Search This Blog

Monday, December 14, 2009

Pjesëmarrja midis teorisë dhe praktikës

“Nocioni im i demokracisë është se më i dobëti duhet të ketë të njëjtin shans sikurse më i forti.” — Mahatma Gandi

Nisur nga kjo thënie e Gandit, në këtë shkrim kam zgjedhur të flas për demokracinë pjesëmarrëse si një nga konceptet më të evokuara në debatet aktuale mbi politikat publike te ne dhe në gjithë Europën, si dhe si një nga format e të jetuarit të proceseve demokratike, me objektiv parësor përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në disa zgjedhje të qeverisë, në veçanti në ato që i prekin drejtpërdrejt. Pjesëmarrja është një parim themelor në demokracinë moderne.

Por ç’është demokracia dhe ç’është cilësia e procesit demokratik? Kjo është një pyetje së cilës nuk është e thjeshtë t’i përgjigjesh. Fjala “demokraci” është me origjinë greke dhe përbëhet nga termat “demos”, që do të thotë “popull”, dhe “kratos”, që do të thotë “pushtet”. Kështu që demokracia është një koncept i cili i referohet mbi të gjitha pushtetit të popullit. Në vija të përgjithshme, demokracia është një mënyrë e marrjes së vendimeve kolektive, e cila parashikon në mënyrë të veçantë se të gjithë mund të marrin pjesë në procesin vendimmarrës drejtpërdrejt ose tërthorazi dhe se vendimet merren me shumicë pas një procesi diskutimi. Në shoqërinë moderne, parimi demokratik të cilit i referohemi tradicionalisht është ai i demokracisë përfaqësuese, i cili qëndron në faktin se çdo qytetar ka mundësinë të zgjedhë nëpërmjet votës përfaqësuesit e organizmave politikë, duke përzgjedhur programet dhe idetë që përfaqësojnë më mirë preferencat dhe nevojat e veta. Ideja themelore e vendimeve demokratike bazohet në parimin se secili duhet të ketë mundësinë të njihet me funksionimin e sistemeve politike dhe sociale. Delegimi i kompetencave te përfaqësuesit politikë nëpërmjet zgjedhjeve përbën, në këtë këndvështrim, një mekanizëm nëpërmjet të cilit parimi i përfshirjes së gjithë qytetarëve në procesin qeverisës gjen zbatim në realitetin e sotëm historik dhe social, në të cilin nuk është e mundur të zhvillohen rregullisht kuvende të gjera të qytetarëve.

Në këtë këndvështrim, mekanizmit të demokracisë zgjedhore i atribuohen disa cilësi.

Së pari, pushteti politik bazohet mbi legjitimitetin popullor, nga i cili varet në instancë të fundit. Mekanizmi zgjedhor përfaqëson një mënyrë për t’i mbështetur vendimet politike mbi vullnetin e qytetarëve, duke siguruar midis të parave dhe të dytit një shkallë përputhjeje që nxit ndjenjën e përkatësisë në komunitet dhe mat përgjegjshmërinë.

Cilësia e dytë lidhet me parimin e universalizmit, sipas të cilit çdo qytetari, pavarësisht nga përkatësia, gjinia, orientimi politik dhe fetar, i njihet e drejta e pjesëmarrjes në republikë dhe mundësia për të dhënë kontributin e vet në kushte të barabarta, pa u diskriminuar.

Cilësia e tretë është përfaqësimi, që i mundëson çdo qytetari të shprehë opinionin e tij nëpërmjet votës. Të zgjedhurit detyrohen të përfaqësojnë dëshirat dhe preferencat e shumicës. Kur thuhet se qeveritë janë pasqyrë e një kombi (në të mirë dhe në të keq), synohet të jepet metaforikisht pikërisht ky kusht, që çon në përputhjen e qëndrimeve të të zgjedhurve me vullnetin popullor. Pra, mekanizmi demokratik jep garancitë e përputhjes së programeve politike me vullnetin e qytetarëve. Pyetjes se sa qeveritë tona janë pasqyrë e kombit, gjithsecili, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, mund t’i përgjigjet lehtësisht. Mendimi im personal është se kemi një pasqyrim të deformuar të këtij vullneti.

Politikanët paraqiten në zgjedhje me platforma dhe programe, në bazë të të cilave kërkojnë konsensusin popullor. Kështu që ata paraqiten personalisht, me vullnetin e tyre, duke u bërë të dukshëm për një pjesë gjithnjë e më të madhe të opinionit publik. Pasi zgjidhen, ata janë, për pasojë, drejtpërdrejt përgjegjës për veprimet e tyre. Nëse realizojnë programin për të cilin janë votuar, ata mund të rizgjidhen. Në të kundërt, paguajnë personalisht për zgjedhjet e veta. Ky arsyetim na çon te një cilësi e katërt e modelit demokratik, që është përgjegjshmëria individuale e politikanëve. Kjo cilësi e demokracisë është zbehur goxha nën ndikimin e kodit të ri zgjedhor, duke e zhveshur qytetarin nga kjo e drejtë në favor të partive politike.

