Ekonomia, cilësia e jetës dhe mundësitë për të ndërtuar të ardhmen
Nga Luiza Hoxhaj
Eksperte për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal
Këto pyetje më kanë shoqëruar prej kohësh në
diskutimet mbi zhvillimin rajonal dhe vendor, fushë në të cilën jam përqendruar prej 18
vitesh. Ato u
rikthyen gjatë prezantimit të raportit OECD Regions and Cities at a Glance
2026, më 4 nëntor 2026, një aktivitet në të cilin pata mundësinë të marr
pjesë me ftesë të OECD-së.
Raporti trajton një çështje që, në vlerësimin tim, ka rëndësi
të veçantë edhe për Shqipërinë: Përse disa qytete apo rajone vazhdojnë të
tërheqin njerëz, investime dhe aktivitete ekonomike, ndërsa të tjera humbasin
popullsi, plaken dhe përballen me dobësimin e ekonomisë lokale?
Ne flasim shpesh për rritjen ekonomike, investimet, turizmin dhe infrastrukturën. Por a pyesim po aq shpesh se çfarë ndryshon si rrjedhojë e këtyre faktorëve në jetën e njerëzve? Sepse jo rrallë një territor mund të zhvillohet ekonomikisht dhe, megjithatë, një pjesë e banorëve të tij të mos shohin aty mundësi për të ardhmen.
Kjo është arsyeja që më shtyn të mendoj se zhvillimi duhet
parë edhe nga këndvështrimi i atyre që jetojnë në territor.
Pse disa vende ecin përpara,
ndërsa të tjera mbeten pas?
Një nga mesazhet kryesore të raportit të OECD-së
është se zhvillimi ekonomik nuk shpërndahet njësoj ndërmjet rajoneve. Dy
territore fqinje mund të kenë mundësi shumë të ndryshme për punësim, investime,
arsim dhe zhvillim ekonomik.
Por çfarë e krijon këtë dallim?
Një faktor i rëndësishëm është produktiviteti, pra
aftësia për të krijuar më shumë vlerë ekonomike me punën dhe burimet që
përdorim. Sipas OECD-së, në 13 vende anëtare ose kandidate për anëtarësim, ku
diferencat e PBB-së për frymë ndërmjet rajoneve u ngushtuan gjatë viteve
2018–2024, rezultatet u arritën përmes dy rrugëve të ndryshme.
Në gjashtë vende, rajonet më pak të zhvilluara përparuan kryesisht falë rritjes më të shpejtë të produktivitetit. Në shtatë të tjera, ndikimi kryesor erdhi nga rritja e punësimit. Ky dallim më duket veçanërisht domethënës.
Një ekonomi mund të rritet sepse punojnë më shumë
njerëz. Por mund të rritet edhe sepse puna bëhet më produktive, falë njohurive,
teknologjisë, organizimit dhe investimeve.
Në territoret që humbasin popullsi, rruga e parë bëhet gjithnjë e më e vështirë. Kur largohen të rinjtë dhe zvogëlohet numri i njerëzve në moshë pune, nuk mund të mbështetemi pafundësisht te shtimi i punësimit. Prandaj, aftësitë profesionale, inovacioni dhe cilësia e punës bëhen vendimtare.
Gjetjet
e raportit lidhen drejtpërdrejt me debatin europian mbi kohezionin territorial,
produktivitetin, pabarazitë rajonale dhe cilësinë e jetës. Ato na kujtojnë se
rritja ekonomike nuk garanton automatikisht zhvillim të balancuar ndërmjet
territoreve. Sfida qëndron në mënyrën se si produktiviteti, inovacioni dhe
investimet shndërrohen në mundësi reale për njerëzit, edhe në rajonet që
rrezikojnë të mbeten pas.
Po
Shqipëria, ku qëndron në këtë drejtim?
Raporti
i Komisionit Europian për Shqipërinë 2026 tërheq vëmendjen për një problem të
rëndësishëm strukturor: bujqësia dhe industria mbeten sektorë me produktivitet
të ulët, ndërkohë që aktiviteti i tyre është tkurrur. Edhe Fondi Monetar
Ndërkombëtar ka evidentuar se prodhimi për orë pune në Shqipëri mbetet nën
mesataren europiane, me përmirësim të kufizuar gjatë dekadës së fundit.
Ky përfundim na fton të reflektojmë mbi natyrën e zhvillimit tonë ekonomik. Nuk na mjafton të
shtojmë aktivitetet ekonomike apo numrin e të punësuarve në to. Na duhet, gjithashtu, të rrisim edhe
vlerën që krijohet përmes punës, teknologjisë, njohurive dhe organizimit më të
mirë të prodhimit.
Për
mua, kjo çështje ka edhe një dimension të rëndësishëm territorial. Një fermer
që arrin të përpunojë dhe tregtojë produktin e tij me vlerë më të lartë, një
biznes që investon në teknologji apo një sipërmarrje turistike që krijon
punësim cilësor gjatë një pjese më të madhe të vitit, nuk ndikojnë vetëm në
treguesit ekonomikë. Ata zgjerojnë mundësitë për të ardhura, punësim dhe
zhvillim në komunitetet ku veprojnë.
Në këto kushte,
duhet të pyesim jo vetëm sa rritet
ekonomia shqiptare, por edhe si
rritet produktiviteti, ku krijohet vlera e shtuar dhe sa prej saj kthehet në
mundësi reale për njerëzit që jetojnë në territor. Pra, analiza e produktivitetit merr rol qëndror.
Për Shqipërinë, kjo ngre një pyetje që meriton
analizë: a po krijojmë në qytetet dhe zonat tona rurale ekonomi që ofrojnë punë
më produktive dhe të ardhura më të mira, apo po mbështetemi kryesisht te
shfrytëzimi i burimeve dhe mundësive ekzistuese?
Dija dhe teknologjia: a po
krijojnë një gjeografi të re të pabarazisë?
Gjithnjë e më shumë në ditët e sotme ne flasim për inteligjencën artificiale,
inovacionin dhe ekonominë e dijes dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e territorit.
Por ku përqendrohen këto mundësi?
Të dhënat e OECD-së tregojnë se gjatë viteve
2019–2024, në 27 nga 31 vendet e analizuara, zona më e madhe funksionale urbane
kishte pjesën më të lartë të patentave të vendit.
Edhe financimi i sipërmarrjeve inovative është
shumë i përqendruar. Në 32 nga 39 vende me të dhëna, një rajon i vetëm i vogël
tërhoqi mbi gjysmën e financimit kombëtar të kapitalit sipërmarrës gjatë viteve
2020–2024. Kjo do të thotë se qytetet dhe rajonet që kanë universitete,
institucione kërkimore, kompani inovative dhe burime financimi krijojnë
avantazhe që mund të përforcohen me kalimin e kohës.
Po territoret e tjera? A duhet të pranojnë se ekonomia e dijes është një mundësi vetëm për metropolet?
Unë mendoj se kjo është pikërisht një nga sfidat e
politikave të zhvillimit territorial. Teknologjia mund të krijojë mundësi të
reja edhe për qytetet e vogla dhe zonat rurale, por kjo nuk ndodh
automatikisht. Për këtë nevojiten aftësi, infrastrukturë digjitale, institucione që
bashkëpunojnë me to dhe midis tyre si dhe mundësi për të kthyer dijen në veprimtari ekonomike.
Raporti sjell edhe një të dhënë interesante për
inteligjencën artificiale gjeneruese. Në vitin 2025, në rajonet me përqendrimin
më të lartë të punonjësve me arsim të lartë, 52% e punësimit ishte shumë i
ekspozuar ndaj kësaj teknologjie, kundrejt 42% në rajonet e tjera.
Kjo nuk do të thotë se këto vende pune do të zhduken. Kjo do të thotë se natyra e tyre mund të ndryshojë ndjeshëm varësisht nga zhvillimet e reja. Dhe këtu na lind një tjetër pyetje: a po i përgatisim njerëzit dhe territoret tona për këto ndryshime?
Pse njerëzit shkojnë drejt
qyteteve të mëdha, edhe kur jetesa bëhet më e shtrenjtë?
Mendoj se një nga paradokset më interesante të zhvillimit lidhet pikerisht me qytetet e mëdha. Sipas OECD-së, në 35 nga 37 vende me të dhëna, pesha e popullsisë që jeton në rajonet metropolitane u rrit ndërmjet viteve 2005 dhe 2024. Metropolet dhe qytete e mëdha ofrojnë më shumë vende pune. Ato kanë universitete si qendra të djes dhe inovacionit, kanë më shumë shërbime dhe mundësi profesionale. Për këtë arsye vazhdojnë të tërheqin popullsi nga territoret periferike.
Por përqendrimi i mundësive ka edhe anën tjetër të medaljes. Ai sjell edhe rritjen e kostos së jetesës. Sipas OECD-së, në një grup prej 23 vendesh, çmimet e banesave në qendrat urbane janë mesatarisht 27% më të larta se mesatarja kombëtare.
Një
tregues tjetër, i llogaritur për 13 vende me të dhëna të disponueshme, tregon
se blerja e një banese në rajonin më të madh metropolitan kërkon mesatarisht
6,9 vite të ardhura më shumë sesa në rajonin metropolitan më të përballueshëm
të të njëjtit vend.
Pra, njerëzit shkojnë atje ku shohin më shumë
mundësi, edhe pse përballen me kosto më të larta.
Kjo më sjell ndër mend një pyetje që e kemi shpesh
përpara nesh edhe në Shqipëri.
Përse të rinjtë dhe jo vetëm ata po largohen nga qytetet e tyre drejt Tiranës apo jashtë vendit? A largohen ata vetëm për një pagë më të mirë? Apo kërkojnë edhe mundësi profesionale, arsim, shërbime, jetë sociale dhe një mjedis të përshtatshëm ku mund të realizojnë aspiratat e tyre?
Besoj se përgjigjja e pyetjes së mësipërme lidhet me kombinimin e të gjithë këtyre faktorëve. Një banesë më e lirë nuk mjafton për ta mbajtur një familje në një qytet ku mungojnë mundësitë për punë. Po kështu, një pagë më e lartë mund të mos mjaftojë nëse strehimi dhe shërbimet bëhen të papërballueshme. Njerëzit nuk zgjedhin vetëm një vend pune. Ata zgjedhin një mënyrë jetese dhe një perspektivë për të ardhmen. Territori ku banorët janë të vendosur ose ku dëshirojnë të zhvendosen duhet ti plotësoj këto kushte.
Kur një territor plaket dhe klima
ndryshon
Një tjetër çështje që më tërhoqi vëmendjen në raport ishte lidhja ndërmjet ndryshimeve demografike dhe atyre klimatike. Zakonisht këto dy dukuri i trajtojmë si dy probleme të veçanta.
Por çfarë ndodh kur një rajon me popullsi gjithnjë e më të moshuar përballet edhe me temperatura ekstreme?
Nevojat për kujdes shëndetësor, shërbime sociale dhe infrastrukturë të përshtatur mund të rriten njëkohësisht me rreziqet klimatike. OECD tregon se numri i rajoneve të mëdha me përqindje të lartë të popullsisë së moshuar dhe me më shumë se një muaj stres të fortë termik në vit u rrit nga 16 në 74, duke krahasuar periudhat 1981–2010 dhe 2021–2025.
Kjo është një e dhënë që na fton të mendojmë ndryshe për planifikimin territorial. Nuk mjafton të dimë sa banorë ka një qytet apo sa janë temperaturat mesatare. Duhet të kuptojmë edhe kush është më i ekspozuar, cilat shërbime mungojnë dhe si mund të përshtatet territori. Për Shqipërinë, ku disa zona po përballen me largimin e popullsisë dhe plakjen demografike, kjo qasje meriton vëmendje të veçantë.
A dimë ta masim zhvillimin?
Në diskutimet publike, shpesh dëgjojmë sa kilometra
rrugë janë ndërtuar, sa investime janë realizuar apo sa objekte janë
përfunduar. Këto janë të dhëna të rëndësishme. Por a na tregojnë gjithçka?
Marrim një shembull.
Një bashki investon në transportin publik. Mund të
raportojë numrin e autobusëve të blerë dhe kilometrat e linjave të reja.
Por për qytetarin ka rëndësi çfarë ndryshimi sjell ky investim në përditshmërinë e tij: A mbërrin, mbas tij, më shpejt në punë? A shpenzon tani më pak për transport? A ka mundësi të shkojë më lehtë në spital, në shkollë apo në një shërbim publik?
Nëse nuk i masim këto ndryshime, dimë sa kemi
investuar, por jo domosdoshmërisht sa kemi përmirësuar jetën e njerëzve. Kjo
është një nga arsyet pse më duket me vlerë qasja e OECD-së ndaj treguesve
territorialë.
Platforma OECD Local Data Portal përfshin mbi 100 indikatorë në dhjetë fusha tematike, për më shumë se 225 mijë bashki dhe zona lokale në 41 vende. Përmes këtyre të dhënave mund të krahasohen territoret, të identifikohen dallimet dhe të kuptohet më mirë se çfarë fshihet pas mesatareve kombëtare.
Sigurisht, këto të dhëna nuk mund të zbatohen
automatikisht për Shqipërinë. Por metodologjia na mëson diçka të rëndësishme. Përpara
se të hartojmë një politikë zhvillimi, duhet të dimë ku ndodhemi, ku duam të
arrijmë dhe si do ta kuptojmë nëse kemi përparuar.
Po Shqipëria, çfarë mund të
mësojë?
Mendoj se Shqipëria
duhet të kopjojë politikat e vendeve të OECD-së verbërisht. Çdo territor ka historinë,
strukturën ekonomike, burimet dhe sfidat e veta.
Për Shqipërinë vlerë ka nëse ne mund të mësojmë nga
mënyra se si analizohen problemet dhe maten rezultatet në territoret e referuar në raportin e OECD. Për shembull, do të
ishte me interes të dinim më shumë për dallimet e produktivitetit ndërmjet
qarqeve dhe bashkive, lidhjen ndërmjet migracionit dhe mundësive ekonomike,
përballueshmërinë e strehimit, aksesin në shërbime dhe ndikimin e investimeve
në mirëqenien e komuniteteve.
Në Vlorë, për shembull, zhvillimi i turizmit ngre pyetje që nuk marrin përgjigje vetëm nga numri i vizitorëve si psh.: Sa vende pune të qëndrueshme krijohen? Sa muaj në vit punojnë njerëzit? Sa nga të ardhurat e turizmit mbeten në ekonominë lokale? Sa mundësi krijohen për prodhuesit vendas dhe të rinjtë? Po kështu, investimet në infrastrukturë, zhvillimi urban dhe përdorimi i burimeve natyrore duhen vlerësuar edhe për ndikimin afatgjatë në cilësinë e jetës.
Shembulli
i Vlorës na rikthen te një çështje më e gjerë: kohezioni territorial nuk duhet
kuptuar thjesht si zvogëlim i diferencave ekonomike ndërmjet rajoneve. Ai
lidhet edhe me mundësinë që njerëzit, pavarësisht vendit ku jetojnë, të kenë
qasje në shërbime cilësore, arsim, punësim dhe perspektiva zhvillimi. Për
Shqipërinë, kjo kërkon që politikat kombëtare të zhvillimit të marrin më shumë
parasysh karakteristikat, potencialet dhe nevojat e territoreve të ndryshme.
Përgjigjet e këtyre pyetjeve kërkojnë të dhëna, analizë dhe dialog ndërmjet institucioneve, profesionistëve dhe komuniteteve. Nuk mjafton që një territor të ketë potencial zhvillimi. Duhet të kuptojmë sa prej këtij potenciali kthehet në mundësi reale për banorët.
Territori nuk është vetëm ekonomi. Është edhe përkatësi.
Deri këtu kemi folur për punësimin, produktivitetin, teknologjinë, strehimin, demografinë dhe klimën. Por ka edhe diçka tjetër që mendoj se meriton vëmendje. Marrëdhënia e njeriut me vendin ku jeton nuk është vetëm ekonomike. Një qytet është edhe kujtesë, marrëdhënie njerëzore, kulturë, identitet dhe ndjenjë përkatësie. Për dikë, lidhja me vendlindjen është aq e fortë sa dëshiron të kthehet edhe pas shumë vitesh largimi. Për dikë tjetër, ajo lidhje mund të dobësohet kur nuk sheh më mundësi për të jetuar me dinjitet apo për të ndikuar në të ardhmen e komunitetit.
Pikërisht këtu do të shtoja një dimension që shkon përtej treguesve ekonomikë të raportit: mundësinë e njerëzve për të marrë pjesë në vendimmarrjen mbi territorin e tyre, sepse nuk ka rëndësi vetëm çfarë ndërtohet në një qytet, por edhe nëse banorët kanë mundësi të dëgjohen kur vendoset për të ardhmen e tij. Njerëzit lidhen me një vend edhe përmes ndjenjës se i përkasin atij, se mendimi i tyre ka vlerë dhe se mund të kontribuojnë në zhvillimin e tij.
Për mua, territori nuk është thjesht një hapësirë
gjeografike ku zhvillohen aktivitete ekonomike. Territori është edhe një
marrëdhënie ndërmjet njerëzve, mundësive dhe vendit ku ata ndërtojnë jetën.
Të zhvillojmë vende ku njerëzit
dëshirojnë të jetojnë
Raporti i OECD-së më përforcoi një bindje:
zhvillimi i një territori nuk mund të matet vetëm me rritjen ekonomike apo me
vlerën e investimeve. Një ekonomi mund të rritet, ndërsa një pjesë e njerëzve
të vazhdojnë të largohen. Një qytet mund të ndërtojë më shumë, por të bëhet më
pak i përballueshëm për banorët. Një zonë turistike mund të tërheqë gjithnjë e
më shumë vizitorë, por të mos krijojë mjaftueshëm mundësi për ata që jetojnë
aty gjatë gjithë vitit.
Prandaj, zhvillimi duhet të na interesojë jo vetëm
si proces ekonomik, por edhe si aftësi për të krijuar mundësi, për të
përmirësuar cilësinë e jetës dhe për t'u dhënë njerëzve arsye për të qëndruar.
Kjo nuk do të thotë se largimi është gjithmonë një humbje. Lëvizja e njerëzve është edhe shprehje e lirisë për të kërkuar mundësi të reja. Por do të doja që qëndrimi në vendlindje, rikthimi apo zgjedhja për të jetuar në një qytet të vogël të ishin mundësi reale dhe jo vendime të kushtëzuara nga mungesa e alternativave.
Për
mua, zhvillimi i një territori merr kuptim kur rritja ekonomike dhe investimet
shndërrohen në mundësi reale për njerëzit: për të punuar, për të jetuar me
dinjitet, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të ndërtuar të ardhmen që
dëshirojnë.
Nuk
është fjala që njerëzit të qëndrojnë domosdoshmërisht aty ku kanë lindur. Është
fjala që largimi të jetë një zgjedhje dhe jo një domosdoshmëri e imponuar nga
mungesa e mundësive.
Në
fund, do të pyesja: A po
krijojmë territore ku njerëzit jo vetëm mund të jetojnë, por edhe dëshirojnë ta
ndërtojnë të ardhmen e tyre?
Kjo
është një pyetje që ia vlen t'ia bëjmë vetes, institucioneve dhe komuniteteve
tona. Përgjigjja e saj nuk gjendet vetëm në statistika, por edhe në
përvojën e përditshme të njerëzve që jetojnë në këto territore. Prandaj duhet të ndalemi dhe të reflektojmë për menyrën sesi po i zhvillojmë qytetet, fshatrat dhe territorin tonë.
Burime
OECD (2026). OECD Regions and Cities at a Glance
2026. OECD Publishing, Paris.
Shënim: Të dhënat statistikore të cituara i
referohen vendeve dhe periudhave të analizuara nga OECD. Reflektimet për
Shqipërinë, Vlorën, përkatësinë dhe pjesëmarrjen qytetare janë interpretime të
autores.

4 comments:
I gjithë shkrimi juaj më kujton përgjigjen që më dha Maria Novak (Presidente e Mikrofinancave në Europë), kur e ftova në Velçë, se është një vend arkeologjik. Pa e zgjatur, më tha: «Më shpjego si jetojnë njerëzit, që të të them ç'vlera sjellin këto zbulime».
E dyta: zhvillimi i infrastrukturës, zhvillimi i teknologjisë, nëse nuk sjellin rritje ekonomike, zhvillim social, përmirësim të standardeve të jetesës, do të thotë se studimi i fizibilitetit është bërë jo i saktë, nga njerëz jokompetentë, dhe nuk është bërë në rregull dëgjesa publike. Ka abuzim me fondet publike.
Edhe diçka tjetër e veçantë: zhvillimi i prodhimeve tradicionale. Ja një udhëzim që thonë ekspertët: «Do të mbjellësh tokën? Shko në qendrën e farërave. Pyet si është shpërndarë fara e stinës: x ton grurë, misër, fasule dhe 10 kg farë domate, 10 kg farë trangull, farë pjepri, farë bostani dhe, në fund, 1 kg farë speci djegës. Del me fitim në treg të mbjellësh speca djegës, sepse sundon tregun».
Ndaj zonat duhen drejtuar te tradita e tyre: dele, dhi, lopë vendi në malet e Labërisë, lopë stalle në Myzeqe etj., etj.
Shkrimi më pëlqeu shumë. Sepse erdhën 12 milionë turistë, por në xhepin tim nuk u shtua asnjë lek. Përkundrazi, m'u privua e drejta të pi kafe për hir të çmimit që, te Kali i Trojës deri në Radhimë, nga pensioni i ulët.
Urime për shkrimin!
I nderuar i urti Ahmet Demaj!
Ju falënderoj shumë për këtë koment kaq të pasur me përvoja dhe reflektime!
Më pëlqeu veçanërisht përgjigjja e Maria Novak: «Më shpjego si jetojnë njerëzit...». Në fakt, kjo është pyetja që duhet të shoqërojë çdo politikë zhvillimi dhe çdo investim publik.
Jam dakord edhe me rëndësinë që i jepni ekonomisë tradicionale dhe potencialeve të veçanta të çdo territori. Zhvillimi nuk mund të jetë një model i njëjtë për të gjithë, por duhet të mbështetet edhe te burimet, njohuritë dhe traditat vendore.
Ndërsa shembulli juaj personal për turizmin në Vlorë është shumë domethënës. Mund të kemi miliona vizitorë dhe tregues në rritje, por pyetja mbetet: sa nga kjo rritje përkthehet në mirëqenie për banorët? Madje, kur rritja e çmimeve kufizon mundësitë e tyre, kemi një arsye më shumë për të reflektuar mbi mënyrën se si e masim suksesin e zhvillimit.
Ju falënderoj që e pasuruat diskutimin me këtë këndvështrim konkret!
Problematikat zhvillimore rajonale të një vendi duhen parë në shumë rrugë të planifikuara: në ekonomi, infrastrukturë, institucione ligjzbatuese, pjekuri e dije të njerëzve në zbatim etj., etj.
Por individi është i lidhur me vendin e tij në shumë fusha. Mosrealizimi i të gjitha nevojave (që janë shumë), për vlerësim të tij, siguri, jetesë, besim, dhe mospërmbushja që garantojnë mbështetje funksionale të tyre, bëhet shkak i shqetësimeve, largimeve dhe konfrontimeve të ndryshme.
Burimi i motiveve janë vetë këto nevoja, por mbi të gjitha qëndrojnë ato sociale, si për nga rëndësia, të cilat, për këtë individ, duhet të jenë të prekshme dhe jo abuzive, që ai të dijë të zgjedhë më të mirën për veten, familjen e shoqërinë.
Sot duhet jetuar shëndetshëm e jo vetëm të frymosh. Për përmirësimin e cilësisë së jetesës duhet menduar nga të gjithë.
E dashur Mariana, të falënderoj për këtë reflektim kaq të ndjerë dhe me vlerë!
Ke prekur një dimension thelbësor të zhvillimit territorial: njeriu nuk lidhet me vendin ku jeton vetëm përmes mundësive ekonomike, por edhe përmes sigurisë, besimit, marrëdhënieve shoqërore, vlerësimit dhe ndjenjës së përkatësisë.
Më pëlqeu veçanërisht shprehja jote: «Duhet jetuar shëndetshëm e jo vetëm të frymosh». Në thelb, këtu qëndron edhe kuptimi i cilësisë së jetës.
Prandaj zhvillimi nuk mund të matet vetëm me investime, infrastrukturë apo tregues ekonomikë. Ai duhet të vlerësohet edhe nga mënyra se si njerëzit e përjetojnë jetën e tyre të përditshme dhe nga mundësitë reale që kanë për të zgjedhur të ardhmen.
Faleminderit që e pasurove këtë diskutim me dimensionin njerëzor dhe social të zhvillimit!
Post a Comment