dikujt tjetër. OECD-ja gjen se në zonat më rurale priren të bashkëjetojnë plakja e popullsisë, aksesi më i vështirë në spitale dhe interneti fiks më i ngadaltë. Aty ku udhëtimi është më i vështirë, edhe mundësia për ta marrë një shërbim në distancë mund të jetë më e kufizuar. OECD, The Geography of Choice, kreu 5

Planifikimi ka edhe një dimension buxhetor. OECD-ja vëren se sipërfaqja e ndërtuar është zgjeruar edhe në zona rurale që kanë humbur popullsi. Për bashkitë, kjo shtron pyetjen se sa rrugë, rrjete dhe infrastrukturë duhet të mirëmbajnë dhe me çfarë burimesh, edhe kur numri i banorëve bie. Kostoja duhet vlerësuar në secilin territor. OECD, The Geography of Choice, figura 5.5

Çfarë mundësish hapen për ata që duan të qëndrojnë ose të kthehen?

Për ata që mund të punojnë në distancë, një lidhje e besueshme interneti mund ta bëjë të mundur qëndrimin në fshat për periudha më të gjata. Raporti nordik mbi punën në distancë tregon sa pak na thonë statistikat e migrimit për arsyet e zhvendosjes. Në Etelä-Savo të Finlandës, të dhënat e aktivitetit treguan luhatje sezonale, ndërsa mungesa e një baze të krahasueshme para pandemisë e kufizoi vlerësimin e ndryshimeve afatgjata. Për planifikimin vendor, rëndësi ka edhe prania për një pjesë të vitit. Ajo mund të sjellë klientë për bizneset vendase dhe të shtojë kërkesën për strehim, shërbime e infrastrukturë. (Raporti i dytë i projektit Remote work: Effects on Nordic people, places and planning 2021–2024.)

Edhe investimet e reja mund të krijojnë mundësi për të qëndruar, në varësi të vlerës që u sjellin banorëve. Në gjashtë raste të zhvillimit të energjisë së rinovueshme në Danimarkë, Finlandë dhe Norvegji, Nordregio vë në dukje rëndësinë e përfshirjes së hershme të komunitetit, transparencës dhe përfitimeve vendore. Për banorët e një zone rurale ka rëndësi si mund të ndikojnë në vendimet për një investim dhe çfarë mundësish krijon ai për njerëzit dhe bizneset e zonës. Studimi i Nordregio-s për krijimin e vlerës vendore gjatë tranzicionit të gjelbër

Kur një familje mendon të jetojë në fshat gjatë gjithë vitit, vendimi mund të varet nga pyetje fare të zakonshme. A mund të kthehen fëmijët nga shkolla pa u varur çdo ditë nga orari i prindërve? A ia vlen ta çoj prodhimin në treg pasi të llogaris koston e rrugës? A mund të shkoj te mjeku edhe kur s’kam njeri të më shoqërojë?

Në Dimal dhe në Selenicë mund t’ua shtrojmë këto pyetje banorëve që tani. Një studim në disa fshatra mund të dokumentojë ku udhëtojnë, sa kohë dhe para u kushton rruga, si kthehen në shtëpi dhe cilat udhëtime detyrohen t’i shtyjnë. Pas riorganizimit të transportit dhe shërbimeve, të njëjtat matje do të na lejonin të shihnim çfarë ka ndryshuar. Përgjigjja ndaj pyetjes së titullit do të merrte kështu një kuptim konkret për secilin fshat. Për kë është bërë më e mundur të jetojë aty gjatë gjithë vitit dhe çfarë vazhdon t’ua vështirësojë këtë zgjedhje të tjerëve?

Thursday, November 12, 2026

Çfarë i mban njerëzit të lidhur me territorin?

 Ekonomia, cilësia e jetës dhe mundësitë për të ndërtuar të ardhmen

Nga Luiza Hoxhaj

Eksperte për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal

Çfarë na bën të qëndrojmë në vendin ku kemi lindur apo ku kemi zgjedhur të jetojmë? Çfarë na shtyn të largohemi? Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, çfarë duhet të ndryshojë që njerëzit të dëshirojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre aty ku janë?

Këto pyetje më kanë shoqëruar prej kohësh në diskutimet mbi zhvillimin rajonal dhe vendor, fushë në të cilën jam përqendruar prej 18 vitesh. Ato u rikthyen gjatë prezantimit të raportit OECD Regions and Cities at a Glance 2026, më 4 nëntor 2026, një aktivitet në të cilin pata mundësinë të marr pjesë me ftesë të OECD-së.

Raporti trajton një çështje që, në vlerësimin tim, ka rëndësi të veçantë edhe për Shqipërinë: Përse disa qytete apo rajone vazhdojnë të tërheqin njerëz, investime dhe aktivitete ekonomike, ndërsa të tjera humbasin popullsi, plaken dhe përballen me dobësimin e ekonomisë lokale?

Ne flasim shpesh për rritjen ekonomike, investimet, turizmin dhe infrastrukturën. Por a pyesim po aq shpesh  se çfarë ndryshon si rrjedhojë e këtyre faktorëve në jetën e njerëzve? Sepse jo rrallë një territor mund të zhvillohet ekonomikisht dhe, megjithatë, një pjesë e banorëve të tij të mos shohin aty mundësi për të ardhmen.

Kjo është arsyeja që më shtyn të mendoj se zhvillimi duhet parë edhe nga këndvështrimi i atyre që jetojnë në territor.

Pse disa vende ecin përpara, ndërsa të tjera mbeten pas?

Një nga mesazhet kryesore të raportit të OECD-së është se zhvillimi ekonomik nuk shpërndahet njësoj ndërmjet rajoneve. Dy territore fqinje mund të kenë mundësi shumë të ndryshme për punësim, investime, arsim dhe zhvillim ekonomik.

Por çfarë e krijon këtë dallim?

Një faktor i rëndësishëm është produktiviteti, pra aftësia për të krijuar më shumë vlerë ekonomike me punën dhe burimet që përdorim. Sipas OECD-së, në 13 vende anëtare ose kandidate për anëtarësim, ku diferencat e PBB-së për frymë ndërmjet rajoneve u ngushtuan gjatë viteve 2018–2024, rezultatet u arritën përmes dy rrugëve të ndryshme.

Në gjashtë vende, rajonet më pak të zhvilluara përparuan kryesisht falë rritjes më të shpejtë të produktivitetit. Në shtatë të tjera, ndikimi kryesor erdhi nga rritja e punësimit. Ky dallim më duket veçanërisht domethënës.

Një ekonomi mund të rritet sepse punojnë më shumë njerëz. Por mund të rritet edhe sepse puna bëhet më produktive, falë njohurive, teknologjisë, organizimit dhe investimeve.

Në territoret që humbasin popullsi, rruga e parë bëhet gjithnjë e më e vështirë. Kur largohen të rinjtë dhe zvogëlohet numri i njerëzve në moshë pune, nuk mund të mbështetemi pafundësisht te shtimi i punësimit. Prandaj, aftësitë profesionale, inovacioni dhe cilësia e punës bëhen vendimtare.

Gjetjet e raportit lidhen drejtpërdrejt me debatin europian mbi kohezionin territorial, produktivitetin, pabarazitë rajonale dhe cilësinë e jetës. Ato na kujtojnë se rritja ekonomike nuk garanton automatikisht zhvillim të balancuar ndërmjet territoreve. Sfida qëndron në mënyrën se si produktiviteti, inovacioni dhe investimet shndërrohen në mundësi reale për njerëzit, edhe në rajonet që rrezikojnë të mbeten pas.

Po Shqipëria, ku qëndron në këtë drejtim?

Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2026 tërheq vëmendjen për një problem të rëndësishëm strukturor: bujqësia dhe industria mbeten sektorë me produktivitet të ulët, ndërkohë që aktiviteti i tyre është tkurrur. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka evidentuar se prodhimi për orë pune në Shqipëri mbetet nën mesataren europiane, me përmirësim të kufizuar gjatë dekadës së fundit.

Ky përfundim na fton të reflektojmë mbi natyrën e zhvillimit tonë ekonomik. Nuk na mjafton të shtojmë aktivitetet ekonomike apo numrin e të punësuarve në to. Na duhet, gjithashtu, të rrisim edhe vlerën që krijohet përmes punës, teknologjisë, njohurive dhe organizimit më të mirë të prodhimit.

Për mua, kjo çështje ka edhe një dimension të rëndësishëm territorial. Një fermer që arrin të përpunojë dhe tregtojë produktin e tij me vlerë më të lartë, një biznes që investon në teknologji apo një sipërmarrje turistike që krijon punësim cilësor gjatë një pjese më të madhe të vitit, nuk ndikojnë vetëm në treguesit ekonomikë. Ata zgjerojnë mundësitë për të ardhura, punësim dhe zhvillim në komunitetet ku veprojnë.

Në këto kushte, duhet  të pyesim jo vetëm sa rritet ekonomia shqiptare, por edhe si rritet produktiviteti, ku krijohet vlera e shtuar dhe sa prej saj kthehet në mundësi reale për njerëzit që jetojnë në territor. Pra, analiza e produktivitetit merr rol qëndror.

Për Shqipërinë, kjo ngre një pyetje që meriton analizë: a po krijojmë në qytetet dhe zonat tona rurale ekonomi që ofrojnë punë më produktive dhe të ardhura më të mira, apo po mbështetemi kryesisht te shfrytëzimi i burimeve dhe mundësive ekzistuese?

Dija dhe teknologjia: a po krijojnë një gjeografi të re të pabarazisë?

Gjithnjë e më shumë në ditët e sotme ne flasim për inteligjencën artificiale, inovacionin dhe ekonominë e dijes dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e territorit.

Por ku përqendrohen këto mundësi?

Të dhënat e OECD-së tregojnë se gjatë viteve 2019–2024, në 27 nga 31 vendet e analizuara, zona më e madhe funksionale urbane kishte pjesën më të lartë të patentave të vendit.

Edhe financimi i sipërmarrjeve inovative është shumë i përqendruar. Në 32 nga 39 vende me të dhëna, një rajon i vetëm i vogël tërhoqi mbi gjysmën e financimit kombëtar të kapitalit sipërmarrës gjatë viteve 2020–2024. Kjo do të thotë se qytetet dhe rajonet që kanë universitete, institucione kërkimore, kompani inovative dhe burime financimi krijojnë avantazhe që mund të përforcohen me kalimin e kohës.

Po territoret e tjera? A duhet të pranojnë se ekonomia e dijes është një mundësi vetëm për metropolet?

Unë mendoj se kjo është pikërisht një nga sfidat e politikave të zhvillimit territorial. Teknologjia mund të krijojë mundësi të reja edhe për qytetet e vogla dhe zonat rurale, por kjo nuk ndodh automatikisht. Për këtë nevojiten aftësi, infrastrukturë digjitale, institucione që bashkëpunojnë me to dhe midis tyre si dhe mundësi për të kthyer dijen në veprimtari ekonomike.

Raporti sjell edhe një të dhënë interesante për inteligjencën artificiale gjeneruese. Në vitin 2025, në rajonet me përqendrimin më të lartë të punonjësve me arsim të lartë, 52% e punësimit ishte shumë i ekspozuar ndaj kësaj teknologjie, kundrejt 42% në rajonet e tjera.

Kjo nuk do të thotë se këto vende pune do të zhduken. Kjo do të thotë se natyra e tyre mund të ndryshojë ndjeshëm varësisht nga zhvillimet e reja. Dhe këtu na lind një tjetër pyetje: a po i përgatisim njerëzit dhe territoret tona për këto ndryshime?

Pse njerëzit shkojnë drejt qyteteve të mëdha, edhe kur jetesa bëhet më e shtrenjtë?

Mendoj se një nga paradokset më interesante të zhvillimit lidhet pikerisht me qytetet e mëdha. Sipas OECD-së, në 35 nga 37 vende me të dhëna, pesha e popullsisë që jeton në rajonet metropolitane u rrit ndërmjet viteve 2005 dhe 2024. Metropolet dhe qytete e mëdha ofrojnë më shumë vende pune. Ato kanë universitete si qendra të djes dhe inovacionit, kanë më shumë shërbime dhe mundësi profesionale. Për këtë arsye vazhdojnë të tërheqin popullsi nga territoret periferike. 

Por përqendrimi i mundësive ka edhe anën tjetër të medaljes. Ai sjell edhe rritjen e kostos së jetesës. Sipas OECD-së, në një grup prej 23 vendesh, çmimet e banesave në qendrat urbane janë mesatarisht 27% më të larta se mesatarja kombëtare.

Një tregues tjetër, i llogaritur për 13 vende me të dhëna të disponueshme, tregon se blerja e një banese në rajonin më të madh metropolitan kërkon mesatarisht 6,9 vite të ardhura më shumë sesa në rajonin metropolitan më të përballueshëm të të njëjtit vend.

Pra, njerëzit shkojnë atje ku shohin më shumë mundësi, edhe pse përballen me kosto më të larta.

Kjo më sjell ndër mend një pyetje që e kemi shpesh përpara nesh edhe në Shqipëri.

Përse të rinjtë dhe jo vetëm ata po largohen nga qytetet e tyre drejt Tiranës apo jashtë vendit? A largohen ata vetëm për një pagë më të mirë? Apo kërkojnë edhe mundësi profesionale, arsim, shërbime, jetë sociale dhe një mjedis të përshtatshëm ku mund të realizojnë aspiratat e tyre?

Besoj se përgjigjja e pyetjes së mësipërme lidhet me kombinimin e të gjithë këtyre faktorëve. Një banesë më e lirë nuk mjafton për ta mbajtur një familje në një qytet ku mungojnë mundësitë për punë. Po kështu, një pagë më e lartë mund të mos mjaftojë nëse strehimi dhe shërbimet bëhen të papërballueshme. Njerëzit nuk zgjedhin vetëm një vend pune. Ata zgjedhin një mënyrë jetese dhe një perspektivë për të ardhmen. Territori ku banorët janë të vendosur ose ku dëshirojnë të zhvendosen duhet ti plotësoj këto kushte. 

Kur një territor plaket dhe klima ndryshon

Një tjetër çështje që më tërhoqi vëmendjen në raport ishte lidhja ndërmjet ndryshimeve demografike dhe atyre klimatike. Zakonisht këto dy dukuri i trajtojmë si dy probleme të veçanta. 

Por çfarë ndodh kur një rajon me popullsi gjithnjë e më të moshuar përballet edhe me temperatura ekstreme? 

Nevojat për kujdes shëndetësor, shërbime sociale dhe infrastrukturë të përshtatur mund të rriten njëkohësisht me rreziqet klimatike. OECD tregon se numri i rajoneve të mëdha me përqindje të lartë të popullsisë së moshuar dhe me më shumë se një muaj stres të fortë termik në vit u rrit nga 16 në 74, duke krahasuar periudhat 1981–2010 dhe 2021–2025.

Kjo është një e dhënë që na fton të mendojmë ndryshe për planifikimin territorial. Nuk mjafton të dimë sa banorë ka një qytet apo sa janë temperaturat mesatare. Duhet të kuptojmë edhe kush është më i ekspozuar, cilat shërbime mungojnë dhe si mund të përshtatet territori. Për Shqipërinë, ku disa zona po përballen me largimin e popullsisë dhe plakjen demografike, kjo qasje meriton vëmendje të veçantë.

A dimë ta masim zhvillimin?

Në diskutimet publike, shpesh dëgjojmë sa kilometra rrugë janë ndërtuar, sa investime janë realizuar apo sa objekte janë përfunduar. Këto janë të dhëna të rëndësishme. Por a na tregojnë gjithçka?

Marrim një shembull.

Një bashki investon në transportin publik. Mund të raportojë numrin e autobusëve të blerë dhe kilometrat e linjave të reja.

Por për qytetarin ka rëndësi çfarë ndryshimi sjell ky investim në përditshmërinë e tij: A mbërrin, mbas tij, më shpejt në punë? A shpenzon tani më pak për transport? A ka mundësi të shkojë më lehtë në spital, në shkollë apo në një shërbim publik?

Nëse nuk i masim këto ndryshime, dimë sa kemi investuar, por jo domosdoshmërisht sa kemi përmirësuar jetën e njerëzve. Kjo është një nga arsyet pse më duket me vlerë qasja e OECD-së ndaj treguesve territorialë.

Platforma OECD Local Data Portal përfshin mbi 100 indikatorë në dhjetë fusha tematike, për më shumë se 225 mijë bashki dhe zona lokale në 41 vende. Përmes këtyre të dhënave mund të krahasohen territoret, të identifikohen dallimet dhe të kuptohet më mirë se çfarë fshihet pas mesatareve kombëtare.

Sigurisht, këto të dhëna nuk mund të zbatohen automatikisht për Shqipërinë. Por metodologjia na mëson diçka të rëndësishme. Përpara se të hartojmë një politikë zhvillimi, duhet të dimë ku ndodhemi, ku duam të arrijmë dhe si do ta kuptojmë nëse kemi përparuar.

Po Shqipëria, çfarë mund të mësojë?

Mendoj se Shqipëria duhet të kopjojë politikat e vendeve të OECD-së verbërisht. Çdo territor ka historinë, strukturën ekonomike, burimet dhe sfidat e veta.

Për Shqipërinë vlerë ka nëse ne  mund të mësojmë nga mënyra se si analizohen problemet dhe maten rezultatet në territoret e referuar në raportin e OECD. Për shembull, do të ishte me interes të dinim më shumë për dallimet e produktivitetit ndërmjet qarqeve dhe bashkive, lidhjen ndërmjet migracionit dhe mundësive ekonomike, përballueshmërinë e strehimit, aksesin në shërbime dhe ndikimin e investimeve në mirëqenien e komuniteteve.

Në Vlorë, për shembull, zhvillimi i turizmit ngre pyetje që nuk marrin përgjigje vetëm nga numri i vizitorëve si psh.: Sa vende pune të qëndrueshme krijohen? Sa muaj në vit punojnë njerëzit? Sa nga të ardhurat e turizmit mbeten në ekonominë lokale? Sa mundësi krijohen për prodhuesit vendas dhe të rinjtë? Po kështu, investimet në infrastrukturë, zhvillimi urban dhe përdorimi i burimeve natyrore duhen vlerësuar edhe për ndikimin afatgjatë në cilësinë e jetës.

Shembulli i Vlorës na rikthen te një çështje më e gjerë: kohezioni territorial nuk duhet kuptuar thjesht si zvogëlim i diferencave ekonomike ndërmjet rajoneve. Ai lidhet edhe me mundësinë që njerëzit, pavarësisht vendit ku jetojnë, të kenë qasje në shërbime cilësore, arsim, punësim dhe perspektiva zhvillimi. Për Shqipërinë, kjo kërkon që politikat kombëtare të zhvillimit të marrin më shumë parasysh karakteristikat, potencialet dhe nevojat e territoreve të ndryshme.

Përgjigjet e këtyre pyetjeve kërkojnë të dhëna, analizë dhe dialog ndërmjet institucioneve, profesionistëve dhe komuniteteve. Nuk mjafton që një territor të ketë potencial zhvillimi. Duhet të kuptojmë sa prej këtij potenciali kthehet në mundësi reale për banorët.

Territori nuk është vetëm ekonomi. Është edhe përkatësi.

Deri këtu kemi folur për punësimin, produktivitetin, teknologjinë, strehimin, demografinë dhe klimën. Por ka edhe diçka tjetër që mendoj se meriton vëmendje. Marrëdhënia e njeriut me vendin ku jeton nuk është vetëm ekonomike. Një qytet është edhe kujtesë, marrëdhënie njerëzore, kulturë, identitet dhe ndjenjë përkatësie. Për dikë, lidhja me vendlindjen është aq e fortë sa dëshiron të kthehet edhe pas shumë vitesh largimi. Për dikë tjetër, ajo lidhje mund të dobësohet kur nuk sheh më mundësi për të jetuar me dinjitet apo për të ndikuar në të ardhmen e komunitetit.

Pikërisht këtu do të shtoja një dimension që shkon përtej treguesve ekonomikë të raportit: mundësinë e njerëzve për të marrë pjesë në vendimmarrjen mbi territorin e tyre,  sepse nuk ka rëndësi vetëm çfarë ndërtohet në një qytet, por edhe nëse banorët kanë mundësi të dëgjohen kur vendoset për të ardhmen e tij. Njerëzit lidhen me një vend edhe përmes ndjenjës se i përkasin atij, se mendimi i tyre ka vlerë dhe se mund të kontribuojnë në zhvillimin e tij.

Për mua, territori nuk është thjesht një hapësirë gjeografike ku zhvillohen aktivitete ekonomike. Territori është edhe një marrëdhënie ndërmjet njerëzve, mundësive dhe vendit ku ata ndërtojnë jetën.

Të zhvillojmë vende ku njerëzit dëshirojnë të jetojnë

Raporti i OECD-së më përforcoi një bindje: zhvillimi i një territori nuk mund të matet vetëm me rritjen ekonomike apo me vlerën e investimeve. Një ekonomi mund të rritet, ndërsa një pjesë e njerëzve të vazhdojnë të largohen. Një qytet mund të ndërtojë më shumë, por të bëhet më pak i përballueshëm për banorët. Një zonë turistike mund të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë, por të mos krijojë mjaftueshëm mundësi për ata që jetojnë aty gjatë gjithë vitit.

