Search This Blog

Showing posts with label #Kapaciteti Mbajtës. Show all posts
Showing posts with label #Kapaciteti Mbajtës. Show all posts

Friday, August 28, 2026

Gjiri i Vlorës: Sa mund të zhvillohemi pa humbur atë që kemi?

Kur deti nuk është thjesht ujë, peizazhi nuk është thjesht pamje dhe toka nuk është thjesht një sipërfaqe për t’u ndërtuar

Në gusht të vitit 2026, letra e hapur e nënshkruar nga 212 arkitektë, urbanistë dhe profesionistë të territorit, në reagim ndaj çështjeve të ngritura nga “Albanian Files”, hapi një debat të rëndësishëm mbi mënyrën se si po trajtohen territori, peizazhi dhe investimet e mëdha në Shqipëri.

Ky debat më shtyu të rikthehem te një territor që e njoh mirë, por që ndoshta ende nuk po e lexojmë në të gjithë kompleksitetin e tij: Gjiri i Vlorës.

Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me pyetjen nëse duhet apo nuk duhet të ndërtohet një kullë, një resort apo një strukturë tjetër turistike. Kemi të bëjmë me një sistem territorial ku deti, qyteti, lagunat, bregdeti, biodiversiteti, peizazhi dhe ekonomia lokale janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Prandaj pyetja që dua të vendos në qendër të vëmendjes një pyetje që prej kohësh kërkon një përgjigje serioze: Çfarë lloj zhvillimi mund të përballojë Gjiri i Vlorës pa konsumuar vetë pasuritë mbi të cilat mbështetet e ardhmja e tij?

Konsideruar projektet e reja turistike dhe rezidenciale, transformimin e vijës bregdetare, planet për zhvillime në Nartë e Zvërnec dhe ritmin me të cilin po ndryshon peizazhi urban i Vlorës, mendoj se përtej çdo projekti të veçantë qëndron një çështje shumë më e madhe.

Ne po flasim për një territor të tërë. Një territor ku deti lidhet me lagunat, malet me bregdetin, qyteti me peizazhin, turizmi me ekonominë lokale dhe natyra me mirëqenien e njerëzve.

Dhe kur të gjitha këto marrëdhënie fillojnë të ndryshojnë njëkohësisht, pyetja nuk mund të jetë vetëm sa investime mund të tërheqim. Duhet të pyesim: Sa mund të zhvillohemi pa humbur atë që kemi?

Një saktësim i nevojshëm: Gjiri nuk është një lagunë

Ka qarkulluar prej kohësh një shifër prej 90 ditësh si kohë e nevojshme për rinovimin e ujit të Gjirit të Vlorës. Kjo shifër nuk duhet t’i atribuohet në mënyrë të përgjithshme gjirit detar.

Gjiri i Vlorës nuk është një sistem lagunor i mbyllur. Ai komunikon me detin përmes hapësirës midis Karaburunit dhe Sazanit dhe është pjesë e sistemit më të gjerë Adriatiko-Jonian. Qarkullimi i masave ujore ndikohet nga rrymat, erërat, topografia dhe kushtet e ndryshueshme hidrodinamike.

Ndryshe është situata në Lagunën e Nartës dhe në Lagunën e Orikumit, të cilat janë sisteme lagunore me karakteristika të ndryshme dhe me shkëmbim më të kufizuar me detin. Ky dallim është i rëndësishëm.

Por korrigjimi i shifrës 90 ditë nuk e zbeh shqetësimin për të ardhmen e Gjirit. Përkundrazi. Sepse problemi nuk është të gjejmë një numër magjik që na tregon se kur “mbytet” gjiri. Problemi është të kuptojmë kapacitetin real të një sistemi territorial ndaj presioneve që po i shtohen njëri-tjetrit.

Një det që shkëmben ujë me sistemin detar nuk është një det pa kufij.

Posidonia: infrastruktura që natyra na ka dhënë falas

Në fund të detit ndodhet një pasuri që rrallë hyn në llogaritjet ekonomike të zhvillimit. Quhet Posidonia oceanica.

