Search This Blog

Monday, November 5, 2007

Të duash, të dish, të mundesh

"Të duash, të dish, të mundesh", morali i kësaj përralle më kujtua këto ditë, duke ndjekur zhvillimin e ngjarjeve politike, mbas periudhës së zgjedhjeve të korrikut 2005, në veçanti rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe zhvillimet mbas këtij momenti.

Në këtë shkrim nuk po i shoh hapat e hedhur nga politika nga pikëpamja e saktësisë, drejtësisë apo moralitetit të tyre politik. Nuk ia jap të drejtën vetes t'i analizoj në këtë këndvështrim, sepse proceset tashmë janë finalizuar dhe një diskutim i tillë nuk sjell asgjë. Në këtë rast duhet ndjekur përvoja e duhet ndjekur përvoja e një rrëfenje të vjetër hebraike, sipas së cilës babai e rrihte djalin sa herë e niste në burim për ujë, duke e porositur që të mos e thyente shtamën. Pra, pa e thyer shtamën. Morali i saj është: më pas, mbasi thyhet shtama, nuk kishte kuptim ndëshkimi.

Nëse bëjmë një paralele, ne sot jemi në kushtet e një procesi të kryer. Ne sot kemi një President të Republikës të zgjedhur në bazë të një procesi, jo konsensual, por të pakritikueshëm si proces dhe të rregullt nga pikëpamja kushtetuese. Si i tillë, ai gëzon tërë respektin e merituar si qytetar i parë i këtij shteti me shumë halle, pavarësisht nga komentet e shumta për mënyrën se si u zgjodh. Vlerësimet se si dhe sa do t'i përmbushë premtimet e tij fillojnë tani.

Në këto ditë, varësisht nga deklaratat e tij në lidhje me reformën në drejtësi, e parë kjo si një nyje, që e mban lidhur një emër i përveçëm, varësisht do të përcaktohet nëse do t'i përafrohet apo jo gabimit të parë, duke qenë ende në kohë për ta shmangur atë. Personalisht nuk kam asnjë merak, sepse në rastin tim prokurori u thye përballë presionit politik, duke mos respektuar proceset ligjore, si dhe duke mos u kryer prej institucionit të drejtuar prej tij një proces hetimor i drejtë dhe i paanshëm.

Në këtë rast prova është se si do të funksionojë respektimi i procesit kushtetues, pjesërisht produkt edhe i opozitës.

Komentin tim dëshiroj ta kanalizoj në një plan tjetër, në atë të saktësisë së hapave të hedhur nga ana e opozitës, nivelin e koordinimit të koalicionit opozitar dhe largpamësinë e parashikimeve të saj.

Brenda hapësirës opozitare këto vlerësime dua t'i bëj në veçanti për PS si forca më e madhe e këtij koalicioni, për lidershipin e saj, duke shtruar njëkohësisht pyetjen:

A e kryen kjo forcë realisht këtë rol?

Strategjia e opozitës dhe në veçanti e forcës më të madhe opozitare fillimisht ishte ajo e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo ishte shpallur si e tillë qysh në muajt e parë të paszgjedhjeve të vitit 2005. Momenti i zgjedhjes së Presidentit ishte një krizë e paramenduar dhe e shpallur, si një pengesë e pakapërcyeshme prej maxhorancës aktuale për shkak të mos sigurimit të numrit magjik 84 të deputetëve, që do të mundësonin zgjedhjen e Presidentit.

Është normale të mendosh qysh të nesërmen e zgjedhjeve të përgjithshme, prej të cilave ke dalë humbës, për zgjedhjet e ardhshme dhe strategjinë për të dalë fitues.

Sipas teorive mbi demokracinë kjo vlen për çdo forcë apo koalicion, që rezulton në opozitë, aq më tepër për koalicionin tonë të majtë, i cili në vlerë absolute të totalit të votave rezultonte shumicë, por një shumicë, e cila nuk përkthehej e tillë në kartona parlamentarë, pra një maxhorancë popullore e shndërruar në minorancë qeverisëse.

Në këto kushte, përveç sloganit "Humbëm ne, por fituan standardet", një sheqerkë tjetër, që iu servir si zgjidhje elektoratit të majtë, të zhgënjyer nga ky mosmenaxhim i rezultatit, ishin zgjedhjet e parakohshme.

Opozita e re ishte e detyruar të reagonte kështu, sepse ajo duhej t'i kthente borxhin elektoratit, të cilit i kishte marrë "miell hua" (vota) dhe nuk ia kishte kthyer; përkundrazi, i kishte shpërdoruar. Votat e majta ishin bërë shtylla të qeverisjes së djathtë. Të gjithë e njohin sindromën Xhuveli, si dhe kalimin e PBDNJ-së në anën e koalicionit qeveritar.

Përballë fragmentarizimit të së majtës, e djathta, megjithëse mund të qeveriste e vetme, me largpamësi syrin e kishte te numri magjik (84), prandaj afroi në qeverisje Xhuvelin, i bëri lëshime PDS-së etj.

Shndërrimi i votave të majta në më shumë pushtet të djathtë vazhdoi më tej me riformatimet e grupeve parlamentare, kulmoi me zgjedhjen e Presidentit dhe vazhdon ende duke u shndërruar në një proces të vazhduar, pra një fenomen, shkaqet e të cilit duhen identifikuar dhe mandej kuruar.

Jo në të gjitha rastet motivet e kësaj lloj sjelljeje kanë qenë të njëjta, por nga më të ndryshmet, duke variuar nga ato personale e deri te interesa madhore, partiake apo kombëtare.

Me ndryshimin e kryer në lidershipin e PS-së, pas dorëheqjes së liderit të saj, u krijua një situatë pak euforike në lidhje me funksionimin e Koalicionit të Ri Opozitar.

Ato mangësi, që sipas pretendimeve të kryetarëve të partive aleate, kishin çuar në humbje, siç ishin mosfunksionimi i tryezës së kryetarëve, apo mungesa e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërpartiak për të menaxhuar rezultatin e 3 korrikut 2005, mendohej se po eliminoheshin dhe do të kishte më shumë demokraci në këtë funksionim.

Faza e parë tregoi se me shumë vështirësi u ul në bisedime lideri i LSI-së, vonesë kjo e logjikshme, po të kemi parasysh se ajo vetëm pak kohë më parë ishte shkëputur prej PS-së, kështu që i nevojitej një argument i fortë për t'u ribashkuar tashmë si aleate e saj.

Marrëdhëniet dukej sikur po funksiononin.

Por, duke qenë se thamë se PD dhe aleatët e saj qysh në fillim u vunë në lëvizje për të joshur disa prej aleatëve tanë, të cilët pësonin thyerje të lehta herë pas here, funksionimi i koalicionit pati edhe probleme.

Partitë e koalicionit opozitar po ridimensiononin marrëdhëniet dhe rolin e tyre brenda koalicionit, duke marrë goxha terren. Në këtë terrenmarrje ato shfrytëzuan edhe kushtet në të cilat ndodhej PS dhe sidomos lideri i saj i ri.

Shumë i suksesshëm ka qenë në këtë ndërmarrje zoti Meta, për shkak të përvojës së gjatë politike që kishte, si dhe njohjes në detaje të PS-së dhe plagëve të saj. Roli i tij është i njohur si në ndikimin e madh në hapat e hedhur nga opozita, ashtu edhe në rezultatet e saj.

Në këtë rast ai shfrytëzoi shumë mirë nevojën e kryetarit Rama për t'u afirmuar si lider i PS-së së pari e mandej si lider i koalicionit opozitar.

Në këtë logjikë Meta kishte kuptuar shumë mirë domosdoshmërinë, që kishte Rama për t'u rikonfirmuar në krye të Bashkisë Tiranë. Pa këtë rikonfirmim Rama nuk mund të shndërrohej në një lider të fortë në PS.

Në këto kushte Rama ishte gati të bënte çdo lëshim për të siguruar mbështetjen e aleatëve në rikandidimin e tij, sidomos të LSI-së.

Rezistenca e opozitës për të ndryshuar kodin zgjedhor, përdorimi i vetos dhe përpjekjet e saj për të hyrë në një proces zgjedhor me standarde rezultoi e pasuksesshme, duke u katandisur me një marrëveshje minimale mbi mënyrën e përdorimit të dokumenteve të identifikimit.

Në rrugën e vështirë të konsolidimit të koalicionit opozitar, i cili jo gjithmonë ishte kompakt në qëndrimet e tij, parti të caktuara, sidomos LSI, ushtronin presion për të rritur rolin e tyre dhe në shumë raste ia arrinin.

Në rastin e zgjedhjeve të 18 Shkurtit koalicioni opozitar u duk më i bashkuar dhe më i domosdoshëm se kurrë. Duke tejkaluar rëndësinë e tyre si zgjedhje administrative, këto zgjedhje morën përmasat dhe trajtesën e zgjedhjeve të përgjithshme, pasi ishin ballafaqimi i parë elektoral pas ndryshimit të raportit të forcave dhe, në një farë mënyre, ishin edhe sfida personale të liderëve respektivë.

Mobilizimet përkatëse elektorale, gabimet që kishte bërë PD në pak muaj qeverisjeje ishin një arsye e pranueshme që fitorja t'i buzëqeshte opozitës.

Rama, duke qenë nën presionin e aleatëve, duke dashur që, me presionin e tryezës së aleatëve, të neutralizonte edhe shumë vektorë që nuk ecnin në një kahje me të në PS, bëri shumë lëshime, duke lënë zona të lira për kandidatë të opozitës në mënyrë të pastudiuar, në mungesë të bashkëpunimit me strukturat lokale, dhe rezultati nuk ishte i kënaqshëm në gjithë territorin.

Po ashtu, edhe në ato raste kur kandidatët ishin të PS-së, nuk u zbatua ai që u trumbetua me të madhe si shkopi magjik, përcaktimi i kandidatëve sipas parimit "një anëtar, një votë".

Së pari: zbatimi i tij kërkonte që procesi seleksionues t'i lihej tërësisht në dorë anëtarësisë dhe jo të deformohej, duke hyrë në mes si hallkë ndërmjetëse kryesia, e cila në këtë rast duhej të përcaktonte vetëm kriteret.

Dhe

Së dyti: edhe në këtë proces jo perfekt përzgjedhjeje, produkti i tij duhej respektuar, gjë e cila nuk ndodhi në shumicën e rasteve. Në shumë zona u përzgjodh i fundit ose edhe jashtë radhës së konkurrentëve, sipas preferencave në kupolë apo pranë saj, pra jo të anëtarësisë, së cilës pretendohej se i ishte dhënë më shumë pushtet.

Duke mos njohur psikologjinë e socialistëve, si dhe pjekurinë e elektoratit, i cili sot nuk sheh dhe vlerëson vetëm forcën politike, por edhe individin, morëm rezultat të pakënaqshëm në shumicën e njësive të cilat më parë ishin drejtuar nga socialistë.

Teoria e vendosjes së anëtarësisë dhe elektoratit përpara faktit të kryer këtë herë nuk funksionoi.

Duke vlerësuar vetëm rezultatin në qytetet kryesore, ne na rrëmbeu euforia.

Për mendimin tim rezultati ishte jo i mirë, sepse, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme administrative, ne kishim humbur goxha terren, pra pushtet.

Po ashtu, për shkak të padijes, mungesës së përvojës, apo elasticitetit si forcë politike, ky rezultat, edhe atje ku ishte pozitiv, nuk u mirëadministrua dhe në këtë rast ne pësuam një fiasko në zgjedhjet e drejtimit të këshillave bashkiakë apo komunalë, si dhe në zgjedhjen e anëtarëve të këshillave të qarkut.

Skandaloz rezultati do të ishte në zgjedhjet e këshillave të qarkut, ku nga 12 qarqe vetëm një drejtohet nga një socialist.

Kemi humbur apo fituar, kur nga 8 qarqe, që drejtonim më parë, sot drejtojmë vetëm një? Kjo ishte një terrenhumbje në tavolinë, për shkak të mungesës së përvojës së drejtuesve tanë partiakë në nivel lokal dhe qendror.

Kjo ndodhi edhe për shkak se aleancat tona nuk ishin të qëndrueshme dhe parimore, por tepër pragmatiste. Një pjesë të aleatëve tanë tekanjozë ambiciet e tyre i siguronin nëpërmjet aleancave të pandershme me kundërshtarët tanë, kundrejt leverdisë reciproke, duke ndarë me ta një pjesë të pushtetit vendimmarrës, në të dy nivelet e pushtetit lokal.

Edhe kjo për shkak të moskoordinimit.

Pra, përsëri jemi në rastin kur votat e majta përkthehen në pushtet të djathtë.

Finalizimi i këtij procesi ndodhi me Qarkun e Tiranës.

I kujt është faji? – Përsëri marrëveshjet dhe aleancat nuk kanë funksionuar në nivel qendror dhe vendor. Pra, përsëri nga euforia, orekset e mëdha ose mungesa e vullnetit për t'i ndjekur proceset deri në fund.

Ky mosmenaxhim evidentoi qartë sindromën e kujdesit vetëm për pushtetin personal, duke harruar faktin se socialistë jetojnë jo vetëm në Tiranë, Vlorë, Durrës e qytete të tjera të mëdha, por edhe në bashki e komuna të vogla, deri në ato me 1000 votues, dhe se PS është edhe përfaqësuese e tyre.

Direkt pas zgjedhjeve lokale, pa përfunduar ende ato, u identifikua fakti se marrëveshja për ndryshimet në kodin zgjedhor ishte e pavlefshme, sepse nuk ishte punuar me largpamësi. Neni për dokumentet e identifikimit ishte thjesht tranzitor, njëpërdorimshëm, i vlefshëm vetëm për zgjedhjet e 18 Shkurtit. Kjo bëri të mundur që, në një zonë ku ne kishim fituar tre javë më parë, të "humbisnim thellë".

I kujt është faji? – Natyrisht "i padijes, zotëri".

Gjithë përpjekjet e opozitës dhe rezultati i tyre mund të përmblidhen në "shumë zhurmë për asgjë", vetëm për një nen tranzitor njëpërdorimshëm.

Pas Shijakut, në kulmin e debateve për zgjedhjen e Presidentit, kur alternativa e zgjedhjeve të parakohshme ishte më prezente se kurrë, përsëri Pogradeci ishte një tjetër shuplakë për opozitën, e cila zbehte klimën pozitive të krijuar pas zgjedhjeve të 18 Shkurtit. C'mund të thuhet për zonën 31 në Tiranë, ku më 18 Shkurt fitoi kandidati i opozitës së bashkuar?

Ç'farë ka ndodhur në këta shtatë muaj, që elektorati të na ndëshkojë në të njëjtën zonë ku fituam më 18 Shkurt?

Përsëri akuza të artikuluara zbehtë për vjedhje, manipulim, dhunë verbale etj.

Por kundërshtarin duhet ta vlerësosh me tërë kapacitetet e tij pozitive dhe negative. Për sa kohë që nuk je në gjendje të imponosh rregulla korrekte loje dhe pranon të garosh në ato kushte, tregon se nuk je një opozitë e fortë.

Opozita vendosi disa kushte për dhënien e konsensusit në rastin e zgjedhjes së Presidentit, ku më të rëndësishmet ishin reformat. Por a premtonte koha për reforma të tilla vetëm dy muaj përpara skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit? – Absolutisht jo.