Prandaj, zhvillimi duhet të na interesojë jo vetëm si proces ekonomik, por edhe si aftësi për të krijuar mundësi, për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për t'u dhënë njerëzve arsye për të qëndruar.

Kjo nuk do të thotë se largimi është gjithmonë një humbje. Lëvizja e njerëzve është edhe shprehje e lirisë për të kërkuar mundësi të reja. Por do të doja që qëndrimi në vendlindje, rikthimi apo zgjedhja për të jetuar në një qytet të vogël të ishin mundësi reale dhe jo vendime të kushtëzuara nga mungesa e alternativave.

Për mua, zhvillimi i një territori merr kuptim kur rritja ekonomike dhe investimet shndërrohen në mundësi reale për njerëzit: për të punuar, për të jetuar me dinjitet, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të ndërtuar të ardhmen që dëshirojnë.

Nuk është fjala që njerëzit të qëndrojnë domosdoshmërisht aty ku kanë lindur. Është fjala që largimi të jetë një zgjedhje dhe jo një domosdoshmëri e imponuar nga mungesa e mundësive.

Në fund, do të pyesja: A po krijojmë territore ku njerëzit jo vetëm mund të jetojnë, por edhe dëshirojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre?

Kjo është një pyetje që ia vlen t'ia bëjmë vetes, institucioneve dhe komuniteteve tona. Përgjigjja e saj nuk gjendet vetëm në statistika, por edhe në përvojën e përditshme të njerëzve që jetojnë në këto territore. Prandaj duhet të ndalemi dhe të reflektojmë për menyrën sesi po i zhvillojmë qytetet, fshatrat dhe territorin tonë.

Burime

OECD (2026). OECD Regions and Cities at a Glance 2026. OECD Publishing, Paris.

Raporti i plotë i OECD-së

OECD Local Data Portal

Shënim: Të dhënat statistikore të cituara i referohen vendeve dhe periudhave të analizuara nga OECD. Reflektimet për Shqipërinë, Vlorën, përkatësinë dhe pjesëmarrjen qytetare janë interpretime të autores.

Monday, November 2, 2026

Nga financimi i projekteve te krijimi i kapitalit institucional

Një nga paradokset e modelit tradicional të financimit të shoqërisë civile është se organizatat mund të zbatojnë me sukses një numër të konsiderueshëm projektesh, pa arritur domosdoshmërisht të ndërtojnë një bazë institucionale po aq të qëndrueshme.

Çdo projekt ka objektivat, aktivitetet, buxhetin, treguesit dhe afatet e veta. Suksesi i tij vlerësohet kryesisht në raport me rezultatet e parashikuara në marrëveshjen e financimit. Por suksesi i projektit nuk është domosdoshmërisht i barabartë me zhvillimin institucional të organizatës që e zbaton.

Madje, në kushte të caktuara, mund të ndodhë edhe e kundërta: organizata zgjeron aktivitetet gjatë periudhës së financimit, angazhon ekspertë, krijon struktura të përkohshme dhe prodhon rezultate të rëndësishme, por me përfundimin e projektit humbet një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve të mobilizuara.

Kjo nuk do të thotë se projekti ka dështuar. Do të thotë se rezultati i projektit dhe rezultati institucional janë dy dimensione të ndryshme, të cilat duhen vlerësuar veçmas.

Çfarë kuptojmë me kapital institucional?

Në këtë diskutim, kapitali institucional mund të kuptohet si tërësia e kapaciteteve, njohurive, përvojave, marrëdhënieve, mekanizmave dhe praktikave të konsoliduara që i mundësojnë një organizate të përmbushë misionin e saj në mënyrë të vazhdueshme dhe të pavarur.

Ai përfshin disa dimensione të ndërlidhura:

  • Kapitalin njerëzor: njohuritë, aftësitë profesionale, përvojën dhe kapacitetin për të zhvilluar ekspertizë të re.
  • Kapitalin organizativ: strukturat e qeverisjes, procedurat, sistemet e administrimit, metodologjitë dhe kujtesën institucionale.
  • Kapitalin e njohurive: kërkimet, bazat e të dhënave, instrumentet analitike dhe aftësinë për ta shndërruar përvojën në njohuri të ripërdorshme.
  • Kapitalin relacional: besimin, rrjetet e bashkëpunimit, partneritetet dhe marrëdhëniet e ndërtuara me komunitetet dhe institucionet.
  • Kapitalin e legjitimitetit: besueshmërinë publike, integritetin, njohjen e rolit të organizatës dhe përgjegjshmërinë ndaj komuniteteve të cilave u shërben.

Këto forma kapitali nuk krijohen automatikisht nga realizimi i aktiviteteve. Ato kërkojnë vazhdimësi, investim dhe mekanizma që mundësojnë ruajtjen dhe zhvillimin e tyre.

Një organizatë mund të prodhojë dhjetë studime, por nëse nuk ndërton kapacitete të brendshme kërkimore, nuk ruan të dhënat dhe nuk zhvillon metodologji të ripërdorshme, një pjesë e vlerës së krijuar mund të humbasë me përfundimin e financimit.

Po kështu, një organizatë mund të realizojë dhjetëra konsultime publike, por nëse ato nuk kontribuojnë në krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm të pjesëmarrjes, ndikimi i tyre mund të mbetet i kufizuar në kohë.

Kapitali institucional nuk përfundon në kufijtë e organizatës

Për organizatat e shoqërisë civile që punojnë në zhvillimin territorial, qeverisjen vendore dhe pjesëmarrjen qytetare, ekziston edhe një dimension tjetër.

Një pjesë e rëndësishme e kapitalit që ato krijojnë nuk mbetet brenda strukturave të tyre, por shpërndahet në territor.

Ai mund të shfaqet në rritjen e kapaciteteve të institucioneve vendore, në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve, në krijimin e praktikave të reja të konsultimit apo në aftësinë e komuniteteve për të marrë pjesë më aktivisht në vendimmarrje.

Ky është një kapital institucional dhe shoqëror i shpërndarë, që nuk është pronë ekskluzive e organizatës, por përbën një vlerë të përbashkët.

Pikërisht këtu qëndron një nga kontributet më të rëndësishme të shoqërisë civile: ajo nuk krijon vetëm rezultate për përfituesit, por mund të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve të vetë shoqërisë për të identifikuar probleme, për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar zgjidhje.

Në këtë kuptim, vlera e një ndërhyrjeje nuk duhet të matet vetëm nga ajo që realizohet gjatë projektit, por edhe nga ajo që komuniteti dhe institucionet bëhen të afta të realizojnë pas përfundimit të tij.

Nga logjika e shpenzimit te logjika e investimit

Nëse e pranojmë këtë dallim, atëherë ndryshon edhe mënyra se si duhet të konceptojmë financimin.

Një pjesë e shpenzimeve që sot trajtohen si kosto administrative ose mbështetëse mund të përfaqësojnë investime të domosdoshme për qëndrueshmërinë institucionale.

Zhvillimi profesional i stafit, sistemet e menaxhimit të njohurive, ruajtja e të dhënave, konsolidimi i metodologjive, zhvillimi i partneriteteve dhe forcimi i qeverisjes së brendshme nuk janë thjesht shpenzime për funksionimin e organizatës.

Ato mund të jenë investime që rrisin aftësinë e saj për të prodhuar vlerë publike në të ardhmen.

Kjo nuk nënkupton se çdo kosto administrative duhet të konsiderohet automatikisht investim institucional. Edhe këto shpenzime duhet t'i nënshtrohen vlerësimit të efektivitetit dhe proporcionalitetit.

Por dallimi është i rëndësishëm: një sistem financimi që mbështet vetëm aktivitetet e drejtpërdrejta, duke nënfinancuar vazhdimisht kapacitetet që i bëjnë ato të mundura, mund të dobësojë pikërisht organizatat prej të cilave pret rezultate të qëndrueshme.

A mund të matet akumulimi i kapitalit institucional?

Po, megjithëse kërkon një qasje më të gjerë sesa treguesit tradicionalë të projektit.

Përveç rezultateve të drejtpërdrejta, vlerësimi mund të përfshijë pyetje të tilla:

A ka zhvilluar organizata kompetenca të reja që mund t'i përdorë në të ardhmen? A janë konsoliduar metodologji dhe sisteme që mbeten funksionale pas projektit? A është forcuar aftësia për të mobilizuar burime në mënyrë të pavarur? A janë krijuar marrëdhënie bashkëpunimi që vazhdojnë përtej financimit? A kanë fituar komunitetet dhe institucionet kapacitete për të ndërmarrë veprime pa mbështetjen e vazhdueshme të projektit?

Përgjigjet mund të kërkojnë kombinimin e treguesve sasiorë me vlerësime cilësore dhe ndjekje në kohë.

Nuk bëhet fjalë për të zëvendësuar matjen e rezultateve të projektit, por për ta plotësuar atë me një dimension të ri: matjen e kapacitetit të krijuar për të prodhuar rezultate të ardhshme.

Një ndryshim i nevojshëm në marrëdhënien me financuesit

Ky këndvështrim kërkon një ndryshim edhe në marrëdhëniet ndërmjet donatorëve dhe organizatave të shoqërisë civile.

Në vend që financimi të konceptohet vetëm si mbështetje për realizimin e një grupi aktivitetesh të përcaktuara, ai mund të projektohet edhe si një investim në aftësinë afatgjatë të organizatave dhe komuniteteve për të krijuar ndryshim.

Kjo mund të realizohet përmes financimeve shumëvjeçare, mbështetjes institucionale, përfshirjes së kostove reale të zhvillimit organizativ dhe mekanizmave të vlerësimit që marrin parasysh vazhdimësinë e rezultateve.

Por përgjegjësia nuk i përket vetëm financuesve.

Edhe organizatat duhet të zhvillojnë strategji të qarta për ruajtjen dhe akumulimin e kapitalit të tyre institucional, në mënyrë që çdo projekt të mos jetë një fillim i ri, por një kontribut në një proces zhvillimi të vazhdueshëm.

Në këtë mënyrë, qëndrueshmëria nuk do të nënkuptonte thjesht aftësinë për të siguruar projektin e ardhshëm, por aftësinë për të ndërtuar mbi atë që është krijuar më parë.

Monday, October 26, 2026

Kurajoja për të ndryshuar dhe mençuria për të ruajtur

Nga Luiza Hoxhaj, 26 Tetor 2026

Reflektim mbi kulturën e ndryshimit, kujtesën dhe vazhdimësinë e përparimit

Në maj të vitit 2012, në dy shënime të shkurtra në blogun tim[i], ndalesha te dy mendime që më shqetësonin atëherë dhe që, duke i rilexuar sot, më duken po aq të rëndësishme.

Në të parin, të titulluar “Nevojitet kurajo për të ndryshuar”, duke iu referuar Paolo Borsellinos dhe marrëdhënies midis frikës dhe kurajës, shkruaja:

“Ne duhet të ndryshojmë në substancë, në sjelljen tonë, në mënyrën e funksionimit, duhet të pasurojmë sistemin tonë me vlerat e pasura demokratike. Për këtë nevojitet kurajo.”

Kurse në të dytin, “Të rikuperojmë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen”, theksoja rëndësinë e njohjes së historisë dhe trashëgimisë sonë, veçanërisht nga të rinjtë, që duhet të dinë t’i përkasin kësaj historie për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe të brezave pasardhës.

Katërmbëdhjetë vjet më vonë, këto dy mendime më duken edhe më të lidhura. Sepse ndryshimi dhe vazhdimësia nuk janë dy procese kundërshtare. Përkundrazi, aftësia për të ndryshuar dhe mençuria për të dalluar çfarë duhet ruajtur janë dy kushte të përparimit.

Kur i rikthehem sot këtyre mendimeve, nuk më udhëheq zhgënjimi dhe as nostalgjia për një kohë të shkuar. Më udhëheq preokupimi për atë që kemi ndërtuar, për atë që kemi arritur të ruajmë dhe për atë që ende nuk kemi ditur ta konsolidojmë. Sepse kultura demokratike, funksionimi i institucioneve, besimi te njëri-tjetri, aftësia për të bashkëpunuar dhe vazhdimësia e proceseve nuk janë çështje të shkëputura nga zhvillimi. Ato përbëjnë një pjesë të bazamentit mbi të cilin ndërtohen siguria, paqja shoqërore dhe perspektiva afatgjatë e një territori.

Për mua, zhvillimi nuk është vetëm ndërtimi i infrastrukturës, rritja ekonomike apo tërheqja e investimeve. Është krijimi i kushteve që njerëzit të jetojnë me dinjitet, të ndihen pjesë e vendimmarrjes, të kenë besim te institucionet dhe të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa pasigurinë se ajo që është arritur sot mund të zhbëhet nesër[ii]. Prandaj, kur flas për kurajon për të ndryshuar dhe mençurinë për të ruajtur, kam parasysh edhe përgjegjësinë për të mos cenuar themelet mbi të cilat duhet të mbështetet zhvillimi që dëshirojmë për vendin dhe territoret tona.

Shqipërinë e këtyre viteve nuk e kam ndjekur vetëm përmes zhvillimeve të saj publike. E kam njohur edhe nga brenda institucioneve, nga përvoja e vendimmarrjes, nga puna me komunitetet dhe nga përpjekjet për zhvillim vendor e rajonal. Kam parë energji të jashtëzakonshme për të nisur ndryshime, por edhe vështirësi për t’i çuar deri në fund. Kam parë iniciativa që kanë prodhuar rezultate dhe të tjera që kanë humbur vazhdimësinë.

Kjo përvojë më ka shtyrë të reflektoj mbi një çështje që shkon përtej rasteve të veçanta: përparimi nuk varet vetëm nga idetë dhe burimet që kemi, por edhe nga kultura me të cilën i përdorim, nga aftësia për të bashkëpunuar dhe nga mënyra se si i ruajmë, i përmirësojmë dhe i trashëgojmë arritjet tona.

Por çfarë na mëson përvoja jonë gjatë këtyre viteve?

Kemi ndryshuar. Por sa kemi përparuar në substancë?

Shqipëria e vitit 2026 nuk është Shqipëria e vitit 2012.

Infrastruktura, teknologjia, komunikimi, hapja ndaj botës, shërbimet dhe mënyrat e organizimit të veprimtarisë ekonomike kanë pësuar transformime të rëndësishme. Janë zgjeruar mundësitë për të studiuar, punuar, komunikuar dhe bashkëpunuar përtej kufijve.

Këto ndryshime nuk duhen nënvlerësuar. Ato janë pjesë e përparimit të vendit, edhe pse përfitimet e tyre nuk janë shpërndarë njësoj midis njerëzve dhe territoreve. Por zhvillimi nuk mund të vlerësohet vetëm nga ajo që është ndërtuar, nga teknologjia që përdorim apo nga shpejtësia me të cilën ndryshon pamja e qyteteve tona. Ai duhet të vlerësohet edhe nga cilësia e marrëdhënieve shoqërore, funksionimi i institucioneve, mundësitë për pjesëmarrje, besimi te njëri-tjetri, respektimi i rregullave dhe aftësia për të bashkëpunuar.

Këtu qëndron edhe një nga shqetësimet e mia më të hershme: ndryshimi material nuk sjell automatikisht ndryshimin e mentalitetit dhe të kulturës së funksionimit. Mund të ndërtojmë rrugë të reja, por të vazhdojmë të kemi vështirësi në respektimin e rregullave të përbashkëta. Mund të digjitalizojmë shërbime, por të mos arrijmë të ndërtojmë një marrëdhënie të besueshme midis qytetarit dhe administratës. Mund të krijojmë institucione dhe mekanizma konsultimi, por t’i trajtojmë ato më shumë si procedura sesa si mundësi reale për bashkëvendimmarrje.

Këto nuk janë kundërthënie të pashmangshme të zhvillimit. Janë tregues se përparimi në një fushë nuk garanton vetvetiu përparimin në të tjerat.

Këtë dallim mund ta vëzhgojmë edhe përmes treguesve të zhvillimit. Të dhënat e Bankës Botërore dëshmojnë rritje të PBB reale për frymë në Shqipëri gjatë periudhës 2012–2024, megjithëse jo pa ndërprerje[iii]. Por rritja ekonomike, sado e rëndësishme, nuk na tregon e vetme sa janë forcuar institucionet, sa është zgjeruar pjesëmarrja qytetare apo sa është rritur besimi te rregullat e përbashkëta[iv].

Edhe vlerësimet ndërkombëtare të demokracisë na ftojnë të shohim përtej përshtypjeve dhe krahasimeve të thjeshta. Ato evidentojnë dobësi të vazhdueshme në funksionimin demokratik të vendit, por edhe zhvillime që nuk kanë ndjekur domosdoshmërisht të njëjtin drejtim në çdo fushë. Prandaj pyetja nuk është vetëm nëse Shqipëria e sotme është më e zhvilluar se ajo e vitit 2012. Pyetja është se çfarë cilësie ka pasur ky përparim, çfarë kemi arritur të konsolidojmë gjatë rrugës dhe sa të qëndrueshme janë kushtet që duhet ta mbështesin atë në të ardhmen.

Kurajoja për të ndryshuar nuk mjafton pa kulturën e ndryshimit

Kur flisja për kurajon në vitin 2012, nuk kisha parasysh vetëm guximin për të marrë vendime të vështira. Mendoja për kurajon për të ndryshuar sjelljen, për të pranuar mendimin ndryshe, për të dalë nga praktikat e konsumuara dhe për të mos u bërë peng i zakoneve tona.

Sot do t’i shtoja edhe diçka tjetër: kurajon për të pranuar se jo çdo ndryshim që kemi ndërmarrë ka prodhuar rezultatet e dëshiruara.

Në përvojën shqiptare kemi njohur reforma të rëndësishme, iniciativa premtuese dhe përpjekje serioze për modernizim. Por kemi njohur edhe ndërprerje, kthime pas, dobësim të praktikave të mira dhe vështirësi për t’i kthyer arritjet në standarde të qëndrueshme. Shpesh problemi nuk ka qenë mungesa e drejtimit të duhur. Kemi ditur çfarë duhet të ndryshojmë dhe kemi filluar të ecim në atë drejtim. Por nuk kemi arritur gjithmonë t’i japim ndryshimit përmbajtjen, vazhdimësinë dhe mbështetjen shoqërore që i nevojitet.

Një reformë nuk përfundon me miratimin e një ligji. Një institucion nuk konsolidohet vetëm duke përcaktuar strukturën dhe kompetencat e tij. Një praktikë e mirë nuk bëhet kulturë vetëm sepse është zbatuar një herë. Ato kërkojnë kohë, përkushtim, mësim nga përvoja, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, njerëz që besojnë te vlera e tyre dhe i zbatojnë në përditshmëri[v].

Ndryshimi bëhet i qëndrueshëm kur nuk varet më vetëm nga vullneti i një individi apo nga rrethanat e një momenti.

Kostoja e fillimeve të përsëritura

Në vlerësimin e përparimit tonë, nuk mjafton të krahasojmë pikën nga u nisëm me atë ku kemi mbërritur. Duhet të shohim edhe rrugën që kemi përshkuar. Trajektorja e zhvillimit na tregon jo vetëm sa kemi fituar, por edhe sa kemi humbur gjatë rrugës: ritme, hapa, cilësi, përvojë dhe mundësi që jo gjithmonë mund të rikuperohen.

Në përvojën tonë kemi njohur jo pak fillime të vrullshme. Kemi ndërmarrë reforma, kemi krijuar institucione, kemi nisur iniciativa dhe kemi përqafuar modele të reja. Por jo gjithmonë kemi treguar të njëjtën energji dhe këmbëngulje për t’i mbajtur gjallë, për t’i përmirësuar dhe për t’i konsoliduar ato.

Ndonjëherë duket sikur kemi më shumë dëshirë për të filluar sesa durim për të vazhduar.

Pse ndodh kjo? Është mungesë vullneti, dobësi e kulturës institucionale apo prirje për ta lidhur suksesin e një procesi me individin që e drejton? Ndoshta nga pak prej të gjithave. Por një element meriton vëmendje të veçantë: marrëdhënia jonë me figurën e individit të fortë.

Kur i atribuojmë një individi pothuajse të gjithë meritën e një arritjeje, rrezikojmë të nënvlerësojmë institucionet, ekipet, bashkëpunimin dhe proceset që e bëjnë atë arritje të qëndrueshme. Dhe kur procesi identifikohet me individin, largimi i tij mund të shoqërohet me ndërprerjen, dobësimin apo rifillimin e asaj që ishte ndërtuar. Kjo nuk është vetëm çështje e politikës. Mund të ndodhë në administratë, në organizata, në institucione arsimore, në ndërmarrje dhe në jetën komunitare.