Një virtyt i pestë i demokracisë është llogaridhënia për vendimet politike. Vetë logjika e zgjedhjes popullore u imponon politikanëve të zgjedhur që të japin llogari në fund të mandatit të tyre për punën e bërë. Në këtë mënyrë, mekanizmat e zgjedhjes demokratike përmbajnë në vetvete nxitjen për ta bërë publike veprën e politikanëve, duke u mundësuar qytetarëve zgjedhës ta vlerësojnë atë. Në kushtet e një transparence të cunguar te ne, frytet e kësaj cilësie janë ende të pashijuara. Boll t’i referohemi shembullit të fundit, kur opozita kërkon transparencën e zgjedhjeve, gjë që i mohohet me argumente nga më absurdet. Publikut i jepet vetëm një informacion i përzgjedhur me kujdes. Siç po duket, me gjithë përparimin, ne jemi ende te modeli “S’ka rëndësi kush dhe si voton, por kush dhe si numëron”. Edhe në vlerësimet që iu bënë procesit të fundit zgjedhor, pavarësisht përparimit, vërejtjet dhe kundërshtimet kishin të bënin pikërisht me procesin e numërimit të votave. Demokracia zgjedhore ka favorizuar zhvillimin ekonomik dhe social të shoqërive perëndimore, praktikisht pa krahasim në nivel botëror. Eksportimi i kësaj përvoje në vendet ish-komuniste ka dhënë frytet e veta pozitive edhe në vendin tonë. Në 20 vjet demokraci janë regjistruar edhe elemente të kritikueshme, objekt i debateve dhe shkrimeve gjithnjë e më të gjera, që kanë vënë në dyshim vetë bazat e modelit tonë demokratik. Efektet e kësaj krize janë vërejtur herë pas here në uljen e pjesëmarrjes në zgjedhjet politike dhe ato administrative, në shtimin e mosbesimit ndaj institucioneve, si dhe në largimin në rritje të qytetarëve nga demokracia. Në përgjithësi, janë të shumta arsyet që mund të shpjegojnë hendekun midis qytetarëve dhe institucioneve demokratike dhe që lidhen drejtpërdrejt me mospërmbushjen e cilësive të demokracisë. Kjo krizë e demokracisë përfaqësuese është shoqëruar nga kriza e partive politike, të cilat luajnë një rol qendror në organizimin dhe mobilizimin e konsensusit në raport me institucionet. Përfaqësimi i partive politike dhe mekanizmat institucionalë të domosdoshëm për riprodhimin e saj priren vazhdimisht të merren me të kaluarën në shumë drejtime pak të dobishme për t’iu përgjigjur problemeve të reja komplekse me të cilat përballet shoqëria jonë. Krahas këtij shpjegimi të krizës që kalon sot demokracia përfaqësuese, ekzistojnë edhe arsye të tjera që do t’i quanim kufizime të demokracisë.

Së pari, në një sistem demokratik me zgjedhje, vendimet politike mbështeten vetëm pjesërisht mbi vullnetin popullor, sepse, pasi zgjidhen për herë të parë, përfaqësuesit politikë angazhohen më shumë për të mbajtur pushtetin e tyre sesa për të respektuar premtimet zgjedhore, duke pasur parasysh se kujtesa e qytetarit është e shkurtër dhe se disa premtime ata i bëjnë çdo herë. Në demokracitë e brishta si kjo e jona, janë më të mëdha mundësitë që mbi këto premtime të krijohen “zona hije”, të udhëhequra nga zgjedhje që nuk mbështeten në vullnetin popullor dhe ndikohen lehtësisht nga preferencat e pak subjekteve që përfaqësojnë interesa të veçanta.

Kufizimi i dytë i demokracisë zgjedhore lidhet me konceptimin më shumë formal sesa thelbësor të universalizmit. Në teori, universalizmi nënkupton që të gjithë qytetarët shprehen me votë, gjë që nuk ndodh në realitetin tonë, ku vetëm një pjesë e popullsisë, grupet më të interesuara e më të mirëorganizuara, e realizojnë këtë. Kush nuk voton nuk i përket detyrimisht ndonjë kategorie të caktuar, por, pa dyshim, pjesëmarrja më e ulët vërehet në grupet shoqërore më të margjinalizuara dhe më pak të organizuara. Sot është problem të gjesh mekanizmat për t’i çuar zgjedhësit në votime. Në këtë kuptim, sistemi ynë politik rrezikon të jetë universal në letër dhe përzgjedhës në realitet.

Një kufizim i tretë i sistemit demokratik është se ndër interesat që përfaqësojnë të zgjedhurit, përparësi kanë ato të shumicës së zgjedhësve dhe jo ato të atyre që nuk kanë arritur të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Situata pas dy proceseve të fundit zgjedhore konfirmon se përmasat e këtyre kufizimeve shumëfishohen në rastin e vendit tonë, jo vetëm për shkak të ligjit, por edhe të papërgjegjshmërisë politike. Në dy procese zgjedhore radhazi te ne, shumica votuese nuk përkthehet në shumicë qeverisëse, pa llogaritur faktin që një pjesë e këtij vullneti sistematikisht “kapërcen ylberin” në mënyrë akrobatike për t’i shërbyer alternativës së kundërt me atë për të cilën është votuar, duke delegjitimuar vetë procesin. Në asnjë rast nuk është përdorur mundësia që krijon neni 49 i Kushtetutës sonë për të vënë në lëvizje autoritetin e Presidentit të Republikës për shkak të deformimit të vullnetit të zgjedhësve.

Një kufizim i katërt i sistemit demokratik zgjedhor është se ai nuk përmban antitrupat për të shmangur përdorimin e instrumenteve të pushtetit qeveritar. Përgjegjshmëria individuale e politikanëve dhe domosdoshmëria për të dhënë llogari për rezultatet e arritura gjatë legjislaturës përbëjnë kushtet për të legjitimuar procesin demokratik. Këto kushte e gjejnë kufizimin e tyre në shkallën e asimetrisë së informacionit që ekziston midis qeveritarëve dhe të qeverisurve. Zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë qartë se sa të ekspozuar janë qytetarët e çdo shtrese përballë rreziqeve të tilla. Ushtrimi i së drejtës së votës nga qytetarët, të cilët në modelin e demokracisë zgjedhore konsiderohen të gjithë të barabartë, me të njëjtat të drejta dhe detyrime, nënkupton, megjithatë, jo vetëm mundësinë për të votuar, por edhe që zgjedhësi ta ushtrojë gjykimin e tij politik në mënyrë të ndërgjegjshme. Për të parë se sa e pazbatuar është kjo e drejtë te ne, mjafton të përmendim dukurinë e votimit familjar, tipike shqiptare, fakt i nënvizuar edhe në raportimet e OSBE-së dhe të organizmave të tjerë europianë apo ndërkombëtarë që monitoruan procesin zgjedhor të 28 qershorit.

Për këtë, është e nevojshme që informacioni, edukimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve të jenë mjaftueshëm të përhapur dhe të shpërndarë njëtrajtësisht. Siç thekson Amartya Sen (1992), “gjykimi i ndërgjegjshëm është problem i kapaciteteve të barabarta, po aq sa edhe i të drejtave të barabarta”. Në rastin kur këto kapacitete janë shpërndarë në mënyrë asimetrike, mundësitë e personave për të vlerësuar alternativat e zgjedhjes janë të pabarabarta, çka krijon rrezik manipulimi. Kur niveli i informacionit është më i ulët, qytetarët mund të instrumentalizohen më lehtë, ndërsa nivelet më të larta të edukimit favorizojnë pjesëmarrjen me votë të ndërgjegjshme. Prandaj, informacioni dhe njohuritë priren të jenë shumë të gjera. Beteja në demokracitë moderne për kontrollin e mjeteve të informimit nga ana e partive politike është shembull se si zgjedhjet politike varen ndjeshëm nga aftësia për të manipuluar informacionin dhe për të ndikuar në pjesë të konsiderueshme të opinionit publik.

Pra, ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj republikës përbën një kufizim të pestë të demokracisë zgjedhore. Tocqueville shkruante se “rreziku më i keq është të humbasësh ndjenjën e përkatësisë dhe shpirtin e nismës, aq të domosdoshëm për ta bërë shoqërinë të funksionojë”.

Mekanizmi i demokracisë zgjedhore ka dy anë në lidhje me këtë çështje. Nga njëra anë, në sistemet demokratike, çdo qytetar thirret të marrë pjesë në zgjedhjen e qeverisësve dhe të programeve të qeverisë. Nga ana tjetër, megjithatë, pasi ka votuar, qytetari mbetet pa fuqinë për të ndikuar mbi vendimet politike gjatë legjislaturës, si në rastin e deformimit të vullnetit nga partitë politike, ashtu edhe kur nuk përfaqësohet prej tyre, si në rastin e bojkotit.

Mosbesimi ndaj formave të përfaqësimit demokratik dhe kriza e partive dhe e institucioneve demokratike tregojnë se të metat e demokracisë përbëjnë një problem qendror për procesin e zhvillimit të shoqërisë sonë. Këto konsiderata vendosin në qendër të reflektimit problemin e cilësisë së procesit demokratik, proces në të cilin është themelor nocioni i pjesmarrjes si një vlerë thelbësore për mirëfunksionimin e një sistemi demokratik, sepse sjell në vëmendje plotësimin e kërkesave, si dhe aftësinë për t’iu përgjigjur realisht problemeve të njerëzve.

Cilësia e demokracisë përcaktohet jo vetëm nga forma, por edhe nga përmbajtja, nga mënyra si administrohet pushteti dhe si u përgjigjen politikat nevojave të qytetarëve. Vendi ynë klasifikohet ndër vendet me demokraci hibride, pra me demokraci të papërmbushur, ku përbën problem sidomos niveli i ulët i cilësisë së demokracisë. Prandaj është e nevojshme që nëpërmjet metodave të demokracisë pjesëmarrëse të kërkojmë baza të reja për një shoqëri me kohezion të lartë, transparente dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, gjë që në këto momente duket gjithnjë e më e largët.

Nga Luiza Hoxhaj


No comments: