Search This Blog

Friday, September 25, 2026

LETËR E HAPUR - MUZEUN ETNOGRAFIK TË VLORËS: TA RUAJMË, TA RIJETËSOJMË!

Një reflektim për trashëgiminë, kujtesën dhe mënyrën si i tregojmë historitë e Vlorës

Drejtuar: Bashkisë Vlorë, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si dhe institucioneve përgjegjëse për trashëgiminë kulturore


Nga: Luiza Hoxhaj, qytetare e Vlorës


Të nderuar drejtues të institucioneve,

Reagimet qytetare të ditëve të fundit, sensibilitetet e ndryshme, mendimet e profesionistëve dhe përfaqësuesve të organizatave, por edhe diskursi publik e politik që po zhvillohet rreth ndërhyrjeve në Qendrën Historike të Vlorës, më kanë nxitur të reflektoj dhe ta ndaj publikisht mendimin tim.

Nuk synoj të përfaqësoj të gjitha këto qëndrime dhe as ndaj domosdoshmërisht çdo argument të shprehur në kuadër të tyre. Por besoj se vetë ekzistenca e sensibiliteteve kaq të ndryshme është arsye e mjaftueshme që çështja të mos reduktohet në një ndarje të thjeshtë “pro” ose “kundër” një muzeu.

Nuk e shoh kështu problemin.

Pyetja për mua është më e gjerë: si mund të nderojmë një histori pa zbehur një tjetër dhe si mund të ndërhyjmë në një hapësirë historike pa humbur hierarkinë, autenticitetin dhe kujtesën që ajo ka trashëguar?

Vendimmarrja është bërë dhe punimet kanë nisur. Por fakti që një proces ka hyrë në fazën e zbatimit nuk do të thotë se vendimmarrja nuk mund të rishikohet, nëse gjatë rrugës lindin pikëpyetje të arsyeshme mbi ndikimin e saj në trashëgiminë historike, mbi autenticitetin, proporcionalitetin apo marrëdhënien me tërësinë e ansamblit.

Pikërisht për këtë arsye, propozoj që të rishikohet jo vetëm mënyra e zbatimit të projektit, por, aty ku argumentet historike, urbanistike dhe muzeologjike e kërkojnë, edhe vetë vendimmarrja mbi konceptin, funksionin dhe vendndodhjen e tij.

Rishikimi nuk do të thotë domosdoshmërisht kthim pas. Mund të nënkuptojë gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë përpara se një ndërhyrje e sotme të bëhet një realitet i pakthyeshëm për nesër.

Një institucion nuk e dobëson autoritetin e tij kur reflekton mbi një vendim. Përkundrazi, gatishmëria për të dëgjuar, për të vlerësuar argumente të reja dhe, kur është e nevojshme, për të korrigjuar një zgjedhje është shenjë e një vendimmarrjeje të përgjegjshme.

Të shohim të tërën përpara pjesës

Muzeu Etnografik, godina historike ku në vitin 1908 u krijua Klubi Patriotik “Labëria”, Shtëpia e Sharrajve dhe ndërtesat e tjera historike përreth nuk janë objekte të izoluara. Ato formojnë një ansambël dhe krijojnë së bashku një marrëdhënie arkitekturore, urbane dhe historike.

Vlera e tyre nuk qëndron vetëm tek secila godinë më vete, por edhe te mënyra se si ato lexohen së bashku. Prandaj, çdo ndërhyrje e re duhet të vlerësohet jo vetëm për cilësinë e saj individuale, por për ndikimin që krijon mbi të tërën: volumet, lartësitë, materialet, fasadat, ndriçimin, fushëpamjet dhe hierarkinë vizuale të ansamblit.

Në këtë kuptim, ndërhyrja në Shtëpinë e Sharrajve nuk duhet parë vetëm në raport me funksionin e ri që do të marrë ajo, por edhe me transformimin e vetë godinës historike dhe me marrëdhënien që shtesat dhe volumet e reja krijojnë me objektet përreth.

Muzeu Etnografik dhe ish-Klubi Patriotik “Labëria” nuk duhet të mbeten në hije — as fizikisht dhe as në leximin historik të kësaj hapësire.


Klubi “Labëria”: ta ruajmë, por edhe ta rijetësojmë

Ruajtja e trashëgimisë nuk duhet kuptuar si ngrirje e së shkuarës.


Një godinë historike ruhet jo vetëm kur restaurohen muret e saj. Ajo ruhet edhe kur arrijmë të mbajmë gjallë frymën dhe funksionin shoqëror që ka pasur. Dhe historia e Klubit “Labëria” na jep vetë një ide për të ardhmen e tij.

Ai nuk ishte thjesht një godinë. Ishte hapësirë organizimi qytetar, kulture, edukimi dhe veprimtarie patriotike.

Në vitin 1910, në këtë godinë, Marigo Posio hapi shkollën shqipe për vajzat e Vlorës. Këtu dija përcillej nga një brez te tjetri. Edukimi ishte njëkohësisht emancipim dhe ruajtje e identitetit.

Pse të mos e rijetësojmë sot këtë frymë?

Nëse Qendra Historike e Vlorës ka nevojë për një qendër aktive të kulturës, edukimit, traditës dhe dialogut qytetar, mendoj se duhet të fillojmë pikërisht nga Klubi “Labëria” — jo duke i shpikur një funksion të ri, por duke rijetësuar në kushtet e sotme funksionin që vetë historia i ka dhënë. Një pjesë e tij mund të rikthehet në një odë debati, mendimi dhe aktiviteti qytetar. Dhe pse jo, në një “Shkollë të Traditës”, ku mjeshtrit e gjallë të Vlorës dhe Labërisë t'ua përcjellin dijen brezave të rinj.

Vlora i ka ende këta njerëz. Një prej tyre është mjeshtri Vendim Kapaj[i], njohës dhe interpretues i instrumenteve tradicionale frymore të Labërisë — culës dyjare, fyellit dhe pipizanës — i cili ua mëson ato edhe fëmijëve.

Një shekull më parë, vajzat e Vlorës hynin në këtë godinë për të mësuar shqip. Sot, fëmijët e Vlorës mund të hyjnë aty për të mësuar një instrument, një këngë, një mjeshtëri, një element të kulturës që u përket.

Ndryshon ajo që mësohet; vazhdon akti i transmetimit. Atëherë muzeu nuk është më vetëm vendi ku shkojmë për të parë çfarë kemi qenë. Bëhet vendi ku mësojmë si ta çojmë më tej atë që jemi.

Ky është, për mua, kuptimi i rijetësimit.

Historia hebraike është pjesë e historisë së Vlorës

Historia e një qyteti nuk përbëhet vetëm nga ngjarjet apo njerëzit që ne zgjedhim të nderojmë. Ajo ndërtohet nga të gjitha shtresat që koha ka lënë mbi të. Historia antike, romake, bizantine, mesjetare, osmane, prania dhe kalimi i popullsive e komuniteteve të ndryshme, Rilindja Kombëtare, Pavarësia, Lufta e Vlorës dhe zhvillimet e mëvonshme janë pjesë të historisë së qytetit.

Edhe prania hebraike është një prej këtyre shtresave dhe meriton të dokumentohet e të përcillet me seriozitet.

Në rastin e saj kemi edhe një dimension tjetër të çmuar: një histori të mikpritjes dhe bashkëjetesës në periudha të ndryshme, e cila në momentin më të errët të përndjekjes naziste u shndërrua në mbrojtje dhe shpëtim.

Kjo është një histori që duhet treguar.

Pyetja, pra, nuk është nëse ajo “meriton” apo jo të jetë pjesë e kujtesës së qytetit. Pyetja është si ta tregojmë në përmasën, kontekstin dhe marrëdhënien e duhur me tërësinë e historisë së Vlorës.

Pikërisht për këtë arsye, propozimi im i parë mbetet që historia e pranisë hebraike dhe e marrëdhënieve shqiptaro-hebraike të ketë një pavijon të posaçëm brenda Muzeut Historik të Vlorës. Atje ajo mund të vendoset në marrëdhënie me shtresat e tjera të historisë së qytetit, pa u zvogëluar dhe pa u shkëputur prej saj.

Të forcojmë të tërën dhe, përmes saj, pjesën.

Jo vetëm prani, por marrëdhënie

Edhe narrativa meriton reflektim.

Historia që kemi për të treguar nuk është vetëm historia e një komuniteti që ka jetuar në Vlorë. Është edhe historia e mënyrës se si ai u prit, e marrëdhënieve që krijoi me qytetin dhe, në momentet më të vështira, e njerëzve që hapën dyert dhe morën mbi vete rrezikun për të mbrojtur jetë njerëzore.

Prandaj, qoftë brenda Muzeut Historik, qoftë — nëse pas rishikimit ruhet zgjedhja për një muze të posaçëm — do të më dukej më përfaqësuese një narrativë e ndërtuar rreth pranisë, mikpritjes, Besës, mbrojtjes dhe shpëtimit.

Në rastin e një muzeu të posaçëm, mund të reflektohet edhe mbi një koncept si “Muzeu i Besës dhe Shpëtimit” apo “Muzeu i Besës Vlonjate”.

Jo për ta zëvendësuar historinë hebraike me një histori vetëlavdëruese shqiptare, por për të treguar pikërisht marrëdhënien ndërmjet tyre. Besa, në këtë narrativë, nuk ndan dy histori. Ajo i lidh ato.

A duhet e gjithë kujtesa të kondensohet në një pikë?

Këtu mendoj se duhet të shtrojmë edhe një pyetje tjetër.

A është e nevojshme që të gjitha shtresat e kujtesës së Vlorës të përqendrohen fizikisht në të njëjtën hapësirë të Qendrës Historike?

Vlora i ka vetë vendet e saj të kujtesës.

Rruga e Hebrenjve është një prej tyre. Ajo është një hapësirë historike e qytetit që tashmë mbart kujtesën e pranisë hebraike. Pse të mos rijetësohet edhe ajo?

Mund të shndërrohet në një hapësirë të gjallë interpretimi, ku përmes dokumenteve, historive të familjeve, fotografive, dëshmive, guidave dhe mjeteve bashkëkohore të tregohet prania hebraike në Vlorë, bashkëjetesa me qytetin, mikpritja dhe mbrojtja.

Në këtë mënyrë, kujtesa nuk do të kondensohej artificialisht në një pikë të vetme. Ajo do të ndiqte gjeografinë reale të historisë së qytetit.

Klubi “Labëria” mund të rijetësohet si qendër aktive e kulturës, edukimit, traditës dhe dialogut qytetar. Rruga e Hebrenjve mund të rijetësohet si vend i kujtesës dhe interpretimit të pranisë hebraike dhe të marrëdhënieve shqiptaro-hebraike.

Vende të tjera autentike të lidhura me këtë histori mund të bëhen pjesë e të njëjtit itinerar. Muzeu Historik mund t'i lidhë këto shtresa në rrëfimin e përgjithshëm. Dhe qyteti vetë mund të bëhet muzeu që i bashkon.

Jo çdo histori ka nevojë të zhvendoset në të njëjtën godinë për t'u bërë e dukshme. Ndonjëherë mënyra më autentike për ta treguar është ta lësh të flasë aty ku ka ndodhur.

Çfarë po ruajmë dhe çfarë po krijojmë?

Kjo më çon te një çështje tjetër që kërkon transparencë.

Projekti i Muzeut Hebraik Shqiptar është prezantuar publikisht jo vetëm si muze, por edhe si një qendër kulturore active (cultural hub), me funksione edukimi dhe aktivitetesh.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen për raportin e tij me ansamblin ku vendoset. Nëse një qendër e re aktive kulturore krijohet pranë një institucioni historik që vetë ka lindur si qendër aktive kulture, edukimi dhe veprimi qytetar, a nuk duhet të pyesim më parë nëse kemi rijetësuar atë që historia na ka lënë tashmë?

Po kështu, punimet aktuale dhe ndërhyrjet që po realizohen në afërsi të Muzeut Etnografik dhe ish-Klubit “Labëria” kërkojnë informacion të plotë publik mbi natyrën dhe funksionin e tyre.

Nëse ndonjë element i projektit synon të rikrijojë apo të evokojë një sinagogë historike, mbi çfarë evidence dokumentare, hartografike apo arkeologjike mbështetet lokalizimi dhe forma e saj?

Nëse kemi të bëjmë me një element të ri arkitektonik apo muzeal, edhe kjo duhet të thuhet qartë. Sepse ekziston një dallim thelbësor ndërmjet restaurimit të një objekti historik, rikonstruksionit mbi evidencë të dokumentuar dhe krijimit të një elementi të ri që simbolizon apo interpreton një histori.

Të gjitha mund të jenë zgjedhje muzeale. Por nuk janë e njëjta gjë.

Ajo që ndërtojmë sot mund të bëhet nesër vetë referencë për mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta lexojnë të shkuarën. Prandaj kemi përgjegjësi jo vetëm për atë që ruajmë, por edhe për atë që krijojmë sot si kujtesë për nesër.

Debati qytetar meriton të dëgjohet, jo të etiketohet

Reagimin qytetar që ka shoqëruar këtë projekt e shoh, para së gjithash, si ushtrim të së drejtës së publikut për t'u informuar, për t'u shprehur dhe për t'u dëgjuar për çështje që prekin qytetin dhe trashëgiminë e tij.

Në këtë kuptim e mbështes atë si një akt qytetar të ligjshëm, pa pretenduar se ndaj çdo mendim apo argument individual të shprehur në kuadër të tij.

Pikërisht për këtë arsye, nuk mendoj se shqetësimet apo kundërshtimet ndaj një projekti duhet të interpretohen në tërësi si antisemitizëm apo si nxitje e konflikteve ndëretnike.

Antisemitizmi është një çështje serioze dhe çdo shfaqje konkrete e tij duhet trajtuar si e tillë. Por pikërisht serioziteti i termit kërkon që ai të mos përdoret pa dallim për pyetje që lidhen me një projekt, vendndodhjen e tij, një ndërhyrje arkitektonike apo një koncept muzeal.

Historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me hebrenjtë, e mikpritjes, bashkëjetesës dhe veçanërisht e mbrojtjes së tyre në momentet më të vështira, na jep arsye të mjaftueshme që këtë debat ta zhvillojmë me qetësi dhe respekt reciprok.

Kjo histori nuk duhet përdorur për ta mbyllur debatin e sotëm. Duhet të na japë sigurinë për ta zhvilluar atë. Respekti për historinë hebraike dhe kujdesi për trashëgiminë historike të Vlorës nuk janë qëndrime që përjashtojnë njëri-tjetrin.

Një ftesë për transparencë, reflektim dhe rishikim

Vendimet janë marrë dhe punimet kanë nisur. Por kjo nuk e bën reflektimin të vonuar dhe as rishikimin të pamundur.

Bëhet fjalë për një trashëgimi që nuk i përket vetëm së sotmes.

Prandaj propozoj publikimin dhe prezantimin e qartë të projektit të plotë — arkitekturor, strukturor dhe muzeologjik — si dhe zhvillimin e një dëgjese publike ku të dëgjohen historianë, arkitektë, muzeologë, specialistë të trashëgimisë, organizata dhe qytetarë.

Një proces i tillë nuk do ta dobësonte vendimmarrjen. Përkundrazi, do ta bënte më të informuar.

Ndoshta informacioni i plotë do të sqarojë një pjesë të shqetësimeve. Ndoshta disa prej tyre do të rezultojnë të pabazuara. Ndoshta të tjera do të evidentojnë elemente që duhen korrigjuar. Dhe ndoshta vetë rishikimi do të tregojë se një zgjidhje tjetër mund t'u shërbejë më mirë të gjitha vlerave që kërkojmë të mbrojmë. Pikërisht për këtë shërben dialogu.

Nuk po propozoj të heqim një histori për të ruajtur një tjetër. Po propozoj të kërkojmë një zgjidhje që të na lejojë të ruajmë dhe të pasurojmë sa më shumë nga ajo që kemi.

Të ruajmë Shtëpinë e Sharrajve dhe integritetin e ansamblit historik.

Të ruajmë dhe rijetësojmë Muzeun Etnografik dhe Klubin “Labëria”, duke i rikthyer këtij të fundit edhe funksionin e tij aktiv kulturor, edukativ dhe qytetar.

Të dokumentojmë me dinjitet praninë hebraike dhe historinë e marrëdhënieve shqiptaro-hebraike.

Të rijetësojmë Rrugën e Hebrenjve dhe vendet autentike të kësaj kujtese.

T'i lidhim këto vende në një itinerar që e shtrin historinë në qytet, në vend që ta kondensojë atë artificialisht në një pikë të vetme.

Të dallojmë qartë atë që është trashëgimi historike nga ajo që krijojmë sot për ta interpretuar atë.

Dhe të mos i vendosim historitë e Vlorës në konkurrencë me njëra-tjetrën.

Pjesa duhet ta pasurojë të tërën, jo ta zëvendësojë apo ta eklipsojë atë.

Vlora nuk ka nevojë të zgjedhë midis kujtesave të saj. Ka nevojë t'i njohë, t'i ruajë dhe t'i vendosë në marrëdhënien e duhur me njëra-tjetrën. Sepse trashëgimia nuk na është dhënë për të zgjedhur se cilën pjesë të saj do të ruajmë. Na është besuar që ta përcjellim më tej.

Ta ruajmë. Ta rijetësojmë. Dhe ta pasurojmë pa humbur atë që kemi.

Me respekt dhe besim,

Luiza Hoxhaj

Qytetare e Vlorës



[i] Së fundmi, mjeshtri Vendim Kapaj interpretoi meloditë pastorale për filmin *Odisea*.



39 comments:

Luiza Hoxhaj said...

Vlora nuk ka nevojë të zgjedhë midis kujtesave të saj. Ka nevojë t’i njohë, t’i ruajë dhe t’i vendosë në marrëdhënien e duhur me njëra-tjetrën.
Debati i ditëve të fundit rreth ndërhyrjeve në Qendrën Historike më nxiti të shkoj përtej pyetjes nëse jemi “pro” apo “kundër” një muzeu. Mendoj se pyetja është tjetër: si mund të nderojmë një histori pa zbehur një tjetër dhe si mund të zhvillojmë e rijetësojmë trashëgiminë pa humbur autenticitetin e saj?
Në Letrën e Hapur që po publikoj sot propozoj edhe disa alternativa konkrete: rijetësimin e Klubit “Labëria” si qendër aktive kulturore, edukative dhe qytetare; trajtimin dinjitoz të historisë së pranisë hebraike dhe marrëdhënieve shqiptaro-hebraike; rijetësimin e Rrugës së Hebrenjve dhe vendeve autentike të kësaj kujtese; dhe lidhjen e tyre në një itinerar ku vetë qyteti mund të bëhet muzeu që i bashkon.
Vendimet janë marrë dhe punimet kanë nisur. Por kjo nuk e bën reflektimin të vonuar dhe as rishikimin të pamundur.
Po e ndaj këtë letër jo për të mbyllur një debat, por për të kontribuar që ai të zhvillohet me më shumë informacion, argumente, transparencë dhe dëgjim reciprok.

Astrit Aliaj said...

E dashur Liza. Një analizë që duhet të studjohet, jo të lexohet. Faleminderit për këtë Letër të Hapur, të argumentuar dhe me një përgjegjësi të veçantë qytetare. E mbështes plotësisht mesazhin dhe qasjen tuaj: Vlora nuk ka nevojë të zgjedhë midis kujtesave të saj; ajo duhet t’i njohë, t’i ruajë dhe t’i bëjë pjesë të një vizioni të përbashkët për të ardhmen.
Vlora është një nga qytetet më të rëndësishme historike të Shqipërisë dhe trashëgimia e saj është shumë më e gjerë se një ndërtesë, një periudhë apo një kapitull i vetëm. Kujtesa qytetare, etnografike, kombëtare, hebraike, kulturore dhe detare duhet të bashkëjetojnë dhe të plotësojnë njëra-tjetrën.
Në këtë vizion, mendoj se duhet të rikthejmë fuqishëm edhe një ide me rëndësi kombëtare: Vlora – Kryeqyteti Detar i Shqipërisë.
Një qytet me një histori mijëravjeçare të lidhur me detin, me Akademinë e Detarisë, Pashalimanin, Sazanin, Karaburunin dhe Flotën Luftarake Detare, nuk mund të mos ketë një Muze të Detarisë që dokumenton, ruan dhe përcjell këtë trashëgimi te brezat e ardhshëm.
Dhe brenda kësaj historie, Nëndetësja 105 është një histori më vete. Ajo është dëshmi e një epoke të rëndësishme të historisë së Brigadës së Nëndetëseve dhe të Pashalimanit. Aty pati direkt përplasje të marinarëve shqiptarë që riajtln nëndetëset dhe marinarët sovjetikënqë kërkonin ti mbysnin ato nënbazë. Pra nuk duhet parë thjesht si një objekt teknik, por si pjesë e kujtesës së mijëra detarëve që shërbyen në Flotën Luftarake Detare dhe e një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.
Prandaj, Muzeu i Detarisë nuk duhet të shihet si një alternativë ndaj muzeve dhe kujtesave të tjera të Vlorës. Përkundrazi, ai duhet të jetë një pjesë e mozaikut të madh të trashëgimisë së qytetit.
Mund të ndërtojmë një rrjet të integruar të kujtesës së Vlorës: nga Qendra Historike te Rruga e Hebrenjve, nga trashëgimia etnografike te Pavarësia, nga Sazani e Pashalimani te historia e Detarisë Shqiptare. Kështu, nuk do të kemi thjesht muzeume të veçuara, por një Vlorë që vetë bëhet muze, ku çdo rrugë, shesh, ndërtesë dhe objekt historik tregon një pjesë të historisë së saj.
Kjo është mënyra për ta ruajtur të shkuarën pa e ngrirë atë dhe për ta kthyer trashëgiminë në një burim edukimi, kulture dhe zhvillimi për të ardhmen.
Vlora ka histori për të treguar. Le t’i japim të gjitha historive të saj vendin që meritojnë.

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë Kapiten Astriti! Pikërisht kjo është ideja ime: jo të zgjedhim mes kujtesave, por t’i japim secilës vendin e vet dhe t’i lidhim në një rrëfim të plotë të qytetit. Edhe trashëgimia detare, me Pashalimanin, Sazanin dhe historinë e Flotës, është një shtresë e rëndësishme e këtij mozaiku. Vlora ka shumë histori për të treguar — dhe ndoshta vetë qyteti mund të bëhet muzeu që i bashkon. Dhe, Astrit, dua ta mbështes posaçërisht edhe idenë tuaj për Muzeun e Detarisë. Si vajzë e një oficeri të Marinës dhe si ish-notare, e ndiej edhe personalisht lidhjen e Vlorës me detin dhe ndaj bindjen se kjo trashëgimi meriton të ruhet e të tregohet. Një tjetër pjesë e mozaikut tonë, që nuk konkurron me kujtesat e tjera, por e bën më të plotë historinë e Vlorës.

Lirjana Arapi said...

Mesazhi eshte shume i qarte me forcen e argumentit dhe te detajuar na mbetet vetem ta mbeshtesim me force si qytetar te Vlores

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë, Lili! Pikërisht këtë synon letra: të nxisë reflektim dhe një qëndrim qytetar të argumentuar, në mbrojtje të trashëgimisë sonë dhe të një zgjidhjeje që i jep secilës pjesë të historisë së Vlorës vendin që meriton.

Vangjel Laluci said...

Nje leter e paqte e shkruar me shume dashamiresi dhe logjike....

Luiza Hoxhaj said...
This comment has been removed by the author.
Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë, Vangjel! Pikërisht këtë kam synuar: ta shtrojmë shqetësimin me qetësi, argument dhe dashamirësi, jo për të krijuar përplasje, por për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë për Vlorën dhe trashëgiminë e saj.

Sejmen Gjokoli said...

NJË ZË SA VLORA E TËRË...
Një nga trajtesat më të artikuluara që kam dëgjuar e lexuar për zhvillimet në Qendrën Historike të Vlorës.
Argumenta sa shkencore po aq edhe qytetare e njerëzore.
Me shumë mençuri po edhe dashuri, një ftesë që fton për reflektim.
Jo pak ndërhyrje kanë ndodhur në qytetin e Vlorës pa konsultime e dëgjim të mendimit të kualifikuar, mbase ka ardhur koha që tash e më pas kjo të ndodhë.
Faleminderit, Luiza Hoxhaj!

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë, Sejmen! Më vjen mirë që e ke lexuar pikërisht në frymën me të cilën është shkruar: si një ftesë për reflektim dhe dialog, jo për përplasje. Trashëgimia e Vlorës na përket të gjithëve dhe dëgjimi i qytetarëve e i mendimit të kualifikuar vetëm mund ta bëjë vendimmarrjen më të mirë dhe më të përgjegjshme.

Eduard Demo said...

Respekt për ju. E gjithë Elita e qytetit, ata që kemi, duhet të shprehet pasi ndërhyrja në atë objekt është direkt në cënim të Identitetit Kombëtar, pra jo vetëm vlonjat.
Klubi Patriotik " Labëria" themeluar në 1908 ishte e para shoqatë e themeluar brenda territorit të Shqipërisë Londineze nën pushtimin osman. Shoqatë e krijuar nën pushtim sepse kemi afro 35 vjetë që kemi shoqata të krijuara në Liri me emra shumë grandiozë por vëtëm emrin mbajnë sepse rasti po tregon që atdhetaria, patriotizmi mungon. Klubi Patriotik Labëria ishte pararendëse e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo nuk duhet harruar.
Ndërtimi i Muzeut Hebraik në godinën e Klubit Patriotik Labëria është në kundërshtim me vet projektin e qeverisë për " Kthim në Identitet" të qëndrave historike të qyteteve. Për teknikalitetet se si mund të korrigjohet ndërhyrja tani sa nuk është vonë, mëndje të ndritura qyteti ynë ka por edhe Shqiptarët. Arkitekti Fierak Elis Baba ka bërë jo vetëm spjegim por edhe mënyrën se si mund të kthehet në Identitet. Kënaqsi që ju lexova.

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë, Eduard, për vlerësimin dhe argumentet që sillni! Pikërisht pesha historike e Klubit Patriotik “Labëria” kërkon që çdo ndërhyrje të trajtohet me shumë kujdes dhe me dëgjimin e mendimit të kualifikuar. Besoj se ende ka hapësirë për reflektim e rishikim dhe, mbi të gjitha, për një zgjidhje që ruan autenticitetin dhe hierarkinë historike të kësaj pjese të qytetit, pa i vendosur kujtesat tona në konkurrencë me njëra-tjetrën.

Çlirim Hoxha said...

Respekte Liza. Historia duhet pranuar ashtu sic ka ndodhur. Muzeu hebrejve, me sa kam informacion, ka si qellim te tregoi bashkekzistencen mes nesh dhe atyre, mikpritjen dhe mbrojtjen qe vlonjatet u bene gjate holokaustit, si dhe qellime turistike per te terhequr turistet nga Izraeli!

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit, Çimi! Pikërisht, dhe besoj se kjo histori e bashkëjetesës, mikpritjes dhe mbrojtjes meriton të tregohet denjësisht. Pikëpyetja ime nuk është nëse duhet treguar, por **si, ku dhe në çfarë raporti me tërësinë e trashëgimisë së Vlorës**. Edhe vlera turistike është e mirëpritur, kur ndërtohet mbi autenticitetin dhe historinë reale të qytetit.

Aulona Beqir Veizi said...

Një qytet nuk e ruan identitetin duke e muzealizuar të shkuarën, por duke e kuptuar, respektuar dhe rilidhur atë me të ardhmen. Ky është thelbi i një debati që Vlora e meriton.
Muzeu i Hapur – një koncept modern ku vetë territori bëhet muze: rrugët, rrugicat, shtëpitë, kujtesa e një komuniteti. Trashëgimia nuk vendoset vetëm pas vitrinave..ajo jetohet!

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit, Aulona! Pikërisht kjo është edhe ideja që më pëlqen shumë: **qyteti vetë të bëhet muzeu që i bashkon kujtesat e tij.** Të rijetësojmë vendet autentike, rrugët, godinat dhe historitë aty ku kanë ndodhur, duke i lidhur në një rrëfim të përbashkët. Trashëgimia ruhet më mirë kur nuk mbetet vetëm për t’u parë, por vazhdon të jetohet dhe të transmetohet.

Luiza Hoxhaj said...
This comment has been removed by the author.
Arjana Rucaj Shkurti said...

Ashtu siç kemi bashkejetuar me dashuri,rrespekt me kete popullsi,historia e tyre eshte nje me tonen, duhet te perfshihet ne nje muze dinjitoz ,ne nje sektor te veçante te historise se shqiperise...
Ndertimi i ketij muzeu te veçante, inicion perçarjen artificiale ,midis nesh...
Kete perçarje e ben politika...popujt jane nje e tepandare.

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit, Ariana! Pikërisht, historia e bashkëjetesës, mikpritjes dhe respektit reciprok është pjesë e historisë sonë dhe meriton të tregohet me dinjitet, brenda kontekstit të saj. Dhe ky respekt nuk i përket vetëm së shkuarës; ai ka qenë dhe mbetet i gjallë. Unë nuk e harroj shokun tim të bankës, Jesuan, apo kolegun tim Josif Negrini. Miqësitë njerëzore kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe sot. Prandaj besoj se kujtesat duhet të na lidhin, jo të na ndajnë.

Resmie Rruci said...

ANALIZ E SAKT NGA JU NJERIU I MIR ME EMRIN BRILAND LUIZA HOXHA

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë, Resmie, për fjalët e mira dhe vlerësimin! Uroj që ky reflektim të ndihmojë sadopak për të nxitur një debat të qetë dhe të dobishëm për Vlorën tonë.

Ahmet Demaj said...