Shpesh ngatërrohet me algat, por Posidonia oceanica nuk është algë, është një bimë detare e mirëfilltë. Livadhet e saj janë ndër ekosistemet më të rëndësishme të Mesdheut. Ato kontribuojnë në oksigjenimin e ujërave dhe luajnë një rol të rëndësishëm në ciklin e karbonit, stabilizimin e sedimenteve, mbrojnë fundin detar dhe bregdetin nga proceset e erozionit,ruajtjen e biodiversitetit dhe krijimin e habitateve për shumë specie detare.

Por Posidonia është edhe një tregues i rëndësishëm i gjendjes së ekosistemit. Ajo kërkon ujë relativisht të pastër dhe dritë të mjaftueshme. Rritja e turbullirës, sedimentimi, ndotja dhe ndërhyrjet fizike në fundin detar mund të ndikojnë në mbijetesën e saj.

Mënyra më e mirë për ta kuptuar vlerën e saj është ta shohim si një infrastrukturë natyrore. Ne ndërtojmë impiante. Ndërtojmë kanale. Ndërtojmë barriera. Ndërtojmë sisteme mbrojtëse. Ndërsa natyra ka ndërtuar, pa faturë dhe pa mirëmbajtje njerëzore, një sistem të tërë që kontribuon në funksionimin e detit.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja që zakonisht mungon në diskutimet për investimet: Sa do të kushtonte të zëvendësonim me infrastrukturë artificiale atë që një ekosistem natyror na ofron falas?

Kur një livadh Posidonia dëmtohet nga turbullira, sedimentimi, ankorimet, ndërhyrjet fizike apo përkeqësimi i cilësisë së ujit, nuk kemi humbur thjesht një bimë. Kemi humbur një pjesë të infrastrukturës natyrore të territorit.

Dhe këtu qëndron paradoksi. Një resort mund të ndërtohet për disa vite. Një kullë mund të ngrihet brenda pak vitesh. Por një ekosistem detar i zhvilluar ndërtohet nga natyra në një shkallë kohore krejt tjetër.

Ne mund të ndërtojmë shumë shpejt atë që shohim mbi sipërfaqe dhe të shkatërrojmë shumë më ngadalë atë që nuk e shohim poshtë saj. Prandaj mbrojtja e Posidonia oceanica nuk është romantizëm ambientalist.

Mbrojtja e këtyre livadheve nuk është thjesht një çështje e biodiversitetit. Është një çështje e kapitalit natyror të Gjirit. Dhe kapitali natyror duhet të hyjë në llogarinë e zhvillimit.

Dhe këtu lidhet edhe ekonomia lokale. Peshkimi artizanal, biodiversiteti detar dhe turizmi i qëndrueshëm nuk janë sektorë të shkëputur nga gjendja ekologjike e detit. Ato varen drejtpërdrejt prej saj. Nëse ekosistemi dobësohet, humbja nuk është vetëm ekologjike. Ajo bëhet ekonomike dhe sociale.

Vertikaliteti: kur kursimi i tokës bëhet justifikim për intensifikimin

Një nga argumentet më të njohura në favor të ndërtimeve të larta është i thjeshtë: Nëse ndërtojmë lart, kursejmë tokë. Në teori, po. Por në praktikë pyetja është më komplekse. Çfarë ndodh me tokën që pretendojmë se po kursejmë?

Nëse vertikaliteti përdoret për të reduktuar gjurmën e ndërtesës dhe për të krijuar realisht hapësira publike, gjelbërim, sheshe, ajrosje dhe akses më të mirë në qytet, atëherë ai mund të jetë një instrument urbanistik i dobishëm.

Por nëse vertikaliteti bëhet mënyrë për të rritur maksimalisht sipërfaqen e shitshme mbi një truall të kufizuar, atëherë nuk kemi më thjesht kursim toke. Kemi intensifikim të vlerës së tokës. Dhe këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm: Kulla nuk është problemi. Modeli i përdorimit të kullës është problemi. Nëse investitori përfiton nga:

  • lartësia,
  • pamja,
  • densiteti,
  • rritja e sipërfaqes së shitshme,

por qyteti përballon:

  • më shumë trafik,
  • më shumë presion mbi ujësjellësin dhe kanalizimet,
  • më shumë kërkesë për parkim,
  • më pak hapësirë publike,
  • më shumë hije,
  • më shumë presion mbi shërbimet publike,

atëherë kemi një problem që nuk mund të zgjidhet vetëm me estetikë arkitekturore. Përfitimi është privat. Kostoja bëhet territoriale. Ky është një nga problemet më të rëndësishme të zhvillimit urban.

Prandaj pyetja nuk duhet të jetë: Sa kate mund të lejojmë? Por: Çfarë sasie dhe cilësie urbane krijon çdo njësi shtesë intensiteti?

Një qytet nuk jeton vetëm në metra katrorë. Ai jeton në hapësirën midis tyre. Në trotuare. Në parqe. Në sheshe. Në vende ku fëmijët luajnë. Në vende ku të moshuarit ulen. Në rrugët ku njerëzit takohen pa qenë të detyruar të konsumojnë.

Këto nuk janë hapësira “të mbetura”. Janë infrastruktura sociale e qytetit. Në të kundërt qyteti humbet misionin e tij parësor që nga antikitetit: jetën sociale, hapësirën e takimit informal pa pagesë për fëmijët dhe të moshuarit. Qytetari po kthehet në një vizitor të huaj në qytetin e vet.

Kur peizazhi kthehet në luks

Këtu ndoshta ndodhet një nga paradokset më të mëdha të zhvillimit të sotëm të Vlorës. Peizazhi po shndërrohet nga një e mirë e përbashkët në një atribut të tregut të pasurive të paluajtshme.

Pamja e detit. Horizonti. Drita. Ajri. Afërsia me bregun. Të gjitha këto po hyjnë gjithnjë e më shumë në çmimin e një prone.

Por ekziston një pyetje që tregu nuk mund t’i përgjigjet i vetëm: Kujt i përket vlera e peizazhit?

Investitori ndërton ndërtesën. Por nuk ka krijuar detin. Nuk ka krijuar horizontin. Nuk ka krijuar malin. Nuk ka krijuar dritën. Nuk ka krijuar peizazhin. Territori e ka krijuar atë. Dhe shoqëria e ka trashëguar.

Prandaj peizazhi nuk mund të konsiderohet vetëm si dekor i një prone private. Ai është pjesë e identitetit dhe mirëqenies së një komuniteti.

Konventa Evropiane e Peizazhit e vendos pikërisht në këtë kuadër: peizazhi lidhet me cilësinë e jetës dhe mirëqenien e njerëzve.

Kështu, debati për peizazhin e Vlorës nuk është një debat nëse dikujt i pëlqen apo jo një kullë. Është një debat shumë më i thellë: A mund të privatizohet ekonomikisht një vlerë që është krijuar nga natyra dhe që i përket përvojës së përbashkët të qytetit?

Po drita? Po qyteti ekzistues?

Çdo ndërtesë e re ndërton një vlerë të re. Por mund të krijojë edhe një kosto të re. Një kullë mund të ketë pamje të jashtëzakonshme. Por ajo pamje nuk duhet të krijohet duke i hequr dritën dhe horizontin ndërtesave që ekzistonin më parë.

Një qytet që zhvillohet duhet të ketë të drejtë të ndryshojë. Por ndryshimi nuk duhet të nënkuptojë se cilësia e jetës së një pjese të qytetit sakrifikohet për rritjen e vlerës së një pjese tjetër.

Kjo është çështje e drejtësisë territoriale. Dhe drejtësia territoriale nuk do të thotë të ndalosh zhvillimin. Do të thotë të mos lejojmë që përfitimet dhe kostot e zhvillimit të shpërndahen në mënyrë të pabarabartë.

Narta: mbrojtja e natyrës nuk është kundër investimit

Debati për Nartën dhe Zvërnecin është shpesh i reduktuar në një përplasje të thjeshtë: investimi apo natyra?

Por kjo është dilema e gabuar. Pyetja duhet të jetë: Çfarë lloj investimi mund të bashkëjetojë me natyrën e këtij territori?

