Jo rastësisht u përdor një
sindikaliste fantazmë të ankohej për punën e ish-drejtoreshës së përgjithshme
të Postës Shqiptare, kur realiteti ishte krejt tjetër dhe marrëdhëniet me dy
sindikatat dhe përmbushja e kërkesave të tyre, siç deklaronin edhe ata vetë,
ishin në kuotat më të larta. (Kjo ishte kambana, siç do të bien më pas edhe
kambana të tjera.) Jo rastësisht anatemohet puna e shoqërisë Posta Shqiptare
sh.a., në një kohë që fitimi i kësaj shoqërie për vitet 2004-2005, periudhë në
të cilën e kam drejtuar këtë shoqëri, ka qenë më i larti në 14 vitet e fundit.
Jo rastësisht, në vitet në vazhdim pas
97-s, për çdo ngjarje që ndodhte, në gojën e Berishës vihesha unë.
Jo rastësisht fotokopiet e Berishës,
me aq devotshmëri, u përbetuan dhe janë angazhuar për luftë të ashpër ndaj
korrupsionit, që kishte “lulëzuar” në Postën Shqiptare. Sa mirë po të ishte
kështu.
Urrejtja Berishën ka 9 vjet që e
përvëlon përbrenda (sepse në vitet që ishte në pushtet, ai e shpërthente me
veprimet që kryente). Berisha nuk i duron dot njerëzit e pavarur. Ai nuk i
honeps dot ata që mendojnë ndryshe.
Urrejtja e Berishës, ashtu si virusi i
gripit, ka pësuar një shndërrim (kamuflim). Megjithatë, ajo ka mbetur po aq e
thellë për të gjithë ata që janë kundërshtarë politikë, për të gjithë ata që
edhe sot mendojnë ndryshe nga ai.
Ai edhe sot ndaj tyre ka mbetur po ai,
me një ndryshim të vogël në formë, që nuk është më President, pra njeshi, por
Kryeministër, pra treshi për nga radha dhe njeshi për nga fuqitë.
Urrejtja e tij ka mbetur po aq e
thellë, madje ajo është shumëfishuar, për ata që e rrëzuan nga froni, pas të
cilit mbahej me thonj në vitin 97.
Urrejtja e Berishës është shumë e
dukshme për kalorësitë e ndryshimit dhe progresit si Edi Rama.
Urrejtja e Berishës është po aq e
egër, megjithëse e fjetur, për shkak të “tërheqjes” ndaj Fatos Nanos.
Urrejtja e Berishës është po aq e
hidhur ndaj atyre që i lëvizën nga stani në 97, pra për disidencën nga radhët e
tij.
Por çudi, ajo është “fishitur” për
disa të tjerë që edhe kanë kontribuar shumë fort për rrëzimin e Berishës, edhe
kanë keqqeverisur gjatë me socialistë në 8 vitet e pas 97-s, në poste nga më të
lartat, periudhë të cilën ata ende vazhdojnë ta anatemojnë në gjithçka.
Vërtet këto specie besojnë se ajo
është shuar?
Jo, kurrsesi. Ajo është si kongjilli
në hi, që, pak t’i frysh, merr flakë menjëherë. Po mori flakë, s’ka faj njeri
veçse ata vetë, nëse kujtojnë ndonjë nga veset e tjera, si të kundërshtojnë apo
të mendojnë ndryshe, p.sh. Pra, në këtë rast, virusi i urrejtjes vetëm është
transformuar, i gatshëm të bëjë kërdinë nëse ndodh.......
Ajo veçse është zbutur për shkak të
nevojës për kartonin jeshil, për shkak të binjakëzimit që kanë krijuar disa me
kolltuqet e disponuar apo ëndërruar; ajo fle për shkak të nevojës që ka
qeverisja aktuale dhe forca më e madhe qeverisëse dhe, në veçanti, lideri i
saj, për imazh dhe makiazh. Por KUJDES, ajo nuk është shuar, ajo vetëm fle.
