Nga Luiza Hoxhaj
Në
dekadat e fundit, Tirana është shndërruar në simbolin më të dukshëm të
urbanizimit të përshpejtuar në Shqipëri. Nga një qytet me konture të qarta dhe
funksione të përcaktuara, është kthyer në një entitet kompleks që përthith
njerëz, investime dhe ide, por që njëkohësisht përjeton tensione të forta
mjedisore, infrastrukturore dhe sociale.
Rritja
e Tiranës nuk është më thjesht një çështje urbanistike; është një ngjarje
politike, ekonomike dhe shoqërore që sfidon konceptet tona mbi planifikimin,
drejtësinë hapësinore dhe të ardhmen e qytetit të jetueshëm.
Tirana
është sot qyteti më i madh në vend, por edhe më i ndjeshëm ndaj efekteve të
aglomerimit: mbingarkesë infrastrukturore, ndotje ajri, ngushtimi i hapësirave
publike dhe humbja graduale e funksionit të tyre social, rritje e çmimeve të
banesave dhe fragmentarizim i komuniteteve urbane. Këto janë simptoma të një
zgjerimi që po ndodh pa një kornizë të qartë drejtimi.
Ndërsa
Tirana rritet, po ashtu edhe ndikimi i saj mbi qytetet përreth. Por Shqipëria
ende nuk ka zhvilluar një qasje metropolitane të mirëfilltë, siç kanë bërë
shumë qytete europiane për të përballuar zgjerimin urban.
Çdo
qytet ka kufij të brendshëm të qëndrueshmërisë: burime ujore, kapacitet tokash,
ndotje të përballueshme, transport të menaxhueshëm, apo edhe kapacitet
institucional për të shërbyer popullatën. Rritja jashtë këtyre kufijve krijon
tensione që, nëse nuk adresohen, kthehen në kriza urbane.
Tirana
ka kohë që po zhvillohet më shpejt se sa mundësitë e saj reale. Prandaj është
jetike që planifikimi i saj – dhe i gjithë zonës metropolitane – të udhëhiqet
nga balanca midis nevojave reale të banorëve dhe burimeve që qyteti (dhe
territori përreth) disponon.
Shembujt
nga Europa – si Lille në Francë, Stuttgart në Gjermani apo Ljubljana në
Slloveni – tregojnë se sfidat e aglomerimit mund të përballohen me agjenci të
përbashkëta planifikimi urban e rajonal, qeverisje të koordinuar mes qyteteve
dhe investime në transport të integruar.
Në
këtë frymë, Trekëndëshi Tiranë–Durrës–Elbasan përfaqëson një mundësi të artë
për të krijuar një metropol funksional shqiptar, që nuk mbështetet vetëm në
rritjen e Tiranës, por në një shpërndarje më të mençur të zhvillimit.
Ndërsa
stoku i banesave shtohet dita-ditës dhe qytetet tona zgjaten drejt periferive
me një ritëm që shpesh nuk ndjek as logjikën as nevojën, gjithnjë e më shpesh
Tirana – por jo vetëm ajo – i ngjan një prej atyre “qyteteve të padukshme” të
Italo Calvinos, ku shtresëzimet urbane rriten si rrathë të një spirale që
shtrëngohet gjithnjë e më shumë, por pa thelb të vërtetë brenda. Kemi gjithçka,
përveç një ndjesie të jetueshmërisë.
Nessun commento:
Posta un commento