Nëse pakënaqësitë, kërkesat dhe mospajtimet qytetare do të ishin dëgjuar e trajtuar në kohën e duhur, me mjetet e duhura dhe me vullnetin e nevojshëm politik, ndoshta nuk do të kishim mbërritur deri këtu.
Por tani, përpara se situata të përshkallëzohet edhe më tej, duhet vepruar. Me mjete politike, jo me dhunë! Dhuna, nga cilado anë që ushtrohet, nuk është zgjidhje. Arroganca, edhe kur ke të drejtë, nuk është mjeti i duhur. Aq më pak kur ushtron pushtet.
Popullit nuk i bëhet karshillëk!
Të dëgjosh qytetarët nuk do të thotë domosdoshmërisht t'u japësh të drejtë për gjithçka. Do të thotë të respektosh të drejtën e tyre për t'u dëgjuar, për të kërkuar llogari dhe për të marrë përgjigje. Do të thotë të pranosh se mospajtimi është pjesë e demokracisë dhe se politika ekziston edhe për të gjetur zgjidhje përmes tij.
Përgjegjësia për mënyrën se si është trajtuar protesta i përket klasës politike në tërësi, por jo në mënyrë të barabartë. Pesha kryesore bie mbi maxhorancën, e cila ka në dorë instrumentet e pushtetit dhe mundësinë për të ofruar zgjidhje. Në vend që të dëgjoheshin dhe të ftoheshin në dialog, protestuesit janë përballur edhe me etiketime, ironi e shpërfillje. Cilësime si “sorra”, “korba” e të tjera të ngjashme nuk mund të zëvendësojnë përgjigjen ndaj kërkesave qytetare.
Por as forcat e tjera politike nuk mund ta konsiderojnë protestën thjesht si një mundësi për të kapitalizuar pakënaqësinë e qytetarëve. Detyra e tyre nuk është ta përvetësojnë atë, por të ndihmojnë që kërkesat të marrin përgjigje përmes mekanizmave demokratikë.
Kështu, mes shpërfilljes dhe ironizimit nga njëra anë, dhe përpjekjeve për instrumentalizim politik nga ana tjetër, u humb energjia pozitive e protestës, ajo energji që mund dhe duhej të ishte shfrytëzuar si një instrument demokratik për reflektim, dialog dhe korrigjim të vendimmarrjes.
Sot protesta ka kaluar në një stad tjetër, atë të përshkallëzimit dhe përplasjes së dhunshme. Por këtu duhet bërë një dallim thelbësor: humbja e energjisë pozitive të fazës së parë të protestës nuk do të thotë humbje e legjitimitetit të kërkesave qytetare.
Për sa kohë që kërkesat mbeten pa zgjidhje, ato vazhdojnë të kërkojnë përgjigje politike dhe institucionale. Përshkallëzimi i dhunshëm nuk e justifikon dhunën, por as nuk i zhvlerëson automatikisht problemet që qëndrojnë në themel të protestës. Prandaj, ndalimi i dhunës është domosdoshmëri e menjëhershme, ndërsa adresimi i shkaqeve të krizës mbetet detyrim politik dhe institucional. Njëra nuk e zëvendëson tjetrën.
Ndërkohë, akuzat për ndërhyrje të huaja, agjentura apo skenarë destabilizimi më rikthejnë në kujtesë deklaratat e Gazidedes në vitin 1997. Nuk po barazoj situatat, por historia duhet të na ketë mësuar të jemi të kujdesshëm me shpjegime që rrezikojnë ta zhvendosin vëmendjen nga shkaqet e brendshme të krizës. Edhe sikur ndikime të tilla të ekzistojnë, ato vështirë se mund të gjejnë terren pa një shtrat të përshtatshëm brenda vendit. Dhe këtë shtrat e krijon pikërisht mosadresimi në kohë i pakënaqësive, kërkesave dhe mospajtimeve qytetare, mungesa e dialogut dhe moskanalizimi i tyre përmes rrugëve demokratike e institucionale.
Në këto kushte, çështja nuk është thjesht të ndalet protesta apo të qetësohet situata. Duhet të zgjidhet kriza që e ka prodhuar atë.
Qetësia e çastit mund të krijojë iluzionin e normalitetit, por nuk e zhduk problemin. Pakënaqësitë e patrajtuara mbeten si prushi nën hi, të gatshme të ndizen sërish, ndoshta me pasoja edhe më të rënda.
Përgjegjësia politike nuk është vetëm të menaxhojë pasojat e krizës, por të identifikojë dhe të adresojë shkaqet e saj. Të hapë rrugën e dialogut, të marrë vendimet e nevojshme dhe, kur duhet, të ketë edhe kurajën e korrigjimit.
Mposhteni kompleksin e të fortit, të palëkundëshmit, të pamposhturit. Të korrigjosh një vendim, të reflektosh ndaj një qëndrimi nuk është dobësi. Përkundrazi, reagimi korrigjues dhe reflektues mund të jetë shprehja më e qartë e përgjegjësisë në ushtrimin e pushtetit.
Përulësia është cilësi e lidershipit të aftë dhe të përgjegjshëm. Ajo nuk e dobëson autoritetin, por i jep atij përmbajtje dhe legjitimitet. Të dish të dëgjosh, të pranosh edhe mundësinë e gabimit dhe të kesh kurajën të korrigjosh, nuk do të thotë të humbasësh autoritetin, por të dëshmosh se di ta ushtrosh atë në shërbim të qytetarëve.
Pushteti nuk bëhet më i fortë duke mos pranuar gabimet, por duke pasur aftësinë t'i korrigjojë ato. Fodullëku ballkanik duhet të marrë fund!
Mundësia e parë për ta trajtuar krizën përmes dialogut në kohën e duhur u humb. Nuk duhet të humbasë edhe mundësia për të parandaluar pasoja më të rënda. Mos u vononi më!
Zgjidhjet politike mund të kenë kostot e tyre, por mosveprimi dhe zvarritja mund t'i bëjnë ato shumë më të mëdha, deri të papërballueshme dhe të pariparueshme.
Nuk na duhet një paqe e përkohshme që e fsheh krizën, por një zgjidhje që u jep përgjigje shkaqeve të saj. Sepse nuk mjafton që rrugët të qetësohen; duhet që arsyet që i mbushën ato të marrin përgjigje.
Asnjë interes politik, asnjë pretendim për të drejtën dhe asnjë arsye pushteti nuk mund të justifikojë një çmim të papërballueshëm për qytetarët, shoqërinë dhe vendin.

No comments:
Post a Comment