Giancarlo De Carlo
Kjo sentencë e De Carlo më erdhi ndërmend duke ndjekur lajmin mbi takimin e kandidatit për kryetar bashkie të Vlorës, Z. Dritan Leli, me arkitekte dhe
inixhinier të qytetit. Ky lloj bashkëpunimi mishëron
qartë vizionin e tij për të angazhuar botën e
urbanistëve dhe arkitektëve, nëpërmjet
një diskutimi për të identifikuar se si të punohet së bashku
me ata që ndajnë të njëjtën ndjenjë përgjegjësie për mundësitë dhe sfidat e sotme të qyteteve tona.
Në këtë shkrim jam duke
u përpjekur të sjellë në vëmendje faktin se qyteti është një krijesë në
zhvillim që mund të organizohet, pa u rikrijuar nga e para. Ai mund të
përmirësohet me teknologji më të mire, duke u bërë më efikase. Qytetet tona kanë
ende shumë potenciale. Puna duhet të fokusohet në përmirësimet urbane,
ndërhyrjet nga shkalla mikro në makro dhe, natyrisht, në llojet e reja të
ndërtesave të qëndrueshme. Ajo sot duhet të përfshijë prodhuesit e
energjisë, infrastrukturës, pikat e konsumit, strehimit, qytetin, peizazhin...
Arkitektët duhet të dinë si të menaxhojnë burimet e tokës për të ndërtuar një
qytet më të mirë, në vend që të fokusohen vetëm në ndërtesa të izoluara, qe nuk japin
asnjë kontribut në përmirësimin e mjedisit rreth tyre. Ndërtimi nuk është një
ishull i vecuar, sic rezulton deri tani. Drejtuesit e njësive të reja duhet të përpiqen të
zhvillojnë mentalitetin e menaxhimit të qyteteve, duke i kthyer ato nga njësi statike
në njësi dinamike dhe efikase që bazohen në energjinë e komuniteteve
të tyre, për të patur një komunitet bashkëpunues, energjik, social dhe të
ndërgjegjshëm për mjedisin. Ne duhet të jemi
në kërkim
të zgjidhjeve të reja arkitekturore dhe urbane që do të zvogëlojnë kontributin tonë
në ndotjen globale
Sigurisht që sfida e qyteteve, përfshi edhe Vlorën tonë të
bukur, nuk mund të përballohen vetëm nga arkitektët, urbanistët apo ndërtuesit.
Qytetet tona po kalojnë një fazë të vecantë,
e cila për ta futur zhvillimin e tyre nga spontaniteti në hullinë e qëndrueshmërisë,
kërkon domosdoshmërisht pjesëmarrjen
e qytetarëve në procesin e planifikimit të territorit.
Përse klasifikohet e vecantë kjo fazë e zhvillimit të qyteteve tona?
Së pari në planin kombëtar: Faza që është tani në
proces, pothuajse në cdo qytet, diktuar edhe nga reforma territoriale,
klasifikohet si faza e “decentralizimit
urban" apo "shperndarjes urbane." Modeli i mëparshëm i urbanizimit
përmes zgjerimit progresiv drejt unazave koncentrike është në krizë. Përfundon,
kështu, periudha e ngushtimit të hapesirave, investimit
në periferitë dhe rripat e mbetur të qyteteve, ku bëhet
gjithnjë e më e vështirë për të përmbushur kërkesën për hapësirë për fabrika,
për depo, për vendbanime, për trafikun që gjeneron qyteti, për parqet e
makinave, për zona të gjelbërta dhe për shërbimet kolektive. Edhe në këtë
aspekt avantazhet e fazës së mëparshme, të lidhura me zonat periferike kanë
tendencë të zbehen. Po ashtu për shkak të përmiresimit, deri diku, të rrjetit
rrugor, ngushtohen dallimet në kohë dhe kosto udhëtimi brenda zonave periferike si dhe atij
ndërqytetas, rajonal apo edhe në mes të rajoneve fqinje. Me rritjen e banorëve
me të ardhura të mira rritet kërkesa e tyre për cilësi më të lartë të mjedisit,
gjë që lagjet urbane dhe rrethinat e kanë të pamundur ta përmbushin. Prandaj
objektet e prodhimit dhe banimit riorientohen në këtë fazë në qytetet më të
vogla, të ndara fizikisht nga të parët, duke formuar, me qytetet e mëdha, zona
të mëdha “metropolitane”, nënkuptohet duke ndërtuar vazhdimësinë në drejtim të
perimetrit të jashtëm te qendrës “metropolitane”. Jashtë këtij perimetri disponueshmëria
e hapësirës është më e madhe, transporti lokal më i lehtë, por edhe kushtet e
kontekstit urban e mjedisit në përgjithësi janë më tërheqëse.
Së
dyti në planin global: Ky
moment ndryshimi në plan kombëtar përkon me një
moment historik global, ku nga njëra anë jetojmë një krizë globale dhe nga ana
tjetër "kapërcejmë tek globalia", duke eliminuar hapësirën
dhe kohën me anë të
iPhone, iPad dhe zhvillimeve të tjera teknologjike. Në këtë moment shumë individ tentojnë për të
marrë kontrollin e kohës dhe hapësirës së tyre. Jemi gjithnjë e më shumë
dëshmitarë të proceseve te rritjes së ndërhyrjeve,
të qytetarëve, në qytetet e tyre, ku ata, te nxitur nga dëshira për të prodhuar
një alternativë të ndryshme nga ajo çfarë qyteti iu ofron, ndjejnë nevojën për të (ri)përcaktuar hapësirën. Këtu, sigurisht,
hyn në loj arkitektura.
Një arkitekt, kur planifikon, së pari studion kontekstin për
të kuptuar mjedisin dhe hapësirën fizike të një territori, së dyti hulumton
marrëdhëniet ndërmjet njerëzve që jetojnë në atë hapësirë, dëshirat e tyre,
ëndrrat e tyre. Ai ka nevojë për disa tregues si dhe përgjigjet që qyteti ju
jep qytetarëve për problemet e tyre. Calvino në veprën “Qytetet
e padukshme” ka shkruar: "Edhe
qytetet besojnë se ato janë vepër e mendjes ose i rastësisë, por as njëra as
tjera nuk mjaftojnë për të mbajtur muret e tyre. Në një qytet nuk na gëzojnë
shtatë apo shtatëdhjetë e shtate mrekullitë, por përgjigjia që ai i jep pyetjeve tona". Sot më shumë
se kurrë ne duhet të rikuperojmë vendin, hapësiren, kohen, marrëdhëniet
njerëzore dhe t'i përgjigjemi kësaj nevoje nëpërmjet kulturës bashkëkohore të bashkëprojektimit.
Kjo është arkitektura e vërtetë që mund të zgjidhë krizën që ka mbërthyer
qytetet tona, të ndodhura ekzaktësisht si në situatën në të cilën Calvino përshkruan (imagjinon) OLINDAN (Qytetet e
padukëshme): “OLINDA sigurisht nuk është i vetmi qytet që
rritet në rrathë koncentrikë, si trungu i pemës që çdo vit shton një rreth...
Por në qytetet e tjera ende
në mes të mureve
të qytetit të vjetër shtrydhen e ngushtohen hapësirat, ...ndërsa lagjet e
reja vërtiten rreth tyre si një brez më i lirshem”.
Ky
është kurthi prej të cilit duhen shpëtuar
qytetet tona.
Si realizohet kjo? Të projektosh vende dhe hapësira jo vetëm
dhe ekskluzivisht me laps apo maus, me struktura dhe llogaritje matematikore,
por me çdo mjet apo instrument që mund të përdoret për të krijuar një sistem të
rrjeteve, si multimediale ashtu edhe fizike, bërë nga njerëz dhe marrëdhënie
njerëzore. Kjo përkthehet në një gatishmëri për të investuar në kulturën e
zhvillimit nga “poshtë- lart” (bottom up) me anë të përfshirjes dhe
pjesëmarrjes. Në botë ka shumë shembuj që e kanë ndjekur këtë rrugë, ku në sajë
të largpamësisë së një individi dhe pjesëmarrjes të gjithë komunitetit, është
transformuar plotësisht një terren, duke
"shpikur mënyra të reja të të menduarit, të të jetuarit dhe të të
banuarit". Pra nevoja dhe dëshira për të sfiduar veten dhe për ti dhenë
jetë një zone të abandonuar, kryesisht në periferi të qyteteve tona, fton për pjesëmarrje cdo individ me ide. Sigurisht, proceset
kulturore janë, nga natyra, një investim në komunitet dhe nevojitet që të bëhen
produktive. Ftoj qytetarët dhe brezin e ri për të reflektuar dhe për të marrë
pjesë në mënyrë aktive në vendimet dhe iniciativat që ndikojnë në transformimin
e territorit të tyre, te hapësirave te tyre. Nga ana tjetër nevojitet që administrate
vendore të dalë nga normat dhe burokracitë institucionale për tu hapur në një
ballafaqim të vërtetë me ata të cilët jetojnë, në fshat dhe në qytet për të ndaluar
planifikimet frut të financimeve në momentin e fundit që ka karakterizuar 25
vitet e fundit.
Është e drejtë të pyesim veten se
çfarë është dhe çfarë duhet të
jetë qyteti për ne ? Me një
vështrim optimist, ndoshta kuptimi i vërtetë mund të jetë ky: Një qytet i jetueshëm, një qytet i qëndrueshëm, jo një qytet i padukshëm. Interesi
im për qytetin e qëndrueshëm filloi kur unë isha student në universitetin e Padovas, vit në të
cilin Padova u shpall qyteti më
i jetueshëm
në Itali.
Atëhere kuptova se na nevojitet të përmirësojmë jetën e
njerëzve, duke i bërë qytetet tona
më të jetueshem. U përpoqa të bëj interpretimin
tim personal të
qëndrueshmërisë, duke pasur si referencë konceptin e peizazhit kulturor në të
gjitha format e tij. Qëndrueshmëria barazohet me diçka të thjeshtë, të shëndetëshme,
të pastër: një mënyrë për ta bërë një hapësirë publike më të përshtatëshme, duke
u kujdesur për mjedisin në të cilin jemi duke planifikuar. Këtu hyn edhe koncepti i arkitekturës së qëndrueshme,
si
arkitektura me sens të përbashkët, në formën e arkitekturës se përditshme, e
cila është tipike e ndërtesave të një vendi të caktuar që gjithmonë është e përshtatur
në mënyrën më të mire me kontekstin përreth, disponueshmërinë e lëndëve të
para dhe kushtet e motit. Bazuar në eksperiencat më të mira, unë besoj se
qëndrueshmëria duhet të bëhet pjesë e programit të detyrueshëm në shkollën tonë.
Sigurisht, ajo duhet të përfshihet, gjithashtu si subjekt studimi në
universitete. Në fund të fundit, qëndrueshmëria na prek të gjithëve, edhe pse
ndoshta shumica e njerëzve nuk e konsiderojnë atë një problem real, që kondicionon të tashmen dhe të
ardhmen tonë.
Shumë mendojnë se "nuk ka të bëjë me mua, kjo nuk është përgjegjësia ime,
kjo do të ndikojë dikë tjetër." Në fakt e kundërta është e vërtetë:
qytetet dhe ndërtesat tona na ndikojnë ne, ndikojnë mjedisin, ndikojnë planetin. Qëndrueshmëria do të bëhet një koncept i
gjithëpranuar vetëm kur
shkollat dhe universitetet do të jenë në gjëndje të sigurojnë mjetet për të
kapërcyer këtë mentalitet. Një qasje e qëndrueshme është gjithmonë një stimul
pozitiv.
Me pak fjalë, për të
krijuar një qytet të
qëndrueshëm dhe efikas
ne duhet të veprojmë për të përmirësuar "performancën" e tij dhe për
të realizuar një kombinim që rezulton në
tregues pozitiv të
përdorimit të burimeve themelore të qytetit: energji, materiale,
tokë dhe uji. Mënyra se si
këto kombinohen përcakton llojet e strategjive
urbane për një qytet më të mirë dhe efikas. Vetëm me një projekt të qëndrueshëm
urban mund të krijohen qytetet dinamike, ku në vemendje të
qytetarëve është mjedisi. Përdoruesit e qyteteve janë një pasuri e rëndësishme për
të arritur të ndërtojmë një qytet të qëndrueshëm. Nevojitet të kultivojmë
pjesëmarrjen për t’i bërë aktive përdoruesit e qytetit dhe për ti përfshire ata
në rritjen e mirëqenies së tyre. Komunitetit duhet t’i jepen mjete dhe
informacion të mjaftueshme për të arritur një mjedis të qëndrueshëm, pa të
cilin anëtarët e tij janë të detyruar të bëjnë ndryshime drastike në jetën e
perditeshme. Në bashkitë e reja, inteligjente, informacioni duhet të rrjedhë
dhe të jetë i arritshëm për të gjithë, mbasi pjesëmarrja e publikut është një
mjet kyç.
Me pjesëmarrjen aktive ne
mundemi të kemi një arkitekturë dhe një të ardhme më të mirë të krijuar nga
përdoruesit, si për komunitetin ashtu edhe
për qytetin. Pjesëmarrja sociale është një nga tri aspekte që përcaktojnë një
qasje të qëndrueshme. Dy të tjerët janë ekonomia dhe ekologjia. Parë nga
këndvështrimi im, këto janë dy aspekte të së njëjtës ide, të cilat shpesh nuk
punojnë së bashku, edhe kur duhet ta bëjnë atë. Edhe pse pjesëmarrja e
qytetarëve është një pikë shumë e rëndësishme, shpesh në projektet e
mëdha i jepet më shumë peshë firmës arkitekturore që i ka zhvilluar ato. Është moment
për reflektim dhe ndërtimin e një vizion afatgjatë për zhvillimin e territorit.
Do të doja të mendoj se, për të rinjtë dhe shpikësit, ky është një moment i mire
për të realizuar idetë e tyre, si në aspektin e kreativ ashtu edhe dinamikës së pjesëmarrjes, me
arsyetimin se ata janë plot me element të teknologjisë së lartë.
Luiza Hoxhaj
Tirane me 22/05/2015