Cerca nel blog

giovedì 29 gennaio 2026

Kur zhvillimi urban sfidon natyrën: Rasti i pallatit nr. 558 në Vlorë

Nga Luiza Hoxhaj

Vetëm pak ditë para Vitit të Ri, menjëherë pas Krishtlindjeve, banorët e pallatit nr. 558 në Vlorë përjetuan një shqetësim të madh. Zhurma e fadronëve dhe skrepave mbushte zonën përreth ndërtesës, ndërsa punëtorët tentonin të vendosnin gardhe rrethues mbi murin ekzistues prej 80 cm që e rrethon pallatin. Paralelisht, filluan gërmimet për vendosjen e pilotave pranë objektit, një proces që kërcënonte strukturën e pallatit dhe sigurinë e banorëve.

Një shqetësim i veçantë lidhet me sistemin ekzistues të shkarkimit të ujërave të bardha dhe të zeza, që funksionon në mënyrë vetë-dekantimi. Ndërhyrja e projektit të ri rrezikon të shkatërrojë këtë sistem, duke mos ofruar asnjë alternativë për lidhjen e tij me rrjetin e përgjithshëm. Kjo gjendje krijon rreziqe reale për përmbytje, ndotje dhe dëmtime strukturore të pallatit ekzistues dhe të ndërtesave përreth.

Në qytetet tona po ndodh një fenomen shqetësues: ndërtesat e larta, shpesh me kate nën-tokësore për parkingje dhe zona komerciale, po ndërtohen shumë afër pallateve ekzistuese, duke cenuar ndriçimin, ventilimin dhe stabilitetin e tyre. Një rast tipik është ai pranë pallatit nr. 558 në Lagjen “Uji i Ftohtë”, ku projekti “Luzaj Tower” parashikon ndërtimin e një objekti 21–22 katësh që rrethon pallatin ekzistues në tre drejtime. Raporti i lartësisë midis ndërtesës ekzistuese dhe projektit të ri është 1:7, një tregues i qartë i cenimit të ndriçimit dhe ventilimit, si dhe i reduktimit të kapacitetit natyror për përthithjen e ujërave dhe kontrollin e mikroklimës.

Cenimi i ekosistemeve urbane dhe natyrës

Tri katet nën-tokësore të objektit të ri shtrihen rreth pallatit ekzistues, duke zvogëluar sipërfaqet e depertueshme dhe penguar rrjedhën natyrale të ujërave të shiut. Kjo rrit rrezikun e përmbytjeve dhe dëmton sistemet ekzistuese të dekantimit të ujërave të bardha dhe të zeza, jo vetëm për pallatin ekzistues, por edhe për ndërtesa të tjera në lagje. Pa zgjidhje adekuate, ndërhyrja mund të shkaktojë çarje ose dëmtime serioze strukturore në pallatin ekzistues, duke rrezikuar sigurinë e banorëve dhe stabilitetin afatgjatë të ndërtesës.

Zgjidhje të bazuara në natyrë dhe standarde evropiane

Zhvillimi i qytetit duhet të bëhet duke harmonizuar interesin e ndërtuesve me të drejtën e banorëve ekzistues, duke përdorur “Nature-Based Solutions” për të:

·         Siguruar drenazh dhe përthithje natyrore të ujërave të shiut;

·         Ruajtur dhe zgjeruar hapësirat gjelbëruese;

·         Reduktuar efektet e ngrohjes urbane dhe rreziqet klimatike;

·         Mbështetur biodiversitetin dhe cilësinë e mjedisit për banorët.

Duke u mbështetur në:

·         Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (CEDNJ), neni 8 për të drejtën e respektimit të jetës private dhe të banimit;

·         Konventën Evropiane për Mbrojtjen e Peizazhit (Florenca, 2000) mbi ruajtjen e peizazheve urbane dhe natyrore;

·         Kartën Evropiane për Ambientin e Ndërtuar për zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve;

nënvizojmë se projekti i planifikuar cenon ndriçimin dhe ventilimin natyror, rrezikon integritetin strukturor dhe sistemet ekzistuese të ujërave, dhe rrit rrezikun e përmbytjeve.

Rreziku për komunitetin dhe pasuritë ekzistuese

Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 22% e pasurive të paluajtshme në Vlorë blihet nga të huajt. Por a ia vlen të cenohet funksioni natyror, siguria dhe stabiliteti i banorëve ekzistues për këtë pjesë të tregut? Zhvillimi i qytetit duhet të bëhet duke respektuar balancën midis ndërtimit dhe natyrës, duke ruajtur infrastrukturën ekzistuese dhe hapësirat gjelbëruese.

Në finale: qyteti duhet të jetë së pari në funksion të banorëve  

Banorët e pallatit nr. 558 kanë nisur të reagojnë, sepse çdo ditë që kalon rritet rreziku për jetën e tyre dhe mirëqenien e komunitetit. Zhvillimi urban duhet të  të konsideroj dhe mbrojë banorët si dhe të përdorë zgjidhje që ruajnë sigurinë, shëndetin dhe mirëqënien e tyre krahas peizazhit dhe stabilitetit.  

Konkluzioni.  
Ky rast është një thirrje për reflektim: zhvillimi urban duhet të harmonizohet me natyrën, sigurinë dhe mirëqenien e banorëve, duke integruar zgjidhje inovative dhe duke respektuar konventat dhe standardet evropiane. Vetëm kështu Vlora mund të zhvillohet si një qytet modern, i qëndrueshëm dhe i banueshëm, ku qytetari dhe natyra kanë një vend të respektuar.

Nessun commento: