Search This Blog

Monday, November 5, 2007

PËRBALLIMI I PËRGJEGJËSIVE TË QEVERISJES

Ky shkrim së bashku me shkrimin Urrejtja përvëluese e Berishës, ju dërguan për botim Gazetës "Koha Jonë", me premtimin e botuesit se do të botoheshin.  Kjo nuk ndodhi.

Nuk e di prej kujt dhe përse u penguan të botoheshin, duke përfunduar paraprakisht në tavolinën e punës së një drejtueseje të lartë të legjislativit, gjë e cila bëri, që, ndërkohë që unë kisha ardhur nga Amerika e largët, për t'u deklaruar vullnetarisht në lidhje me një çështje të përfolur mediatikisht, bëri që të shpejtoheshin punët dhe jashtë parashikimeve të ligjit unë të mos pyetesha apo kontaktohesha fare, por në mënyrë arbitrare të gjendesha në qelitë e paraburgimit, gjë e cila kushtëzoi zhvillimet e mëtejëshme.

Pas asaj që ndodhi këto shkrime e patën të vështirë të gjenin dritën e botimit.

 

Luiza Hoxhaj


PËRBALLIMI I PËRGJEGJËSIVE TË QEVERISJES

Çdo forcë politike prezantohet në fushata elektorale me programin elektorale dhe në bazë të cilësisë, objektivitetit si dhe besueshmërisë së tyre votohet prej elektoratit. Njëkohësisht, forca politike e bazon suksesin e saj edhe tek njerëzit që do ta zbatojnë këtë program.

Që të bësh efektiv një program, është e nevojshme që për zbatimin e tij të impenjohen njerëz që besojnë tek ky program, që e njohin atë, por edhe që janë të interesuar që forca politike të vlerësohet e përgjegjshme prej elektoratit për angazhimet dhe premtimet elektorale. Jo më kot shteti demokratik ka dhe rregullat se si demonstrohet kjo përgjegjshmëri.

Përveç rolit të rëndësishëm që ka organi ligjvënës, prej të cilit burojnë të gjitha pushtetet, sepse në fund të fundit aty e ka fillesen gjithçka, por nuk mbaron gjithçka po aty, mbasi këto përgjegjësi respektohen edhe nga pushtetet e tjera.

Politikat e hartuara dhe materializuara në ligje apo vendime të parlamentit mbeten në letër, nëse nuk bëhen të zbatueshme nëpërmjet akteve të tjera nënligjore cilësore, që hartohen nga ekzekutivi dhe zbatohen po prej tij apo prej institucioneve të tjera të pavarura, si pushtete të ndara, gjë e cila është shumë saktë e shprehur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në shërbim të këtij pushteti është një armatë e tërë nëpunësish të të gjitha niveleve të administratës publike apo të institucioneve të tjera.

Për mënyrën e funksionimit të kësaj administrate si dhe mënyrën e rekrutimit të saj janë përcaktuar rregulla dhe kritere të fiksuara në aktet ligjore apo nënligjore. Kjo me të vetmin merak që kjo administratë të konsolidohet dhe të sigurojë vazhdimësinë. Por, ndërsa e shkruara nuk është edhe aq keq, për zbatimin nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Për të harmonizuar efektin e rotacionit të pushtetit me vazhdimësinë e kësaj administrate, ashtu si në gjithë botën, edhe në administratën tonë postet janë të ndara në poste politike dhe civile dhe, si të tilla, rregullat e rekrutimit janë të ndryshme.

Por ç’ndodh në praktikë?

Pushtetin e fiton forca politike apo koalicioni i disa forcave politike dhe, si të tilla, ato kanë përgjegjësinë e qeverisjes. Sapo mbaron ky proces, gjithçka shmanget nga normaliteti. Në poste politike, për moderacion apo thjesht për të vazhduar me sindromën e besnikëve personalë, emërohen njerëz që nuk kanë fare lidhje me forcën politike apo koalicionin përkatës (si të tillë, pra pa detyrime përballë kësaj force apo këtij koalicioni). Në poste teknike mund të ndodhë edhe e kundërta.

