Cerca nel blog

lunedì 7 dicembre 2015

Të gjitha të drejtat për të gjithë”



Diskutim nga Luiza Hoxhaj ne
Konferenca për: Pesëdhjetëvjetorin e deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut- "
                          Të gjitha të drejtat për të gjithë”
                                                               10 Dhjetor 1998
Të nderuar pjesëmarrës!
Së pari dëshiroj të përshëndes organizatorët e Konferencës Komitetin Gruaja dhe Familja, Projektin “Nxitja e statusit Ekonomik dhe Social të Gruas në Shqipëri” si dhe “Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimeve në Torino të Organizatës Ndërkombëtare të Punës” të cilat zgjodhën pikërisht Vlorën, si qytetin në të cilën po organizohet kjo conference. Natyrisht përgëzime meritojnë dhe Prefektura dhe Bashkia e Vlorës për bashkëpunimin e tyre.
E gjej me vend përzgjedhjen që keni bërë, në të cilën ju padyshim që keni pasur në konsideratë traditat demokratike të këësaj treve, në historinë e largët dhe të afërt të saj.
Por Vlora aktualisht , si gjithë Shqipëria është përballur dhe përballet me problemet e tranzicionit të tejzgjatur si dhe me ato të paskrizës, të cilat për fat të keq krijojnë edhe problem në fushën e të drejtave njerëzore.
Kjo periudhe tranzisioni, përvec zgjerimit të disa të drejtave të njeriut apo plotësimit të mëtejshëm të legjislacionit tonë në fushën e të drejtave të njeriut, hapa këto, të cilat kanë favorizuar progresin shoqëror, ka pasur si dukuri të tyre edhe shkeljen sistematike të të drejtave të njeriut si psh: të të drejtës për tu tubuar, e drejta për tu trajtuar me kredi, favorizime të ndryshme, e drejta themelore e votës, dhunimet fizike të gazetarëve apo politikanëve, levizja e lirë etj. Raste këto që kur kanë arritur kulmin i kanë detyruar shtetasit që të përdorin armën e fundit mosbindjen civile, ndaj një rregjimi që nuk mbron të drejtat e njeriut, përkundrazi i dhunon ato.
E thashë këtë jo për të politizuar problemin, por për të shërbyer ky moment edhe si një moment sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi për të drejtat e njeriut, që gëzojme ne si individ dhe për përpjekjet që duhet të bëjmë ne për të mbrojtur këto të drejta, por gjithashtu edhe për detyrimet që ka shteti për të na siguruar dhe garantuar këto të drejta, që na i jep ligji, me të vetmin objektiv, që të mos biem në situatë të ngjashme. Këtu kam parasysh edhe paragrafin e parë të hyrjes tek Deklarata universal për të Drejtat e Njeriut ku thuhet:  “..se njohja e dinjitetit, që u përket të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore si dhe njohja e të drejtave të tyre të barabarta e të patjetërsueshme përbën themelin e lirisë, të drejtësisë dhe të paqes në botë”.
Të gjitha dokumentat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut si dhe dokumenta e konventat ndërkombëtare na vendosin përpara detyrimit që të gjithë të luftojnë e punojmë për të ndërtuar një shtet ku të mbretëroj ligji e ku të gjithë përpara ligjit të jemi të barabartë.
E vërteta është që në përgjithësi legjislacioni ynë në këtë drejtim është i plotë. Për të realizuar zbatimin e tij në kushtet e zhvillimit të shoqërisë civile kanë lindur shoqatat jo qeveritare.
Në fushën e të drejtave të njeriut Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut është pikë referimi.
Duke marrë në konsideratë faktin që zhvillimi i kësaj Konfernce përkon dhe me seminarin e zhvilluar për trajnimin e grave vlonjate në fushën e zbatimit të të drejtave të grave dhe vajzave në Shqipëri, unë do të përqëndrohesha  në fushën e gjendjes së gruas vlonjate dhe nivelit të organizimit të saj në OJQ.
Zhvillimi i shoqërisë civile dhe tranzicioni demokratik janë të lidhura ngushtë me suksesin e pjesëmarrjes së grave në trajtimin e problematikave të saj.  Sic u pa nga prezantimet, që u bënë prej tyre, gjatë seminarit, ajo që është më e rëndësishme, sic është parë edhe gjatë veprimtarisë se tyre mund të themi që: Në Vlorë është në lulëzim të plotë lëvizja e gruas.
Gratë vlonjate e kanë kuptuar mirë parimin e pjesëmarrjes, parimin e të qënurit aktive. Ato kanë gjithë potencialin e nevojshëm intelektual për të dhënë kontributin e tyre në të gjitha sferat e jetës, në kushtet e reja të kalimit nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur, nga totalitarizmi në demokraci.
Por është e vërtetë se ato jo gjithmonë kanë patur mundësi të japin këtë kontribut në organet shteterore, si në administraten e lartë apo atë lokale, në organet vendimarrëse apo egzekutive.
Këtë diferencë midis potencialit të tyre intelektual dhe pamundësisë për të dhënë në disa raste kontributin e tyre, për shkak të pengesave të ndryshme apo nënvleftesimit, ato e kanë kompensuar me parimin e vullnetarizmit, duke u organizuar në Organizata jo-qeveritare. Sot në Vlorë kemi 8 OJQ të grave me drejtim profesional, që veprojnë në fusha të ndryshme si dhe 5 shoqata  politike grash. Po ashtu në Vlorë operon edhe Qendra e Planifikimit familjar. Të gjitha këto organiyata janë aktive ne zhvillimin e jetës së qytetit tonë. Ketu nuk duhet të harrojmë kontributin dhe pjesëmarrjen e grave në shoqata të tjera mikse (pa orinetim gjinor) si SH.K.L. Demokratik, shoqatat që kanë objekt mbrojtjen e të drejtave të njeriut apo edhe ato profesionale.
Lulja e parë është Shoqata për nxitjen e Bisnesit të grave e krijuar në 1994, e cila tashmë është një shoqatë me experiencë. Gjatë viteve 1997-1998 kjo është pasuar edhe me 8 OJQ të tjera, të cilat janë integruar me dinjitet.
Fryt i këtij angazhimi të grave vlonjate është fakti që sot në qytetin tonë kemi një numër grash dhe vajzash drejtuese, numër ky që megjithëse është modest tregon një tendence në kahjen pozitive për vlerësimin e tyre.
-Në legjislativ kemi një përfaqesuese grua; në këshillat lokal kemi: dy këshilltare në Këshillin Bashkiak dhe  dy këshilltare në Keshillin e Rrethit; në drejtimin e institucioneve financiare kemi dy drejtuese gra (Sig. Shoq dhe Insig); kemi një drejtore në mjekësi; në Universitetin e Vlorës kemi dy gra dekane; në të vetmen Agjensi të Zhvillimit te SME drejtore është një femër.
Por nëse këto llogari i bëjmë në raport me burrat, gjithësesi  shifrat vazhdojnë të jenë modeste. Kjo do të thotë se kemi ende shumë rrugë për të bërë. Në të ardhmen objektivat tona duhet të jenë më ambicioze.
Një moment tjetër që dëshiroj ta theksoj është përballja e gruas me fenomene të tilla si divorci apo prostitucioni.
Shpesh problemet ekonomike, papunësia, me e theksuar kjo tek gratë, zhveshja e saj në më të shumtën e rasteve nga elementët e pronësisë, kanë bërë që ajo të humbasë pavarësinë e saj ekonomike e për rrjedhojë edhe një pjesë të autoritetit të saj për të patur rol ndikues në familje në rastin më të mirë, por edhe në shpërbërje të familjes në rastin më të keq. Ky pozicion inferior i saj ka bërë që në shumicën e rasteve ajo të mos jetë kërkuesja e këtij divorci edhe kur jeta e saj i bëhet e padurueshme. Këtë e tregon qartë edhe fakti, që numri i divorceve të kërkuara prej grave të jetë në ulje.
Shpesh pamundesia për të përballuar jetën si dhe niveli i ulët intelektual, apo predispozicioni individual, apo pamundësia për tu perballur me grupet kriminale, i con disa gra dhe vajza në rrugën e prostitucionit. Në rastin e Vlorës mentaliteti i popullsisë së saj në raport me femrën në familje: roli protektiv në raport me nënën, vajzën apo motrën, duke i bashkangjitur këtij edhe nivelin ekonomik, zvogëlon premisat që gruaja apo vajza vlonjate të bien në rrjetin e prostitucionit. Por kjo sdo të thotë që neve nuk duhet të na preokupojë kjo gjë. Lufta dhe përpjekjet tona duhet të jenë të atij niveli, që të mos lejojnë as mundësinë që Vlora të jetë pike tranzitimi e eksportit të prostitucionit për vajza dhe gra nga krahina apo vende të tjera. Nënat dhe vajzat vlonjate, familjet vlonjate duhet të investohen fuqishëm që djemtë, vëllezërit dhe burrat e tyre të mos bien preh dhe të mos bëhen bashkëpunëtor të këtyre rrjeteve.
Ne të gjitha së bashku mund tia dalim të luftojme, të mbrojmë dhe të realizojme të drejtat tona në vecanti dhe të drejtat e njeriut në tërësi.
Ju faleminderit per vemendjen tuaj!