Search This Blog

Saturday, September 19, 2026

Përtej asaj që dija për Ahmet Demajn

Ka diçka që më ka bërë të mendoj këto ditë për një prej lidhjeve më të hershme dhe më të fuqishme të njerëzimit: kultin e paraardhësve.

Respekti për të parët, kujtesa e tyre, vlerësimi për atë që kanë qenë dhe për atë që kanë lënë pas, është një vlerë që e gjejmë, në forma të ndryshme, pothuajse kudo  në botë. Ndoshta aty gjendet edhe një prej zanafillave të vetë jetës shoqërore: nga familja te fisi, nga fshati te qyteti e deri te kombet, gjithçka duket se është ndërtuar edhe mbi lidhjen mes brezave, mbi kujtesën dhe mbi nevojën për të mos i humbur ata që kanë qenë para nesh.

Por kjo lidhje nuk shkon vetëm nga pasardhësit te paraardhësit. Ajo vazhdon edhe përpara nesh si një marrëdhënie e ndërsjelltë. Fëmijët, nipërit dhe mbesat janë thesaret tona. I duam dhe na duan me një dashuri që ndonjëherë është më e madhe se fjalët që dimë të themi. Dhe ndoshta pikërisht për këtë duhet ta shprehim dashurinë dhe vlerësimin tonë për ta, por edhe për njëri-tjetrin, sa herë që kemi mundësi. Sepse një ditë, ajo që u kemi dhënë atyre bëhet pjesë e kujtesës së tyre për ne.

Kjo më erdhi ndër mend kur, kohët e fundit, pata mundësinë të shihja nga afër një tjetër dimension të Ahmet Demajt: mënyrën se si ai e vlerëson familjen e tij, fëmijët, nipërit e mbesat, dhe mënyrën se si ata, përtej lidhjes familjare, e vlerësojnë dhe e duan atë.

Më bëri përshtypje ky qark i bukur i dashurisë dhe i vlerësimit mes brezave. Konstatoj se përtej asaj që një njeri bën në jetën publike, në profesion, në shoqëri apo për vendin e tij, ekziston një botë më e thellë, ajo ku njeriu jeton përmes marrëdhënieve që ka ndërtuar dhe përmes kujtesës që lë te njerëzit e vet.

Dhe kjo më bëri të shoh edhe një herë Ahmetin përtej asaj që dija për të.

Me Ahmet Demajn më lidh një njohje prej mbi 30 vitesh.

Kafenë e parë me Ahmetin e kam pirë në shtëpinë e tij, në Vëlcë, përgatitur nga bashkëshortja e tij, e paharruara mësuese Mirjani. Ishte viti 1999. Kisha shkuar atje me nipin tim për t’i kërkuar mendim dhe mbështetje për Fatos Nanon, në atë kohë Kryetar i Partisë Socialiste, në lidhje me proceset që po zhvilloheshin në parti.

Që atëherë kanë kaluar shumë vite. Gjatë tyre kam njohur mësuesin e talentuar, kolegun dhe bashkëpunëtorin në politikë, veprimtarin atdhetar, publiçistin dhe intelektualin serioz, të matur e kurajoz. Këto kanë qenë përshtypjet e krijuara gjatë një njohjeje të gjatë, në periudha dhe rrethana të ndryshme.

Por kohët e fundit, një tjetër kafe më dha mundësinë të shihja edhe disa dimensione të tjera të Ahmetit. Më duket interesante se prej sa shumë kohe mund të njohësh një njeri dhe, përsëri, të zbulosh tek ai dimensione që nuk i kishe parë më parë.

Pas një komenti vlerësues që i bëra për punën e tij në krye të Shoqatës Labëria, Dega Vlorë, i bëra edhe një sugjerim lidhur me përpjekjet që, sipas meje, duhej të bënte shoqata për të jetësuar Klubin Labëria, si pasardhëse e saj. Kjo ndodhte shumë kohë përpara se të fillonin protestat në Vlorë për këtë çështje.

Me mirësjelljen që e karakterizon, Ahmeti më tha se përpjekjet nuk kishin munguar dhe më ftoi për një kafe, për të diskutuar e për të bashkuar kontributet. Kafeja u shty pak, nga unë, për arsye familjare, por më në fund u pi.

Biseda me të më dha mundësinë të njihja më nga afër veprimtarinë e Shoqatës Labëria, Dega Vlorë, por edhe një pjesë të veprimtarisë së tij personale, për të cilën, çuditërisht, dija shumë më pak në raport me të tërën, e cila ishte shumë më e pasur.

Aty mësova më në detaje aktivitetin e tij  përtej publiçistikës, njohur  përmes shkrimeve të botuara ndër vite në shtypin e shkruar. Mësova për kontributin dhe ekspertizën e tij në zhvillimin rural dhe në fushën e mikrofinancave. Pra, përtej asaj që njihja prej vitesh, po shpaloseshin përpara meje dimensione të tjera të figurës së tij.

Në atë takim më dhuroi librin e tij të fundit, Dëgjoj zërin tuaj. Dhe këtu nisi një tjetër njohje me Ahmetin.

Me modestinë e tij të veçantë, si një njeri që më shumë flet për të tjerët dhe promovon njerëzit, vendin e vet dhe Labërinë sesa vetveten, Ahmeti kishte bërë që shumë pak të dihej për atë që kishte bërë ai vetë gjatë këtyre viteve. Por atë që nuk  tregon në biseda Ahmeti,e zbuloi libri.

Fillova ta lexoj mbrëmë dhe, për ta thënë thjesht, leximi më përpiu. Nuk e lashë nga dora deri sa e mbarova. Përpara meje u lartësua figura e një njeriu që kishte bërë aq shumë, kishte shkruar aq shumë, kishte studiuar dhe hulumtuar në kaq shumë fusha e dimensione, gjithnjë me një prirje të qartë për të zbuluar vlera, për t’i nxjerrë në dritë, për t’i lartësuar dhe për t’i promovuar.

Por ajo që më tërhoqi veçanërisht ishte mënyra se si Ahmeti ka zgjedhur të rrëfejë veten. Ai nuk e vendos veten në qendër të librit. Përkundrazi, ia beson këtë detyrë zërave të kolegëve, bashkëpunëtorëve, miqve, nxënësve, bashkëkohësve, bashkëfshatarëve dhe njerëzve të thjeshtë që kanë ndarë me të një pjesë të jetës.

Kjo është një sfidë e veçantë. Sepse të zgjedhësh të tregosh veten përmes fjalës së të tjerëve kërkon një pasuri të rrallë: pasurinë e marrëdhënieve të ndërtuara me ndershmëri dhe besim. Dhe Ahmeti duket se e përballon këtë sfidë pikërisht përmes asaj pasurie.

Në faqet e librit ndesh urtësinë dhe thellësinë e mendimit të tij, qoftë në ato që ka shkruar vetë, qoftë në ato që të tjerët kanë sjellë përmes kujtimeve dhe dëshmive. Ndesh sinqeritetin dhe një thjeshtësi çarmatosëse, që janë ndër vlerat më të veçanta të këtij personaliteti.

Impresionues është edhe rrethi i njerëzve që shfaqen në libër. Vijnë nga botë shumë të ndryshme: akademikë e profesionistë, por edhe qytetarë të thjeshtë, nxënës, bashkëkohës e bashkëfshatarë. Secili sjell një copëz të Ahmetit, por edhe një copëz të kohës dhe të vendit ku ai ka vepruar.

Dhe kështu, pa e vendosur veten në qendër, Ahmeti arrin të flasë për veten.

Nga libri mësova gjithashtu se shqetësimet dhe angazhimet e tij për vlerat e vendit nuk janë kufizuar vetëm te objektet historike. Ato kanë prekur edhe çështje si Akademia e Marinës, Shkolla e Lartë e Aviacionit e të tjera, duke treguar një interes shumë më të gjerë për kujtesën, dijen dhe pasurinë njerëzore e institucionale të vendit.

Kjo është ndoshta arsyeja pse, pasi e mbylla librin, pata ndjesinë se sapo kisha njohur një Ahmet tjetër. Ose, më saktë, një Ahmet që me thjeshtësinë e tij kishte qenë gjithmonë aty, por që unë nuk e kisha njohur ende në të gjithë dimensionet veprimtarinë e tij.

Por Dëgjoj zërin tuaj, përtej  njohjes  me autorin përcjell edhe një seri mesazhesh që shkojnë përtej personit të tij: mesazhe për përgjegjësinë ndaj vendit, për vlerën e kujtesës, për nevojën për të ruajtur e promovuar atë që meriton të mos harrohet dhe, mbi të gjitha, për rëndësinë e angazhimit qytetar.

Sepse Ahmeti nuk mjaftohet të kujtojë, të vërejë apo të flasë. Ai kërkon, studion, hulumton, shkruan, mbledh dëshmi, takon njerëz dhe përpiqet t’ua përcjellë edhe të tjerëve atë që ka zbuluar e që beson se ka vlerë. Dhe këtu, për mua, qëndron edhe një nga mesazhet më të bukura të tij: të udhëheqësh përmes shembullit.

Kemi të bëjmë me një njeri që, në vitin e 80-ta të jetës së tij, vazhdon të shpenzojë kaq shumë energji pozitive për njerëzit, për vendin, për kujtesën dhe për vlerat që beson se duhen ruajtur e promovuar. Studion, hulumton, shkruan, dëgjon, mbledh, kujton dhe përcjell. Dhe e bën këtë pa zhurmë, pa e vendosur veten në qendër të vëmendjes.

Është një kujtesë e bukur se angazhimi qytetar nuk ka një moshë pensioni. Për sa kohë ke diçka për të dhënë, ke edhe arsye për të kërkuar, për të mësuar, për të kontribuar dhe për t’u dhënë të tjerëve diçka nga ajo që ke mbledhur gjatë jetës.

Ndoshta ky është edhe një nga mësimet që mora nga libri: se vlera e një jete nuk matet vetëm me atë që ke bërë për veten, por edhe me atë që ke zbuluar, ruajtur dhe lënë pas për të tjerët.

Dhe katër librat e Ahmetit, i bëjnë nder çdo biblioteke, përfshi  bibliotekën time, si një vlerë e shtuar. Jo vetëm si libra të një miku të vjetër, por si dëshmi të një pune, të një mendimi dhe të një angazhimi që ia vlen të lexohet, të ruhet dhe të përcillet.

Faleminderit, Ahmet Demaj, për librin, për këtë njohje të re dhe, mbi të gjitha, për shembullin e një njeriu që vazhdon të besojë se gjithmonë ka diçka për të bërë, për të thënë dhe për t’u dhënë të tjerëve.

Luiza Hoxhaj

18.09.2026

No comments: