Search This Blog

Tuesday, May 21, 2013

Autostrada blu: një zgjidhje e qëndrueshme

Mendova të hedh këto pak rreshta për një premtim elektoral, të bukur dhe të dobishëm në vështrimin tim, i cili besoj se nuk do të mbetet thjesht një ëndërr. Lëvizja është një nevojë primare e njeriut. Por njerëzit kanë njëkohësisht nevojën e qetësisë dhe të një ambienti të shëndetshëm. Të gjesh ekuilibrin e duhur nuk është gjithnjë e thjeshtë. Pikërisht në një zonë si Vlora, me funksionin e saj tranzit, dhënë nga pozicioni i saj gjeografik, lëvizja dhe trafiku përbëjnë një temë me rëndësi të madhe, që do të mbetet e tillë edhe në të ardhmen. Detyra jonë është të gjejmë zgjidhjet në gjendje të krijojnë një lëvizje të qëndrueshme. Një opsion i tillë është edhe “Autostrada Blu”.
Së dyti, i shkrova këto radhë edhe për faktin e thjeshtë meqë kjo çështje ka marrë edhe vëmendjen e disa analistëve të respektuar, pak skeptikë ndaj këtij premtimi. Autostrada Blu, apo autostrada e detit, siç do të na pëlqente ta thërrisnim ne vlonjatët, e prezantuar dhe premtuar nga lideri i PS-së, z. Edi Rama, në takimin e prezantimit të kandidatëve socialistë në Vlorë – me veçanti prezantimin e tij si kandidat për deputet i këtij qarku – e përfshirë edhe si një nga prioritetet e programit të Rilindjes dhe e atakuar nga lideri i PD-së, z. Sali Berisha, nuk është një utopi, por është një premtim realist.
Kjo autostradë është në koherencë të plotë me projektet evropiane për të ndërtuar Autostradën e Detit Mesdhe. Ky projekt madhor pan-evropian është një projekt për të vlerësuar, ballafaquar dhe optimizuar transportin në të gjithë Evropën. Objektivi i këtij projekti është të racionalizojë, të përmirësojë dhe të optimizojë metodat e punës, si dhe procedurat e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, secili në segmentin e interesuar (mallrat nga portet drejt autostradës në brendësi të vendit, flukset e turistëve nga portet drejt autostradës së detit).
Realizimi i këtij projekti do t'i shërbejë shumë njërit prej sektorëve prioritarë të zhvillimit të vendit dhe qarkut të Vlorës në veçanti, si një rajon prioritar për turizmin e të gjitha llojeve: bregdetar, sportiv, malor, kulturor, arkeologjik, përfshirë edhe atë elitar. Kjo gjë u shpjegua shumë mirë edhe gjatë prezantimit të programit të Rilindjes. Ajo thjesht do të jetë një nga treguesit se Shqipëria do të ecë me hapin e kohës. Pulsi i saj i zhvillimit duhet të jetë në të njëjtën frekuencë me zhvillimet sipas standardeve më të përparuara të kohës. Forca e këtyre premtimeve, sipas meje, qëndron pikërisht në gjërat e thjeshta të jetës sonë të përditshme.
Pika e dytë e fortë që ofroi në prezantimin e tij në Vlorë Rama ishte premtimi se agrobiznesi dhe turizmi, të shoqëruara me infrastrukturën e përshtatshme (kupto lidhjet me akset kombëtare të rrugëve lokale, përfshirë rrugën e Labërisë, një ëndërr e hershme e cila do të rijetësonte këtë zonë, dhe aksesin në internet), do të ndërtojnë të ardhmen e qarkut të Vlorës. Zhvillimi i sipërmarrjes në Vlorë, sipas tij (ndaj të njëjtin mendim), e ka një zemër që rreh: agrobiznesin dhe turizmin, të cilët duhet të nxiten dhe të promovohen, duke krijuar rrjetet e nevojshme të kooperimit. Në këtë mënyrë do të promovohet Vlora.
Ky është një vizion pragmatik, që bazohet në avantazhet që sjell adoptimi i një modeli strategjik dhe organizativ, mundësi të rëndësishme të potencimit të këtyre sektorëve kyç, duke përshkuar së bashku lindjen e një evolucioni, të një zhvillimi i cili nuk bazohet në vepra faraonike. Jam e bindur se tek bashkëpunimi qëndron forca për të përballuar sfida të mëdha, siç janë zhvillimi i bujqësisë dhe i turizmit.
Kjo bindje bazohet në traditën e qarkut tonë, në vlerat e tij, në idetë që gjenerojnë në përditëshmërinë tonë. Historia na tregon se këta sektorë operojnë në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin dhe duhen vlerësuar si të tillë, si motorë të zhvillimit tonë ekonomik dhe social dhe si burim i mirëqenies. Ekzistojnë tashmë iniciativa ekselente në qarkun e Vlorës. Jam shumë e bindur se duke lënë dhe krijuar hapësirën e nevojshme, lirinë e nevojshme të individit për koncepte të reja, do të lindin ide të mira në rajon. Idetë e mira janë shpesh fillimi i një historie suksesi. Por vetëm idetë e mira nuk mjaftojnë. Për realizimin e tyre nevojiten edhe partnerë të mirë. Në këtë rast është Partia Socialiste me programin e saj, që ofrohet si partner i qytetarit për realizimin e ideve më të mira dhe për zhvillimin e qarkut tonë në veçanti dhe të vendit në përgjithësi. I vetëm mund të prodhosh, por vetëm së bashku mund të realizosh vlerë të shtuar: zhvillim.
Pikë tjetër që ka lënë skeptikë një pjesë të mirë të opinionbërësve është se portit nuk iu kushtua vëmendja e duhur. Përkundrazi, do të thosha unë. Porti ishte një nga shigjetimet për premtimet e pambajtura të mazhorancës aktuale. Rikthimi në vëmendje të publikut tek rëndësia e dikurshme që ka pasur Porti i Vlorës 5 shekuj më parë është i shoqëruar me premtimin se do t'ja kthejë Vlorës shkëlqimin që ka pasur në hartën e porteve detare. Kësaj ideje i shërben edhe “autostrada e detit”. Por kjo jo domosdoshmërisht realizohet duke përqafuar projektin aktual të portit, i cili është në papajtueshmëri me prioritetet kryesore të zhvillimit të qarkut të Vlorës. Sigurisht kjo kërkon diçka shumë më të mirë se ai projekt.
Në kohën e duhur, në renditjen e duhur të prioriteteve, unë besoj se qeverisja e ardhshme do të japë opsionin më të mirë. Projekti i zhvillimit të Vlorës me resurset, larminë e prioriteteve, larminë e klimës dhe vlerave historike, kulturore dhe arkeologjike kërkon një projekt më të mirëmenduar, i cili do të harmonizojë të gjitha këto prioritete. Në Vlorë dhe jo vetëm u prezantuan gjërat e thjeshta të përditshme, të cilat nuk i njohin ata që nuk i kanë në kurriz çdo ditë, të cilat e përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të këtij vendi qysh në momentin e parë. Ato janë prioritete të cilat së pari duan vullnet, i shoqëruar ky me dijen dhe kapitalin social të nevojshëm. Ato janë çështje të cilat duan thjesht ta duash këtë vend dhe të investohesh për prosperitetin e tij. Nëse e duam këtë vend, e vetmja “vepër e madhe” për të cilën vendi ka nevojë është vendosja nën siguri e territorit të tij dhe ristartimi i bujqësisë cilësore.
Luiza Hoxhaj
Tiranë, më 21.05.2013

1 comment:

Luiza Hoxhaj said...

Shënim i autores (Qershor 2026): Duke e rilexuar këtë shkrim sot, pas më shumë se një dekade, ndiej një kënaqësi të veçantë intelektuale. Ajo që në vitin 2013 trajtohej me skepticizëm nga analistët dhe shihej thjesht si një premtim elektoral, sot është kthyer në realitetin e prekshëm të qarkut tonë. "Autostrada Blu", "Rruga e Labërisë" dhe transformimet rrënjësore në infrastrukturën dhe turizmin e Vlorës dëshmojnë se projektet e bazuara në standarde evropiane dhe në nevojat e thjeshta të përditshmërisë janë të vetmet që sjellin zhvillim të qëndrueshëm. Ky shkrim mbetet një dëshmi e gjallë se kur vizioni bazohet mbi dijen dhe kapitalin social, e ardhmja mund të parashikohet saktë.