Në vitet e fundit, sa herë që Shqipëria bëhet pjesë e lajmeve ndërkombëtare për investime, zhvillime turistike apo nisma komunitare të huaja, në diskursin publik rishfaqet pothuajse automatikisht e njëjta formulë, ajo e Besës dhe e thënies së lashtë se «Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut».
Rasti më i fundit që ngjalli jo pak polemika ishte
njoftimi për hapjen e një qendre të përhershme të lëvizjes Chabad-Lubavitch
në vendin tonë. Në artikullin që shoqëroi këtë lajm, hapja e një qendre për
vizitorët dhe komunitetin hebre u lidh drejtpërdrejt me kodin e Besës dhe me
shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke krijuar një paralelë
të sforcuar mes sakrificës historike në kushte lufte dhe nevojave krejt normale
të turizmit dhe bashkëjetesës moderne.
«Shtëpia e
shqiptarit është e Zotit dhe e mikut». Kur i hapte derën mikut, i zoti i
shtëpisë i bënte vend në sofër, e merrte në mbrojtje dhe kujdesej që, sa të rrinte
nën çatinë e tij, të ndihej si njeri i shtëpisë. Edhe largimi kishte zakonin e
vet. Sipas Kanunit të mbledhur në Pukë, i zoti i shtëpisë e përcillte mikun
deri në fund të oborrit. Gjatë gjithë kësaj kohe mikpritësi ishte dhe mbetej i
zoti i shtëpisë. Pikërisht nga ky rol buronte detyrimi për ta pritur mikun, për
ta mbrojtur dhe për ta përcjellë me nderim. Kanuni i Lekë Dukagjinit, varianti i Pukës, neni 140
Kurse Chabad po hap një qendër për të pritur
njerëzit e komunitetit të vet fetar, ata që jetojnë në Shqipëri dhe ata që
vijnë si vizitorë. Megjithatë, në fund të njoftimit, autori shkruan se miku do
të jetë «përsëri» i shenjtë. Pikërisht te kjo fjalë çalon paralelja. Hapja e
një qendre për komunitetin tënd paraqitet si vazhdim i gjestit të familjeve
shqiptare që hapën shtëpitë për njerëz të përndjekur. Besa shërben këtu si
një vello. Ajo i jep nismës së sotme peshën morale të një historie që lindi nga
një marrëdhënie tjetër mes të zotit të shtëpisë dhe mikut. Njoftimi i Chabad-Lubavitch
Përtej polemikave të momentit, ky rast nxjerr në
pah një problem më të thellë që na takon ta shqyrtojmë edhe te vetja: mënyrën
naive dhe sipërfaqësore se si ne shqiptarët e artikulojmë veten dhe virtytin e
Besës.
Hiperbolizimi i një kodi historik
Këtë mënyrë të të treguarit e kemi përhapur edhe ne
vetë, nga fjalimet politike deri te prezantimet turistike. Kur Besa paraqitet
vazhdimisht si shpjegimi i gatshëm i mikpritjes shqiptare, formula bëhet e
lehtë për t’u rimarrë edhe nga gazetarë apo organizata të huaja. Njoftimi i Chabad-it
është një rast i kësaj praktike më të gjerë.
Duke dashur të shesim një imazh ekzotik dhe fisnik,
ne kemi hiperbolizuar një element historik deri në atë pikë sa ai ka humbur
kuptimin e tij real. Kanuni i Lekë Dukagjinit ka shërbyer për shekuj në krahina
të veriut si një mekanizëm rregulli në mungesë të shtetit. Sot, mikpritja
vazhdon të ketë vend në jetën tonë si sjellje njerëzore dhe qytetare.
Bashkëjetesa dhe të drejtat në Shqipëri rregullohen nga Kushtetuta dhe ligji.
Kur retorika e tepruar prodhon efektin
e kundërt
Kur një vlerë me peshë historike përdoret pa kriter
si «melmesë» për çdo nismë të re apo marrëveshje pragmatike, ajo kthehet në një
slogan bosh. Një formulë që synon të shprehë afërsi mund të ushqejë mosbesim
ndaj një komuniteti dhe të rëndojë klimën e marrëdhënieve.
Në komentet poshtë
njoftimit që Chabad-Lubavitch publikoi në faqen e vet në Facebook për hapjen e
një qendre të përhershme në Shqipëri, disa komentues iu përgjigjën drejtpërdrejt
përmendjes së Besës, disa iu përgjigjën drejtpërdrejt përmendjes së Besës.
Njëri kujtoi rrethanat e strehimit të hebrenjve gjatë luftës me fjalët «ju
ishit ne kohera te veshtira, ju ndihmuam». Një tjetër e lexoi përmendjen e
kostos së Besës përmes konfliktit në Palestinë dhe pyeti «Cila do jetë kostoja
që mendoni ju? Si ajo e Palestinës? Apo më keq?». Në të njëjtin diskutim pati
edhe urime dhe mesazhe mirëseardhjeje.
Në disa komente, figura e mikut dhe e të zotit të
shtëpisë u përdor për ta paraqitur hapjen e qendrës si kërcënim. Disa komentues
shkuan deri te pretendimet e pambështetura për marrjen e territorit, ndërsa të
tjerë përdorën fyerje antisemite dhe kërcënime. Përgjegjësia për atë gjuhë u
takon atyre që e përdorën. Ndërkohë që përgjegjësia e komunikimit publik është
të shpjegojë qartë çfarë qendre po hapet, kujt i shërben dhe çfarë veprimtarish
do të zhvillojë.
Kur këto pyetje mbeten në hije, një zhvillim krejt
normal, si hapja e një qendre komunitare në një vend të lirë, mund të ngarkohet
me tensione. Debati mund të zhvendoset nga vetë nisma te dyshimet për qëllimet
e saj, duke nxitur paragjykime dhe gjykime të nxituara ndaj miqve dhe
partnerëve.
Nevoja për një artikulim të
pjekur
Në postimin e saj për hapjen e qendrës, gazetarja
Ermelinda Hoxhaj ngre disa pyetje konkrete. Ku do të vendoset qendra? Çfarë
statusi juridik do të ketë? Si do të financohet? A ka pasur ndonjë marrëveshje
ose mbështetje nga institucionet shqiptare? Organizata mund të shpjegojë çfarë
veprimtarish parashikon dhe kujt do t’i shërbejë qendra. Nëse institucionet
publike kanë marrë ndonjë angazhim, u takon atyre të bëjnë të ditur përmbajtjen
dhe arsyet e tij. Siç thekson edhe gazetarja, liria fetare është një e drejtë
themelore.
Miqësia e shqiptarëve me popullin hebre është një
fakt historik i ndritur, i dëshmuar në momentet më të errëta të njerëzimit, dhe
nuk ka nevojë për zbukurime artificiale për t’u mbajtur gjallë. Ajo qëndron mbi
themele të vërteta solidariteti njerëzor. Sot kemi nevojë për më pak
folklorizëm politik dhe më shumë seriozitet në vetëprezantim.
Respekti i ndërsjellë me çdo komb apo komunitet që
vjen në Shqipëri ndërtohet më shëndetshëm kur flasim qartë për atë që bëjmë sot
si një shtet mikpritës, i hapur dhe ligjor. Kujtesën e Besës e nderojmë kur
tregojmë se çfarë morën përsipër familjet shqiptare që hapën dyert në kohë
lufte. Qendrën e sotme e shpjegojmë duke treguar çfarë do të bëjë dhe kujt do
t’i shërbejë.
