Search This Blog

Tuesday, October 20, 2026

Protesta, përgjegjësia dhe boshllëku i përfaqësimit të saj: paradokset e një krize politike

Reflektim mbi relativizimin, përgjegjësinë politike dhe vështirësinë e shndërrimit të protestës në ndryshim institucional

Protestat e ditëve të fundit kanë sjellë në vëmendje jo vetëm pakënaqësitë dhe kërkesat e artikuluara nga pjesëmarrësit, por edhe disa dukuri shqetësuese në mënyrën se si shoqëria, politika dhe institucionet reagojnë ndaj tyre.

Protestat nuk janë çështje vetëm e atyre që marrin pjesë në to. Ato ngrenë probleme që prekin funksionimin e institucioneve, marrëdhënien e qytetarit me shtetin dhe, në fund të fundit, të ardhmen e përbashkët. Prandaj, edhe ata që nuk janë pjesë e protestës kanë arsye të reflektojnë, të mbajnë qëndrim dhe të kërkojnë përgjegjësi.

Përtej ngjarjeve të përditshme, për mendimin tim, vëmendje meritojnë relativizimi i përgjegjësive, polarizimi i diskursit publik, marrëdhënia e protestës me përfaqësimin politik dhe vështirësia e kanalizimit të kërkesave qytetare drejt zgjidhjeve institucionale.

Këto dukuri nuk janë domosdoshmërisht të reja, por ndërveprimi i tyre në situatën e sotme ngre pyetje që shkojnë përtej vetë protestës: kush mban përgjegjësi, kush përfaqëson, kush dialogon dhe si mund të shndërrohet kundërshtimi qytetar në ndryshim të qëndrueshëm?

1. Kur mbrojtja e një vlere bëhet zhvlerësim i tjetrës

Një pjesë e diskutimit është përqendruar te mbrojtja e Policisë së Shtetit, një tjetër te të drejtat e protestuesve, ndërsa qëndrimet politike shpesh i vendosin këto dy kategori përballë njëra-tjetrës, sikur ato nuk janë pjesë e të njëjtit rend demokratik.

Policia meriton respekt, mbrojtje dhe kushte dinjitoze për përmbushjen e detyrës. Qytetarët kanë të drejtën kushtetuese të protestojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet. Këto dy të vërteta nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Vlerat dhe dinjiteti i një kategorie  nuk lartësohen duke ulur vlerat dhe dinjitetin e kategorive të tjera.

Megjithatë, në diskursin publik po ndeshim gjithnjë e më shpesh përgjithësime që e identifikojnë policin me pushtetin, protestuesin me dhunën, gazetarin me njërën palë dhe qytetarin kritik me kundërshtarin e shtetit. Kjo mënyrë të menduari e zhvendos diskutimin nga veprimet dhe përgjegjësitë konkrete te përkatësia e individëve në kategori të caktuara. Dhe këtu fillon një problem më i madh se vetë debati mbi protestën.

2. Relativizimi i përgjegjësive dhe rreziku i përballjes individuale

Relativizimi është një nga dukuritë më shqetësuese të kësaj klime.

Një veprim i dhunshëm ndaj policisë përdoret për të justifikuar një veprim të paligjshëm policor. Një tejkalim i autoritetit policor përdoret për të justifikuar dhunën ndaj punonjësve të tjerë të policisë.

Në të dyja rastet, përgjegjësia konkrete humbet brenda një përplasjeje kolektive. Por përgjegjësitë nuk mund të kompensojnë njëra-tjetrën. Çdo veprim duhet të shqyrtohet më vete, sipas ligjit, provave dhe rrethanave.

Të kërkosh hetimin e një veprimi të paligjshëm të policisë nuk do të thotë të justifikosh dhunën ndaj saj. As të dënosh dhunën ndaj policisë nuk do të thotë të pranosh çdo veprim të kryer në emër të ruajtjes së rendit.

Problemi bëhet edhe më serioz kur debatit i shtohet identifikimi publik i individëve, etiketimi dhe atribuimi i përgjegjësive përpara se ato të jenë verifikuar. Akoma më shqetësuese janë shprehjet me natyrë kërcënuese, të dëgjuara edhe në prononcime publike të qytetarëve, që nënkuptojnë identifikimin, kërkimin apo përballjen me individë të caktuar edhe jashtë kontekstit të protestës. Këtu rreziku nuk mbetet vetëm në nivelin e retorikës: krijohet mundësia që konflikti të zhvendoset nga hapësira institucionale në përballje të drejtpërdrejta midis individëve, me pasoja potencialisht të rënda.

Pra, në vend që institucionet dhe politika të mbajnë përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e tyre, rrezikojmë që barrën e konfliktit ta mbajnë njerëzit që ndodhen përballë njëri-tjetrit në terren. Polici dhe protestuesi bëhen fytyrat e dukshme të një konflikti, shkaqet dhe përgjegjësitë e të cilit mund të shtrihen shumë më lart në hierarkinë institucionale dhe politike.

Kjo është arsyeja pse gjuha publike nuk është një çështje dytësore. Ajo mund të ndihmojë në uljen e tensioneve, por mund edhe t'i përshkallëzojë ato.

3. Viti 1997: kur historia përdoret pa u njohur mjaftueshëm

Në debatet e sotme po rikthehen edhe referencat ndaj vitit 1997.

Këtu shoh dy probleme të ndryshme. Së pari, situata e sotme nuk mund të barazohet mekanikisht me vitin 1997. Rrethanat politike, ekonomike, institucionale dhe shoqërore janë të ndryshme. Analogjitë historike kërkojnë kujdes, sepse ngjashmëria e disa pamjeve apo veprimeve nuk dëshmon domosdoshmërisht ngjashmërinë e shkaqeve dhe të proceseve. Së dyti, dhe ndoshta më shqetësuese, shumë referime ndaj vitit 1997 mbështeten në njohje të pjesshme ose interpretime të pasakta të asaj që ndodhi.

Ngjarjet e vitit 1997 nuk mund të reduktohen në një përballje të thjeshtë midis shtetit dhe protestuesve, as të gjitha strukturat që u krijuan në atë periudhë nuk mund të trajtohen si të njëjta. Duhet të dallojmë lëvizjen qytetare, organizimet politike dhe shoqërore, strukturat e krijuara gjatë krizës, grupet kriminale, përgjegjësitë institucionale dhe zhvillimet që çuan drejt rivendosjes së rendit kushtetues. T'i ngatërrosh këto kategori do të thotë të deformosh historinë dhe të nxjerrësh prej saj mësime të gabuara.

Përvoja e vitit 1997 ka nevojë të studiohet në kompleksitetin e vet, duke njohur si shkaqet e krizës, ashtu edhe aktorët, përgjegjësitë dhe përpjekjet për zgjidhjen e saj.

Historia nuk na shërben duke e përshtatur me konfliktet e sotme, por duke e njohur saktë dhe duke kuptuar mekanizmat që prodhuan ngjarjet e saj.

Pikërisht kjo është vlera që duhet të ketë kujtesa historike për funksionimin e institucioneve demokratike.

4. Një protestë që kundërshton edhe përfaqësimin politik tradicional

Një tjetër veçori e situatës së sotme është marrëdhënia e protestës me partitë politike. Sipas qëndrimeve të artikuluara nga pjesëmarrës të protestës, kundërshtimi nuk kufizohet vetëm te Kryeministri dhe Partia Socialiste, por shtrihet edhe ndaj Sali Berishës dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike.

Kjo nuk do të thotë se të gjithë protestuesit kanë të njëjtat bindje apo objektiva. Pra kjo na detyron të dallojmë protestën qytetare nga opozita parlamentare.

Është legjitime që partitë politike të mbështesin kërkesa të caktuara të protestuesve. Është gjithashtu e natyrshme që ato të përpiqen t'i përfshijnë zhvillimet shoqërore në strategjitë e tyre politike. Por mbështetja e një proteste nuk krijon automatikisht të drejtën për ta përfaqësuar atë.

Një forcë politike mund të ndajë një kërkesë me protestuesit, por mund të mos gëzojë besimin e tyre për të negociuar realizimin e saj. Këtu shfaqet edhe roli i aktorëve që kërkojnë të përfitojnë politikisht nga zhvillimet, që përpiqen të ndikojnë drejtimin e tyre ose që presin momentin e përshtatshëm për t'u pozicionuar.

