Nëse bëjmë disa llogari të thjeshta mbi deklarimet
e autoriteteve përkatëse si FAO (Organizata botërore e Ushqimit) apo Banka
botërore mbi mjetet e nevojëshme monetare për të luftuar urinë në botë do të
kishim: sipas deklaratës së drejtorit të përgjithshëm të FAO, Jacques Diouf se
për të luftuar urinë në botë nevojiten 44 miliard dollarë në vit. Nga ana
tjetër Banka Botërore deklaron se për të shpëtuar 5 milion fëmijë në botë, që
vuajnë nga kequshqyerja nevojiten 12,5 miliard dollarë në vit. Këto shifra
duken një objektiv i largët nëse konsiderojmë faktin, që në vitet e fundit
vendet e pasura kanë vendosur në dispozicion të këtij objektivi një shifër prej
350 milion dollarë në vit (shifër qesharake kjo, kundrejt urisë së madhe për
këto fonde, bazuar në deklarimet e mësipërme). Pak a shumë kaq fonde kanë
përfshirë në dispozicion si bonuse managerët e Citigroup, Bear Steam dhe
Goldman Sachs, përpara se të fillonte kriza.
Nëse do të bazoheshim në këto llogari të thjeshta
tani problemi i urisë në botë do të ishte zgjidhur. Sipas New York State
Controller’s Office gjashtë bankat më të mëdha amerikane kanë llogaritur në
9muajt e parë të vitit 112 miliard dollarë si bonuse për punonjësit. Sipas
këtij trendi i bie, që viti 2012 të mbyllet me një shumë prej 150 miliard
dollarësh, aq sa në 2009, shifër kjo pak më ulët se viti më i mirë 2007,
përpara se të fillonte kriza, kur bonuset kapën shifrën e 164 miliard
dollarëve.
Për këtë shkak, në Amerike, nga 2009 e në vijim shpërthyen
polemika të forta. Nisur nga ky fakt dhe polemikat rreth tij Presidenti Obama,
i dyti mbas Gordon Brown në Britani, ndërmorri hapin për të aprovuar një takse
ekstra mbi bonuset e bankierëve, hap ky, i cili nga ana e tij, gjithashtu u
shoqërua me një kalvar polemikash. Nisur nga ky propozim Goldman Sachs ka qenë
e para kompani, që lajmëroi se do të zgjeronte programin që imponon menaxherët
të dhurojnë për bamirësi një pjesë nga fitimet e tyre, shumë kjo e barabartë me
595.000 dollarë për person. C’të themi në këtë rast? Me shifrat e deklaruara
nga banka botërore dhe nga zoti Diouf ky problem do të ishte zgjidhur.
Po tek ne si është situata? Jo shumë larg në kohë
jemi njohur edhe ne me shifrat maramendëse që kapin pagat e stafit menaxhues
edhe në kompani, që operojnë në Shqipëri. Përsa u përket bonuseve që
aplikohen në to nuk ka informacion. Lidhur me këtë temë ka patur ndonjë
artikulim nga shtypi i shkruar, duke mbetur me kaq. Më tej asnjë studim, kërkim
apo investigim as nga institucione, të cilat e kanë për detyre dhe as nga organizata
të shoqërisë civile. Ndëkohë dimë që fondi i ndihmës ekonomike për të mbëshetur
kategorinë e njerëzve në nevoje në vitet 2008-2011 arrin mesatarisht rreth 40
milionë USD në vit, pra vetëm 1 për qind të shpenzimeve të buxhetit total të
shtetit. A është i mjaftueshem ky fond?
Së pari mendoj unë ne kemi problemin e madh të
saktësisë, plotësisë dhe besueshmërisë së shifrave të varfërise dhe mandej mund
të jemi në gjendje të gjykojmë për mjaftueshmërinë apo pamjaftueshmërinë e tij.
Por a ka studime, të cilët mund të na vinë në ndihmë për këtë qëllim? Të paktën
mua s’më ka rënë në dorë një i tillë për dy vitet e fundit. Gjate 2003, kur
ushtroja detyrën e prefektes në qarkun e Beratit, konstatova, që kishte një
diferencë të madhe midis shifrave zyrtare të raportuara për varfërinë dhe
realitetit konkret në terren. Në këto rethana ndërmorra inisiativën për të
kryer një studim të plotë mbi varfërinë në qark. Pata në këtë rast mbështetjen
e admirueshme të ish minsitrit të atëhereshem të Punës dhe Cështjeve Sociale,
zotit Ëngjëll Bejtaj. U hartua një projekt i parashikuar të implementohej në
tre faza, por u realizua vetëm faza e parë e tij. Gjithëshka u ndërpre për
shkak të largimit tim nga ky post. Ky studim nuk u përfundua kurrë, mbasi nuk
përbënte prioritet për pasardhësin tim. Këtu del në pah edhe një problem
tjetër, që karakterizon rotacionet tek ne, përfshi edhe ato brenda llojit, të
cilat në planin teknike, nuk funksionojnë si një vazhdimësi, por edhe problemi
tjetër, që është ai i mungesës së dëshirës për të njohur, prekur dhe zgjidhur
pa bujë problemet e thjeshta të përditëshmërisë, të cilat janë jetike për
qytetarët. Në të kundërt sundon makiazhimi i këtyre problemeve.
Por kjo është si të fshihesh mbas gishtit. Cdo gjë
ka pikën e saj të ngopjes. Vjen një moment, që të vërtetat e hidhura të
përplasen dhimbshëm në fytyrë. Sado të ketë makiazh, nga mediat vasale ka edhe
gazetarë të guximshëm e të përgjegjëshëm për misionin e tyre, të cilët kryejnë
me përkushtim detyrën e tyre, gjurmojnë realitetin në të gjitha pamjet e tij
edhe në anën e tij të shëmtuar, sic është mjerimi, dhe na i bën ato të dukëshme
dhe prezente në përmasën e tyre të dhimbëshme edhe aty ku mbretëron luksi dhe
kamja, duke na bëre, që ta ndiejmë edhe ne atë dhimbje, duke na zgjuar
sensibilitetet dhe ndjenjën e angazhimeve pozitive. I tillë ishte për mua edhe
reagimi i profesor Perparim Kabos në faqen e tij në facebook. Ishtë një reagim
revoltues ndaj legjendës së misrit, këtë radhë në kontrast të fortë me “kohën
moderne”. Pamë, ndofta pa u besuar syve, të na shpalosej kjo pamje, po në Pukën
e legjendës migjeniane, nëpërmjet kronikës së gazetarit të Top Chanell, Miri
Hoti. Është shumë e dhimbëshme për të gjithë ne të shohim me sytë e dhimbjes
një familje të mbytur nga skamja, e mungesa e shpresës, e cila e mbante frymën
gjallë me bukë misri dhe kripë. S’do ti besonim nëse nuk do i shihnim me sytë
tanë ata fëmijë dhe nënën e mjerë, që su ngopte dot barkun me buke. Prof Kaba,
reagon në mënyrë simbolike me një gjest domethënës, duke refuzuar publikisht
një darkë në një prej hoteleve luksoz, të Tiranës, darke e cila i paraprinte
një konference për krizën, në statistikat e së cilës, ndofta do të parakalonin
shifra suksesesh, që s’kanë aspak lidhje me realiteitn, që jeton kjo familje e
shumë të tjera si ajo, kudo nëpër skutat e vendit, ku nuk hynë radarët
institucional apo mediatik. Akti i tij është domethënes. Po aq domethënese
është edhe ftesa e tij e hapur për të udhëtuar drejt veriut. Kjo më nxiti të
bëj të njëjtën gjë me pjesëmarrjen në një aktivitet të ngjashëm. Por a mjafton
kjo? Cfarë lëvizjesh duhet të bëjmë ne për të treguar se jemi një shoqëri e përgjegjëshme?
Gjeste si ky janë të thjeshta, por me ndikim të madh sensibilizues, gjest, i
cili të fton të thyesh lëvozhgën e mykur të unit. Është shumë e rëndësishme për
ne si shoqëri ta zvendësojmë përemrin “Unë’ me përemrin “NE”. Ky gjest individual
e profesorit duhet dhe mund të bëhet nxitje që të lindin edhe inisiativa të
shoqërisë civile, apo aktorëve të tjerë për të përballuar këtë emergjencë
dramatike, të krijuar nga rënia në varfëri e personave apo grupeve të tërë, ose
për shkak të humbjes së vendeve të punës ose për shkak të rritjes së cmimeve,
apo problemeve të tjera sociale. Atje ku janë mundësitë duhet të ndihmohen.
Por cilët janë njerëzit, që fati i ka hedhur ne
skutën e mjerimit? Si mund të ndihmohen ata për të dal nga kjo situatë? Sa përqind
të popullsisë përbëjnë ata? Një familje konsiderohet e varfër nëse të ardhurat
e saj bien poshtë një niveli minimal të nevojshëm për të plotësuar nevojat
bazë. i cili quhet kufiri i varfërisë apo minimumi jetik. Ky minimum jetik
llogaritet duke përcaktuar nevojat minimale të konsumit të një “shporte”
mallrash e shërbimesh. Çdo vend llogarit dhe miraton kufirin e varfërisë bazuar
në kushtet e tij ekonomike dhe sociale. Bazuar tek ky tregues përcaktohet numri
i të varfërve, si dhe shtrirja e tyre territoriale, me qëllim zbatimin e
politikave dhe programeve efektive për reduktimin e varfërisë.
Për matjen e varfërisë në nivel global, Banka
Botërore në Raportin e Zhvillimit Botëror 1990, miratoi kufirin (absolut) “një
dollar në ditë”. Rënia nën këtë kufi (sigurisht duke e indeksuar atë psh me
çmimet e vitit 2005 i takon të jetë 1.25 USD në ditë) nënkupton të jetuarit e
një personi në “varfëri ekstreme”. Në vendin tonë mungon një nivel zyrtar për
matjen e varfërisë. Referenca zakonisht bëhet me një kufi gjysmëzyrtar të
publikuar nga INSTAT-i. Në Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës në vitin
2008, anketim i kryer me mbështetjen e PNUD-it dhe të Bankës Botërore, citohet
shifra si më poshtë: “pjesa e popullsisë,
konsumi mujor real për frymë i së cilës është nën 4,891 lekë (me çmimet e 2002-shit) ka rënë nga 25.4 për qind në
vitin 2002 në 18.5 për qind në vitin 2005 dhe 12.4 për qind në vitin 2008”.
Këtë shifër prej 4,891 lekësh e konsiderojmë si kufi gjysmëzyrtar, sespe vërtet,
ajo është llogaritur nga një institucion publik, por kjo shifër nuk është
miratuar nga qeveria si njësi matëse në luftën kundër varfërisë. Po ti shtojmë
kësaj situate edhe faktin që kjo shifer është më e ulët, se 7.975 lekë e cila
rezultoi nga matja zyrtare e nivelit të varfërise, kryer në vitin 2001, e cila gjithashtu
nuk u zyrtarizua me vendim nga asnjëra prej qeverive pasardhëse, tregohen nga
ana tjetër minimalisht mungesën e përgjegjësisë dhe vullnetit politik per ti
njohur problemet dhe për ta mbështetur këtë kategori popullsie dhe në rastin më
të keq është përpjekje për ta fshehur realitetin. Kryerja e anketimeve për
treguesit e varfërisë një herë në 5 vjet është arsyeja pse mungojnë të dhënat
për numrin e të varfërve pas vitit 2008, dhe per rrjedhoje mungon edhe ndjekja
dinamike e ecurisë së këtij procesi.. Këtë konkluzion e përforcon fakti, që
edhe në rezultate e CENSUSIT te fundit nuk janë pasqyruar ende treguesit e punësimit
dhe varferisë. Unë mendoj se vetëm duke i njohur dhe pranuar problemet ne mund
ti zgjidhim ato.
Gjithashtu mos llogaritja e këtij treguesi në
koherencë me strukturat globale, pamundëson matjen e nivelit të tyre në
kontekstin rajonal europian apo global. Nëse i referohemi përcaktimit të numrit
të familjeve të varfëra, bazuar në këtë tregues, konsideruar edhe faktin, që
këto shifra nuk indeksohen me rritjen e çmimeve rezulton që fondet e vëna nga
qeveria në dispozicion të këshillave të bashkive dhe komunave janë më pak se
gjysma e shumave të nevojëshme. “Për
pasojë, duke analizuar grupin e familjeve me katër persona, pagesa mesatare në
muaj për familje më 2011-n ka qenë vetëm 2,919 lekë. (Shërbimi Social
Shtetëror, 2012). Rrjedhimisht, pagesa për person në muaj del 730 lekë. Pra,
ndihma ekonomike mbulon vetëm 15 për qind të kufirit gjysmëzyrtar prej 4891
lekësh që llogarit INSTAT-i”. Bazuar në këto shifra buron emergjenca e
hartimit të politikave sociale të përshtatëshme për zbutjen e mandej zgjidhjen
e kësaj situate. Peshorja duhet të anoj në favor të politikave zhvilluese. Për
këtë nevojitet një raport i drejtë i politikave fiskale me ato shpërndarëse.
Ato duhet të jenë në ekuilibër dhe në funskion të një zhvillimi të shëndetshëm
ekonomik. Këtë mekanizëm taksim- (ri)
shperndarje do ta krahasoja me sistemin e qarkullimit te gjakut ku fiskun
do ta krahasoja me venat që sjellin gjakun (paranë) në veshore (buxhet) në
formën e të ardhurave, kurse shpërndarja nëpërmejtë kanaleve të saj shpëndarëse
nga sistemi arterial, i cili nga barkushet ( buxheti) e (ri)shpërndan në formë shpenzimesh
kapilare në cdo esktremitet të organizmit. Nëse ky mekanizëm funskionon mirë ne
kemi një organizem te fuqishëm, pra një sistem të shëndetshëm. Kur ky furnizim
nuk shkon në formë shërbimesh sociale, arsimimi, shëndetësore, administrative në
cdo skutë të vendit, duke krijuar mundësi punësimi etj, do të thotë që sistemi
ynë funksionon keq. Difekti në këtë rast është si i politikave që ndjekim,
ashtu edhe i pamjaftueshmërisë teknike për ti përmbushur ato.
Idealisht mekanizma të tilla do të lejonin më
shumë ndërveprim dhe inisiativa konkrete të përqëndruara mbi tema të interesit
të përgjithshëm, sic janë psh varfëria, që kërcenon të zgjasë hapësirat cdo
ditë. Me impenjimin tonë do të kontribonim në këtë mënyrë në përmirësimin e
situatës reciproke. Për këtë duhen forcuar mekanizmat ekzistues dhe të vihen në
dispozicion të këtij qëllimi. Për këtë na duhet të injektojmë një kulturë
përfshirëse. Nevojitet domosdoshmërisht të dalim nga kultura e leximit tepër
sipërfaqësor të sinjaleve, gjë që na ka karakterizuar në këto 20 vitet e fundit
në kërkim të rrugës së duhur për të realizuar një proces të integrimit tërësor
në vlerat europiane, duke ju rikthyer kulturës përfshirëse jo përjashtuese
tipike për mesdheun, rajon të cilit i përkasim. E gjithë kjo situatë na con
drejt rikonsiderimit të shkallës së vlerave të cilave u referohemi.
Ngjarjet të cilave ju referuam përfaqësojnë një
sinjal të qartë, qe demostron se faza në të cilen gjendemi është delikate dhe
shumë e rëndësishme për të na tranzituar drejt një faze me vlera më të larta, në
këtë aspekt. Nevojitet nje ridefinim i paradigmes tradicionale sipas të cilës kemi
trajtuar këto politika, prej të cilave ka buruar edhe kjo situatë kaq pak
kohezive dhe kaq shumë e fragmentarizuar. Duhet t’i japim jetë një politike
sociale të qartë dhe koherente me situaten ku jemi si dhe me tendencat e
zhvillimeve të ardhëshme. Psh bujqësia dhe mbarështimi i blegtorisë, me investime
më të mëdha dhe mirëadminsitrim të burimeve mund të jenë antidotë e urisë dhe
zgjidhje e drejtë në luftën kundër varfërisë. Por hapi i parë që duhet të bëjmë
është tu japim besueshmëri statistikave tona, të kemi sy dhe kurajo ti lexojmë
drejt ato dhe jo ti deformojmë për qëllime pragmatike, ngushtësisht politike.
Vetëm mbi këte bazë do të mund të ndërtojmë paradigmën e re.
E gjithe kjo kërkon impenjim të fortë në terma të
vullnetit politik si dhe solidaritet dhe
bashkëpunim ekonomik, duke ndërtuar një raport të ri të partneritetit
publik/privat. Sigurisht egzistojnë probleme të shumta për të cilat është vështire
të gjesh zgjidhje të bashkëndara në terma afshkurtër dhe afatmesëm. Kjo lidhet
me faktin që interesat partiake u mbivendosen interesave të përbashkëta si të komuniteteve
lokale ashtu edhe atij në nivel kombëtar. Jo domosdoshmerisht duhet te jesh një
vend i pasur për të aplikuar politika të drejta dhe të efektëshme sociale.
Luiza Hoxhaj
Tirane me 16.12.2012
Nessun commento:
Posta un commento