Luiza! E lexova shkrimin Tuaj shume konstruktive dhe piketues per menyre zgjidhje.U ndihmova shume qe ne pjesemarrjen time ne nje takim me 29 shteror ne Tirane per ballafaqim me ankesat qe kemi bere per munges te informaciont te kem sa me argument.Dje te gazeta Telegraf botova nje shkrim drejtuar 4 presidenteve per nderhyrje ne kete gjendje te mjegulluar.Urime per shkrimin.

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë, Ahmet! Më vjen veçanërisht mirë që shkrimi ju ka ndihmuar për të strukturuar argumentet për takimin e 29 shtatorit. Besoj se sa më shumë ta mbështesim këtë shqetësim me informacion, argumente dhe propozime konkrete për zgjidhje, aq më i dobishëm bëhet dialogu me institucionet. Ju uroj mbarësi në takim dhe shpresoj që ai të sjellë më shumë transparencë, dëgjim dhe hapësirë për reflektim e rishikim.

Vjollca Serjanaj said...

Bravo @ Luiza Hoxhaj një mesazh që duhet të reflektojnë .Mbështes Kapiten @ Astrit Aliaj për çfar komentoi më lartë duke shtuar dhe Aviacionin .
Vlora ka qënë në Total qëndër Historike ndër shekujsh duke filluar dhe nga .
Shkolla Tregëtare.
Aviacioni .
Shkolla e Marinës .
Peshkimi .
Simbolet e prishura etj etj .

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit Voçi! Pikërisht kjo është edhe një nga idetë që doja të përcillja: Vlora ka shumë shtresa të historisë dhe kujtesës së saj, disa prej të cilave i kemi humbur ose nuk kemi ditur t’i rijetësojmë sa duhet. Shkolla Tregtare, aviacioni, tradita detare e peshkimi janë pjesë e kësaj historie. Ndoshta duhet të fillojmë ta shohim trashëgiminë jo vetëm si disa godina apo muze të veçuar, por si një rrjet vendesh, historish dhe kujtimesh që së bashku tregojnë qytetin. Faleminderit që e pasuruat debatin!

Vladimir Barjamaj said...

E dashur Luiza Nuk shtoj asgje nga mendimet e tua me vlere .Dua te shtoj se perveç mendimeve Tuaja dhe Astrit Alise duhet ngritur muze per ngjarje me jo me pak rendesi si :-.Pritja e sistemimi i popullsise Çame te masakruar nga Greqia dhe e popullsiseShqipetare te Kosoves te masakruar gjakosur e perndjekur na Serbet .Mendoj se kane me shome vlera se muzeu i Çifuteve qe ishin vetem disa familje dhe besoj se vendosja e emrit te rruges ku u sistemuan eshte mjaft per historine .Respekt Luize .

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit, Komandant Ladi. Komenti juaj e pasuron diskutimin, sepse sjell në vëmendje edhe shtresa të tjera të historisë dhe kujtesës së Vlorës që meritojnë të njihen, të dokumentohen dhe të përcillen si pjesë e historisë së plotë të qytetit.
Vetëm një saktësim për çështjen çame: nuk e kam trajtuar veçmas, jo sepse e konsideroj më pak të rëndësishme, por sepse, së pari, ata janë “ne” — shqiptarë — dhe, së dyti, historia dhe kontributi i tyre në Vlorë duhet të tregohen natyrshëm brenda historisë së qytetit, jo si një histori e shkëputur prej saj. Ky është këndvështrimi im.

Dizi Nuri Kastrati said...

Respekte e vleresim per ty bija e Vlores, qe i del ne mbrojtje interesave per qytetin e lashte dhe kontributeve historike te Laberise, qe duhen rijetesuar.Vlora eshte e ne, te gjitheve! Te falenderoj!

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë, Dizi e dashur! Fjalët e tua kanë një vlerë të veçantë për mua. Pikërisht sepse Vlora është e ne, të gjithëve, kemi edhe përgjegjësinë ta duam, ta ruajmë dhe ta pasurojmë, duke rijetësuar historinë dhe vlerat që na janë besuar. Të përqafoj dhe të falënderoj për mbështetjen!

Ahmet Demaj said...

Vajti mbi 24 ore qe rrjetet sociale komentojne nje Leter te hapur dretuar opinionit publik nga qytetarja Luiza Hoxhaj. Prekupacioni i saj per problemin qe trajton nuk eshte i rastesishem por i nje pune plot serjozitet per tu prezatuar para qytetareve te saj e angazhur per shqetsimet qe lindin ne zhvillimin plot vrull te Vlores.Njeh historine pra kerkon ruajtjen dhe transmetimin ne breza te saj.Njeh marrdhenjet shembellore te vlonjateve me pakicat e tjera ndaj fton te ecim ne keto gjurme,njeh mikpritjen ndaj kerkon ta pecjell ne breza si krenari kombtare,njeh zakonin ndaj kerkon ti qendrojme besnik tradites qe na ben krenar ,kupton zhvillimet globale por te ruajme te vecanten shqiptare eshte detyre e shqiptareve.Serjoziteti i pergatitjes se kesaj letre te hapur me duket si nje llogaridhenje jo e nje individi para qytetit te saj por si nje institucion qe para cdo vendimi organizon terheqje mendimi te banoreve te saj.Hedh pyetje dhe projejton pergjigje,gjen nxitime dhe thot avash,gjen gabime dhe jep mundsi korigjimi.Interesohet per te Teren por nuk harron pjesen,gjen lidhejet midis tyre,por ve dallim midis tyre.E une lexuesi them pse na pelqen vetem mendja e te huajve(arkitekteve,intekektualeve) nuk ka Vlor Nestor Jonuz,Agim Sulaj,Arben Meksi,Piro Stefa etj)mund te japin mendim dhe te degjohen.Mund te shkruash plot e plot sepse letra te jep arsyen per te folur,te jep kurajon qe dhe kur gabohesh,mund te koregjohesh.Kohe ka ashtu sic ka kohe jo per tu grindur por per te bashkpunuar. Kush te doj le ta lexoj dhe te reflektoj.Luiza beri ate qe ndiente pa tension dhe me shume dashuri e kulture qytetare.

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë, Ahmet, për këtë lexim kaq të vëmendshëm dhe për fjalët që i vlerësoj veçanërisht. Ti ke ditur gjithmonë të jesh një zë reagues në qytet, por me atë mënyrën tënde të qetë e pozitive: ta thuash shqetësimin pa krijuar konflikt dhe, njëkohësisht, ta vendosësh tjetrin përballë argumentit e reflektimit.
Më gëzon prandaj që ke dalluar pikërisht këtë frymë edhe në letrën time: jo të grindemi apo t’i vendosim historitë përballë njëra-tjetrës, por të ndalemi, të dëgjojmë, të mendojmë dhe, aty ku duhet, të kemi kurajën të rishikojmë e të korrigjojmë.
Jam plotësisht dakord edhe me atë që ngre për njerëzit e Vlorës. Qyteti ka profesionistë, artistë e intelektualë me dije, përvojë dhe lidhje të thellë me të, mendimi i të cilëve duhet kërkuar dhe dëgjuar. Zhvillimi nuk humbet asgjë nga dialogu; përkundrazi, fiton nga dija dhe kujtesa e vendit.
Të falënderoj edhe për angazhimin tënd dhe të Shoqatës “Labëria” për ruajtjen dhe rijetësimin e kësaj trashëgimie. Në fund, ajo që na bashkon është dëshira që Vlora të ecë përpara pa humbur vlerat që e bëjnë Vlorë.
Dhe po, siç e thua aq bukur: **kohë ka — jo për t’u grindur, por për të bashkëpunuar.

Ahmet Demaj said...

Luiza Hoxhaj Ju falnderoj per angazhimin.Neser do jem ne Tirane po per kete problem.

Luiza Hoxhaj said...

Ishalla me bereqet!

Eduart Kojanaj said...

E sakte dhe e perpikte si gjithmone Luiza Hoxhaj ,Vlora ka shume gjera per te bere, gjithmone per te miren e Vlores. Respekte pa fund

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit shumë, Edi! E vërtetë, Vlora ka ende shumë për të bërë dhe shumë vlera për të nxjerrë në dritë. Besoj se zhvillimi më i mirë është ai që di të ndërtojë të renë pa humbur atë që i jep qytetit identitetin dhe shpirtin e vet. Dhe këtu zëri i artistëve dhe njerëzve që e njohin e duan Vlorën ka shumë për të thënë. Respekte dhe mirënjohje!

Arben Rukaj said...

Punimet veshtire se nderpriten
Duheshin kujtuar qe pa nisur
Por fuhet ruajtur distanca nga Muzeu laberia
Mos cfuwuzimin ne heshte ketij muzeu nje shekullor

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit, Ben! Po, do të kishte qenë shumë më mirë që ky diskutim të bëhej përpara fillimit të punimeve. Por unë dua të besoj se nuk është ende vonë. Pikërisht këtë përpiqem të them edhe në letër: fakti që punimet kanë nisur nuk e bën reflektimin të vonuar dhe as rishikimin të pamundur. Sidomos kur bëhet fjalë për trashëgiminë, ku ajo që ndërtojmë sot mbetet për nesër.
Jam dakord me ju se duhet ruajtur raporti dhe distanca me Muzeun Etnografik dhe ish-Klubin “Labëria”, por do të shkoja edhe një hap më tej: jo vetëm të mos e lëmë në hije, por ta rijetësojmë dhe t’i rikthejmë rolin aktiv kulturor, edukativ dhe qytetar që historia vetë ia ka dhënë. Ka ende kohë për të reflektuar dhe për të gjetur një zgjidhje më të mirë.

Vullnet Bilbilaj said...

E dashur Luiza, jo vetëm letra është e hapur, por edhe propozimet tuaja janë të hapura dhe të pastra!

Luiza Hoxhaj said...

Faleminderit, Neti e dashur! Më pëlqeu shumë si e the: të hapura dhe të pastra. 😊 Pikërisht ky ishte edhe qëllimi — jo të pretendojmë se kemi përgjigjen e vetme, por të shtrojmë pyetje, të ofrojmë alternativa dhe të lëmë hapësirë për reflektim e dialog. Sepse zgjidhjet më të mira për qytetin lindin kur mendimet dëgjohen dhe propozimet mbeten të hapura për t’u pasuruar. Të përqafoj!