Flasim gjithnjë e më shumë
për pjesëmarrjen qytetare në qeverisjen vendore: për transparencën, dëgjesat
publike, konsultimin, përfshirjen e grupeve të interesit dhe bashkëkrijimin e
politikave publike.
Dhe me të drejtë. Një
qeverisje që vendos për territorin pa dëgjuar njerëzit që jetojnë në të,
vështirë se mund të konsiderohet qeverisje e mirë.
Por ka raste kur duhet të
shtrojmë një pyetje tjetër: A mjafton konsultimi? Sepse konsultimi, sado
seriozisht të zhvillohet, nuk është i njëjtë me bashkëvendimmarrjen. Qytetari
informohet, dëgjohet, shpreh mendimin e tij, por vendimi përfundimtar mbetet te
institucionet përfaqësuese.
Megjithatë, ekzistojnë
vendime që prekin aq thellë marrëdhënien ndërmjet komunitetit dhe territorit,
sa mund të lindë nevoja për të kaluar një stad më tej: nga qytetari i
konsultuar te qytetari bashkëvendimmarrës.
Pikërisht këtu fillon diskutimi për
referendumin vendor.
Jo
kundër demokracisë përfaqësuese
Referendumi
vendor nuk është alternativë ndaj këshillit bashkiak, kryetarit të bashkisë apo
institucioneve të tjera të zgjedhura. Dhe sigurisht nuk mund të jetë instrument
për të çuar në votim çdo vendim të administrimit vendor.
Demokracia
përfaqësuese ka institucionet e saj dhe ato duhet të kenë jo vetëm të drejtën,
por edhe përgjegjësinë për të qeverisur. Por demokracia vendore nuk përfundon
me zgjedhjen periodike të përfaqësuesve.
Në
çështje të caktuara, sidomos kur një vendimmarrje prek në mënyrë strukturore
dhe afatgjatë vetë komunitetin territorial, demokracia përfaqësuese mund të
plotësohet nga instrumentet e demokracisë së drejtpërdrejtë. Këtu duhen dalluar
edhe shkallët e pjesëmarrjes:
a) Informimi i
tregon qytetarit çfarë po bëhet. b) Konsultimi e pyet se
çfarë mendon. c) Pjesëmarrja e përfshin në procesin e
formësimit të vendimit. d) Ndërsa referendumi, në çështjet
dhe sipas efekteve që përcakton ligji, i jep mundësinë të shprehet
drejtpërdrejt mbi një zgjedhje të caktuar.
Pyetja, pra, nuk është
nëse referendumi është më demokratik se këshilli bashkiak. Ato janë forma të
ndryshme të shprehjes së legjitimitetit demokratik.
Pyetja është tjetër: Kur
natyra e një vendimi kërkon që përfaqësimit t'i shtohet edhe shprehja e
drejtpërdrejtë e komunitetit?
Kur ndryshon territori,
kush duhet të pyetet?
Debati për reformën
administrativo-territoriale në Shqipëri, në vitin 2026, na jep një rast konkret
për ta shqyrtuar këtë pyetje.
Gjatë procesit të reformës
u organizuan dëgjesa publike në 12 qarqet e vendit. Nga shqyrtimi i minutave të
publikuara të dëgjesave rezulton se diskutimet u orientuan kryesisht drejt
funksionimit të qeverisjes vendore: kompetencave, financave, kapaciteteve
administrative, shërbimeve dhe alternativave të organizimit territorial.
Në dëgjesën e Vlorës, për
shembull, krahas problematikave funksionale, pjesëmarrës nga Selenica,
Konispoli dhe Orikumi ngritën çështje që lidheshin drejtpërdrejt me statusin
dhe përkatësinë territoriale të komuniteteve të tyre.
Kjo tregon se dëgjesat
shërbyen edhe për të evidentuar sensibilitete dhe propozime territoriale nga
vetë komunitetet.
Por konfigurimi konkret
territorial që do të propozohej më pas nuk ishte ende objekt i këtyre
diskutimeve.
Dhe këtu duhet bërë një
dallim i rëndësishëm: Konsultimi për problemin nuk është i njëjtë me
konsultimin për alternativat; dhe konsultimi për alternativat nuk është
domosdoshmërisht konsultim për zgjidhjen konkrete që propozohet.
Të tria mund të jenë pjesë
të të njëjtit proces pjesëmarrës. Por
nuk e zëvendësojnë automatikisht njëra-tjetrën.
Nëse
qytetari pyetet se çfarë nuk funksionon në organizimin territorial, ai
kontribuon në diagnozë. Nëse pyetet se cilat alternativa do të ishin më të
përshtatshme, ai kontribuon në projektimin e reformës.
Por
kur propozimi konkret parashikoi që bashkia ku ai jeton të humbasë statusin dhe
t'i bashkohet një njësie tjetër, hymë në
një stad tjetër të vendimmarrjes, ku pyetjes: Çfarë reforme na
duhet? ju shtua edhe: Çfarë mendon komuniteti për ndryshimin konkret
që propozohet për territorin e tij?
Një
parim europian
Kjo nuk është vetëm një
pyetje teorike.
Karta Europiane e
Vetëqeverisjes Vendore i kushton ndryshimit të kufijve territorialë një
dispozitë të posaçme. Neni 5 përcakton se ndryshimet e kufijve të njësive
vendore nuk duhet të bëhen pa konsultimin paraprak të komuniteteve të prekura
dhe përmend referendumin si një nga format e mundshme të këtij konsultimi, aty
ku ligji e lejon. Kjo nuk do të thotë se komuniteti fiton automatikisht të
drejtën e vetos ndaj çdo reforme territoriale.
Një reformë mund të
mbështetet në arsye demografike, ekonomike, financiare, administrative apo në
nevojën për shërbime më efikase. Interesi lokal duhet të vendoset edhe në
raport me interesin publik më të gjerë.
Por parimi mbetet i
rëndësishëm: Sa më drejtpërdrejt një vendim ndryshon përkatësinë
territoriale të një komuniteti, aq më e rëndësishme bëhet mënyra se si shprehet
vullneti i atij komuniteti.
Europa nuk ofron një model
të vetëm të organizimit territorial apo të vendimmarrjes për ndryshimin e
kufijve vendorë. Ajo ofron modele të ndryshme, të ndërtuara mbi tradita
institucionale dhe sisteme juridike të ndryshme, por edhe parime të përbashkëta
të vetëqeverisjes, subsidiaritetit dhe pjesëmarrjes demokratike.
Prandaj, çështja nuk është
të kërkojmë një formulë universale për çdo bashki, por të kuptojmë se cilat
mekanizma e bëjnë vendimmarrjen territoriale më të informuar, më përfaqësuese
dhe më legjitime.
Një
paralele nga historia
Historia europiane na
kujton se marrëdhënia ndërmjet territorit dhe vullnetit të popullsisë nuk është
një çështje e re.
Pas Luftës së Parë
Botërore, shpërbërja e perandorive dhe krijimi apo zgjerimi i shteteve të reja
në Europën Qendrore dhe Juglindore sollën në qendër të rendit të ri politik
çështjen e kufijve, popullsive dhe minoriteteve.
Në diskutimet e kohës, të
ndikuara edhe nga parimet e shpallura nga Woodrow Wilson, çështja e interesave
dhe përkatësisë së popullsive të prekura mori një rëndësi të veçantë, edhe pse
zbatimi i këtyre parimeve ishte i pabarabartë dhe shpesh i kushtëzuar nga
interesat e fuqive.
Sigurisht, nuk mund të
krahasojmë ndryshimin e kufijve ndërmjet shteteve pas një lufte botërore me
riorganizimin administrativo-territorial brenda një shteti demokratik
bashkëkohor. Janë realitete historike dhe juridike të ndryshme.
Paralelja që na intereson
është tjetër: marrëdhënia ndërmjet vendimmarrjes përfaqësuese dhe vullnetit të
popullsive që preken nga ndryshimi territorial.
Historia nuk na jep një
model për ta kopjuar, por na kujton një parim: sa më thellë një vendim prek
përkatësinë territoriale të një komuniteti, aq më e fortë bëhet kërkesa që
vullneti i atij komuniteti të jetë pjesë e vendimmarrjes.
Në demokracinë vendore të
sotme, këshilli bashkiak është organi përfaqësues i komunitetit. Prandaj
qëndrimi i tij për ndryshimin e statusit apo kufijve të bashkisë ka një peshë
institucionale që duhet marrë seriozisht.
Por çfarë ndodh kur,
krahas tij, shfaqet edhe kundërshtimi qytetar?
Këshilli përfaqëson, protesta sinjalizon, referendumi mat
Kjo
pyetje merr rëndësi të veçantë kur vendimmarrja territoriale shoqërohet me
kundërshtime të shprehura si në nivelin e institucioneve përfaqësuese, ashtu
edhe në atë qytetar.
Në debatin për reformën
territoriale të vitit 2026, në disa bashki, ndër të cilat Poliçani, Selenica,
Dimali, Divjaka, Fushë-Arrëzi dhe Maliqi, janë raportuar qëndrime kundërshtuese
të këshillave bashkiakë ndaj bashkimeve të propozuara. Në disa prej tyre
kundërshtimi është shoqëruar edhe me protesta apo forma të tjera të reagimit
qytetar.
Këto janë dy forma të
ndryshme të shprehjes demokratike. Këshilli bashkiak përfaqëson komunitetin
përmes mandatit të marrë në zgjedhje. Protesta është një instrument legjitim
i shprehjes qytetare. Ajo e bën të dukshëm kundërshtimin, krijon
sensibilitet publik dhe i kërkon vendimmarrjes ta marrë në konsideratë.
Por protesta nuk na tregon
domosdoshmërisht përmasën e këtij kundërshtimi në të gjithë komunitetin. Një protestë, sado e rëndësishme, nuk është referendum.
Ajo
mund të na tregojë se ekziston një shqetësim që nuk duhet shpërfillur. Por
vetëm prej saj nuk mund të dimë nëse kemi përballë një grup aktiv qytetarësh,
një pjesë të konsiderueshme të komunitetit apo shumicën e tij.
Edhe
qëndrimi unanim i një këshilli bashkiak, ndonëse me peshë të veçantë
përfaqësuese, nuk është matje e drejtpërdrejtë e vullnetit të gjithë qytetarëve
mbi çështjen konkrete.
Pikërisht
këtu referendumi vendor mund të marrë një funksion tjetër. Ai mund ta
kanalizojë kundërshtimin nga protesta drejt një procesi institucional dhe të
ndihmojë të matet ajo që protesta vetëm e sinjalizon.
Në
këtë kuptim:
Këshilli bashkiak përfaqëson.
Protesta sinjalizon.
Referendumi mat dhe formalizon vullnetin qytetar.
Kjo nuk do të thotë se çdo
protestë duhet të prodhojë referendum. Por kur kemi një vendim strukturor, me
pasoja afatgjata ose të vështira për t'u kthyer pas, dhe një kundërshtim që
ngre pikëpyetje mbi shkallën e pranimit të vendimit, atëherë mund të jetë e
arsyeshme të shtrohet pyetja:
A
duhet ta masim drejtpërdrejt vullnetin e komunitetit?
Gjatë
dëgjesave për reformën territoriale, nga përfaqësues të shoqërisë civile në
Fier u propozua edhe përdorimi i referendumit vendor konsultativ për ndryshimet
e kufijve territorialë. Kjo tregon se diskutimi mbi referendumin nuk është
domosdoshmërisht një reagim i mëvonshëm ndaj reformës, por mund të lindë edhe
brenda vetë procesit pjesëmarrës.
Nga
“më dëgjo” te “më pyet”
Këtu
qëndron dallimi ndërmjet konsultimit dhe referendumit.
Në
konsultim qytetari thotë: “Dëgjo mendimin tim për vendimin që do të
marrësh.”
Në
referendum ai kërkon diçka më shumë: “Për këtë çështje dua të shpreh
drejtpërdrejt vullnetin tim.”
Ky
është një ndryshim i rëndësishëm në kulturën e qeverisjes.
Sigurisht,
një referendum konsultativ nuk e transferon automatikisht kompetencën
përfundimtare të vendimmarrjes nga institucionet te qytetarët. Efekti juridik i
referendumit varet nga kuadri ligjor. Por edhe kur nuk është juridikisht
detyrues, ai mund të prodhojë një informacion demokratik të një natyre tjetër
nga ai i dëgjesave, peticioneve apo protestave.
Referendumi
vendor nuk duhet parë si instrument konflikti me institucionet. Në rrethana të
caktuara, ai mund të jetë instrument për t'u dhënë atyre legjitimitet shtesë në
marrjen e vendimeve të vështira. Në fund të fundit,
marrëdhënia e qytetarit me territorin nuk është vetëm administrative. Ajo
lidhet edhe me përkatësinë, identitetin, kujtesën dhe mënyrën se si ai e
përjeton vendin ku jeton.
Prandaj,
në çështje të caktuara, qytetari mund ta shprehë fare thjesht këtë marrëdhënie:
“Ky është qyteti im. Dua të jem pjesë e mënyrës se si ai
ndryshon.”
Kjo kërkesë për
pjesëmarrje nuk duhet të mbetet vetëm një deklarim parimor. Ajo duhet të gjejë
format e përshtatshme institucionale.
Në çfarë
rastesh duhet kërkuar referendumi vendor?
Jo për çdo vendim, jo për
të zëvendësuar institucionet e zgjedhura, jo sa herë që ekziston një
kundërshtim duhet kërkuar referendum. Referendumi vendor duhet të mbetet një
instrument i veçantë, që të ruajë peshën e tij,
Referendumi meriton të
konsiderohet seriozisht kur një vendim ndryshon kufijtë ose përkatësinë
administrativo-territoriale të një komuniteti; kur prek në mënyrë strukturore
dhe afatgjatë organizimin e tij vendor; kur pasojat janë të vështira për t'u
kthyer pas; ose kur ekziston një kundërshtim i rëndësishëm qytetar dhe
institucional, përmasat e të cilit nuk mund të përcaktohen vetëm përmes formave
të zakonshme të pjesëmarrjes.
Në këto rrethana,
zhvillimi i një referendumi vendor mund të jetë një mundësi legjitime
demokratike për t'u shqyrtuar, brenda kufijve dhe procedurave të përcaktuara
nga Kushtetuta dhe ligji.
Ai nuk është
domosdoshmërisht një votim kundër reformës apo kundër institucioneve që e
propozojnë atë. Por, mund të jetë një mënyrë për të siguruar informacionin
demokratik që mungon: sa mbështetje apo kundërshtim ka realisht ndryshimi i
propozuar në komunitetin që preket prej tij?
Dhe ky informacion ka
vlerë edhe kur vendimi përfundimtar i takon një autoriteti tjetër. Sepse një
vendimmarrje e mirë nuk mbështetet vetëm në ligjshmërinë e procedurës dhe në
argumentet e efikasitetit administrativ. Ajo ka nevojë edhe për njohjen e
interesave, shqetësimeve dhe vullnetit të komuniteteve mbi të cilat prodhon
pasoja.
Demokracia vendore nuk
matet vetëm me faktin nëse qytetari është dëgjuar. Në raste të caktuara, ajo
kërkon edhe gatishmërinë për ta pyetur drejtpërdrejt.
Dhe ndoshta pikërisht këtu
qëndron kuptimi më i plotë i kalimit nga qytetari i konsultuar te
qytetari bashkëvendimmarrës.
Luiza Hoxhaj
Eksperte
për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal

No comments:
Post a Comment