Shqipëria mbi të gjitha!
Në vitin 2005, pas humbjes së zgjedhjeve
parlamentare, Fatos Nano dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Socialiste dhe
nga posti i Kryeministrit. Një gjest demokratik, një akt përgjegjësie politike
që meriton të kujtohet.
Pas dorëheqjes së tij, Edi Rama mori drejtimin e
Partisë Socialiste dhe, në vitin 2013, erdhi në krye të qeverisë.
Në atë periudhë ai artikuloi një parim: “Të
gjithë janë të nevojshëm, asnjë nuk është i domosdoshëm.” Po sot, a vlen
ende ky parim? A vlen për të gjithë, pa përjashtim, përfshirë edhe atë që e ka
shqiptuar?
Pas 137 ditësh
protestash paqësore qytetare dhe studentore, gjashtë ditët e fundit, përfshirë
edhe ditën e sotme, janë shënuar nga përshkallëzimi i situatës, me përplasje
dhe akte dhune. Protestat janë shtrirë përtej Tiranës, edhe në Vlorën time,
Durrës, Korçë, Shkodër, Dibër, Elbasan e qytete të tjera.
Kjo situatë kërkon reflektim, përgjegjësi, maturi
dhe vetëpërmbajtje. Vetëpërmbajtje kërkohet si nga protestuesit, ashtu edhe nga
forcat e rendit. E drejta për të protestuar duhet ushtruar pa dhunë, ndërsa
detyrimi i policisë për të garantuar rendin duhet përmbushur me
profesionalizëm, proporcionalitet dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
Dje pashë pamje të trajtimit të një njeriu që ma
dridhën zemrën. Një trajtim që, për mua, shkonte përtej çdo kufiri të
pranueshëm. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë pamjeve të tilla. Asnjë
rrethanë nuk mund të justifikojë trajtimin çnjerëzor të një personi.
Institucionet kanë detyrimin të mbrojnë rendin, por edhe jetën, integritetin
dhe të drejtat e çdo qytetari.
Nga krenaria te shqetësimi
Nuk mund dhe nuk dua të mohoj atë që Edi Rama ka
bërë mirë për Shqipërinë. Kontributet duhen njohur dhe vlerësuar, pavarësisht
qëndrimit që mund të kemi sot ndaj drejtimit të tij.
Kam edhe një përjetim personal që dua ta ndaj. Në
disa forume ndërkombëtare ku kam marrë pjesë ndër vite, kam qenë dëshmitare e
vlerësimeve pozitive që ekspertë të huaj kanë shprehur për Edi Ramën, sapo kanë
mësuar se isha shqiptare. Nuk e fsheh se jam ndier krenare. Sepse, përtej
bindjeve dhe përkatësive politike, kur një drejtues i vendit tënd vlerësohet
ndërkombëtarisht, një pjesë e atij vlerësimi të përket edhe ty si qytetar.
Por sot, me
trishtim, shoh një tjetër pamje të Shqipërisë. Një vend që po tërheq vëmendjen
për protestat e gjata qytetare, për përshkallëzimin e tyre dhe për shqetësimet
lidhur me funksionimin e demokracisë. Bisedat
me kolegët e huaj kanë ndryshuar Ata më pyesin për situatën në Shqipëri, për
protestat dhe zhvillimet politike. Dhe shpesh, pas pyetjes së parë, vjen një
tjetër: “Po ti, çfarë mendon? Në cilën anë je?”
Nuk e fsheh se kjo
më trishton. Jo sepse më kërkohet të shpreh një qëndrim, por sepse Shqipëria,
për të cilën dikur dëgjoja vlerësime, sot bëhet objekt i pyetjeve dhe
shqetësimeve për zhvillimet e saj demokratike.
Dhe përgjigjja ime
është e thjeshtë: Jam në anën e Shqipërisë. Në anën e demokracisë, të
institucioneve, të dinjitetit njerëzor dhe të së drejtës së qytetarëve për t'u
dëgjuar.
Nuk e fsheh se kjo
më trishton. Jo sepse më kërkohet të shpreh një qëndrim, por sepse Shqipëria,
për të cilën dikur dëgjoja vlerësime, sot bëhet objekt i pyetjeve dhe
shqetësimeve për zhvillimet e saj demokratike.
Kjo nuk më pengon
të njoh dhe të vlerësoj atë që është bërë mirë. Përkundrazi, pikërisht sepse i
vlerësoj arritjet, nuk dua që ato të zbehen nga mënyra se si përballemi me
sfidat e së sotmes. Nuk është kjo Shqipëria që dua të shoh të përfaqësuar në
botë. Dhe pikërisht sepse i kam njohur dhe vlerësuar arritjet, e ndiej edhe më
fort përgjegjësinë për të mos heshtur përballë asaj që po ndodh sot.
Krenaria për atë që është arritur nuk mund të na
pengojë të shohim atë që duhet ndryshuar. As mirënjohja për kontributin e një
drejtuesi nuk duhet të shndërrohet në pranimin e pazëvendësueshmërisë së tij.
Ai që erdhi si shpresë nuk duhet
të largohet si dështim
Edi Rama erdhi si shpresë për ndryshim dhe, për
shumë vite, arriti ta mbante gjallë atë shpresë.
Por nuk do të doja që ai që erdhi si shpresë të
largohej si dështim. As që kontributet e tij të mëparshme të zbeheshin nga
mënyra se si do të përballej me këtë moment të vështirë.
Në vlerësimin tim, ai ka ende mundësinë të
ndërmarrë një hap politik që do t'i shtonte vlerë asaj që ka bërë më parë: të
dëgjojë studentët dhe atë pjesë të popullit që proteston.
T'i dëgjojë me respekt, pa paragjykim dhe me
gatishmërinë për të reflektuar mbi arsyet e pakënaqësisë. Sepse të dëgjosh
qytetarët nuk është shenjë dobësie. Është respekt për sovranin, prej të cilit
buron çdo mandat qeverisës.
Se cili duhet të jetë hapi i mëtejshëm, kjo i takon
vlerësimit dhe përgjegjësisë së tij, por edhe të Partisë Socialiste, përmes
institucioneve dhe forumeve të saj demokratike.
Natyrisht, këtu duhet të dallojmë dy përgjegjësi.
Në qeverisje, dorëheqja është një instrument i përgjegjësisë personale
politike. Ndërsa në Partinë Socialiste, është vota e socialistëve, e ushtruar
përmes mekanizmave demokratikë, ajo që duhet të përcaktojë lidershipin dhe të
ardhmen e saj.
Nuk pretendoj të përcaktoj unë vendimin që duhet të
marrë Edi Rama. Por besoj se mënyra se si do të përballohet ky moment do të
ketë peshën e vet edhe në trashëgiminë e tij politike. Një vendimmarrje e
përgjegjshme mund t'i shtojë vlerë kontributit të tij. Përkundrazi, një
përballje e vazhdueshme me qytetarët dhe me nevojën për reflektim rrezikon të
zbehë edhe atë që është arritur.
Sepse trashëgimia e një drejtuesi nuk përcaktohet
vetëm nga ajo që ndërton gjatë ushtrimit të pushtetit, por edhe nga ajo që lë
pas dhe nga mënyra se si i hap rrugë së ardhmes.
Partia Socialiste nuk është pronë
e kryetarit
Edi Rama ka pasur një mundësi të jashtëzakonshme
politike: tri mandate në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe tashmë mandatin e
katërt në krye të qeverisë shqiptare.
Kjo është edhe një histori e mbështetjes që i ka
dhënë Partia Socialiste. Dhe pikërisht për këtë, përtej meritave personale, ai
i detyrohet asaj mirënjohje dhe respekt. Por kjo marrëdhënie nuk mund të shihet
vetëm si një histori fitoresh elektorale.
Në vlerësimin tim, gjatë këtyre viteve është
dobësuar marrëdhënia ndërmjet lidershipit dhe vetë partisë. Socialistët kanë
qenë forca që ka mbajtur peshën e betejave elektorale, ndërsa forumet,
strukturat dhe anëtarësia shpesh nuk kanë pasur rolin që u takon në përcaktimin
e politikave, në përzgjedhjen e drejtuesve dhe në ushtrimin e përgjegjësisë
politike.
Nuk është problemi nëse në qeverisje përfshihen
edhe njerëz që vijnë nga jashtë Partisë Socialiste. Një parti që qeveris vendin
duhet të jetë e hapur ndaj dijes, profesionalizmit dhe kontributeve të
shoqërisë. Problemi lind kur kjo hapje shoqërohet me dobësimin e mekanizmave të
brendshëm demokratikë dhe kur partia rrezikon të reduktohet në një strukturë
elektorale, në vend që të jetë një organizëm politik që mendon, diskuton,
propozon dhe merr përgjegjësi.