Laguna e Nartës është një sistem ekologjik me karakteristika krejt të ndryshme nga gjiri i hapur. Shkëmbimi i kufizuar i ujit dhe ndjeshmëria ndaj ndryshimeve të kushteve ekologjike e bëjnë shkallën dhe mënyrën e ndërhyrjeve veçanërisht të rëndësishme.

Prandaj “eko-resort” nuk është përgjigje në vetvete. Një projekt nuk bëhet i qëndrueshëm sepse në emër ka fjalën “eko”.

Duhet parë: sa ndërton, ku ndërton, çfarë infrastrukture kërkon, sa ujë konsumon, sa mbetje prodhon, çfarë ndriçimi përdor, çfarë ndikimi ka mbi biodiversitetin dhe çfarë mbetet pas tij.

Mbrojtja e Nartës nuk është domosdoshmërisht kundër investimeve. Në shumë raste mund të jetë pikërisht mbrojtje e vlerës së investimit afatgjatë. Sepse nëse një investim turistik dëmton peizazhin dhe ekosistemin që e bën atë vend tërheqës, atëherë ai investim rrezikon të konsumojë vetë arsyen pse u bë.

Gjiri i Vlorës nuk ka nevojë për më pak zhvillim. Ka nevojë për zhvillim më të mençur.

Ndoshta ky është momenti për ta ndryshuar edhe vetë pyetjen.

Jo: A jemi për apo kundër investimeve? Por:Cilat investime rrisin vlerën e territorit dhe cilat vetëm e konsumojnë atë?

Jo: Sa mund të ndërtojmë? Por: Sa mund të ndërtojmë pa ulur cilësinë e asaj që kemi?

Jo: A duhet të kemi kulla? Por: Ku, sa, me çfarë intensiteti dhe me çfarë kostoje territoriale mund të kemi vertikalitet?

Jo: A duhet të zhvillojmë Nartën? Por: Çfarë zhvillimi mund të përballojë Narta pa humbur atë që e bën Nartën të vlefshme?

Këto janë pyetje të tjera. Dhe kërkojnë një mënyrë tjetër të menduari. Sepse territori nuk është një sipërfaqe bosh. Është kapital natyror. Është kapital social. Është infrastrukturë. Është peizazh. Është histori. Është identitet. Është ekonomi. Dhe mbi të gjitha, është një sistem marrëdhëniesh.

Kur prekim njërën pjesë, ndryshojmë edhe të tjerat.

Në fund, pyetja është shumë e thjeshtë

Gjiri i Vlorës ka nevojë për investime. Ka nevojë për turizëm. Ka nevojë për punësim. Ka nevojë për infrastrukturë. Ka nevojë për qytet modern. Por ka nevojë edhe për det të pastër. Për biodiversitet. Për hapësirë publike. Për dritë. Për peizazh. Për laguna të shëndetshme. Për një qytet ku banori nuk ndihet i huaj në vendin e vet.

Këto nuk janë pengesa të zhvillimit. Janë vetë kushtet që e bëjnë zhvillimin të vlefshëm.

Prandaj, ndoshta pyetja më e rëndësishme për Gjirin e Vlorës sot nuk është: Sa mund të ndërtojmë?

Por: Sa mund të zhvillohemi pa humbur atë që kemi?

Sepse një kullë mund të shembet dhe të rindërtohet. Një hotel mund të ndryshojë pronar. Një projekt mund të zëvendësohet nga një tjetër. Por një peizazh i humbur nuk rikthehet me një projekt të ri. Një ekosistem i dëmtuar nuk rikthehet me një slogan. Dhe një qytet që humbet cilësinë e jetës nuk e blen dot përsëri me metra katrorë.

Zhvillimi i vërtetë nuk është vetëm ajo që arrijmë të ndërtojmë. Është ajo që arrijmë të ruajmë ndërsa ndërtojmë të ardhmen.

Po ju si e shihni të ardhmen e Gjirit të Vlorës? 

Na shkruani mendimin tuaj në komentet më poshtë!