Search This Blog

Sunday, November 10, 2013

Përtej kufijve të sigurisë dhe të parashikueshmërisë

Nëntitulli: Meditim për të fituar më shumë siguri në një situatë pasigurie!

“Perënditë na krijojnë shumë surpriza: pritshmëritë nuk arrihen dhe krejt papritur një zot na hap rrugën.” – Euripidi.
Pasiguritë na japin atë ndjenjën e kontrollit të situatës prej të cilës ne nuk pëlqejmë të heqim dorë, mbasi ne jemi gjithmonë në kërkim të sigurisë, sepse ajo arrin të na sigurojë një ndjenjë të përcaktimit dhe të pandryshueshmërisë.
Pasiguria nuk është e mirëpritur në kulturën tonë, për shkak se të ndiehesh i ekspozuar ndaj së panjohurës na gjeneron një ndjenjë të thellë pafuqie. Ajo që ne nuk mund ta kuptojmë dhe nuk mund ta shpjegojmë është për ne e errët dhe misterioze. Na mungojnë edhe fjalët për ta përshkruar atë: ajo është e pakapshme, madje as edhe me mendime.
Të pranosh pasiguritë kërkon të heqësh dorë nga stabiliteti, pandryshueshmëria, ekuilibri, kontrolli; kërkon përulësi për të thënë: "Unë nuk e di se çfarë po ndodh." Ajo të bën të ndihesh si fëmijët përballë së panjohurës, duke ngritur disa pyetje, duke qenë i ndërgjegjshëm për injorancën e tyre dhe duke e pranuar atë.
Sipas Morin, përfaqësuesi më i shquar i teorisë së kompleksitetit, kontributi më i rëndësishëm i shekullit që lamë pas është sjellja në evidencë e kufijve të njohjes objektive dhe të shpresës së saj të parashikueshmërisë:
“Kontributi më i rëndësishëm i njohurive të shekullit të njëzetë ishte njohja e kufijve të dijes. Siguria më e madhe që na ka dhënë është ajo e moseleminimit të pasigurive, jo vetëm në veprimet, pot edhe në dije. (...) Një nga pasojat kryesore të këtyre dështimeve të dukshme, në fakt realisht të arritjeve të vetë mendjes njerëzore, është të na vendosë në kushte të përballojmë pasiguritë dhe, më përgjithësisht, fatin e pasigurt të çdo individi dhe të gjithë njerëzimit”. (Morin, 2000).
Në çdo hap të jetës sonë ne ballafaqohemi me kufizimet që rrjedhin nga siguria e një "plani të mbaruar" – atij të njohurive ekzistuese – dhe të një "kohe të mbyllur" – asaj të parashikueshmërisë. Për të zbuluar, për të krijuar të renë, duhet një sipërmarrje jashtë kufijve të sigurisë dhe të parashikueshmërisë, të jesh i përgatitur për gabimet dhe tentativat e reja.
Vetëm me këtë hap ne mund të fillojmë një rrugë përmes mënyrave të reja të mësimit dhe dijes: është e nevojshme të bëjmë disa pyetje në vend që të kërkojmë disa përgjigje shteruese, duke u vërtitur kështu në një "hapësirë të hapur", ku ne mund të presim ndjenjën e frikës për të papriturat.
Për të hapësirësuar gardhe të papritura, është thelbësore t'i qasemi studimit të marrëdhënieve ndërmjet subjektit dhe objektit, ndërmjet njohësit dhe të njohurit, për të kërkuar mundësi të reja për mësim.
Në qoftë se bota nuk është aq e sigurt dhe e parashikueshme siç ne do të donim që ajo të jetë, nëse koha nuk është një varg i pandërprerë prej momentesh të gjitha të njëjta, nëse hapësira nuk është një fushë e rrethuar, nëse racionaliteti nuk është i vetmi mjet i mundshëm për dijen, jemi ndoshta duke e zbuluar atë përgjatë rrugës së jetës, sigurisht së bashku. Dija, transparenca, dialogu janë disa nga ato mjetet që ta japin sigurinë e nevojshme dhe të mundësojnë një parashikueshmëri relative.
Luiza Hoxhaj
10 Nentor 2013

2 comments:

Pullumb Kaciqi said...

"...transparenca per nga ana e qeverise eshte shume e rendesishme ne mbarevajtjen e jetes se perditshme... transparenca ben qe opinioni publik ti shoshisi gjerat mire per ti pare me qarte problemet dhe per rrjedhoje edhe te t'ju japin zgjidhje optimale..."

Luiza Hoxhaj said...

Shënim i autores (2026): Ky meditim, i shkruar dhe i publikuar fillimisht në nëntor të vitit 2013, rezulton sot të jetë më aktual dhe pararendës se kurrë. Konceptet e përballjes me të panjohurën, menaxhimi i pasigurisë dhe nevoja jetike për transparencë e dialog – të cilat atëherë rrihnin në rrafshin filozofik e akademik të teorisë së kompleksitetit – sot janë kthyer në sfidat më të mëdha praktike të shoqërisë sonë. Ju ftoj të lexoni këtë dëshmi kohore të pandryshuar, e cila dëshmon se si dija dhe reflektimi i hershëm mund të parashikojnë të ardhmen.