Për disa prej tyre, kjo sjellje buron
vetëm nga nevoja që kanë për të siguruar, pa dinjitet, pak qetësi për vete dhe
familjarët e tyre. Ata, thellë në koshiencën e tyre, janë të bindur se asgjë
nuk ka ndryshuar, por ata nuk kanë kurajë të pranojnë publikisht se nuk kanë më
energji për të përballuar sërish represionin që kanë pësuar në vitet 92-97, që
në kulmin e tij i detyroi të strehoheshin në ambasada të ndryshme, represionin
e atyre që “i kanë peshqesh nga PS”.
Çdo artikulim tjetër argumentesh në
gojën e tyre për arsyet pse ata sot mendojnë ndryshe është i pavërtetë. Nuk ka
sens.
Por më kot rreken disa syresh prej
tyre të na bindin për të kundërtën. Të gjithë e shohin dhe binden çdo ditë e më
shumë se asgjë nuk ka ndryshuar. Vërshimi i urrejtjes ndaj tyre vetëm sa është
spostuar paksa në kohë, sa të ketë nevojë për votën e tyre.
A ju kujtohet sa paqe kishte në
fushatën dhe fytyrën e tyre në ditët e fundit të opozicionit përpara 3
Korrikut? Ajo ishte maska ose, e thënë ndryshe, “ajo ishte loja”, sa për të
fituar zgjedhjet, sepse të gjithë nuk e shohim më. Maska u zhduk.
Rikthimin në identitet e pamë në
seancat e nxehta të Parlamentit, e shohim çdo ditë në përpjekjet që bëhen për
të zotëruar institucionet e pavarura, e pamë në dhunën e ushtruar ndaj
deputetit Tavo në një tubim paqësor.
Pra, mos u gënjeni. Keni kohë për
reagim. Kur ta keni kuptuar, apo kur të jeni shtrydhur si limone, do të jetë
vonë.
Deri atëherë do të keni humbur shumë
nga vetja dhe dinjiteti juaj. Kur të ktheni kokën pas, do të ketë vetëm
boshllëk. Nuk do t’ju ndjekë më njeri pas.
Deri atëherë, edhe votuesit e majtë
apo të djathtë, që votuan me porosi, edhe nëse nuk ndryshon pozitivisht kodi,
nuk do t’u binden më verbërisht lidershipit të tyre. Lidershipet jo gjithmonë i
bëjnë llogaritë mirë.
Kjo do të jetë e rëndë për ju, mbasi
do të rezultojë fatale.
Kjo thirrje është në respekt të punës
dhe luftës së përbashkët për progres me disa protagonistë të progresit, të
cilët nga protagonistë të progresit dhe kalorës të dritës po kthehen në
“kalorës të errësirës”.
Unë nuk jam e mendimit që të mohohet
gjithçka apo që të cenohet liria e veprimit të gjithsecilit. Përkundrazi. E kam
theksuar se edhe kur aksionet e PD ishin në kuotat më të ulëta më 97, kam pasur
kurajon ta quaj PD një pasuri kombëtare. Por edhe PD dhe aleatët e saj, që në
pushtet erdhën me votën e 3 Korrikut dhe pas një rotacioni normal, duhen lënë
të gjenerojnë energjitë e tyre pozitive, të cilat “për forza” pengohen edhe nga
këta njerëz, që ndryshojnë si kameleoni ose që kanë mungesë kurajoje, ose që kanë
sindromën e kolltukofagut.
Sjellja e tyre mban në këmbë
mentalitetin e të GJITHËTEPUSHTETSHMIT, e cila ndodhet në shkallën më të lartë
të koncentrimit tek Berisha.
Sjellja e tyre na kushton të gjithëve.
Luiza Hoxhaj
Tiranë, më 30.01.2006.
Dërguar për botim te gazeta “Koha
Jonë”
No comments:
Post a Comment