Opozita në tërësi dhe PS (një pjesë e udhëheqjes) në veçanti targetoi si kundërshtar të saj në rastin e zgjedhjes së Presidentit Fatos Nanon dhe të gjitha lëvizjet e saj i organizoi në mënyrë të tillë, që vetëm ai të mos dilte President.

A ishte e drejtë kjo?

– Natyrisht jo, përderisa opozita e kishte në listën e saj të propozimeve. E kundërta do t'i shkonte më shumë për shtat sjelljes së PS-së.

Atëherë pse u veprua kështu?

Nëse kandidatura e opozitës do të ishte Nano, produkti i këtij procesi, parë nën këndvështrimin e asaj që prezantonte se synonte opozita, do të ishte më i mirë:

– Nano President.

Ose

– zgjedhje të parakohshme.

Dhe kjo mundësi u dogj vetë prej opozitës. Kjo duket qartë po të lexosh drejt veprimet e opozitës, ndërkohë që elektoratit i serviret e kundërta e saj. Të gjithë elementët opozitarë, me veprimet apo mosveprimet e tyre, punuan për këtë zgjidhje që kemi sot.

Personalisht jam e mendimit se të tëra variantet, përfshi edhe zgjedhjet e parakohshme, kishin anën e tyre pozitive. Boll që u lëviz nga ujërat e ndenjura. Kur je në lëvizje çdo produkt, gjithsesi, është më i mirë se ekzistuesi.

Pavarësisht nga të gjitha sa thashë më sipër, personalisht zgjedhjet e parakohshme i kam konsideruar një mision të pamundur për opozitën, sepse do të ishin zgjedhje me të njëjtat standarde dhe produktin e tyre ne tashmë e njohim.

Për mendimin tim alternativa e zgjedhjeve të parakohshme u përdor me qëllim që të krijohej një lloj joshjeje dhe ndarjeje për efekte të përpjekjeve për zotërimin e PS-së, për të fshehur defektet në funksionimin e saj, sesa si një mundësi reale apo e dëshiruar.

Në terma afatshkurtër, pas dy kongreseve problematike, edhe në rastin kur kishte heshtje, heshtja foli shumë. Zgjedhjet e parakohshme do të kishin vetëm një funksion: atë të fazës së fundit të asgjësimit pjesë-pjesë të mendimit ndryshe në PS.

Sa për kujtesë, një pjesë u eliminuan në fazën përzgjedhëse të kandidatëve për zgjedhjet e pushtetit vendor, gjë e cila çoi në humbje të shumë komunave dhe bashkive të zotëruara më parë prej PS-së; një pjesë u eliminuan në procesin e përzgjedhjes së delegatëve për në kongres; pjesa tjetër në listat për kandidim për Asamblenë Kombëtare; një pjesë në procesin e votimit në kongres; një pjesë me përjashtim pas votimit për Presidentin; një pjesë në zgjedhjet për Kryesi, kështu që duhej mbaruar punë edhe me grupin parlamentar.

Kjo duket akoma më e rëndë kur mendon se këto veprime ndërmerren nga zoti Rama, i shpallur si njeri i ndryshimit, përkrahës dhe përfaqësues i mendimit ndryshe në PS, përkrahës i fraksioneve etj.

Mos vallë këto ishin fasadë për të realizuar objektivin e shumëëndërruar dhe nuk duhet të shërbejnë për askënd tjetër, prandaj u fshinë nga statuti i ri?

Pra kemi një rikthim në identitetin parareformues, në vend të vazhdimit të procesit real reformues, sepse njihen tashmë nga publiku proceset reformuese në PS, të cilat e kishin bërë atë forcën më demokratike dhe liberale në Shqipëri.

Sot shihet qartë se treni i Ramës në çdo stacion po lë nga një vagon, me socialistë apo me aleatë.

Prandaj PS duhet të kryejë ndryshimin e kursit të proceseve të saj reformuese, duke i përdorur ato si procese shëndoshjeje dhe fuqizimi dhe jo si mekanizma qethës e likuidues, sepse përndryshe do të mbetemi vetëm me lokomotivën.

Ky do të ishte rasti fatal për opozitën.

Kjo klimë, më shumë se sa vetë Ramës, u shërbeu dhe u shërben aspirantëve për akaparim postesh në PS, të pamundura në procese normale konkurruese për ta.

Pra, në konkluzion mendoj se opozita në tërësi dhe PS në veçanti janë mekanizma gjigantë, të cilët, për t'i drejtuar, udhëhequr dhe lëvizur në drejtimin e duhur, duhet jo vetëm të duash, por edhe të dish dhe, veç kësaj, edhe të mundesh. Deri më sot, përveç dëshirës, është demonstruar se dija dhe aftësitë nuk kanë qenë në nivelin e duhur.

Egocentrizmi prezent në të gjitha nivelet po i orienton në rrugën e gabuar të shenjimit vetëm të objektivave personalë, të zhytjes në një kacafytje të brendshme, që lë jashtë vështrimit të tyre krizën, e cila është ulur këmbëkryq, duke u thelluar çdo ditë dhe duke u bërë shumëdimensionale.

Shmangia e zgjedhjeve të parakohshme ka krijuar mundësinë e një kohe të mjaftueshme për të rikuperuar energjitë, për t'i bashkuar dhe shumëfishuar fuqitë, duke i përdorur ato pozitivisht dhe në drejtimin e duhur, si dhe duke e vendosur opozitën në kufijtë e misionit të saj real si opozitë.

Mbi të gjitha, më shumë punë i duhet PS-së për të rimarrë rolin e munguar të liderit të koalicionit opozitar, rol të cilin, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se po e luan LSI.

Për këtë duhet vizion, vullnet, vetëdije.

I takon lidershipit të PS-së të ndryshojë kurs dhe të rrisë kohezionin e brendshëm dhe kolegjialitetin në të, në të gjitha nivelet në parti së pari e mandej në koalicion.

Mbi të gjitha i takon anëtarësisë dhe çdo force progresiste brenda saj të mos tregohen konformiste, por të reagojnë dhe të shpalosin kurajon për ta vlerësuar situatën realisht, për t'i emërtuar veprimet dhe mosveprimet me emrin e tyre të vërtetë, mbi të gjitha për ta bërë PS vërtet një parti opozitare, që ndërmerr veprime konkrete politike, që prek, evidenton dhe lufton plagët reale të shoqërisë së sotme shqiptare.

Deri tani nuk e kemi parë një gjë të tillë. Vetëm një opozitë, e cila investohet në këtë drejtim, duke ofruar alternativa dhe kontribute integruese, brenda vetes (jo të vazhdojmë me sindromën e shenjimit të njëri-tjetrit në salla socialistësh të ndarë).

Në këtë rast përgjegjësia është e drejtimit zyrtar, i cili duhet të krijojë klimën e nevojshme për dialog dhe integrim të faktorëve të brendshëm, partiakë dhe opozitarë, në planin kombëtar dhe më tej në planin europian dhe euroatlantik.

Vetëm një opozitë e cila investohet në këtë drejtim meriton të vijë në pushtet.

Gjysma e vjeshtës ka kaluar. Nuk duhet humbur edhe ky sezon provimi, ndryshe do të ngelim në klasë.

Luiza Hoxhaj
Tetor 2007

2 comments:

Luiza Hoxhaj said...

Sa aktual po me duket sot. Mund te theksoj se difektet e permendura jane thelluar. Duhet te shkruaj pjesen e dyte te kesaj teme. Po filloj menjehere

Luiza Hoxhaj said...

O zot pese vjet me mbas jemi po ne te njejtat ujera. Procesi i zgjedhjes se Presidentit te republikes, ngjan si dy pika uji me ate te perpara pese vjeteve, me te njejtat truke, te njejtet aktor. demokraci e ngecur ne vend numero