Nuk mund t'u atribuohen qëllime të caktuara të gjithë këtyre aktorëve pa prova. Megjithatë, ekziston një dallim që duhet shqyrtuar: midis pjesëmarrjes së hapur në një proces politik, përpjekjes për ta përfaqësuar atë dhe përfitimit nga rezultatet e tij pa marrë përgjegjësi për procesin.

Në këtë kontekst, pyetja nuk është vetëm kush e mbështet protestën, por a ka marrë kush prej saj një mandat të besueshëm për të folur në emër të protestuesve. Përgjigjia është: deri tani askush.

5. Boshllëku i përfaqësimit: kur protesta ka zë, por jo një bashkëbisedues të njohur

Këtu arrijmë te një nga paradokset më interesante të situatës.

Protesta mund të artikulojë kërkesa të qarta, të mobilizojë qytetarë dhe të ndikojë axhendën politike, pa pasur domosdoshmërisht një strukturë të konsoliduar përfaqësimi.

Mungesa e një apo disa figurave të identifikueshme drejtuese nuk duhet interpretuar automatikisht si dobësi organizative. Ajo mund të jetë edhe një zgjedhje e vetëdijshme, për të ruajtur autonominë e protestës, për të shmangur kapjen apo instrumentalizimin politik dhe për të kufizuar presionin ndaj individëve të caktuar. Nëse kjo është një strategji e qëllimshme e protestuesve, mbetet për t'u vlerësuar.

Në çdo rast, kjo nuk e cenon legjitimitetin e protestës. E drejta për të protestuar nuk kushtëzohet nga ekzistenca e një drejtuesi, partie apo organizate përfaqësuese. Por ajo që mund të jetë përparësi gjatë mobilizimit, mund të shndërrohet në vështirësi në momentin kur lind nevoja për dialog dhe negociim.

Me kë do të dialogojë pala qeveritare? Kujt do t'i besojnë protestuesit? Kush mund t'i artikulojë kërkesat në një tryezë, të shqyrtojë alternativat dhe të komunikojë rezultatet?

Kjo vështirësi bëhet edhe më e dukshme nëse dialogu nuk kufizohet te trajtimi i kërkesave të veçanta, por shtrihet te zgjidhjet politike të krizës. Nëse, për shembull, shtrohet mundësia e krijimit të një qeverie teknike apo kalimtare, kush do të marrë pjesë në diskutimin e një formule të tillë në emër të protestuesve? Me çfarë mandati dhe si do të sigurohet që marrëveshja e arritur të gëzojë besimin e tyre?

Natyrisht, krijimi i një qeverie të tillë nuk mund të jetë thjesht produkt i një marrëveshjeje jashtëinstitucionale. Një marrëveshje politike, në të cilën protesta duhet të jetë palë përmes përfaqësuesve të saj të mandatuar, mund të përcaktojë drejtimin dhe përmbajtjen e një zgjidhjeje të mundshme. Por realizimi i saj kërkon respektimin e procedurave kushtetuese dhe ushtrimin e kompetencave nga institucionet përkatëse. Pikërisht këtu duhet të ndërtohet lidhja midis vullnetit të shprehur për ndryshim, marrëveshjes politike dhe legjitimitetit institucional të zgjidhjes.

Ekzistenca e forumeve apo grupimeve alternative nuk e mbush automatikisht këtë boshllëk. Edhe ato duhet të dëshmojnë lidhjen me protestuesit dhe besimin që gëzojnë.

Ndërkohë, përfaqësimi nuk mund të vetëshpallet. Ai duhet të mbështetet në një mandat të njohur, qoftë edhe të kufizuar në kohë dhe në objektin e negocimit. Një mandat i tillë nuk kërkon domosdoshmërisht krijimin e një drejtimi të përhershëm apo hierarkik të protestës.

Kjo çështje bëhet veçanërisht e rëndësishme në raport me pozicionimin publik të Partisë Demokratike, përmes kryetarit të saj, Sali Berisha, në mbështetje të protestës dhe të kërkesave për dorëheqjen e Kryeministrit e krijimin e një qeverie teknike. Por mbështetja politike dhe përputhja e kërkesave nuk janë të barasvlershme me një mandat përfaqësimi. Partia Demokratike ka legjitimitetin e saj si forcë parlamentare, por kjo nuk nënkupton automatikisht se gëzon edhe mandatin për të negociuar në emër të protestuesve. Ky mandat duhet të burojë nga vetë ata.

Protestuesit e zgjedhin vetë formën e organizimit dhe emërtimin e personave që do t'i përfaqësojnë në një dialog të mundshëm. Mund t'i quajnë përfaqësues, delegatë, negociatorë apo grup kontakti. Por, pavarësisht emërtimit, nëse synohet një marrëveshje politike, do të nevojiten njerëz të mandatuar për të negociuar në emër të tyre. Kjo nuk kërkon domosdoshmërisht krijimin e një udhëheqjeje të përhershme të protestës, por kërkon qartësi se kush negocion, mbi çfarë mandati dhe si do të konsultohen protestuesit për marrëveshjen e mundshme.

Kjo çështje merr rëndësi të veçantë pikërisht sepse protesta shpreh mosbesim ndaj përfaqësimit politik tradicional. Në rastin e Sali Berishës, përtej mosbesimit ndaj partive tradicionale, nuk mund të shpërfillet as pesha e vitit 1997 në kujtesën politike shqiptare.

Paradoksale është se mungesa e një drejtimi të identifikueshëm mund ta mbrojë autonominë e protestës gjatë mobilizimit, por njëkohësisht mund ta lërë atë pa një mekanizëm të besueshëm për të marrë pjesë në përcaktimin e zgjidhjes politike që kërkon.

6. Paradoksi i suksesit: çfarë ndodh pas përmbushjes së kërkesës?

Le të marrim si skenar hipotetik përmbushjen e kërkesës për dorëheqjen e Kryeministrit, të artikuluar nga protestuesit.

Çfarë ndodh më pas? A përfundon protesta? A konsiderohen të zgjidhura problemet që e kanë nxitur? Kush do t'i përfaqësojë kërkesat e tjera, nëse ato mbeten të hapura? Dhe, mbi të gjitha, si do të realizohet vazhdimësia institucionale?

Dorëheqja e Kryeministrit nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e shumicës parlamentare, të politikave publike apo të modelit të qeverisjes. Një ndryshim i tillë kërkon procese dhe vendimmarrje të tjera politike e institucionale, në përputhje me rendin kushtetues.

Nëse protesta e kufizon objektivin e saj te dorëheqja e Kryeministrit, pa përcaktuar se çfarë synon të ndodhë më pas, lind një pyetje thelbësore: a është dorëheqja qëllimi përfundimtar, apo mjeti për të arritur një ndryshim më të gjerë? Në rastin e dytë, kush do ta përcaktojë dhe realizojë këtë ndryshim? A rrezikon që rezultati politik i protestës të orientohet nga aktorë të tjerë, me synime jo domosdoshmërisht të artikuluara publikisht? Dhe, mbi të gjitha, a do ta kenë këta aktorë besimin dhe mandatin e protestuesve për të vepruar në emër të tyre?

Procedurat kushtetuese përcaktojnë mënyrën e vijimësisë së institucioneve, por ato nuk mund të zëvendësohen nga vullneti i një grupimi, sado i gjerë apo i vendosur të jetë ai. Në të njëjtën kohë, respektimi i procedurave nuk duhet të përdoret si argument për të shmangur trajtimin e kërkesave qytetare.

Këtu qëndron një tjetër paradoks: një protestë mund të arrijë objektivin e saj të menjëhershëm, por ajo mbetet pa një mekanizëm që garanton vijimësinë e ndryshimeve që kërkon. Suksesi i një kërkese politike nuk është domosdoshmërisht sukses i procesit të ndryshimit të kërkuar. 

Kjo është arsyeja pse çështja e përfaqësimit dhe e dialogut duhet të shtrohet përpara se të arrihet një rezultat i mundshëm, jo vetëm pas tij.

7. Midis legjitimitetit qytetar dhe përgjegjësisë institucionale

Partitë parlamentare, pavarësisht nëse protestuesit i njohin ose jo si përfaqësuese të tyre, mbeten pjesë e procesit kushtetues të vendimmarrjes. Ato kanë përgjegjësi në miratimin e ligjeve, në kontrollin parlamentar dhe në procedurat që lidhen me funksionimin e institucioneve.

Sigurisht, ky rol nuk u jep atyre automatikisht mandat për të përfaqësuar protestën në një dialog të mundshëm. Prandaj duhet të dallojmë tri funksione: artikulimin e kërkesave qytetare, dialogun për zgjidhjen e tyre dhe vendimmarrjen përmes institucioneve kompetente.

Këto funksione lidhen me njëri-tjetrin, por nuk janë të njëjta.

Një dialog i besueshëm duhet të respektojë autonominë e protestës, ndërsa zgjidhjet që kërkojnë akte institucionale duhet të respektojnë procedurat kushtetuese. Kjo nuk është kundërthënie midis demokracisë përfaqësuese dhe pjesëmarrjes qytetare. Është një sfidë për t'i bërë ato të bashkëveprojnë.

Institucionet kanë detyrimin të dëgjojnë dhe të përgjigjen. Protestuesit kanë të drejtën të zgjedhin mënyrën e përfaqësimit të tyre. Ndërsa aktorët politikë duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet që u përkasin kompetencave të tyre. Asnjëra palë nuk mund ta zëvendësojë plotësisht tjetrën.

8. Kur përgjegjësia mbetet në hije

Në gjithë këtë proces, një çështje meriton vëmendje të veçantë: shpërndarja e përgjegjësive.

Policët dhe protestuesit janë më të ekspozuarit ndaj përplasjeve, por jo domosdoshmërisht janë aktorët me ndikimin më të madh mbi zhvillimin dhe zgjidhjen e krizës. Qeveria ka përgjegjësinë e funksionimit të institucioneve, të respektimit të të drejtave dhe të trajtimit të kërkesave publike. Forcat politike kanë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e tyre, për mënyrën se si ndikojnë mbi tensionet dhe për zgjidhjet që propozojnë. Organizatorët ose përfaqësuesit e protestës, nëse marrin përsipër këtë rol, kanë përgjegjësinë të jenë transparentë për mandatin dhe objektivat e tyre. Media ka përgjegjësinë të informojë dhe të verifikojë, pa ushqyer përballje personale dhe fajësime kolektive. Ndërsa institucionet e drejtësisë kanë detyrimin të trajtojnë çdo shkelje në mënyrë të paanshme.

Në mungesë të kësaj qartësie, krijohet një situatë ku përgjegjësia politike mund të mbetet e shpërndarë ose e padukshme, ndërsa pasojat konkrete përqendrohen te individët në terren.

Ky është ndoshta rreziku më i madh që duhet të shmangim.

Përfundim: nga energjia e protestës te përgjegjësia për ndryshimin

Dukuritë që po shfaqen në situatën e sotme nuk mund të shihen të shkëputura nga njëra-tjetra.

Relativizimi i përgjegjësive ushqen polarizimin. Polarizimi mund të nxisë personalizimin e konfliktit. Mosbesimi ndaj përfaqësimit tradicional vështirëson dialogun. Ndërsa mungesa e një mekanizmi të besueshëm për kanalizimin e kërkesave mund ta bëjë të vështirë shndërrimin e protestës në ndryshim të qëndrueshëm.

Kjo nuk do të thotë se protestat duhet të kenë domosdoshmërisht një strukturë tradicionale drejtuese apo se përgjegjësia për zgjidhjen e krizës u përket vetëm protestuesve. Përkundrazi, është një arsye më shumë për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe për të krijuar forma të besueshme komunikimi e pjesëmarrjeje.

Protesta mund të jetë një instrument i fuqishëm për të kërkuar ndryshimin, por nuk mund të zëvendësojë vetë rendin demokratik që duhet ta garantojë atë. Ashtu si institucionet nuk mund të mbështeten vetëm te legjitimiteti formal për të shmangur dëgjimin e qytetarëve.

Sfida nuk është thjesht të dalim nga një krizë politike. Është të shmangim që mënyra se si dalim prej saj të prodhojë krizën e radhës.

Dhe kjo kërkon më shumë se përmbushjen e një kërkese të menjëhershme. Kërkon përgjegjësi, përfaqësim të besueshëm, respektim të procedurave demokratike dhe aftësi për ta kthyer kundërshtimin qytetar në një proces ndryshimi institucional.

Sepse ndryshimi nuk matet vetëm me atë që arrijmë të kundërshtojmë apo të largojmë, por edhe me atë që jemi në gjendje të ndërtojmë dhe të konsolidojmë më pas.

Luiza Hoxhaj

20.10.2026

No comments: