Politikat e zhvillimit nuk duhet të ndërtohen mbi logjikën e sezonit, por mbi jetën e përditshme të qytetarit. Turizmi i qëndrueshëm fillon kur komuniteti është në qendër të vëmendjes.
Nga: Luiza Hoxhaj
Data: 13 Korrik 2025
Në një mëngjes korriku,
ndërkohë që turistët fotografojnë në Theth apo presin radhën në Ksamil për të
zënë vend në plazh, banori lokal shqetësohet për ujin, për ndotjen, për çmimet
që s’përballohen, dhe për zërin e tij që nuk dëgjohet më. Po e humbasim
qetësinë për të fituar fluksin, dhe bashkë me të, po i japim më shumë hapësirë
atij që vjen përkohësisht sesa atij që qëndron dhe kontribuon çdo ditë.
Në deklaratat
institucionale, në raportet dhe madje edhe në gjuhën e përditshme, është bërë
tashmë zakon të thuhet: “këto masa favorizojnë turistët dhe qytetarët”,
“projekti është në shërbim të turistëve dhe komunitetit lokal” – por përse
gjithmonë turisti përmendet i pari?
Kjo nuk është thjesht një
formulë gjuhësore. Është një simptomë e një prirjeje më të thellë: vendimmarrja
dhe planifikimi zhvillimor po orientohet gjithnjë e më shumë drejt nevojave të
vizitorëve, duke e shtyrë qytetarin vendas në periferi. Ky rendim simbolik
fjalësh përkon me një rendim real prioritetesh: politika që favorizojnë
sezonin, biznesin e shpejtë dhe marketingun turistik, por që harrojnë cilësinë
e jetës së banorëve, shërbimet bazë dhe ruajtjen e komunitetit si një organizëm
i gjallë social dhe kulturor.
Po harrojmë një parim
themelor: turizmi duhet të jetë në funksion të komuniteteve pritëse, jo
anasjelltas. Ai duhet të jetë një mjet, një burim të ardhurash, një mundësi
zhvillimi, dhe jo një qëllim në vetvete që i nënshtrohet çdo kompromisi në
kurriz të jetës vendase.
Kur qytetari shtyhet në
plan të dytë, ndodhin këto:
• Çmimet e rritura për
qiranë apo ushqimin bëjnë që të rinjtë të largohen nga vendlindja.
• Shërbimet publike (si
pastrimi, ujësjellësi, qasja në hapësirat publike) kthehen në të pamjaftueshme
ose selektive.
• Komuniteti humbet
identitetin e vet dhe shndërrohet në një “skenografi” për konsum të përkohshëm.
Zhvillimi i qëndrueshëm
nuk është ai që sjell vetëm turistë, por ai që forcon komunitetin, ruan
ekuilibrin, dhe gjeneron të ardhura që rishpërndahen në dobi të vendasve.
Prandaj është jetike të ndryshojmë diskursin dhe rendin e përparësive.
Duhet të themi: “Kjo
politikë u shërben qytetarëve dhe vizitorëve.” Dhe duhet ta mendojmë kështu në
çdo investim, projekt, apo strategji. Vetëm kur komuniteti është i shëndetshëm,
mikpritës dhe i fuqizuar, turizmi mund të jetë i suksesshëm – për të gjithë.
Qytetari nuk mund të jetë
më një figurë dytësore në hartat e zhvillimit. Ai duhet të rikthehet aty ku e
ka vendin: në qendër të politikëbërjes dhe qeverisjes. Politikat, investimet dhe
vendimmarrjet nuk mund të ndërtohen mbi logjikën e sezonit, por mbi themelet e
jetës së përditshme. Qytetari duhet të jetë jo vetëm përfituesi kryesor, por
edhe bashkëhartuesi i zhvillimit. Ai duhet të dëgjohet, të përfaqësohet dhe të
jetë pjesë aktive e çdo procesi. Ndërkohë, politikëbërësit duhet të kenë
guximin të rishikojnë prioritetet dhe të rikthejnë misionin e tyre tek ajo që
është më themelore: mirëqenia afatgjatë e komuniteteve. Sepse një vend ku
qytetari ndihet i dëgjuar, i mbrojtur dhe i vlerësuar është një vend që ofron
edhe eksperiencën më të mirë për çdo vizitor. Vetëm kështu, çdo stinë do të
jetë e qëndrueshme, dhe çdo zhvillim do të ketë kuptim.
Ky shkrim është i pari si pjesë e ciklit “Qytetarët në Qendër të
Vëmendjes”.
Nessun commento:
Posta un commento