Mendimi se në poste politike duhen emëruar vetëm elementë që i përkasin anëtarësisë së partisë apo koalicionit fitues nuk është anakronik. Një përfaqësues i Partisë Laburiste angleze, në një seminar trajnues, kur iu bë një pyetje se cila është eksperienca e tyre në këtë drejtim, përgjigjja e tij ishte: Në të gjitha rastet, që të përfaqësosh në ekzekutiv dhe kudo në Partinë Laburiste, duhet të jesh anëtar i saj. Pra, edhe eksperienca e partive moderne është e tillë.

Njerëzit e marrë vetëm për miqësi, duke mos ndjerë përgjegjësi, e shpërdorojnë edhe miqësinë edhe besimin dhe ndodh pastaj si tek përralla me rrepat, në sistem zinxhirë rrokullisin tatëpjetë të tërë.

Po kostot kush e paguan?

Natyrisht, të qeverisurit që nuk qeverisen sipas premtimit dhe forca politike që duhet të përballet përsëri me votuesit dhe të paguajë kostot përkatëse, nëse nuk i ka përmbushur mirë detyrimet. Pra, individi i rekrutuar në poste të tilla jashtë këtyre përgjegjësive nuk paguan asgjë. Veç kësaj, edhe vetë administrata, duke e ndjerë veten të pasigurt, të përkohshme, nuk investohet plotësisht dhe priret më tepër nga avantazhet që të krijon vendi i punës sesa nga detyrimet. Rezultati – Jo koment: – Një administratë që tërhiqet zvarrë.

Problemi është që duhet të vish në qeverisje për të sjellë një ndryshim në cilësi, në thelb, jo thjesht në formë.

Por ç’ndodh në të vërtetë?

Një shumicë jo e pakonsiderueshme është e mendimit se në praktikë nuk ndodh kështu. Për të materializuar një koncept të tillë duhet kontributi i të gjithëve, por secili në vendin e vet. Në administratë duhen tërhequr njerëz me vizione. Në këtë drejtim, niveli i administratës është jo në cilësinë dhe përgjegjshmërinë e kërkuar. Ka një rendje drejt tërheqjes së njerëzve të biznesit në këtë administratë, duke përbërë herë pas here konflikt interesash apo edhe shqetësim për organizmat ndërkombëtare. Unë mendoj se, pa e ekzagjeruar, duhet të vazhdojë konsolidimi i klasës së biznesmenëve, i klasës së nëpunësve të administratës publike, por edhe të vetë klasës politike.

Për mendimin tim, hapa të tillë, përveç mesazhit pozitiv që japin për një qeverisje të hapur ndaj gjithë elementeve të përgatitur profesionalisht, pra ndaj vlerave, garantojnë njëkohësisht arritjen dhe ruajtjen e standardeve. Nëse kjo përdoret thjesht si fasadë, ajo jep efektin e kundërt.

Rendja me tepricë ndaj kategorisë së të zakonshmes jashtë forcës politike, me të vetmin “favor” se janë të panjohur, për mendimin tim tregon se ne ose kemi varfëri (pra, nuk i justifikojmë pretendimet se kemi dhe mirëpërdorim burimet tona njerëzore) ose nuk dimë t’i vlerësojmë njerëzit tanë. Ata, në fakt, kanë avantazhin e madh, ndaj të panjohurve, se besojnë tek programi i kësaj qeverie dhe janë më të prirur të investohen për zbatimin e tij. Si të tillë, ata, kur janë më të mirë apo të barabartë me kategorinë e të panjohurve, duhet të jenë të përzgjedhurit. Ndoshta kanë një disavantazh se nuk dinë të lyejnë këpucët e eprorit, i prezantojnë problemet pa llustër dhe nuk ndihen produkt i dikujt dhe, në këtë rast, gjithë nderimin e kanë vetëm për punën.

Hapat e ndërmarra nga qeveria socialiste për përsosjen e ligjit të shërbimit civil dhe përsosja e rregullave dhe kritereve të rekrutimit të punonjësve të administratës publike i ngushtojnë shumë hapësirat e subjektivizmit, por prapë, për mendimin tim, përqendrimi i kompetencave në duart e një njeriu është tepër i lartë. Unë e kam frikë njeriun me pushtet të pakufizuar. Të gjithë duhet ta kemi frikë një njeri të tillë, kushdo qoftë emri i tij. Ne kemi vuajtur si komb nga njerëz të tillë. Kujtesa është shumë e afërt në kohë. Mentaliteti i klasës së sotme politike është i tillë që spekulon edhe kur nuk i ka në dorë kompetencat, pale kur ato i ka me bollëk dhe me përcaktime evazive. Kultura demokratike dhe kolegjiale lë shumë për të dëshiruar. Zot na ruaj nga pushteti i njëshit në çdo pozicion qoftë ai. Rreziku më i madh i këtij modeli është abuzimi me pushtetin.

Pavarësisht se jam e angazhuar në politikë, objektivat e mia në këtë angazhim janë shumë larg kësaj sindrome. Unë besoj se forca politike ku unë jam angazhuar, tek programi i të cilës besoj, nuk dëshiron t’i ofrojë publikut shqiptar këtë model qeverisjeje. Për këtë ne duhet të japim të gjithë kontributin tonë. Të rrëshqasesh drejt modeleve të tilla është shumë lehtë. Prandaj duhet të qëndrojmë syhapur e mendjemprehtë. Këtë duhet ta bëjmë jo thjesht për interesa të caktuara të forcës politike që i përkasim, por për të lënë një model të trashëgueshëm, i cili me kohë do të përsoset, por jo përmbyset.

Ky shkrim është përgatitur për botim në prill të 2004, botim i cili nuk u realizua për shkak të emërimit tim në detyrën e Prefektes së Qarkut Berat. Kjo nuk u bë për konformizëm, por thjesht në respekt të detyrës, si përfaqësuese e qeverisë, këtë duhej ta bëja në mënyrë institucionale.

Sot mendoj se ia vlen t’i rikthehesh kësaj teme me theks të veçantë, sepse dukuritë përsëriten, tashmë në shkallë dhe përmasa më të mëdha. Kemi një administratë jo që thjesht zvarritet, por, për më keq, ka ngecur në vend. Jemi në kushtet kur ka filluar përmbysja. Po riciklohet teoria e zeros. Kudo sundon parimi dielli lindi kur linda unë. Edhe plot veprimtari që janë kryer apo përgatitur më parë prezantohen si risi, si prurje të individit të ri. Në shumë raste, për interesa të mbijetesës, po kultivohet dyfytyrësia në administratë. Ç’mund të presësh nga ajo pjesë e administratës pa dinjitet. Ndërsa ne jemi përpjekur të kultivojmë dinjitetin, ky nuk është një proces i vazhduar. Modeli i frikshëm i njëshit rri mbi kryet e gjithë secilit. Ky model do të neutralizonte dhe do të bënte të paefektshëm edhe frymën pozitive dhe optimizmin, që transmeton angazhimi në nivele të larta të administratës të një gjenerate të re intelektualësh dhe teknikësh, me formim dhe vizion modern bashkëkohor. E them këtë, sepse gjykoj se e nesërmja është një punë e imët, që përgatitet çdo ditë nga administrata disa mijëshe në çdo sektor. Rotacioni politik është në thelbin e shoqërisë demokratike. 3 Korriku kushtëzoi një gjë të tillë, por në demokraci rotacioni është proces përsosjeje; si i tillë, ai trashëgon gjithçka pozitive. Sot mendoj që, nga modeli që përmenda, në vend të trashëgohen anët më pozitive të tij, po thellohen dukuritë negative. Nëse do të ecet me këto deformime, e nesërmja që na përgatitet nuk do të jetë optimiste. Kjo situatë alarmante kërkon zgjim dhe reagim pozitiv institucional. Kjo situatë kërkon reflektim ndaj rekomandimeve apo vendimeve të institucioneve të tjera të pavarura. Kjo është demokracia. Ky është shteti ligjor. Koalicioni qeverisës duhet të mirëpërdorë energjitë e tij pozitive. Kur nuk reagon qeverisja, radha i mbetet shoqërisë civile, individëve dhe së fundi opozitës. Kjo duhet të ndodhë sot. Nesër do të jetë vonë.

Luiza Hoxhaj

TIRANË, më 23.01.2006


Pas një viti shoh se në cdo sektor kanë mbirë të paaftët dhe treguesit përkeqësohen. Kjo keqqeverisje duhet ndalur. Kjo duhet realizuar me votën e njerëzve progresiste.

Megjithëse ishin zgjedhje administrative, zgjedhjet e 18 Shkurtit kanë shumë për të treguar.  Ato duhen lexuar drejt. Reflektimi duhet të jetë i shpejtë dhe i saktë.

No comments: