Search This Blog

Thursday, June 11, 2026

Gjëmimi i dheut amanet lënë

 


Nga mjegulla e kohës vijnë burrat e motit,
Që shkrinë pasurinë, floririn dhe jetën,
Kala ngritën mbi gjakun e lotin,
Për këtë truall që shtrat u është bërë.

 

Dhanë gjithçka e s’kërkuan asgjë,
E lanë atdheun si nuse në dritë...
Kurse sot, o zot, tinëzisht, pa zë,
Çakejtë brinjët po ia nxjerrin!

Si nuk iu ndanë këtij vendi, padrejtësisht të mpakur,
Ata që pasuri plaçkitin dhe ndrydhin fate,
E mandej në plaçkashitës shndërrohen,
Duke ia shterur burimet kësaj vatre.

Shesin përditë që të mbrojnë çka vodhën,
Plaçkën e parë e kthejnë mburojë,
Mbi gjakun tonë pushtetin thonizojnë,
Që krimin e tyre askush mos ta tregojë.

Mbi dheun dhe nëndheun e shenjtë,
Ku prehen eshtrat e të parëve, kthetrat zgjatin,
Dhe gjumin ua trazojnë ndër varre,
Tregtarë të mjerë shpirtrash për  fitim.

E pabesueshme!
Edhe dhenë këtij dheu duan t'ia zhvatin,
Të mbytin dhe shpresën që ua mblatoi i pari,
Por, më kot! Dridhuni!
Nën puhizën që lehtësisht vibron,
Fshihet vullkani dhe zjarri i shqiptarit.

Luiza Hoxhaj

(18 Maj, 2026)

1 comment:

Luiza Hoxhaj said...

Cfare parandjenje paskam patur kur e shkrova me 18 Maj 2026. Me buroi nga shpirti!