Çmimi që paguajmë nuk kufizohet te burimet e shpenzuara për të filluar nga e para. Humbasim kohë, energji, besim dhe, ndonjëherë, mundësi që nuk kthehen më. Pikërisht për këtë arsye, kultura e ndryshimit duhet të shoqërohet me kulturën e vazhdimësisë. Duhet të mësojmë të ndërtojmë procese që nuk varen nga një individ, të ruajmë përvojën e fituar dhe të pranojmë se vijimi dhe përmirësimi i një pune të nisur nga të tjerët mund të jetë po aq i vlefshëm sa nisja e një pune të re.

Një fushë ku kjo çështje merr përmasa konkrete është administrata publike dhe qeverisja vendore. Shqipëria ka ndërmarrë reforma për modernizimin e administratës, profesionalizimin e shërbimit civil dhe riorganizimin territorial. Por përvoja e reformave na mëson se ndryshimi i strukturave nuk garanton vetvetiu rritjen e kapaciteteve dhe të cilësisë së shërbimeve. Këto kërkojnë institucione që mësojnë, personel të kualifikuar, mekanizma përgjegjshmërie dhe aftësi për të ruajtur njohuritë e krijuara.

Raportet e vlerësimit të administratës publike në Shqipëri evidentojnë se, krahas përparimeve, vazhdojnë të ekzistojnë dobësi në menaxhimin e burimeve njerëzore, përgjegjshmërinë institucionale dhe zbatimin e standardeve[vi]. Kjo na kujton se suksesi i një reforme nuk matet vetëm nga akti i miratimit apo nga struktura e re që krijohet, por nga aftësia e saj për të funksionuar, për t’u përmirësuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve në kohë.

Në këtë kuptim, reforma territoriale dhe proceset e decentralizimit meritojnë të vlerësohen jo vetëm për atë që synuan në fillim, por edhe për rezultatet që prodhuan, kapacitetet që ndërtuan dhe problemet që mbetën të pazgjidhura. Ndryshimi i radhës duhet të fillojë nga një vlerësim i kësaj përvoje, jo nga supozimi se gjithçka duhet rindërtuar nga e para[vii].

Sepse përparimi nuk kërkon që çdo brez, çdo drejtues apo çdo institucion të fillojë historinë nga e para. Ai kërkon që secili të shtojë diçka mbi atë që është ndërtuar më parë.

Demokracia si kulturë dhe praktikë e përditshme

Një nga fushat ku ky dallim bëhet veçanërisht i dukshëm është demokracia.

Në vitin 2012 kërkoja më shumë demokraci. Sot, ndërsa njoh përparimin e bërë në zhvillimin material të vendit, vlerësoj se kemi humbur terren në disa dimensione të rëndësishme të jetës demokratike.

Nuk e shoh këtë vetëm si çështje të funksionimit të institucioneve. Ajo lidhet edhe me mënyrën se si ndërtojmë përfaqësimin politik, me legjislacionin zgjedhor, me demokracinë e brendshme të partive, me përqendrimin e vendimmarrjes dhe me personalizimin e pushtetit.

Kjo mungesë vazhdimësie bëhet veçanërisht shqetësuese kur prek vetë ndërtimin e demokracisë. Prej më shumë se tri dekadash kemi ndryshuar rregulla, sisteme zgjedhore, struktura dhe mekanizma të përfaqësimit. Kemi ndërtuar institucione, kemi rishikuar mënyrën e funksionimit të tyre dhe, jo rrallë, kemi zhbërë atë që më parë e kishim konsideruar arritje. Kështu, në vend që çdo reformë të mbështetet mbi përvojën e grumbulluar dhe ta çojë demokracinë drejt një konsolidimi më të madh, rrezikojmë të rikthehemi vazhdimisht te pikënisja. Sfida nuk është vetëm të ndërtojmë institucione demokratike, por të krijojmë një kulturë demokratike që u jep atyre qëndrueshmëri, përmbajtje dhe besueshmëri.

Një shembull domethënës është evolucioni i sistemit tonë zgjedhor. Kalimi nga zgjedhja e drejtpërdrejtë e kandidatëve në zona njëemërore te sistemi proporcional me lista partiake ka ndryshuar marrëdhënien midis zgjedhësit dhe deputetit. Edhe pse është krijuar hapësirë për votën preferenciale, renditja e paracaktuar e një pjese të kandidatëve vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në shpërndarjen e mandateve. Ndërkohë, ndarja e mandateve sipas qarqeve dhe madhësia e ndryshme e zonave zgjedhore ngrenë edhe çështjen e peshës efektive të votës dhe të mundësisë së barabartë për përfaqësim. Kështu, përtej formulës zgjedhore, shtrohen dy pyetje thelbësore: sa e drejtpërdrejtë mbetet lidhja e deputetit me qytetarin dhe sa e barabartë është mundësia që vota e çdo qytetari të përkthehet në përfaqësim parlamentar? [viii]

Po aq e rëndësishme është lidhja me kulturën tonë shoqërore: sa e pranojmë mendimin ndryshe, sa e vlerësojmë meritën, sa jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me njerëz që nuk mendojnë si ne dhe sa përgjegjësi marrim për çështjet e përbashkëta.

Demokracia nuk është vetëm një sistem zgjedhjesh periodike. Është edhe një mënyrë e të jetuarit së bashku, e ndarjes së përgjegjësive dhe e respektimit të kufijve të pushtetit. Ajo duhet të jetë e pranishme në institucionet publike, por edhe në partitë politike, në organizatat shoqërore, në shkolla, në universitete dhe në komunitete.

Nëse qytetari ftohet të marrë pjesë, por mendimi i tij nuk ndikon në vendimmarrje, pjesëmarrja rrezikon të mbetet formale. Nëse bashkëpunimi shpallet si parim, por praktika mbështetet te përjashtimi dhe rivaliteti, atëherë kemi ende rrugë për të bërë drejt një kulture bashkëpunuese.

Këtu rikthehet nevoja për ndryshim në substancë.

Të ruajmë atë që kemi ndërtuar, të mos përsërisim atë që na ka penguar

Shënimi i dytë i vitit 2012, për rikuperimin e së kaluarës, sot më fton ta shoh këtë çështje në një kuptim më të gjerë.

E kaluara nuk është vetëm historia e ngjarjeve, monumenteve dhe traditave tona. Ajo është edhe përvoja e përbashkët, kujtesa e institucioneve, njohuritë e fituara, përpjekjet e brezave dhe mësimet që duhet të nxjerrim nga sukseset dhe gabimet.

Të ruash nuk do të thotë të mbash gjithçka të pandryshuar. Do të thotë të kesh aftësinë për të dalluar çfarë ka vlerë, çfarë duhet përmirësuar dhe çfarë duhet lënë pas. Në qytetet tona, për shembull, zhvillimi urban krijon nevoja të reja për banim, infrastrukturë, shërbime dhe hapësira ekonomike. Por një qytet nuk është vetëm një bashkësi ndërtesash. Ai është edhe histori, kujtesë, marrëdhënie shoqërore dhe identitet. Prandaj, një ndërhyrje që sjell vlerë ekonomike ose fizike duhet të vlerësohet edhe për ndikimin e saj në trashëgiminë, jetën komunitare dhe cilësinë e hapësirës publike.

Përvoja e qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës e bën të prekshëm këtë raport midis ruajtjes dhe zhvillimit. Njohja e vlerave të tyre nga UNESCO ka krijuar një përgjegjësi të veçantë për mbrojtjen e trashëgimisë, ndërsa zhvillimi i turizmit dhe transformimet urbane kanë sjellë mundësi të reja ekonomike, por edhe sfida për administrimin e këtyre hapësirave. Pikërisht për këtë arsye, ruajtja e autenticitetit nuk mund të ndahet nga planifikimi, pjesëmarrja e komunitetit dhe menaxhimi afatgjatë.[ix]

Përvoja e këtyre qyteteve na tregon gjithashtu se njohja e një vlere nuk mjafton për ta garantuar mbrojtjen e saj. Duhen institucione që bashkëpunojnë, plane që zbatohen, monitorim dhe përgjegjësi që nuk ndërpriten me ndryshimin e drejtuesve apo të prioriteteve. Trashëgimia nuk duhet parë si pengesë ndaj zhvillimit, por si një kapital territorial që kërkon kujdes, njohuri dhe mençuri për t’u përcjellë tek brezat e ardhshëm.

Në fund të fundit, mençuria për të ruajtur nuk është kundërshtim i ndryshimit. Është aftësia për ta orientuar ndryshimin në mënyrë që vlerat e trashëguara të mos konsumohen nga zhvillimi, por të bëhen pjesë e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së tij.

E njëjta logjikë vlen për institucionet dhe praktikat tona. Një ndryshim organizativ nuk duhet të na bëjë të humbasim përvojën e vlefshme të krijuar më parë. Ndërrimi i drejtuesve nuk duhet të nënkuptojë fillimin nga e para. Dhe një reformë e re nuk duhet të fshijë pa vlerësim arritjet e reformave të mëparshme. Shoqëritë përparojnë jo vetëm kur krijojnë gjëra të reja, por edhe kur dinë të ndërtojnë mbi atë që kanë mësuar.

Nga përkatësia te përgjegjësia për të ardhmen

Në shënimin e vitit 2012 shkruaja, gjithashtu, se të rinjtë duhet të dinë t’i përkasin historisë së tyre. Sot këtë mendim do ta shprehja edhe më gjerë: të rinjtë duhet të kenë mundësinë jo vetëm të njohin dhe të trashëgojnë historinë, por edhe të marrin pjesë në ndërtimin e së ardhmes.

Përkatësia nuk duhet të jetë një lidhje pasive me të kaluarën. Ajo duhet të krijojë ndjenjën e përgjegjësisë për vendin, komunitetin dhe territorin ku jetojmë. Një i ri që njeh historinë e qytetit të tij, por nuk ka hapësirë të shprehë mendimin për zhvillimin e tij, mbetet vetëm një njohës i trashëgimisë, jo domosdoshmërisht një bashkëkrijues i së ardhmes. Prandaj edukimi, pjesëmarrja dhe bashkëpunimi janë të pandashëm.

Mendoj se na nevojitet të kultivojmë aftësinë për të punuar së bashku, për të ndarë njohuritë, për të respektuar kontributin e tjetrit dhe për ta parë suksesin e përbashkët jo si humbje të meritës individuale, por si shumëfishim të saj[x].

Kjo kulturë nuk ndërtohet vetëm me thirrje dhe deklarata. Ajo kërkon praktika të përditshme: shkolla që nxisin mendimin kritik, institucione që dëgjojnë, organizata që bashkëpunojnë, drejtues që pranojnë përgjegjësi dhe komunitete që marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Të mësojmë të ecim përpara pa humbur arritjet

Duke iu rikthyer sot këtyre dy shënimeve, nuk do të thosha se atëherë kishim përgjigjet dhe sot i kemi humbur. As se e kaluara ishte domosdoshmërisht më e mirë se e tashmja. Por përvoja e këtyre viteve më ka forcuar bindjen se zhvillimi nuk është një proces linear dhe as një arritje e pakthyeshme.

Mund të ecim përpara në një drejtim dhe të mbetemi pas në një tjetër. Mund të ndërtojmë më shumë, por të bashkëpunojmë më pak. Mund të kemi më shumë mjete dhe mundësi, por të mos i përdorim ato për të përmirësuar në të njëjtën masë cilësinë e jetës dhe marrëdhëniet tona shoqërore.

Kjo gjë nuk duhet të na çojë në pesimizëm. Përkundrazi, duhet të na nxisë të kuptojmë më mirë se çfarë kërkon përparimi i qëndrueshëm. Na duhet kurajë për të ndryshuar atë që nuk funksionon. Na duhet mençuri për të ruajtur atë që ka vlerë. Na duhet kulturë për të mësuar nga gabimet, përgjegjësi për të mos përsëritur praktikat që na kanë penguar dhe aftësi për të bashkëpunuar përtej interesave të çastit.

Mbi të gjitha, duhet të kuptojmë se përparimi nuk është vetëm rezultat i vendimeve që marrim sot, por edhe i asaj që arrijmë t’u lëmë si mundësi brezave që vijnë. Sepse sfida nuk është vetëm të ndryshojmë. Sfida sot është të mësojmë të ndryshojmë pa humbur vlerat, përvojën dhe arritjet që na bëjnë të aftë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.

(C) 2026 Luiza Hoxhaj. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

[i] Hoxhaj, Luiza (2012). Nevojitet kurajo për të ndryshuar; Të rikuperojmë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen. Shënime në blogun personal, maj 2012. https://detipafund.blogspot.com/

[ii] Sen, Amartya (1999). Development as Freedom. New York: Alfred A. Knopf.

[iii] North, Douglass C. (1993). Economic Performance through Time. Nobel Memorial Prize Lecture, 9 December 1993.

[iv] Freedom House. (2024). Nations in Transit 2024: Albania. https://freedomhouse.org/country/albania/nations-transit/2024

[v]  Ostrom, Elinor (1990). Governing the Commons: The Evolution of Institutions for Collective Action. Cambridge: Cambridge University Press.

[vi] European Commission. (2025). Albania 2025 Report. Brussels, 4 November 2025. https://enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2025_en

[vii] UNESCO World Heritage Centre. Historic Centres of Berat and Gjirokastra, World Heritage List, Property 569bis; dokumentacioni i ruajtjes dhe menaxhimit. Dosja e pasurisë.

[viii] OSCE/ODIHR. (2025). Republic of Albania, Parliamentary Elections, 11 May 2025: ODIHR Election Observation Mission Final Report. Warsaw: OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights.

[ix] UNESCO World Heritage Centre. Historic Centres of Berat and Gjirokastra. World Heritage List, Property No. 569bis. https://whc.unesco.org/en/list/569/

[x] World Bank. World Development Indicators: GDP per capita (constant 2015 US$), Albania. Të dhënat.

Ky shkrim u botua fillimisht te revista e pavarur kulturore online«Peizazhe të fjalës», 26 tetor 2026: Kurajoja për të ndryshuar dhe mençuria për të ruajtur. 

Falënderoj redaksinë për botimin dhe kujdesin në paraqitjen e tij.