Partia Socialiste nuk është thjesht instrument për
të fituar zgjedhjet. Ajo është një bashkësi politike me histori, identitet,
vlera, anëtarësi dhe përgjegjësi ndaj shoqërisë. Partia Socialiste u përket
socialistëve, jo drejtuesit të radhës.
Dhe pikërisht për këtë, ripërtëritja e saj nuk
duhet parë si kërcënim ndaj një individi, por si kusht për vazhdimësinë dhe
kontributin e saj në zhvillimin e Shqipërisë.
Kur partitë bëhen parti të
kryetarëve
Dëgjoj të artikulohet shpesh shprehja: “Po iku
Rama, kush do ta zëvendësojë?”
Kjo pyetje nuk lind në boshllëk. Ajo lidhet edhe me
mungesën e një alternative politike që të ngjallë besim te një pjesë e
qytetarëve. Po ashtu, lidhet me mënyrën se si funksionojnë partitë dhe
qeverisja tek ne: de jure me organe drejtuese dhe qeverisëse, ndërsa de
facto me një përqendrim të madh të vendimmarrjes te Njëshi.
Por ky nuk është
një fenomen që kufizohet vetëm te Partia Socialiste apo te qeverisja aktuale.
Personalizimi i pushtetit dhe dobësimi i mekanizmave të demokracisë së
brendshme janë probleme më të gjera të sistemit tonë partiak. Ato kanë ndikuar
jo vetëm në mënyrën si drejtojnë partitë kur janë në pushtet, por edhe në
aftësinë e tyre për t'u ripërtërirë dhe për të ofruar alternativa kur janë në
opozitë.
Edhe opozita kryesore përballet me një problem të
ngjashëm. Prej afro 36 vjetësh, Sali Berisha mbetet një figurë qendrore e
historisë politike të Partisë Demokratike, pavarësisht se formalisht në krye të
saj kanë qenë edhe drejtues të tjerë.
Për një pjesë të qytetarëve, përvoja e qeverisjes
së tij dhe rikthimi në drejtimin e opozitës nuk përfaqësojnë alternativën e
ripërtëritjes që kërkojnë. Për mua, përgjegjësia politike që i atribuoj për
ngjarjet e vitit 1997 mbetet një arsye thelbësore për këtë qëndrim, pavarësisht
periudhës së qeverisjes 2005–2013.
Por a duhet të mbetemi të kufizuar në zgjedhjen
ndërmjet dy individëve? A nuk ka Shqipëria burra dhe gra, djem dhe vajza, me
dije, integritet, përvojë, energji dhe aftësi për të drejtuar? Po partitë e
reja? A nuk ka vetë Partia Socialiste njerëz të tillë? Harrojmë se edhe
drejtuesit që sot i konsiderojmë të pazëvendësueshëm, dikur hynë në politikë si
figura të reja, pa përvojën dhe njohjen publike që fituan më vonë.
Problemi është më i thellë. Tek ne mungojnë ose
injorohen, kur ekzistojnë, mekanizmat që lehtësojnë procesin e identifikimit të
tyre. Partitë tona politike kanë prirjen të shndërrohen në parti të kryetarëve.
Forumet, strukturat kolegjiale dhe mekanizmat e demokracisë së brendshme humbasin
peshën e tyre reale në vendimmarrje, në përzgjedhjen e drejtuesve dhe në
formimin e alternativave.
Në një sistem të tillë, njerëzit brenda partisë apo
administratës mund t'i bëjnë rezistencë çdo ndryshimi, sepse e shohin
pozicionin e tyre të lidhur jo me vendimmarrjet kolegjiale dhe institucionale,
por me vendimmarrjen personale të drejtuesit. Nëse bie Njëshi, për shkak të efektit domino, rrezikojnë të bien edhe
ata që e kanë lidhur fatin e tyre politik me të.
Kështu krijohet një rreth vicioz: përqendrimi i
pushtetit te kryetari pengon afirmimin e figurave të tjera; mungesa e
alternativave të dukshme krijon pasiguri te anëtarësia dhe elektorati; ndërsa
kjo pasiguri përdoret për të përforcuar idenë se kryetari është i
pazëvendësueshëm.
Në këtë mënyrë, ajo që paraqitet si domosdoshmëri e
prezencës së një individi mund të jetë, në të vërtetë, pasojë e dobësimit të
demokracisë së brendshme të partisë.
Prandaj zgjidhja nuk qëndron thjesht te ndryshimi i
emrit të kryetarit. Ajo kërkon rikthimin e funksionalitetit demokratik të
partive politike, fuqizimin real të forumeve, konkurrencën e hapur,
meritokracinë dhe ndërthurjen e brezave në drejtim.
Një parti demokratike duhet të jetë në gjendje të
prodhojë vazhdimisht lidership, jo të krijojë varësi nga një lider.
Shqipëria mbi të gjitha!
Unë e dua Partinë Socialiste. Por më shumë dua Shqipërinë.
Dua që arritjet e vendit të mos zbehen nga krizat e së sotmes dhe që Partia Socialiste
të mos humbasë aftësinë për t'u ripërtërirë, për të dëgjuar dhe për t'i
shërbyer Shqipërisë.
Besoj se një Parti Socialiste e ripërtërirë, me
demokraci të brendshme funksionale, me meritokraci, me përvojën e brezave të
mëparshëm dhe energjinë e brezave të rinj, ka ende shumë për t'i dhënë vendit.
Por kjo
ripërtëritje kërkon edhe një tjetër mënyrë të të kuptuarit dhe ushtruarit të
lidershipit. Sepse lidershipi nuk është vetëm aftësia për të fituar zgjedhje
dhe për të ushtruar pushtetin. Është edhe përgjegjësia për të dëgjuar, për të
reflektuar, për të bashkuar dhe për t'i hapur rrugë së ardhmes, duke krijuar
kushtet që të tjerë të marrin përgjegjësi e të kontribuojnë në drejtimin e
partisë dhe të vendit.
Shqipërinë e
presin vendimmarrje të rëndësishme. E ardhmja europiane, zhvillimi ekonomik e
shoqëror, forcimi i demokracisë dhe besimi te institucionet kërkojnë
përgjegjësi, maturi dhe vizion.
Këto sfida nuk
mund të kushtëzohen nga fati politik i një individi. Partia Socialiste duhet të
ketë mundësinë të ripërtërihet përmes vullnetit të socialistëve, ndërsa
Shqipëria duhet të ecë përpara përmes institucioneve që funksionojnë dhe
qytetarëve që dëgjohen.
Dhe pikërisht këtu
dua t'i rikthehem përgjegjësisë së Edi Ramës ndaj Partisë Socialiste. Pas
gjithë këtyre viteve të mbështetjes dhe besimit që socialistët i kanë dhënë,
mirënjohja ndaj tyre nuk mund të mbetet vetëm në fjalë. Në bindjen time, ajo
duhet të shprehet edhe në kujdesin për të ardhmen e partisë, për ruajtjen e
identitetit, të demokracisë së brendshme dhe të aftësisë së saj për t'u
ripërtërirë. Do të ishte në nderin e tij që, krahas kontributeve që ka dhënë,
të linte pas një Parti Socialiste të aftë të vazhdojë dhe të kontribuojë për
Shqipërinë përtej drejtimit të tij.
Nuk duhet marrë
zvarrë as Partia Socialiste, as Shqipëria!
Partitë u
shërbejnë qytetarëve. Qeveritë u shërbejnë qytetarëve. Dhe askush nuk është i
pazëvendësueshëm. Shqipëria mbi të gjitha!
Do të më pëlqente
ta mbyllja shkrimin me vargjet e një prej këngëve të grupit patriotik të
Korçës, LIRA:
“Por nga gjithë ato më parë
Dua më shumë Shqipërinë
Që të vejë puna mbarë
Edhe përjetë të kemi lirinë.”
Po të kemi: Lirinë
për të zgjedhur. Lirinë për të vendosur. Lirinë për t'u zhvilluar. Lirinë për të
ndryshuar, si themeli i një shoqërie
demokratike, pa përjashtuar edhe lirinë për të marrë përgjegjësi, deri te
dorëheqja, kur rrethanat e kërkojnë!
Luiza Hoxhaj
Tiranë më 18.10.2026

No comments:
Post a Comment